e shtunë, 29 maj 2010

Shumë Besime Dhe Një e Vertetë e Vetme.


Dalai Lama i 14 – të. (Tenzin Gyatso) – Fitues i cmimit Nobel per Paqen.

Kur isha djalë i ri në Tibet, mendoja se feja ime budiste duhet të ishte më e mira dhe se fetë e tjera ishin në një farë mënyre inferiore. Tani vërej se sa naiv isha dhe sa e rezikshme mund të jetë intoleranca fetare sot.

Edhe pse intoleranca mund të jetë po aq e mocme sa vetë feja, gjithsesi ne ende shohim perhapjen e saj të fuqishme. Në Evropë shohim debate të forta rreth të sapoardhurve që mbajnë shaminë ose që dëshirojnë të ndërtojnë minare si dhe episode dhune kundra emigrantëve muslimanë. Në Lindjen e Mesme, urrejtja ndaj atyre që pasojnë fe të tjera i hedh benzinë zjarrit të luftrave.

Tensione të tilla probabilisht do rriten teksa bota bëhet më e nderlidhur dhe kulturat, popujt dhe fetë ndërthuren më shumë. Presioni që krijohet nuk teston vetëm tolerancën tonë, por dhe na obligon të promovojmë bashkëjetesën paqësore dhe mirëkuptimin në të gjithë anët e kufijve.

Cdo fe ka një kuptim ekskluziviteti si pjesë të identitetit të vet thelbësor. E megjithatë, unë besoj se ekziston një potencial i mirëfilltë për mirëkuptim të përbashkët. Është e mundur të ruash traditën tënde fetare teksa respekton, admiron dhe vlerson traditat e tjera.

Herët më janë hapur sytë nga takimi me murgun trappist, Tomas Merton në Indi pak më përpara vdekjes së tij të parakohshme më 1968. Merton më tregoi se ai mund t’i ishte më së miri besnik Krishtërimit teksa mësonte thellësisht nga fe të tjera si Budizmi. E njëjta gjë është e vërtetë për mua si një pasues besnik i Budizmit, i cili mëson nga fetë e mëdha të botës.

Një nga pikat e rëndësishme që diskutuam me murgun Merton, ishte se sa thelbësore është mëshira në mesazhin e Krishtërimit dhe Budizmit. Në leximin tim të Dhiatës së Re, unë frymëzohem nga aktet e mëshirës së Jezusit. Mrekullitë e tij të bukës dhe peshkut, shërimi dhe mësimi i tij motivohen nga dëshira për të larguar vuajtjen.

Unë besoj me vendosmëri tek forca e kontaktit personal në ngritjen e urave midis dallimeve tona dhe për këtë arsye jam dhënë pas dialogut me njerëz të vizioneve të tjera fetare. Më bën përshtypje se fokusi tek meshira, të cilën vëzhguam unë dhe Merton-i tek dy fetë tona, sherben si një fill i fuqishëm lidhës ndër fetë e mëdha. Këto ditë duhet të vëmë në dukje cfarë na bashkon.

Vereni Judaizmin, për shembull. Për herë të parë vizitova një sinagogë në Indi, më 1965, dhe jam takuar pergjatë shumë viteve me rabinë. Më kujtohet më së miri rabini në Hollandë, i cili më tregoi për Holokaustin me kaq intensitet sa që të dy u përlotëm. Kam mësuar se si Talmudi dhe Bibla përsërisin temën e mëshirës, si tek pasazhi tek Levitiku që këshillon “Duaje fqinjin si veten tënde.”

Në shumë nga takimet e mia me dijetarë hindusë në Indi, kam parë se sa thelbësore është mëshira pa egoizëm edhe tek Hinduizmi, sic shprehet, për shembull, tek Bhagavad Gita, ku lavdërohen ata të cilët “lumturohen nga mirëqënia e të gjitha qënieve.” Prekem nga mënyra se si kjo vlerë është shprehur në jetën e qënieve madhështore si Mahatma Gandi, apo më pak i njohuri Baba Amte, i cili themeloi një koloni leprozësh, jo larg nga vendbanimi tibetas në shtetin Maharashtra në Indi. Ai ushqeu dhe strehoi leprozët që ishin të përzënë. Kur fitova cmimin Nobel për paqe, bëra një donacion në koloninë e tij.

Mëshira është një lloj e rëndësishme në Islam dhe njohja e këtij fakti është bërë tejet e rëndësishme pas 11 Shtatorit, vecanërisht për t’iu përgjigjur atyre që e paraqesin Islamin si një fe militante. Në përvjetorin e parë të 11 Shtatorit, fola në Katedralen Kombëtare në Ëashington, duke apeluar që mos ndjekim verbërisht disa në media dhe që mos lejojmë aktet e dhunshme të pak individëve të përkufizojnë një fe të tërë.

Më lëjoni t’ju tregoj rreth Islamit që unë njoh. Tibeti ka patur një komunitet musliman prej rreth 400 vjetësh, e megjithatë, kontaktet e mia më të pasura me Islamin kanë qenë në Indi, ku jeton popullsia muslimane e dytë për nga madhësia në botë. Një imam në Ladakh më tha dikur se një musliman i vërtetë duhet të dojë dhe respektojë gjithë krijesat e Allahut. Në mënyrën që e kuptoj unë, Islami ka madhëruar mëshirën si një princip thelbësor shpirtëror, reflektuar në vet emrin e Zotit, “Mëshiruesi, Mëshirdhënësi,” që shfaqet në fillim të gati cdo kapitulli të Kuranit.

Gjetja e të përbashkëtave midis besimeve mund të na ndihmojë të ndërtojmë ura midis dallimeve të panevojshme në një kohë kur veprimi i unifikuar është më i nevojshëm se asnjëherë tjetër. Si qenie na duhet të përqafojmë unitetin e njerëzimit teksa përballemi me cështje globale si epidemitë, krizat ekonomike dhe shkatërrimet ekologjike. Në këto sfida, përgjigja jonë duhet të jetë si një i vetëm.

Harmonia midis feve të mëdha është bërë një ingredient thelbësor për bashkëjetesën paqësore në botë. Nga kjo perspektivë, mirëkuptimi i përbashkët midis këtyre traditave nuk është cështje që u përket vetëm besimtarëve, por ka të bëjë me gjithë njerëzimin në tërësi.

Perktheu nga Anglishtja: Emin Baomari
Mare nga Gazeta The New York Times

Nuk ka komente:

Posto një koment