e hënë, 17 maj 2010
Ku e ke argumentin?
Ridvan ibn Muhamed Salimi
Komentet e mëposhtme nuk kanë për qëllim të fyejnë askënd, prandaj ju lutemi të mos i merrni për të tilla. Ne i duam të gjithë vëllezërit tanë, të cilët e duan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që me sinqeritet i janë përveshur punës për këtë fe, pavarësisht nga drejtimi që kanë marrë. Nëse fjalët e mëposhtme ju duken disi të ashpra, kjo është për shkak të natyrës së rënduar të kohës ku jetojmë, ndaj dhe e ndjemë se duhet të hyjmë direkt në temë.
Shkak për komentin e mëposhtëm qe pyetja që më drejtuan lidhur me një çështje të caktuar. Pyetësi nuk donte të dinte thjesht rregullën, por kërkonte dhe argumentet. Aty kuptova se këto “argument” donin t'i krahasonin me “argument” që mund të kishin mbledhur dhe nga të tjerët e ashtu me mendjen e tyre të vendosnin se cili është më i “forti”. T'i jepja argument një kësi amatori, nga shkolla ligjore hanefite lidhur me çështjen, m'u duk e papërshtatshme. Do mundohem ta sqaroj përse. I tregova rregullën e shkollës hanefite dhe i thashë: "Kjo fetva, nëse del nga njëra prej katër shkollave ligjore të ehli sunetit, është rrjedhojë e një studimi, pune kërkimore dhe ixhtihadi të qindra dijetarëve të mëdhenj të këtij umeti, të cilët kontribuuan dhe i ripanë çështjet ligjore të secilës shkollë. Ata ishin mjeshtra në shumë disiplina islame dhe shumë prej tyre dinin përmendësh mbi njëqind mijë hadithe të Profetit tonë të dashur (a.s). Shumë dijetarë të shkollës ligjore hanefite arritën një grade tejet të respektuar, u njohën si “Ruajtësit e Hadithit”. Përveç kësaj ata i karakterizonte një shkallë e lartë devotshmërie dhe frike ndaj Allahut, gjë mëse e vërtetuar në biografitë e tyre. Kështu që ne i pranojmë me krenarinë më të madhe gjykimet që ata kanë dhënë pa pyetur për “argumentet”, dhe nuk u kthehemi atyre që nuk i nënshtrohen autoritetit të këtyre dijetarëve të mëdhenj të këtij umeti dhe që duan të shqyrtojnë argumentet për çdo çështje, dhe pse shumica e tyre nuk kanë as njohuritë bazë në shkencat islame apo që të kenë studiuar ndonjë libër autentik hadithi me ndonjë mësues, etj.
Epo të kërkojë “argument” një amator, është vërtetë qesharake. Është si ai që as nuk e njeh shkencën e fizikës, dhe debaton me profesorin për teorinë e relativitetit. Apo si ai që nuk ka as njohuritë më elementare në biologji dhe kimi e merr guximin të debatojë me ndonjë mjek se cila është kura më e mirë për një sëmundje të caktuar. Ky futet tek soji i qesharakëve! A mendoni se vërtet një profesor do t’ua vinte veshin fjalëve të tij? As që do të humbte kohë duke u marrë me të. Ky njeri, nëse do vërtetë të japë mendimin e tij mbi fizikën teorike, së pari duhet të studiojë GCSE-në për dy vjet, të marrë nivelet A për dy vite të tjera, të diplomohet pastaj për tri vite të tjera, më pas një apo dy vite master, duke vazhduar më tej me katër a pesë vjet doktoraturë… Atëherë do të jetë në gjendje të debatojë me një profesor!
Ngjashëm me këtë, apo dhe më keq, është rasti i atij që nuk di as gjërat më elementare të Ligjit Islam, dhe kërkon të sfidojë dijetarët e mëdhenj të fikhut, nga selefët dhe halefët e këtij umeti! Ai madje nuk zotëron as mjetet më të nevojshme për të kuptuar dhe vlerësuar “një argument”.
A mendoni se të japësh mendime mbi Ligjin Islam është me e lehtë se të flasësh mbi fizikën teorike?
Vetë fakti që ju kërkoni argument, flet qartë se ju nuk ia keni fare haberin ç’do të thotë fjala ixhtihad.
