e mërkurë, 29 shtator 2010

Shënime mbi librin “Kriza e Teologjisë Muslimane Shqiptare” të Dr. Islamil Bardhit.


Besnik Sinani

Islami është fe sociale dhe jetohet në xhemat – kongregacioni që bashkohet për të jetuar në modelin e porosisë së shenjtë. Për këtë arsye studiues të Islamit priren të kërkojnë lidhshmëri të prurjeve skolastike fetare e botimeve të teologëve me emra lëvizjesh, sektesh, apo shkollash teologjike. Nën këtë dritë, libri i fundit i Ismail Bardhit, një prej teologëve më të njohur kontemporanë shqiptarë, përball studiuesin me vështirësinë e kualifikimit. Është vështirë ti gjesh mendimit teologjik të Ismail Bardhit “shtëpinë” sektare apo përkatësinë në shkollat apo tendencat e njohura të mendimit islam. Këtu, ndoshta, qëndron dhe risia e prurjes së tij në traditën teologjike shqiptare.

e hënë, 27 shtator 2010

Deklaratë e një grupi besimtarësh rreth ngjarjeve të fundit në KMSH

Besimtarët muslimanë kanë ndjekur me shqetësim ngjarjet e fundit në Komunitetin Musliman Shqiptar (KMSH). Teksa këto ngjarje janë të paprecedenta për nga përshkallëzimi i konflikteve brenda këtij institucioni, problemet e KMSH-së nuk janë asgjë e re. Pikërisht kjo situatë prej dy dekadash ka lënë bashkësinë e besimtarëve pa institucion funksional që të përfaqësojë interesat e tyre dhe që të shërbejë si institucion i autoritetit moral dhe shpirtëror për besimtarët.

e shtunë, 25 shtator 2010

Konfliktet e Islamit shqiptar dhe analistët e tij.


Besnik Sinani


Ngjarjet e fundit në Komunitetin Musliman Shqiptar (KMSH) treguan, ndër të tjera, mangësinë interpretative në debatin publik për të kuptuar krizën disa vjacare të këtij institucioni.


e enjte, 23 shtator 2010

A kanë zëvendësuar ‘turqit’ ‘arabët’ në Shqipëri?


Besnik Sinani

Para ca ditësh mora një email ku një gazetar që po përgatit një shkrim mbi zhvillimet fetare në Shqipëri më bënte pyetjen:" A kanë zëvendësuar turqit arabët në Shqipëri? Përgjigja e thjeshtë e kësaj pyetje është 'po', por përgjigja kërkon disa shpjegime rreth cfare kuptohet me këtë zëvendësim.

e martë, 21 shtator 2010

Vijojnë shkarkimet në KMSH, kësaj rradhe kurbani është Zëvendësmyftiu Nuzi


Trualli nën këmbë në KMSH duket se nuk ka zënë vend ende pas tërmetit Vokshi. Rradha i ka ardhur tashmë Zëvendësmyftiut të Tiranës Besim Nuzi, i njohur si mbështetës i ish-myftiut Vokshi. Besim Nuzi nuk kishte as një vit në detyrë, dhe u bë shumë shpejt prehë fshesës së kryetarit dhe klanit nurxhi që qëndron pas tij. Nuzi është njohur për konfliktet e krijuara në Durrës, në përplasjet e xhematit të këtij qyteti me myftiun Vokshi, në lidhje me një shitje prone vakëf prej tij, me c’rast, Nuzi, u bë figura që që u angazhua në frenimin e protestave.

e hënë, 20 shtator 2010

Një vizitë e gabuar


Besnik Sinani
(Nje variant i ketij artikulli eshte botuar tek Shekulli me date 20 Shtator 2010)

Sic është bërë e ditur në media, me datë 22 shtator, Presidenti Topi do vizitojë komunitetin shqiptar të Detroit dhe do nisë aktivitetin e tij duke vizituar statujën e Nënë Terezës në Kishën e Shën Palit. Teksa është komentuar prej disa autorëve abuzimi politik i figurës së Nënë Terezës prej politikanëve shqiptarë, askund ky abuzim nuk mer shije më të keqe se në këtë vizitë të Presidentit.

Famullia e Shën Palit drejtohet prej Dom Anton Kcirës, i cili është i njohur për publikun shqiptar për deklaratat e tij në 13 Maj të vitit 2007, ku thoshte se 1.9 milionë “qenë” të Kosovës duhej të ishin rrjepur për së gjalli nga Milloshevici si 260 mijë “qentë” e Sebrenicës.

e shtunë, 18 shtator 2010

Dështon Vokshi, Muca vendos diktatin



Elvis Naci dekretohet imam i ligjshëm

Dështon tentativa e grupit të Kryemyftiut Ilir Vokshi për të rrëzuar Selim Mucën. Kjo ka ardhur pas dështimit të mbledhjes së thirrur nga Vokshi, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm, ku sipas të dhënave, nuk kanë qenë të pranishëm më shumë se 9 vetë. Për sot ishin lajmëruar dy mbledhje njëkohësisht, ajo e thirrur nga Kryetari i KMSH-së Selim Muca, si dhe ajo e thirrur nga Kryetari i vetë këtij këshilli Vokshi. Por, Kryetari Muca ka arritur ti nënshtrojë anëtarët e Këshillit duke i detyruar ti qëndrojnë larg mbledhjes rivale. Kjo edhe për shkak të presionit që ai u ka bërë anëtarëve, ku në mënyrë të hapur, në njoftimin e KMSH-së, të publikuar edhe në faqen e internetit të këtij institucioni, kërcënon të gjithë anëtarët se, nëse nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e tij, do të mbajnë përgjegjësi “përpara ligjit dhe institucionit”.

