e enjte, 4 shkurt 2010

Hija antishqiptare te regjistrimi i popullsisë


Nga Fitim Zekthi


Hija ka qenë gjithnjë një metaforë e fuqisë, jo vetëm për studiuesit e pikturës. Prej vitesh në Shqipëri si hije është endur një kërkesë për një regjistrim të popullsisë, ku të tregohej etnia dhe besimi fetar. Shumëkush i ka dhënë karar duke e quajtur këtë një kërkesë dashakeqe që nxitet nga mendje ende të turbulluara kohësh të shkuara.

Tashmë regjistrimi i popullsisë mbi bazë besimi dhe etnie është drejt jetësimit dhe nuk bëhet më fjalë për një kërkesë hije. Arsyetimi zyrtar, i cili është zgjatim i arsyetimit nga vjen kërkesa, është se me këtë gjë Shqipëria plotëson një standard të Bashkimit Evropian. Regjistrimi i popullsisë me bazë besimi dhe etnie është pa dyshim një akt i lig dhe që kërkon të nxisë në këtë vend debate, fyerje dhe të stisë një identitet të ri.

Kërkesa është bërë, kahmot, nga përfaqësuesit politikë të minoritetit grek në Shqipëri. Në Evropë sot nuk ka asnjë vend që të ketë bërë një regjistrim të popullsisë mbi bazë besimi dhe etnie, pavarësisht se shumë kanë të dhëna për diversitetin e popullsive të tyre. Regjistrimi i pakicave fetare apo etnike dhe racore teorikisht ka kuptim për një qeveri kur diskriminimi ndaj tyre është shumë i madh dhe mundësia e tyre për të shkuar në shkollë është shumë e vogël, kur ata nuk merren në punë, kur ata kanë trajtim mjekësor të keq, kur gjykata dhe policia sillet me ta si me qytetarë të dorës së dytë, krahasuar me grupet e tjera të shoqërisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend që e ka aplikuar këtë gjë, duke regjistruar popullsinë në bazë racore dhe qeveria ka hartuar programe të posaçme për të integruar qytetarët e saj me ngjyrë. Ata janë pranuar në shkolla pa plotësuar kriteret që janë kërkuar për të bardhët, janë mbrojtur me programe të kujdesit shëndetësor më shumë se të bardhët dhe madje presidenti Obama tha se ai do të emërojë gjyqtarë në Gjykatën Supreme që vijnë nga minoritetet me ngjyrë apo hispanike.

Megjithatë kritikat kanë qenë shumë të mëdha mbi mosfunksionim e kësaj sjelljeje, saqë shumë shtete e kanë braktisur tashmë aksionin afirmativ, siç quhet. SHBA ka vuajtur nga kjo gjë, sepse deri në vitet ‘70-të të zgjedhshëm ishin vetëm të bardhët dhe shumë emigrantë, por edhe vendas deklaronin se ishin të bardhë. Deri në vitin 1960 qytetarët me ngjyrë nuk kishin as të drejtë të votonin. Sot në SHBA kjo gjë është në të perënduar. Një sherif në deltën e Mississipit, i përfshirë në regjistrimin e popullsisë, thotë në një intervistë për “Los Angeles Times” se meksikanët po bëhen shumë të bardhë, ndërsa libanezët, megjithëse ishin të bardhë, ishin shumë të zinj dhe kinezët më të bardhë sesa amerikanët. Këtë ai e thoshte nisur nga integrimi i tyre në shoqërinë amerikane.

Sot në Shqipëri asnjë qytetar i minoritetit grek nuk trajtohet më keq sesa ata shqiptarë në spitale, as në zyrat e punës. Mundësinë për të shkuar në shkollë nuk e ka më të vogël sesa një shqiptar. Në gjykata apo polici nuk është dëgjuar kurrë ndonjë rast që një qytetar i minoritetit grek të jetë trajtuar më keq sesa një qytetar shqiptar.