A mendoni se të kesh një argument është aq e thjeshtë sa të thuash një ajet kuranor apo një hadith të vetëm? Detyra juaj si amator dhe fillestar në dijen fetare është të mos e kërkoni fetvanë të shoqëruar me “argument”. Përkundrazi, detyra juaj është thjesht të mësoni një rregull të caktuar nga njëra prej katër shkollave të pranuara ligjore dhe të dini se këto rregulla bazohen në një dituri dhe studim të imtësishëm të burimeve të shenjta. Nëse shqetësoheni vërtetë për argument, ju lutem bëni një hap më tej për të studiuar dijen e shenjtë. Jeni mëse i mirëpritur! Por vetëm të kaloni nivelin elementar ju duhen së paku 8 vjet studim serioz. Dhe ky është hapi fillestar; akoma nuk keni filluar të specializoheni! Besomëni mua, çdo shkollë ligjore, aty i ka argumentet. Referencat enciklopedike që i shtjellojnë në detaje këto argumente të fikhut hanefi, janë të shumta dhe të njohura, të shkruara nga mjeshtra të hadithit dhe jurisprudencës. Jeni të lirë t’i shikoni në çdo kohë që dëshironi. Por një njeri i paushtruar, si ju, edhe nëse i lexon nuk do të jetë në gjendje t’i kuptojë këto vepra, ashtu si studenti i fizikës që nuk mund të kuptojë punët kërkimore të një niveli të lartë apo një punë kërkimore mjekësore. Është koha për përunjësi! Nëse ende je në shkollë të mesme, të duhet të marrësh bazat dhe të pranosh atë që të jep mësuesi tani për tani. Me kalimin e viteve, nëse do të jesh një student inteligjent dhe nëse do të punosh vërtetë shumë, mund të arrish në atë nivel sa të diskutosh për teoritë e komplikuara dhe të formosh mendimin tënd.
Për fat të keq, si pjesë e risive të qortueshme të kohëve moderne, brenda umetit ka nxjerrë krye një lëvizje që mohon ndjekjen e njërës prej katër shkollave ligjore dhe i nxit amatorët të vënë në dyshim çdo rregull të fesë, të dalin vetë në konkluzione dhe të ecin sipas kokës së tyre (ky mund të jetë suneti i Frank Sinatra-s, i cili thotë, - Ia dola vetë, - por jo tradita e dijetarëve të brezave me të mirë). Nëse mendon se si nxënës në shkollë të mesme mund të japësh ndonjë mendim mbi teorinë kuantike, atëherë ehlen ue sehlen!
Por, sa për paralajmërim, duhet ta dish se ajo që po bën, pra të japësh fetva direkt nga tekstet e shenjta pa qenë i kualifikuar për një gjë të tillë, është kryekëput harram. Nëse njerëzit do të kualifikoheshin për të nxjerrë regulla ligjore në mënyrë mekanike, ligji i shenjtë do të shkatërrohej dhe do ta mbulonte kaosi (Meqë ra fjala, thjesht fakti që jeni arab apo që flisni arabisht, nuk ju bën juve automatikisht myfti të kualifikuar!). Të gjitha disiplinat kanë kurrikulat dhe metodologjitë e tyre të studimit. Ligji islam është një nga disiplinat më të vështira që kërkon vite për t’u bërë ekspert. Për t’u bërë avokat ju duhet të dilni me rezultate të shkëlqyeshme, pastaj të diplomoheni për drejtësi. Por dhe pas kësaj ju duhet të merrni provimin e avokatisë. Prapëseprapë, puna nuk mbaron me kaq! Si avokat i ardhshëm ju duhen dhe ca vite praktikë para se të filloni të ushtroni profesionin tuaj. Dhe e gjithë kjo thjesht për të marrë titullin “avokat i ri”. Dhe vetëm pas shumë vitesh përvoje dhe pune kërkimore mund të bëheni Avokat i Kurores (titull nderi në avokati), apo të punoni si gjykatës në Gjykatën Lartë. Është për t’u çuditur që tek ne, çdo Tom, Dik apo Hamza e konsideron veten të kualifikuar në dhënien e fetvave sapo ka lexuar disa ajete kuranore apo një version të përmbledhur të sahihut të Buhariut! Kjo nuk është gjë tjetër veçse pasqyrim i injorancës sonë të thellë në këtë fushë.
Si mund të jepni gjykime ligjore, kur ju as që keni futur këmbët në një shkollë të tillë? Jeni thjesht një nxënës i shkollës së mesme dhe mateni të futeni në diskutime akademike!