Tërmet në KMSH



Furkani


Tërmeti ra prap në KMSH. Përplasjet brenda kësaj korporate ishin aq të spikatura sa media vijoi t’i rendiste në faqet kryesore. Dhe akuzat e ndërsjellta të kastës politike për korrupsion nuk do të përbënin lajm më të rëndësishëm se akuzat brenda KMSHs. Një kanal televiziv do t’i kushtonte emisionin më të parë të tij pikërisht kësaj cështje. Drejtuesi i saj bile do të cilësonte se ky emision kishte qenë më i ndjekuri për këtë periudhe. Interesante ishte se si një prej të ftuarve bëri dhe paralelizmin e ‘cudive’ politike të ditës me ‘cuditë’ e KMSH-së. Pra njëra palë akuzon për korrupsion palën tjetër dhe kjo tanimë në KMSH është kthyer në precedent. Është kthyer në një kopje të keqe të politikës shqiptare.
Kush janë palët që përplasen dhe kush mund të jenë qëllimet e vërteta që fshihen pas këtij konflikti?
Në korportatën KMSH ka kohë që ka nisur një konflikt midis tre palëve (aksionereve) ku njëra palë përfaqesohet nga Selim Muca, pala tjetër nga Betim Truci and co dhe një palë tjetër që qendron më në hije, nurxhinjtë, e cila përfaqësohet nga Genti Kruja. Përplasjet që lindën për shitjen e madhe të vakfit bashkuan aksionerët të cilët kishin qëllime të ndryshme. Fakt është se në shitjen e vakfit ka firmosur e gjithë kryesia ku bënte pjesë Muca, Truci, Kruja, dhe Shabani (ish myftiu i Tiranës). Pra nëse ka shkelje të gjithë këta që grinden sot duhet të shkojnë në prokurori pasi të gjithë janë fajtorë.
Fillimet e kësaj ‘tragjedie’ kanë nisur menjëherë pas dekompozimit të Myftinisë së Tiranës dhe përfaqësuesve të saj në Këshillin e Përgjithshëm rreth vitit 2008. KMSH u kthye në një institucion tërësisht autoritar. Nuk respektoheshin as normat më elementare të statutit dhe kishte një mungesë të plotë të transparencës. Kulmi i arrogancës ishte pikërisht shitja e fundit e vakfit në mes të Tiranës e cila u përcoll shumë keq nga komuniteti i besimtarëve. Nuk ishte ndodhur në historinë 20 vjecare të këtij institucioni pas viteve ‘90 të bëhej një shitje me vlera kaq të konsiderueshme dhe me shkelje kaq flagrante. Kriminalizimi i të gjithë myftinjve, duke i detyruar ata të merrnin nga shuma e shitjes së vakfit, gjoja si ndihmë për buxhetet e tyre miskine, ishte mekanizmi më i pamoralshëm dhe korruptiv i pastrimit të parave.
Sic ka ndodhur normalisht në këtë korporate në momentin që bisnesi po shkonte keq, pra kur paratë u mbaruan, filluan problemet.
Ajo që duket të jetë është një përplasjë për marrjen e kryesisë së KMSH-së. Rizgjedhja e Mucës, megjithëse me shumë kontestime në bazë, duket të jetë bërë me kusht që ky i fundit ta ndërpresë mandatin dhe t’ia kalojë atë mbështetësve të tij që në rastin konkret duket të jetë vetëm grupi i Trucit. Ajo që nuk dihet me qartësi është se sa i gjerë ka qenë ky koalicon—a kanë qenë pjesmarrës në këtë kontrate dhe nurxhinjtë? Kjo ngelet enigme .
Nëse pretendimet e Mucës janë në përgjithësi të lidhura me postin, nurxhinjtë janë më së shumti të interesuar në mbrojtjen e investimeve të tyre. Megjithatë ajo që është e qartë është se Truci, me shumë mjeshtëri kishte arritur të ishte ura lidhëse midis Mucës dhe nurxhinjve dhe gradualisht të ngrinte stekën e autoritetit të tij. Kjo fillonte që tek mbajtja e vulës së KMSH-së e deri tek emërimet në poste kyce në Kryesi dhe Këshillin e Përgjithshëm. Pikërisht dalja si pol i tretë midis Mucës dhe nurxhinjve ka bërë që të lindi konflikti midis Trucit dhe dy poleve të tjera. Anekdoda që qarkullon është se shkaku i shpërthimit të këtij konflikti është pikërisht një zënkë midis Krujës dhe Vokshit. Por ky sigurisht është vetëm shkaku pasi problemet kishin kohë që zienin. Në fakt aksesi në këtë institucion është thuajse i pamundur, dhe analiza e ngritur është më tepër mbi baza supozimesh.
Ajo që vihet re është dhe prononcimi i Kryetarit të Kulteve i cili mbështet Mucën. Në retorikën e tij lexohej qartë ‘linja shtetërore’ e cila ishte tërësisht në krahun e Mucës. Edhe kjo është një enigmë më vete. Në këtë moment Muca si duket i instruktuar mirë, nxjerr në pah asin e tij të përhershëm, i cili është extremizmi dhe të rinjtë që duan të marrin institucionin me puc. Nga ana tjetër rilegjitimohet publikisht duke përfshirë dhe imamët kryesorë të qytetit të Tiranës. Është e paqartë pse imamët i janë përgjigjur thirrjes së këtij të fundit. Imamët kanë kohë që ruajnë një kohezion me Mucën në cështje publike si caktimi i ditës së Bajramit, ftesa që u bënë në iftar etj. Në fakt, dhe ky rast, duhet parë nën dritën e faktit se institucioni ka pasur disa ndryshime të cilat lidheshin drejtpërsëdrejti me shkarkimet dhe emërimet e reja që lidheshin me Myftininë e Tiranës. Mbase Muca ka përdorur këtë rast për të treguar ‘muskujt’. Duhet cilësuar se imamët e Tiranës dhe jo vetëm, kanë kohë që sinkronizojnë me njëri-tjetrin, hap i cili është parë me sy pozitiv nga komuniteti. Është e vështirë të japësh një ide se kush duhet të ishte pozicionimi I tyre në këtë ngjarje pasi, si ata dhe pjesa e komunitetit, jane mbajtur tërësisht në periferi qëllimisht nga KMSH.
Sidoqoftë situata është shumë delikate dhe mund të percipitojë në cdo moment. Në emisionin Ora e Debatit dt. 17 Shtator, 2010 zhvilluar tek Ora News, Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, njëkohësisht Myftiu i Tiranës Ilir Vokshi, tashmë i shkarkuar nga Muca, do t’i bënte ftesë Mucës për t’u ulur dhe për të shuar konfliktet. Të njëjtën thirrje bëri dhe Gjinishi, i kudondodhur në të tilla raste. Nga ajo që mund të vihet re është se Muca me shumë gjasa do të dalë fitues edhe në këtë përplasjë. Nurxhinjtë do të shtrijnë kontrollin e tyre në Kryesi, ndërsa Myftinija e Tiranës do ti kalojë të bindurit të Mucës, Shaban Saliut.
Me pak fjalë ajo që ndodhi është turpi tjetër i rradhës që korporata KMSH dhe aksionerët e saj i lanë besimtarëve muslimanë shqiptarë. Ky është një fakt tjetër që ky institucion ka kohë që ka humbur legjimitetin e tij dhe fatkeqesisht nuk përfaqëson emrin që mban. Ana tjetër e medaljes në të gjithë sagën e KMSHs, është kultura e indiferentizmit dhe mosbesimit ndaj institucioneve qeverisëse që ajo po kultivon tek besimtarët. Nëse sot në perëndim ka përpjekje serioze për centralizmin e komunitetit të besimtarëve muslimanë nën një organizatë ‘cadër’ dhe autoritare si një mjet pozitiv për unifikimin e tyre, KMSH përfundimisht duket e dështuar. Injorimi i saj gjithashtu përbën problem. Si rrjedhim mardhënia me të si nga besimtarët në përgjithësi dhe imamet në vecanti duhet të jetë konstruktiv dhe pa shkelur parimet. Një qëndrim i ekuilibruar dhe përpjekja për projekte serioze në terren do të ishte mbase rruga më e mire. Ne mungesën e normalitetit në institucionin qendror ju ngelet xhamive, por dhe cdo ambienti tjetër intelektual musliman që të luajë këtë rol.