Regjistrim të popullsisë mbi bazë minoritetesh ka pasur në Afrikën e Jugut, në regjimin e Aparteidit, dhe kjo e ligjëruar nga akti i regjistrimit të vitit 1954, ku duhej deklaruar ngjyra. Ajo kohë atje ka kaluar dhe as që bëhet fjalë për regjistrim të popullsisë duke deklaruar ngjyrën.

Për etninë dhe për fenë nuk ka asnjë vend në Evropë që të ketë kryer regjistrim të popullsisë. Të dhënat që ka qeveria britanike për shembull janë ato që ajo merr nga zyra e punës, e taksave, e kujdesit shëndetësor dhe e policisë. Këto zyra nuk kanë regjistrim të popullsisë mbi bazë besimi dhe etnie, por kanë të dhëna për shkak të punës së tyre të përditshme dhe i raportojnë këto të dhëna te Zyra Kombëtare e Statistikave. Edhe vendet e tjera kanë të dhëna mbi etninë dhe besimin, por regjistrim shtetëror askush nuk bën. Dhjetëra organizata, institute private bëjnë anketime dhe nxjerrin të dhëna. Në SHBA për shembull të dhënat më të referueshme janë ato të Pew Forum On Family & Religion. Instituti Pew Research është një makineri e madhe private sondazhesh dhe studimesh atje, dhe bën gjithfarë vëzhgimesh.

Verën e kaluar në Francë, i vetmi vend në botë deri më tani, presidenti Sarkozy emëroi një qytetar me origjinë algjeriane, Yazid Sabeg, që të drejtojë një agjenci për të regjistruar popullsinë në bazë etnie dhe feje. Franca është vendi me numrin më të madh të myslimanëve në Evropë. Të rinjtë emigrantë në Francë janë dy herë më shumë në numër të papunë sesa ata francezë. Varfëria në familjet e tyre është e thekshme krahasuar me ato franceze. Mundësitë e tyre për të shkuar në shkollë janë pakrahasimisht larg me ato të francezëve. Shumë prej tyre vdesin, edhe pa u kontrolluar fare te mjeku. Presidenti Sarkozy tha se duhet të marrë fund kjo gjendje, emigrantët duhet të integrohen, por fillimisht na duhen të dhëna. Kjo qe arsyeja pse ai emëroi një biznesmen me origjinë algjeriane në krye të kësaj pune. Kritikat megjithatë nuk munguan dhe qenë therëse. Dhjetëra shoqata për të drejtat e njeriut thanë se kjo bëhet që pas evidentimit ata të zbohen nga Franca ose të kenë mundësi më të vogla për të fituar një punë apo shkollë. Presidenti këmbënguli se donte të kundërtën. Kompanitë më të mëdha në Francë u mblodhën nën drejtimin e Yazid Sabeg, drejtorit të projektit të regjistrimit mbi bazë besimi dhe etnie, dhe nënshkruan një marrëveshje ku zotohen të promovojnë integrimin e minoriteteve në kompanitë e tyre. Dhe kjo po funksionon sipas të dhënave të Ministrisë franceze të Ekonomisë. Megjithatë regjistrimi i popullsisë mbi bazë feje dhe etnie ngeci. Këshilli Kushtetues në Francë e quajti thyerje të së drejtës klasifikimin e qytetarëve sipas origjinës dhe besimit. Këshilli Kushtetues është për Francën Gjykata Kushtetuese dhe është autoriteti më i lartë kushtetues. Presidenti Sarkozy, për të qetësuar kritikat, ngriti një komision special për ta parë nëse mund të gjendet mundësi ligjore që të bëhet ky regjistrim i popullsisë dhe për të vlerësuar diversitetin në të. Komisioni tha se mund të përdoren statistika për të vlerësuar diskriminim, por ai rrëzoi mundësinë e aksionit afirmativ dhe për pasojë edhe regjistrimin me bazë etnie dhe besimi.

