e premte, 27 nëntor 2009

Haxhi si pasqyrim i popullsisë globale te myslimanëve.

Besnik Sinani

Këto ditë myslimanë nga mbarë bota janë mbledhur në qytetin e Mekës të Arabisë Saudite për të kryer pelegrinazhin e Haxhit, një event unik qe mbledh cdo vit gati pesë milionë besimtarë që udhetojnë nga të katër anët e botës. Qyteti i Mekës këto ditë pasqyron diversitetin etnik e racor të botës islame dhe kësisoj, arabët vendali të rajonit kthehen për pak ditë në minoritarë, për ti lënë dominimin indonezianëve, indianëve dhe miliona pelegrinëve të tjerë nga gjithë kombësitë e botës.

Muajin e kaluar u botuan për herë të parë rezultatet e një studimi të kryer nga Forumi Pew për Religjionin dhe Jeten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i pari projekt që ndërmer të pasqyrojë hartën e popullsisë myslimane në botë. Gjetjet habitën disi edhe drejtuesit e projektit si Brian Grim. Numri i myslimanëve sot ne botë llogaritet të jetë rreth 1.57 bilion apo 23% të popullsisë së botës. Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore është vend banimi i vetëm një nga pesë myslimanëve të botës. Një pjesë e mirë e myslimanëeve jetojnë si minoritarë në vende si India apo Rusia. Kina ka më shumë myslimanë se Siria, Gjermania ka më shumë myslimanë se Libani, dhe Rusia ka me shumë myslimanë se Libia dhe Jordania së bashku. Drejtori i punës kërkimore, Allen Cooperman, vuri në dukje se vënde si Rusia, Kina, dhe India, të cilat nuk mendohen shpesh si vende myslimane, kanë sasi të konsiderueshme të popullsisë myslimane. Ai vuri gjithashtu në dukje se, teksa shumëkush mendon për myslimanët në Evropë si emigrantë të ardhur, kjo është e vërtetë vetëm për Evropën Perendimore, ndërsa “në pjesën tjetër të Evropës – Rusia, Shqipëria, Kosova, këto vende – myslimanët janë popullsi indigjene.”

Ky studim, më i madhi i llojit të vet, mbulon më shumë se 232 vende dhe territore. Edhe pse studimi vë në dukje se gati 90% e myslimanëve janë suni dhe vetëm 10% janë shia, studimi nuk ka marë parasysh dallimet sektare. Studimi është bazuar mbi kriterin e vetë-identifikimit, jo në nivelin e religjiozitetit apo specifitetin sektar dhe shumica dërmuese e të pyeturve janë përgjigjur se janë myslimanë pa specifikuar dallim sektar.

Këto gjetje, ku gati një në cdo katër banorë të globit është mysliman, dhe ku myslimanët e Lindjes së Mesme përbëjnë vetëm një minoritet të tërësisë së popullsisë së myslimanëve të botës, kanë reperkursione, sipas disa analistëve, dhe në përpjekjet politike të Shteteve të Bashkuara për përmirësimin e marëdhënieve me myslimanët nëpër botë. Kohët e fundit, Departamenti i Shtetit Amerikan, caktoi nje myslimane amerikane, Farah Pandith, si përfaqsuese speciale e Shteteve të Bashkuara në komunitetet myslimane kudo në botë. Këto përpjekje do duhet të marin parasysh se shumica e myslimanëve nuk gjenden në Lindjen e Mesme, ku aktualisht Shtetet e Bashkuara kanë fokusuar aktualisht përpjekjet e tyre diplomatike.

Eventi i Haxhit kombinon ritet e traditës fetare me realitetin e kompleksitetit të bashkësive myslimanë kudo në botë. Është tregues i diversiteti po aq sa dhe unitetit të besimit, ritualeve, dhe vlerave që informojnë jetën e një komuniteti të shpërndarë në të karët anët e botës.

Nuk ka komente:

Posto një koment