Jini kokëulur! Nëse doni të diskutoni për çështje të Ligjit Islam, shkoni dhe uluni tek këmbët dijetarëve, trashëgimtarët e profetëve (paqja qoftë mbi ta), dhe studioni me ta. Mësoni prej diturisë dhe karakterit të tyre shembullor, pastroni veten bëhuni meritor që drita hyjnore të depërtojë tek ju. Nëse gjithë jetën ia keni kushtuar inxhinierisë, mjekësisë apo nismave tregtare dhe jo dijes së shenjtë - dhe tashmë në moshë të thyer keni filluar të bëheni një "çik fetar", të shkoni në xhami etj, - mos mendoni se mund të bëni një “kurs katapultues” në fe thjesht duke lexuar “Fikhu Sunneh” apo tefsirin e Meududit dhe të arrini në atë nivel sa të debatoni me dijetarët. Prandaj je i lutur t’ua lësh çështjet e fesë atyre që kanë sakrifikuar rininë dhe shumë vite të jetës së tyre duke studiuar disiplinat e shenjta. Siç thotë shpesh dhe një nga mësuesit e mi: “Ky është fikh e jo fik". Pra ke të bësh me fe këtu! Nuk është lodër për njerëz çfarëdo. Është vetë konteksti i sotëm që i bën njerëzit aq të pacipë sa të besojë se mund të japin mendimin e vet për të gjitha çështjet, që nga teologjia e gjer tek Ligji Islam.
E vërteta e qartë është se ti nuk je në atë gjendje sa të vlerësosh “argumentet” për një çështje të caktuar dhe të dalësh vetë në konkluzion se cili është mendimi më i fortë dhe më i “saktë”.
Më kujtohet një herë një debat me një 18-vjeçar, tamam çunak, i veshur me xhinse dhe xhaketë prej lëkure, jashtë xhamisë së lagjes sime. Kishte dy vite që kishte filluar të praktikonte fenë dhe pa e prishur fare terezinë, po më tregonte se si i shqyrtonte “argumentet” e shkollave të ndryshme juridike për çdo “çështje” dhe arrinte vetë në përfundim se cili ishte më i sakti! Fakti që nuk dinte as edhe një fjalë në gjuhën arabe nuk mjaftonte si argument për të hedhur poshtë gjurmimin e tij akademik - pa dyshim që çdo gjë do ta gjende të përkthyer në anglisht! Për fat të keq këta të gjorë as nuk ia kanë idenë se sa të komplikuara janë shumë çështje ligjore. A nuk e kuptojnë se po “ndjekin verbërisht” çdo “dijetar” që u servir informacion për këtë “çështje” kaq të veçantë. Ata as që i kanë kontrolluar vetë burimet, për shembull referencat e katër shkollave juridike për të parë se ç’thuhet në diskutimet e tyre. Dihet se rregullat hanefi nuk mund të merren nga një tekst shafi, apo e anasjellta, pasi shpesh japin prezantime të pasakta të një shkolle tjetër juridike - duhet të shihni tekstet e asaj shkolle. Do t’ju jap vetëm një shembull të thjeshtë, por që haset shpesh: vëllai apo motra mendon se ka bërë një “ixhtihad” të madh duke dalë vetë në konkluzion (pasi ka kuptuar se të gjitha shkollat juridike nuk ia qëlluan për të paktën 1424 vjet).
Çështja është ku t’i vendosim duart në namaz. Në ditët e sotme është bërë thuajse normale të shohësh myslimanë të cilët i vendosin duart në kraharor apo dhe në grykë dhe jo në pozicionin tradicional, sipër ose poshtë kërthizës, pozicion që myslimanët e praktikuan për mijëra vite me radhë, madje gjer para pak kohësh- dhe kurrsesi mbi kraharor (përjashtuar gratë në medhhebin hanefi) dhe aq më tepër në grykë (disa nga dijetarët maliki janë të mendimit se suneti është t’i mbash te palidhura anash).