Shqipëria kësisoj është i vetmi vend në Evropë që ndërmerr në mënyrë të verbër një nismë për regjistrimin e popullsisë në bazë besimi dhe etnie. Në esetë e librarisë së Kongresit Amerikan (S. S. Nicholas of Louisville, Kli-NTUCKT. Entered, according to Act of Congress, in the year 1863) për pushtetin e shumicës, thuhet se ajo nuk asnjë të drejtë natyrale për pushtet arbitrar, ajo ka pushtet si mjeku mbi pacientin, për të shëruar, jo për të vrarë. Në Shqipëri regjistrimi i popullsisë me bazë besimi dhe etnie nuk shëron. Regjistrimi i popullsisë kësisoj është thjesht uzurpim i një pushteti që nuk i takon qeverisë në këtë rast.

Shqipëria është një vend laik dhe qeveria nuk ka asnjë arsye të dijë se çfarë besimi kanë qytetarët e saj. Demokracia iu ofron besimtarëve një marrëveshje: të pranojnë si çmim për ekzistencën e shoqërisë civile faktin që ata nuk duhet kurrë të imponojnë bindjet e tyre dhe shteti nuk mund të përdorë fuqinë e tij për të cenuar një besim. Në anën tjetër, qytetarët janë të lirë të ushtrojnë besimin e tyre siç ata e ndjejnë dhe janë të lirë të debatojnë me të tjetër në atë që quhet treg idesh. Deklarimi i besimit pas një kërkese të qeverisë e cenon laicizmin, por në kushtet e Shqipërisë, kur 500 mijë njerëz punojnë në Greqi, cenon edhe lirinë e tyre për të shprehur besimin.

Regjistrimi i popullsisë mbi bazë besimi dhe etnie me anë të një programi shtetëror është edhe thyerje e parimeve themelore të shtetit. Gjyqtari i Gjykatës Supreme në SHBA, Holmes, ish-hero lufte, në vitin 1906 thoshte se taksat janë çmimi që ne paguajmë për të jetuar në një shoqëri civile. Në rastin tonë taksat po përdoren për ta dëmtuar shoqërinë civile. Profesoresha e ligjeve në universitetin e Dayton-it, Vernellia Randall, e cila është ndër zërat më influentë për të drejtat e minoriteteve, thotë se kemi të bëjmë me minoritet në rastin kur anëtarët e një grupi shoqëror kanë në mënyrë të dukshme më pak kontroll mbi jetët e tyre sesa grupe të tjera dominante të shoqërisë. Rasti i qytetarëve grekë në Shqipëri nuk është ky, e as rasti i besimtarëve ortodoksë, katolikë apo bektashinj e myslimanë. Në anën tjetër, profesoresha Randall thotë se nuk ka kufij matematikë për të evidentuar një grup në minoritet dhe ajo merr shembull qytetarët me ngjyrë që shkojnë në shtete të caktuara edhe në 50% apo edhe më shumë. Kësisoj arsyet vulgare të kinse standardeve të BE për pakicat janë të paqena, pasi më parë është i paqenë diskriminimi.

Po të ishte për arsye integrimi, mund të regjistroheshin qytetarët me ngjyrë në Shqipëri, që jetojnë në mizerje dhe realisht janë të diskriminuar. Hija është vërtet simbol i fuqisë dhe në këtë rast me regjistrimin me bazë feje dhe etnie, ajo po bën një prej dëmeve më të mëdha që mund t’i bëhen këtij vendi.

2 komente:

  1. Ajo qe me duket vecanerisht me vlere ne kete artikull eshte vendosja e debatit mbi regjistrimin ne kontekstin teorik dhe te eksperiencave te demokracive me tradite. Kjo sjell pyetjen qe po ngrihet prej shume zerave keto dite: Pse ky regjistrim? Nderkohe qe qeveria ka dhene pergjigje evazive duke permendur rekomandimin evropian apo standarte evropiane. Mangesia e artikullit gjindet tek mungesa e shqyrtimit me te hollsishem se pse ky regjistrim eshte i demshem dhe pse eshte anti-shqiptar, pretendime qe autori i ngre si ne titull ashtu dhe ne konkluzionin e artikullit te tij.

    PërgjigjuFshije