e enjte, 16 shtator 2010

Përkujtim për Prof. Fet’hi Osmanin


Ismail Bardhi

Shkup, 16.09.2010

Të hënën, me datë 13 shtator, 2010, në një e-mail nga Prof. Aida Osman, kuptova që bashkëshorti i saj, Prof. Fet’hi Osman, kishte ndërruar jetë dy ditë më parë. Natyrisht se ndjeva dhimbje të thellë jo vetëm për shkak se personalisht e njihja profesorin e ndjerë, me të cilin kisha kaluar disa muaj bashkë në një projekt shkencor, por edhe për shkak të humbjes së një njeriu të madh, që gjithë jetën ia kushtoi fesë dhe besimtarëve.

Prof. Fet’hi Osman, një ekspert egjiptian për Islamin, i cili ishte një zë i fuqishëm për modernizmin në fenë islame, ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Montrose, në pjesën veriore të Los Angelesit, SHBA, në moshën 82-vjeçare, për shkak të problemeve me zemrën. Lajmin për mediet e kishte publikuar e bija, Ghada Osman, profesoreshë e studimeve arabe në Universitetin shtetëror të San Diegos.
Fet’hi Osman shkroi më shumë se 25 libra në arabishte dhe anglishte, përfshirë “Konceptet e Kur’anit” (1996), një koment i veçantë i Kur’anit në gjuhën angleze, që paraqet një tekst sfidues të hollë dhe diskursiv në një format të organizuar sipas temave. E botuar me ndihmën e Qendrës Islamike të Kalifornisë Jugore (Islamic Center of Southern California), kjo vepër përfshin interpretimet e Prof. Fet’hi Osmanit të mësimeve kryesore të Kur’anit, siç janë shpalljet e tij polemike dhe, sipas autorit, në masë të madhe të keqkuptuara, rreth rolit të grave.
I shkolluar në Universitetin e Kajros dhe Universitetin Princeton (SHBA), profesori i ndjerë besonte se Islami është një fe dinamike dhe e epshme, në gjendje të merrej me modernitetin dhe çështjet e të drejtave të njeriut, si dhe me çështjet e grave. Kjo vepër e tij konsiderohet si një kthesë në diturinë islame, që ua ka bërë më të afërt tekstin qendror të fesë islame anglisht-folësve.

Me pikëpamje të matura për çështje si të drejtat e njeriut, pluralizmi fetar dhe të drejtat gjinore, Fet’hi Osman ishte “pionieri kryesor në reformën islamike në shekullin e 20-të, që kishte një ndikim mbi vendet muslimane që nga Egjipti deri në Malajzi dhe në Evropë e Amerikë”, ka deklaruar profesori John L. Esposito, i cili ligjëron religjionin në Universitetin Georgetown dhe drejton Qendrën Princi Elwelid Bin Talal për Mirëkuptimin Musliman-Krishterë, në kuadër të tij.

Në “Konceptet e Kur’anit”, Osman e paraqet Kur’anin sipas sferave të gjera tematike, duke përfshirë ligjin hyjnor, të drejtat e njeriut, drejtësinë ekonomike, familjen, adhurimin dhe engjëjt. Komenti i tij synon t’u kundërpërgjigjet keqkuptimeve rreth Islamit, siç është besimi i përhapur se Kur’ani e mbron superioritetin e burrave.
Fet’hi Osman lindi më 17 mars, 1928 në Minja të Egjiptit. Diplomoi në degën e historisë në Universitetin e Kajros në vitin 1948, po ashtu diplomoi edhe në drejtësi në Universitetin e Aleksandrias më 1960; magjistroi në histori në Universitetin e Kajros në vitin 1962, ndërsa fitoi titullin e doktorit të shkencave në Studimet për Lindjen e Afërt në Universitetin Princeton (SHBA) në vitin 1976.
Në vitin 1978 kaloi në Los Angeles, për t’u angazhuar si shkencëtar rezident në Qendrën Islamike të Kalifornisë Jugore. Ai themeloi gjithashtu Institutin për Studim të Islamit në Botën Bashkëkohore në kuadër të Fondacionit Omar Ibn al-Khattab me seli në Los Angeles dhe ishte bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Angazhim Musliman-Hebraik (Center for Muslim Jewish Engagement) në kuadër të Universitetit të Kalifornisë Jugore.

Përveç të bijës, Prof. Fet’hi Osman e la pas vetes edhe bashkëshorten e tij, Aida Abdel Rahman Osman, një pedagoge e pensionuar.
Prof. Fet’hi Osmanin e takova për të parën herë në Institutin për Kërkim, Arsim dhe Dialog – Ikbal (Iqbal International Institute for Research, Education and Dialogue) në Lahore, Pakistan. Ai e cekte vazhdimisht që është mirë që ishim tubuar në këtë institut dhe nevojën për të bashkëpunuar dhe për të menduar më shumë për të, sepse ai do t’i shërbente popullit te Pakistanit. Përshtypja ime ishte se kisha përballë një njeri, i cili, përpos erudicionit, kishte edhe anën e tij të urtësisë, që e bënte edhe më të thellë dhe më stabil në tokë. Ishte shumë i guximshëm dhe i qartë në interpretimin e Kur’anit dhe për reformën e teologjisë muslimane. Natyrisht se e mundonte fotografia ekzistuese e vendit, por edhe e Lindjes në përgjithësi, për arsye te “zhvillimit” të pakuptimtë. Ne një ligjëratë, ndërsa ishim në Universitetin e Lahores, ku foli për rolin e rinisë dhe problemet e sotme, siç janë fanatizmi, radikalizmi, e po ashtu edhe terrorizmi, ai, duke iu drejtuar rinisë studentore u tha se duhet te ishin te kujdesshëm, mos të mundoheshin ta “mashtronin” parajsën me fanatizëm dhe radikalizëm, sepse si duket xhenneti “ishte i ngopur” nga këto. Pastaj, përmendi se tradita profetike ishte larg këtyre rrymave, të cilat edhe sot, për fat të keq, po e lodhin shoqërinë me mendjelehtësitë e tyre.

Si çdo institucion i tillë shkencor, edhe instituti Ikbal krijonte mundësi për të qenë sa më tepër së bashku. Aty brenda javës kishim një ditë për të ashtuquajturin “çajin e orës 5”. Çdo kandidat shkencor i institutit fliste për gjendjen ne vendin prej nga vinte. Me një rast të tillë unë fola për fotografinë e vendit prej nga vij, duke filluar nga koha e komunizmit deri tek ajo e “tranzicionit”. Prof. Fet’hi Osmani e dëgjonte me vëmendje paraqitjen e bërë nga ana ime, siç bënte me çdo rast kur diskutonim së bashku, dhe e vërejta që ajo që po thuaja disi edhe dukej ne fytyrën e tij, me çka e bënte të qartë se padrejtësia qe i ishte bërë fesë në përgjithësi, e sidomos asaj islame, ishte e papranueshme. Përmendja e burgosjes së vitit 1983 dhe angazhimi nën formën e Rinisë Muslimane Shqiptare edhe në hapësirën e Maqedonisë, e detyruan atë ta bënte një vështrim nga këndi i tij, gjatë periudhës sa kishte jetuar në Egjipt, ku kishte qenë i burgosur dhe kishte qëndruar në burg së bashku me shumë emra te shquar te asaj kohe, te cilët u kanë vënë vulë shumë lëvizjeve te mëdha kulturore e intelektuale, si Hasan el-Benna, Mahmud Sheltut, Sejjid Kutb, Shejh Zakzuk e shumë te tjerë. Me atë rast më tha të mos habitesha, se ata në Egjipt, nëpër burgje kishin vuajtur mundime që ne as që mund t’i paramendonim. Nuk e kishte aq për torturat e padurueshme fizike, por për atë që u ishte ndaluar madje edhe lutja dhe libri i Kur’anit. Për fat të keq, tha ai, ju në Ballkan keni qenë nën hijet e mundimeve të ndryshme, kurse Lindja me vite të tëra ju harroi dhe ju shkëputi nga lezeti i “lindjes”. E gjithë kjo u dëshmua me masakrën ndaj boshnjakëve dhe ndaj shqiptarëve në shekullin 20.

Shpresoj që lajmi për vdekjen e këtij alimi të madh, i cili ka lënë gjurmë gjithandej, për arsye se në mënyrë dinjitoze, me një mjeshtri dhe urtësi te madhe është munduar ta paraqesë rolin e fesë, pa marrë parasysh kohën dhe vendin, do te behet shtysë për zhvillimin e një metodologjie të re për studimin e Kur’anit, të cilës edhe vetë ai i ishte përkushtuar.

I lutem Zotit ta shpërblejë me Xhennetu’l Firdeusin, për hir të shërbimit që ia bëri Fjalës së Tij.

Ismail Bardhi

Shkup, 16.09.2010

e mërkurë, 15 shtator 2010

Luftë Civile në KMSH, Kryetari dhe Kryemyftiu shkarkojnë njëri-tjetrin


Selim Muca dërgon në polici Kryemyftiun


Një përcarje e re e fuqishme ka shpërthyer sërish në rradhet e drejtuesve të lartë të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kësaj rradhe ajo vjen brenda për brenda grupit në pushtet, i cili ka qenë përherë kundër zërave që kanë kërkuar reformim të këtij institucioni. Përplasja ka qenë midis Kryetarit të KMSH-së Selim Muça dhe Myftiut të Tiranës Ilir Vokshi, e cila ka shkuar deri aty sa ky i fundit ka përfunduar në polici, i marrë në pyetje. Për pasojë, të dyja palët, kanë marrë vendim të shkarkojnë nga detyra njëri-tjetrin, nga detyra, ndërsa Kryetari Muca ka paraqitur në faqen zyratre të KMSH-së edhe zëvendësuesit e të shkarkuarve.

Vendimet e palëve

Sipas burimeve të brendshme nga KMSH, bëhet e ditur se gjithçka ka ardhur për shkak përplasjes së brendshme të rrymave, midis asaj të përfaqësuar nga Myftiu i Tiranës Ilir Vokshi dhe Sekretari i Përgjithshëm Betim Truci si dhe asaj të përfaqësuar nga Gentian Kruja, e cila njihet ndryshe si krahu filo-turk në KMSH. Një ditë më parë, Vokshi dhe Truci i kanë paraqitur kryetarit Muca një shkresë për shkarkimin e Gentian Krujës. Muca ka refuzuar të pranojë këtë vendim dhe për pasojë palët janë acaruar deri në konflikte të ashpra verbale, gjë që e ka cuar Mucën të thërrasë policinë. Kjo ka bërë që Ilir Vokshi të mbahet në rajon për disa orë, ku dhe është marrë në pyetje nga organet e rendit. Ndërkohë, sot para dite, Ilir Vokshi, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të KMSH-së, ka mbledhur kryesinë e këtij këshilli, ku dhe ka dalë me vendimin për të shkarkuar nga detyra Selim Mucën, gjë të cilën e ka bërë publike nëpërmjet një komunikimi për shtyp. Por edhe ky i fundit nuk ka mbetur prapa. Ai ka thërritur menjëherë, në mënyrë urgjente kryesinë e KMSH-së, ku ka shkarkuar Vokshin dhe disa të tjerë. Me këtë rast, në faqen zyrtare të KMSH-së bëhet e ditur se Vokshi është zëvendësuar nga Ish-Myftiu i Tiranës, i mbetur myfti honorifik, Shaban Salihi.

Imami i Xhurës emërohet zëvendësmyfti

Por lëvizja e Mucës nuk është mjaftuar me kaq. Zëvendësimi i Myftiut është shoqëruar edhe me emërimin e imamit të Xhamisë së Xhurës Bilal Teqja në postin e Zëvendës-Myftiut të Tiranës. Një veprim i tillë bëhetë qartësisht për të mbajtur në kontroll një pjesë të mirë të xhematit të Tiranës, dhe për të eleminuar mundësinë e ndonjë përfshirjeje të xhemateve kundra Mucës. Nuk dihet ende nëse vetë Teqja e ka pranuar apo jo detyrën e re, por gjithsesi, në njoftimin zyrtar të KMSH-së, bëhet i ditur emërimi i tij, duke u përdorur për kredit në një përplasje të tillë. Vendimi për emërimin e z. Teqja në këtë post, është i cuditshëm, pasi aktualisht KMSH-ja e ka një Zëvendës-Myfti, z. Besim Nuzi, dhe njoftimi nuk bën të ditur asgjë për ndonjë shkarkim të mundshëm të tij. Ndoshta Nuzi dhe Teqja, do ta ndajnë së bashku postin e zëvendësuesit të Salihit, i cili është në vetvete një zëvendësues i ardhur stoli i rezervave të Mucës, i cili i ndërron myftinjtë sikur të jetë në një ndeshje stërvitore.

Mosekzistenca e ligjit

Këto vendime të ndërmarra nga palët në konflikt përbëjnë saktësisht puç të ndërsjelltë institucional. Gjithcka zhvillohet në një truall krejtësisht antistatutor, gjë që tregon se ky institucion është shndërruar në një barrakë institucionale ku ligji as që ekziston. Të dyja shkarkimet e ndërmarra nga palët janë krejtësisht antistatutore dhe askush prej tyre nuk ka kurrfarë mandati dhe të drejte ligjore për të shkarkuar tjetrin. Megjithatë, realiteti i këtij institucioni ka treguar se statuti as që ekziston në rregullimin e marrëdhënieve brenda këtij institucioni, por gjithcka funksionon në mënyrë primitive dhe klanore. Përplasje të tilla vetëm sa nxjerrin në pah kalbësinë e një karakatine të tillë, që nuk përfaqëson asgjë, jo vetëm nga vlerat e fesë Islame, por as vetë komunitetin e besimtarëve të cilët pretendon se i udhëheq.

e hënë, 13 shtator 2010

"Askush nuk do ta dijë se muslimanët ishin viktima ashtu si jo-muslimanët."


"Askush nuk do ta dijë se muslimanët ishin viktima ashtu si jo-muslimanët."
Talat Hamdani, e ema e Muhammad Salman Hamdani qe vdiq ne 11 Shtator.
http://www.illumemag.com/zine/articleDetail.php?Muslims-Mourn-On-9-11-Alongside-Fellow-Americans-13289

Sharif Chowdhury nuk mori pjesë në mitingun pasi nderoi në ceremoni vajzën dhe burrin e saj, të dy muslimanë që vdiqën në Qendrën Botërore të Tregtisë (Kullat binjake). Por ai tha se të kundërshtosh qendrën Islame nënkupton se të gjithë muslimanët janë tërroristë dhe kjo dhunon liritë fetare. “Nëse do ta ndalosh atë [qendrën Islame],” tha ai, “të duhet të ndryshosh kushtetutën.”
http://www.nytimes.com/2010/09/12/nyregion/12sept11.html?ref=us

e diel, 12 shtator 2010

Të ndërtojmë mbi besimin.


Imam Feisal Abdul Rauf*
7 Shtator, 2010

Ndërsa fluturimi im i afrohej Amerikës fundjavën e kaluar, mendja ime kthehej rreth zhurmës që ka shpërthyer mbi planet për të ndërtuar Cordoba House, një qendër të komunitetit në Manhattanin e poshtëm.Unë kam qenë larg nga shtëpia për dy muaj, duke folur jashtë vendit në lidhje me bashkëpunimin mes popujve të feve të ndryshme. Çdo ditë, duke përfshirë edhe dy javët e fundit ku kam përfaqësuar vendin tim në një turne të Departamentit të Shtetit në Lindjen e Mesme, unë kam qenë i goditur nga shkalla në të cilën polemika ka zotëruar vëmendjen e amerikanëve, si dhe pothuajse të gjithë njerëzve që kam takuar në udhëtimet e mia.

Ne të gjithë kemi qenë të mahnitur nga mënyra se sa e përflakur dhe emocionale është bërë çështja e qendrës së propozuar të komunitetit. Shkalla e vëmendjes pasqyron shkallën në të cilën njerëzit kujdesen për vlerat shumë amerikane nën debat: njohjen e të drejtave të të tjerëve, tolerancës dhe lirisë së adhurimit.

Shumë njerëz kanë pyetur pse unë nuk kam folur më shumë dhe më shpejt, në lidhje me këtë projekt. Ndjej se nuk do të ishte e drejtë të komentoja nga jashtë vendit. Do të ishte më mirë në qoftë se do e adresoja këtë çështje pasi të kthehesha në shtëpi në Amerikë, dhe pasi unë mund të bisedoja me udhëheqësit e besimeve të tjera që e kanë shqyrtuar me ne këtë projekt. Jeta ime ka qenë e fokusuar në ndërtimin e urave ndërmjet grupeve fetare dhe kurrë nuk ka qenë kjo aq e rëndësishme sa ç'është tani.

Ne do të vazhdojmë me ndërtimin e qendres se komunitetit, Cordoba House. Ç'është më e rëndësishme, ne po e bëjnë këtë me ndihmën e komunitetit në zonën tonë të qytetit, me të gjitha nivelet e qeverisë dhe krerët nga i gjithë spektri fetar, të cilët do të jenë partnerët tanë. Unë jam i bindur se kjo është gjëja e duhur për të bërë për shumë arsye.

Mbi të gjitha, projekti do të plotësojë qasjen shumëfetare që Iniciativa Cordoba ka zbatuar në mënyrë konkrete për vite me rradhë. Emri ynë, Cordoba, ishte i frymëzuar nga qyteti në Spanjë, ku muslimanët, të krishterët dhe hebrejtë bashkë-ekzistuan në mesjetë gjatë një periudhe pasurie të madhe kulturore, e krijuar nga muslimanët. Iniciativa jonë ka për qëllim të kultivojë mirëkuptimin ndërmjet të gjitha feve dhe kulturave.

Misioni ynë më i gjerë - për të forcuar marrëdhëniet midis perëndimit dhe botës muslimane dhe për të ndihmuar kundër ideologjisë radikale - nuk gjendet duke u rënë rrotull çështjeve që kanë polarizuar marrëdhëniet brenda botës islame dhe në mes të muslimanëve dhe jo-muslimanëve. Ai gjendet në përballjen e tyre si një përpjekje e përbashkët shumëfetare, shumëkombëshe.

Nga konfliktet politike në mes izraelitëve dhe palestinezëve e deri tek ndërtimi i një qendre të komunitetit në Manhattanin e poshtëm, myslimanët dhe pjesëtarët e të gjitha besimeve duhet të punojnë së bashku në qoftë se ne do të kemi ndonjëherë sukses në nxitjen e mirëkuptimit dhe të paqes.

Në Cordoba House, ne parashikojmë hapësira për aktivitete të përbashkëta të komunitetit, si një pishinë, klasa dhe një hapësirë lojrash për fëmijët. Do të ketë hapësira të veçanta lutjeje për muslimanët, krishterët, hebrenjtë dhe burrat dhe gratë e besimeve të tjera. Qendra do të përfshijë gjithashtu një memorial shumëfetar kushtuar viktimave të sulmeve të 11 shtatorit.

Unë jam shumë i ndjeshëm ndaj ndjenjave të familjeve të viktimave të 11 shtatorit, siç janë shokët e mi, krerët e besimeve të shumta. Ne do të kërkojmë, në përputhje me rrethanat, mbështetjen e atyre familjeve, si dhe mbështetjen e lagjes tonë vibrante, ndërsa ne konsiderojmë planet përfundimtare për qendrën e komunitetit. Objektivi ynë ka qenë gjithmonë për ta bërë këtë një qendër për bashkim dhe shërim.

Cordoba House do të ndërtohet mbi dy urdhërimet themelore të përbashkëta të Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit: për të dashur Zotin tonë Krijues me të gjithë zemrat, mendjet, shpirtrat dhe forcën tonë, dhe ti duam fqinjët tanë siç duam veten. Ne duam të forcojmë një kulturë të adhurimit autentike të çdo tradite fetare, si dhe një kulturë të farkëtimit të lidhjeve personale mes të gjitha traditave fetare.

Unë nuk i nënvlerësoj sfidat me të cilat do të përfshihemi në sjelljen e punës tonë drejt përfundimit. (Ndërtim nuk ka nisur ende.) Unë e di se do të ketë interes në financimin tonë, dhe kështu që ne do të identifikojnë qartë të gjithë mbështetësit tanë financiarë.

E humbur mes rrëmujës është e mira që ka dalë prej diskutimit të fundit. Unë dua të tërheq vëmendjen veçanërisht tek veprimet e hapura, të bazuara në ligj dhe tolerancë që kanë ndodhur, dhe që janë veçanërisht mbresëlënëse për muslimanët.

Presidenti Obama dhe Kryetari i Bashkisë Michael Bloomberg janë shprehur në mbështetje të projektit tonë. Duke udhëtuar jashtë vendit, unë pashë dorë e parë se si fjalët dhe veprimet e tyre patën një ndikim të pamasë në rrugën muslimane dhe mbi krerët muslimanë. Ishte e mrekullueshme: një president i krishterë dhe një kryetar bashkie hebre i Nju Jork-ut në mbështetje të të drejtave të muslimanëve. Deklarimet e tyre dërgouan një mesazh të fuqishëm për atë që Amerika përfaqëson, dhe do të mbahen mend si një moment historik në përmirësimin e marrëdhënieve amerikano-myslimane.

Derdhja e mrekullueshme e mbështetjes për të drejtën tonë për të ndërtuar këtë qendër të komunitetit nga i gjithë spektri social, fetar dhe politik minon seriozisht mundësinë e radikaleve anti-amerikanë për të rekrutuar muslimanë të të rinj e të ndikueshëm duke pohuar gabimisht se Amerika persekuton muslimanët për besimin e tyre. Këto përpjekje nga radikalët për shtrembërim rrezikojnë sigurinë tonë kombëtare dhe sigurinë personale të amerikanëve në mbarë botën. Kjo është arsyeja pse amerikanët nuk duhet të tërhiqen nga përfundimi i këtij projekti. Nëse ne bëjmë këtë, ne ua lëmë në dorë diskursin, dhe në thelb të ardhmen tonë, radikalëve në të dy anët. Paradigma e përplasjes midis perëndimit dhe botës islame do të vazhdojë, ashtu siç ka bërë në dekadat e fundit me kosto të tmerrshme. Ajo është një model që ne duhet ta ndryshojmë.

Nga ata që njohin të drejtat tona, nga organizatorët e bazës tek krerët e shteteve, unë ndjej një dëshirë globale për të ndërtuar mbi këtë moment pozitiv dhe për të qenë pjesë e lëvizjes globale për të shëruar marrëdhëniet dhe për të sjellë paqe. Kjo është një mundësi që ne duhet ta kapim fort.

Unë prandaj ftoj të gjithë amerikanët që të ngrihen ndaj kësaj sfide. Le të përkujtojmë përvjetorin e 11 shtatorit në heshtje për të reflektuar e medituar dhe duke zbutur retorikën që shërben vetëm për të forcuar radikalët dhe dobëson besimin e miqve tanë në vlerat tona.

Fjala "islam" vjen nga një rrënjë me fjalën Shalom, që do të thotë paqe në hebraisht. Kurani deklaron në Kapitullin e tij të 36-të, që konsiderohet nga ana e Profetit Muhamed si zemra e Kuranit, në një varg që konsiderohet si zemra e këtij kapitulli, "Paqe është një fjalë e thënë nga një Zot i Mëshirshëm."

A mund ta përkujtjmë më mirë 11 shtatorin se sa duke kërkuar nga bashkëkombësit tanë muslimanë, të krishterë dhe hebrej që të ndjekim impulsin themelor të përbashkët të traditave tona të mëdha të besimit?


Feisal Abdul Rauf është kryetar i Nismës Cordoba dhe imami i xhamisë Farah në Manhattanin e poshtëm.

Perktheu
Armir Taraj
Nju Jork

Burimi: Nju Jork Times
http://www.nytimes.com/2010/09/08/opinion/08mosque.html?ref=contributors&pagewanted=print

e shtunë, 11 shtator 2010

Një kronikë amerikane e frikës


Nicholas D. Kristof

Para do ditësh, një gazetar i një radioje donte të dinte, nëse mendoja dhe unë si shumë të tjerë, se ata që e kundërshtonin idenë e një qëndre islamike në Manhattanin e Poshtëm ishin thjesht e vetëm fanatikë. Jo, nuk e mendoj kështu. Shumica e atyre që kanë ngritur zërin kundër ndërtimit të qëndrës islamike nuk janë fanatikë; përkundrazi, janë ca tersë qëllimmirë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe lidhur me valët më të hershme të intolerancës në historinë amerikane.