Gjithsesi, muxhtehidët e rinj të shek. XXI e dinë më mirë. Si duket gjithë ekspertët dhe dijetarët e mëdhenj të katër shkollave juridike nuk kishin të drejtë hyrje tek "Fikhu Sunneh", udhërrëfyesi bazë për të gjithë muxhtehidët që sapo kanë filluar të çelin! Madje versioni i përkthyer është i kudogjendshëm dhe për muxhtehidët joarabfolës! Thjesht shfleto kapitullin mbi: sunetet në namaz, pozicioni i duarve, etj, dhe do të zbulosh se Tirmidhiu tregon një hadith ku thuhet se Profeti (a.s) kur falej i vinte duart mbi krahëror dhe se Tirmidhiu e cilëson hadithin “hasen”. Po ashtu do të gjesh një hadith tjetër të ngjashëm në sahihun e ibn Kuzames të cilin ibn Kuzame e cilëson “sahih”. Dhe kaq! (Ata as që e dinë se kush është ibn Kuzame… po duket si i rëndësishëm!) Katër shkollat juridike e kanë gabim! Së këndejmi ti e sheh vëllain në xhaminë e lagjes duke i vendosur duart mbi krahëror dhe duke i parë me përbuzje ata që “verbërisht” ndjekin një medh’heb të caktuar. Por, po t’u hedhim një vështrim nga afër “argumenteve” që parashtrohen tek “Fikhu Sunneh”, do të bëjmë ca zbulime befasuese. Para së gjithash, ata që kanë studiuar “el-Xheemi” të Tirmidhiut, e dinë se Tirmidhiu nuk përmend fare një hadith ku Profeti (a.s) i vë duart mbi krahëror! E aq më tepër ta ketë cilësuar hasen!! Një gabim shumë serioz nga ana e autorit. Ja një tjetër gabim madhor: dhe pse ibn Kuzame e përmend hadithin e Profetit (a.s) ku thuhet se ai (a.s) i vendoste duart mbi krahëror, ai nuk e cilëson hadithin sahih. E vërteta është se ai nuk bën asnjë lloj komenti për saktësinë e këtij hadithi që e tregon në librin e tij. Ata që e dinë metodologjinë e ibn Kuzames do të shohin se ekzistojnë të gjithë treguesit që ai nuk e ka cilësuar hadithin të saktë. Së pari ai nuk nuk përmend vendosjen e duarve mbi kraharor në kapitullin që paraprin atë kapitull (që është metoda e tij e zakonshme se si ai i percepton nënkuptimet ligjore të transmetimeve në këtë kapitull). Së dyti, këtë transmetim ai e vendos në fund të kapitullit, gjë që flet për dobësinë e tij. Gjithsesi, një vështrim në zinxhirin e transmetuesve të këtij hadithi, do të tregojë se aty gjendet Muammal ibn Ismail, të cilin shumë dijetarë të hadithit e konsiderojnë si transmetues të dobët, duke thënë se kishte një memorie të shkatërruar! Vetë imam Buhariu thotë për të: "Munker el-hadith", që do të thotë se hadithet e tij duhen refuzuar tërësisht! Ka dhe kritika të tjera për këtë transmetim, por nuk është momenti i duhur për t’u marrë me ta.
Ti kthehemi dhe njëherë problemit. Muxhtehidi i ri nuk ishte muxhtehid i vërtetë, apo jo? Prej “pasuesve të verbër” ai ishte më i verbëri. Lexoi thjesht një kapitull nga “Fikhu Sunneh” dhe e pranoi “verbërisht” atë çka lexoi, madje duke pretenduar për një alamet ixhtihadi! Vetëm imagjinoni se sa shumë gabime përmban ky libër. Dhe është ndër librat më të përhapur në ditët e sotme mes myslimanëve! Një nga mësuesit e mi na u drejtua një herë se dijetarët nuk i lejojnë vetes rrëshqitje të tilla në shkrimet e tyre. Kjo flet qartë për paditurinë e pashtershme të autorit. Në je apo jo i ndërgjegjësuar, duhet ta dish se në fund të ditës je po ai, një mukalid. Që do të pasosh dikë, kjo është e padiskutueshme, por çështja është, kë? Autorin e librit “Fikhu Sunneh” apo Albanin? Mos më keqkupto, të studiosh argumentet në çështjet e fikhut nuk është veprim i gabuar, por kërkon një kontekst dhe vend të caktuar. Ka plot sqarime të tjera lidhur me këtë fenomen, por do të mjaftohemi me kaq, duke iu lutur Allahut që të na mbulojë me mëshirën e Tij, të na udhëzojë tek e vërteta për çdo çështje, të na mundësojë ta ndjekim atë dhe të veprojmë sipas thirrjes së Tij gjatë gjithë jetës. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij të dashur, familjen e tij dhe shokët e tij.
Falenderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment