e enjte, 11 shkurt 2010

Mirela Bogdani dhe Forumi Musliman: Vazhdon Dialogu i Shurdhët.

Besnik Sinani

Në ditët që pasuan intervistën e Mirela Bogdanit në emsisionin Déjà vu, ku e vënë përballë një fotografie grashë muslimane gjatë një faljeje, znj. Bogdani bëri komente që u konsideruan si ofenduese prej shumë muslimanësh, në faqe e lista interneti u shfaqën debate të ashpra mes znj. Bogdani dhe disa muslimanëve. Forumi Musliman i Shqipërisë iu drejtua me një letër ankese dhe Partisë Konservatore të ëells –it ku znj. Bogdani aderon për të cilën ajo ishte zgjedhur dhe si kandidate e kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme. Këto ditë, pas një përgjigjeje nga Partia Konservatore e Wells –it ku thuhet znj. Bogdani suspendohet nga lista e kandidatëve të Paritsë, ky debat midis disa muslimanëve dhe znj. Bogdani u bë i njohur në shtyp për publikun.

Në ankesën e tyre ndaj znj. Bogdanit, Forumi Musliman Shqiptar e ka akuzuar atë për islamofobi – i njësuar në disa dokumenta te Kombeve të Bashkuara me racizmin dhe forma të tjera të urrejtjes ndaj tjetrit - ndërsa M. Bogdani akuzoi Forumin Musliman për ekstremizëm fetar – identifikuar sot globalisht si një nga plagët më shqetësuese në shumë shoqëri. Ajo akuzoi, gjithashtu, Olsi Jazexhiun si instiguesin kryesor prapa Forumit dhe si ekstremist fetar.

Në gjithë këto shkëmbime me terma të rënduar, nuk u shfaq asnjë përpjekje për të patur një dialog të mirëfilltë mbi termat, idetë, dhe qëndrimet që shqetësojnë të dyja palët dhe më gjerë. Së pari, znj. Bogdani shpreh mendimin e vet duke etiketuar gratë muslimane si “të privuara” por habitet pse muslimanët protestojnë ndaj një emërtimi të tillë. E kam vështirë të kuptoj se sipas cilës llogjikë protesta ndaj një etiketimi ofendues konsiderohet ekstremizëm. Si u duhet të reagojnë palëve që ndihen të ofenduar ndaj etiketimeve ofenduese? Së dyti, Forumi Musliman nuk kufizohet me ankesën ndaj etikemiteve të tilla, por vazhdon të fusë në thesin e akuzës për islamofobi komentet e Bogdanit mbi integrimin e muslimanëve dhe të Turqisë në Evropë. Ka një dallim të qartë, më duket mua, midis komentesh ofenduese islamofobe dhe mendimeve të dikujt rreth integrimit të Turqisë në BE. është gati e panevojshme këtu të vë në dukje se nuk bie dakort me idetë e Bogdanit rreth integrimit, sic kam bërë këtë të qartë më parë. Gjithsesi më duket se nuk mund të vendoset aq kollaj lidhja mes islamofobisë dhe kundërshtisë ndaj integrimit të Turqisë apo emigrantëve në Evropë.

Inflacioni i termave dhe shpërdorimi i tyre sjell detyrimisht zhvleftësimin e këtyre termave dhe ideve e shqetësimeve që kërkojnë të tejcojnë. Për këtë arsye është për të ardhur keq që asnjëra palë nuk u angazhua me shqetësimet e palës tjetër, nuk tentoi as të shpjegojë shqetësimet e veta. Cfarë kemi parë gjer më tani dhe ka gjasa të vazhdojë dhe në ditët që do vinë, do jetë ping – pongu i termave të rënduar që nuk do bëjnë asgjë për të kontribuar seriozisht një dialogu për ekstremizmin, integrimin, islamofobinë dhe format e protestës në një shoqëri të lirë.

Nuk ka komente:

Posto një koment