Çaprashitjet e egra kundër katolikëve në shekullin e XIX-të tingëllonin bash siç tingëllojnë invektivat e sotme kundër ndërtimit të xhamisë në Ground-Zero. Kjo punë nuk ka të bëjë me urrejtjen, por me frikën, apo me një si panik midis patriotëve, që shkaktohet prej ardhacakëve të rinj, të cilët nuk bartin të njëjtat vlera, nuk besojnë në demokraci, dhe mund të derdhen në mënyrë vrastare mbi amerikanë të pafajshëm.

Ithtarët e këtyre lëvizjeve kundër irlandezëve, gjermanëve, italianëve, kinezëve e emigrantëve të tjerë, ishin më së shumti njerëz qëllimmirë dhe të fisëm, që përpiqeshin t’i dilnin zot vendit të tyre. Por ata ishin të manipuluar prej demagogësh, të cilët dinin të luanin me frikërat e tyre. Ai që sot ngjan si pika uji me këta demagogë është Glenn Beck.

Shumica e amerikanëve në ato mote bënin sehir spazmat e fanatizmit. Ishin të paktë në numur ata mujsharë, që vërsuleshin mbi katolikët, mormonët, etj, dhe i sfilitnin këta të fundit. Por poshtërsira të tilla ishin të mundura, ngaqë amerikanët e moderuar (middle-of-the road Americans) rrinin në ndërdyshje.

Bën vaki, që dyshimi ndaj të huajve, ndaj atyre që sillen e falen ndryshe, të jetë një element që ka të bëjë me rrënjët e me natyrën e egzistencës humane; bën vaki që të jetë një instikt mbijetese, që na vjen prej kohëve, kur paraardhësit tanë banonin nëpër shpella. Por nga ana tjetër ne nuk duhet ta kemi të vështirë të pranojmë, që ky dyshim ndaj të ndryshmëve na ka bërë historikisht të djegim shtriga në turra drush, të internojmë amerikano-japonezë, të kthejmë mbrapsht refugjatë çifutë të ndjekur prej Holokaustit.

Ndoshta paralelja më e fortë e histerisë së sotme kundër islamit është frika e shekullit të XIX-të lidhur me “kërcënimin e katolikëve”, e përhapur nga lëvizja Know Nothing. Në një libër bëhej paralajmërimi, se katolicizmi ishte “burimi më i parë” i të gjitha fatkeqësive të Amerikës, e në të njëjtën kohë përhapeshin përshpërima e thashetheme, të cilat thoshin se deri edhe presidentët Martin Van Buren e William McKinley ishin duke bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Papën e Romës. Nuk ju duken shumë familjare fabula të tilla?

Zëra të tjerë kritikë paralajmëronin, se Papa ishte në krye të një komploti për të rrëmbyer Luginën e Misisipit (Mississippi Valley), e për të përmbysur demokracinë amerikane. Një gazetar ato kohë u binte borive të alarmit, se “Roma e ka hedhur tanimë vështrimin e përmalluar këtej nga këto anë, ku pontiff-i sovran synon të ngrejë një mbretëri të vetën.”

Historia ka treguar, se dyshime imagjinare ngrihen shpesh mbi diferenca reale, gjenuine e domethënëse. Një numur i madh emigrantësh katolikë nuk ia thoshin shumë në punë të demokracisë. Mormonët praktikonin poligaminë. Sot disa myslimanë ekstremistë bëjnë plane për të rrëmbyer e shpërthyer avionë, ndërsa vetë Islami ka punë për të bërë derisa të zgjidhë problemet lidhur me të drejtat e grave. Demagogët kanë ditur gjithmonë se çfarë të bëjnë: marrin ndeshtrasha dramatike, i fryjnë ato, duke portretizuar, fjala vjen, krahun më të korruptuar të kishës katolike si krahun përfaqësues të të gjithë katolicizmit, ose wahabitët e sotëm fondamentalistë si përfaqësues të Islamit (më përfaqësues se sa myslimanët e shumtë të Indonezisë, të cilët s’e patën hiç për gjë të zgjidhnin një grua në krye të punëve të tyre, gjë që amerikanët s’e kanë bërë ende).

Në shekullin e XIX-të frikërat mbaheshin ndezur e ushqeheshin prej librave të shkruar nga njerëz, të cilët mëtonin “t’i kishin ikur thonjve” katolicizmit. Në këta libra rrëfeheshin në mënyrë ngjethëse e dridhmuese orgjira priftërinjsh e murgeshash; rrëfehej gjithashtu, se si rrëmbeheshin vajza e mbaheshin në qilarë të fshehtë, se si shtihej në punë për të përdhunuar murgeshat një rrjet tunelesh i ndonjë manastiri. Një grua, që ngrinte pretendimin se kish qënë një skllave seksi e një prifti, shkruajti një libër kujtimesh, në të cilin thosh se katolikët vrisnin djem të rinj, dhe mishin e tyre e grinin për ta bërë salsiçe për ta nxjerrë në shitje.

Këto lloj rrëfenjash shërbyen për të përndezur e trazuar keqas ndërgjegjet e ndoca patriotëve, të cilët më 1834, afër Bostonit, sulmuan manastirin e ursulinëve, dhe i vunë flakën atij. Dyshime kësodore kanë patur për tabelë qitjeje emigrantët e të gjitha stinëve e të gjitha llojeve. Gjatë Luftës së Parë Botërore u përhapën thashetheme, sipas të cilave gjermano-amerikanët po helmonin ushqimet, gjë që e bëri presidentin Theodore Roosevelt të lëshonte paralajmërimin, se “socialistët e gjermanizuar” ishin “më të këqinj se sa një murtajë”.

Retorika anti-Semite asnjëherë nuk ka reshtur së mbrojturi tezën, se çifutët komplotojnë kundër Shteteve të Bashkuara. Nga një anketim i vitit 1940 rezultoi, se 17 përqind e amerikanëve i konsideronin çifutët një “kërcënim për Amerikën”.

Kinezët këtejpari janë denoncuar, përndjekur, e linçuar; në vitin 1945, kreu i një komisioni qeveritar s’e pati për gjë të nxiste publikisht “shfarosjen e japonezëve me kuç e me maç”. Ndërsa ngjarja që na mbulon me turp është një tjetër: racizmi anti-aziatik na bëri që, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të internojmë 110 000 japonezë.

Sa më sipër është trashëgimia jonë. Dhe më e bukura është që secili grup, me t’u pranuar pas mundimesh të mëdha si pjesë e kombit amerikan, është bërë pjesë e histerisë kundër grupit të sapombërritur (në vitin 1930, një radio e Atit Charles Coughlin nuk linte gjë pa thënë kundër çifutëve në emisionet e veta). E njëjta plagë ka zënë të malcohet për herë të n-të: nuk lihet gënjeshtër pa thënë lidhur me besimin fetar të Presidentit Barack Obama, ndërsa përpjekjet për ta shtënë ligsht në punë frikën prej qëndrës islamike të propozuar për t’u ngritur në Manhattan nuk kanë të reshtur.

Por ne kemi, gjithashtu, edhe një traditë tjerë të lavdishme, të mpleksur me trashëgiminë e mësipërme, në historinë amerikane. Është tradita e tolerancës, e dashurisë për tjetrin, dhe e lirisë së besimit fetar, e cila ka rezultuar në çdo kohë të jetë më e fortë se sa impulset e lëvizjes Know Nothing.

Ne u kemi bërë thirrje njerëzve të moderuar të vendeve myslimane që ta ngrejnë zërin kundër ekstremistëve të tyre, e të vihen në mbrojtje të vlerës së tolerancës, tek e cila ata thonë se besojnë. Ne amerikanët duhet të kemi guximin të bëjmë të njëjtën gjë këtu brenda.

Marrë nga gazeta New York Times, shtator 2010
Ne shqip marre nga Respublica.al

e premte, 10 shtator 2010

Fitneja e përvitshme e Hënës




Edhe këtë vit nuk kemi shpëtuar dot prej "fitnes” së përvitshme të hënës. Ndonëse këtë vit kjo ndarje e besimtareve ka qenë më e vogël, efekti ka qenë më i madh. Sic u raportua në disa media, Cërriku e ka shtyrë për të premten faljen e Bajramit duke u rebeluar ndaj konsensusit të të gjithë qyteteve të tjera, por edhe në lushnje, besimtarët e kanë falur të ndarë, ndërkohë që në Tiranë, shumë myslimanë e kane agjëruar ditën e Bajramit, ndërsa Bajramin e kanë falur një ditë më vonë, në një nga musalet periferike të kryeqytetit. Mediat raportuan gjithashtu edhe për përplasje publike në shtyp të Myftinisë së Elbasanit me rebelet Cërrikas, të cilët nuk pranojnë rrugët institucionale në të drejtën për përcaktimin e Bajramit. Kjo natyrisht që prish jo pak nga atmosfera festive dhe na bën të dukemi fare karagjozë në sytë e një publiku që pret prej nesh të dëshmojmë mirësitë e Zotit dhe jo gazepin e sherrnajave bajate të brendshme. Sigurisht që çdokush në raste të tilla do të habitej se si ka mundësi që këta nuk merren vesh as se kur është Bajrami.
Megjithë konsensusin e imamëve në kryeqytet, për ta festuar Bajramin të enjten, kjo gjë ka hasur në kontestime të shumta. Shumë njerëz, të mësuar me fetvatë e përhershme se Ramazani fillon vetëm kur të jetë parë hëna, tashmë ndjehen të turbulluar, por edhe të zhgënjyer nga imamët e tyre, të cilët deri më tani kanë krijuar në xhemat profilin e mbrojtësve të sunetit, në kushtet kur streha e institucionit tonë përfaqësues (KMSH-së), është kthyer në një këshill ndrikullash që as që e can kokën për punët e fesë. Kofuzioni bëhet i natyrshëm kur besimtarët shohin mungesë qëndrueshmërie në një problem të tillë: njëherë ecet me hënë, e një herë tjetër me bindje ndaj KMSH-së. E gjithë kjo është ca e komplikuar për logjikën e prerë dhe të drejtpërdrejtë me të cilën xhematet janë mësuar në përgjithësi të gjykojnë problemet e tyre.
Megjithatë, në thelb, edhe këtë vit kremtimi i Bajramit ka kaluar si cdo herë tjetër. Njerëzit kanë mbushur bulevardin Dëshmorët e Kombit si rrallë ndonjëherë, duke sfiduar kësaj rradhe mitingjet elektorale të opozitës. Numri i madh i besimtarëve në shesh, sjell vërtetë shpresë dhe entuziazëm për kedo, por nga ana tjetër, shtron edhe shqetësime të shumta në lidhje me faktin që përgjegjësia e drejtuesve të fesë bëhet edhe më e madhe. Rritja e numrit të besimtarëve dhe masivizimi i fesë vjen në një kohë kur aftësia e drejtuesve fetarë për t’iu përgjigjur këtij realiteti duket e pamjaftueshme. Shfaqjet të tilla me sheshe të mbushura plot, na vendosin përballë një vëmendje më të madhe publike që krijon pritshmëri më të madhe prej nesh. Ndërkohë, përfaqësimi ynë publik nuk duket në nivelet e kërkuara në krahasim me peshën e masave të përfaqësuara. Ajo cka po ndodh, madje edhe në vetë ditën e festës, me shfaqjet e problemeve që nuk kanë përse ti ofrohen publikut, e më tej edhe me nivelin e ligjërimit të ofruar gjatë kremtimeve të Bajramit apo edhe gjatë Ramazanit në disa prej televizioneve periferike të Kryeqytetit (pa llogaritur këtu kllounadën festive të organizimit të ceremonisë, me ilahi alla BBF), nuk të jep të njëjtën shkallë optimizmi sa shtimi i numrit të falësve të Bajramit në shesh.

Shënim redaksional

e enjte, 9 shtator 2010

Bajram ne shesh.


Armir Taraj


31 dhjetor, vigjilja e Nates se madhe te Vitit te Ri. Ne shtepi ka dite qe behen pergatitjet; mamaja ka lare, pastruar, ajrosur e zbukuruar cdo kend e qoshe te apartamentit, frutat e perimet jane blere, bakllavaja eshte pjekur e sherbetosur, miqte ftuar per darke, mbetet vetem gatimi i gjelleve, mishrave e byrekut. Eshte nje dite mese e gezueshme dhe kjo atmosfere e embel ndihet porsa cohesh ne mengjes, nese cohesh si zakonisht. Por sot jam cuar shume me heret se zakonisht, jam ngritur para mamase, gje qe s’ndodh kurre, jam lare, veshur me rrobat me te mira qe kam, e pa u zbardhur mire po nisem per ne sheshin Skenderbej. Sot eshte po ashtu festa e Kurban Bajramit, e cila, sic eshte bere disa vite rresht, falet ne sheshin kryesor te Tiranes.



Dal jashte duke mbyllur deren me kujdes per te mos zgjuar te tjeret, e menjehere me shpohen hundet nga ajri teper i ftohte. Ben acar. Eci shpejt duke afruar pallton e leshte pas fytyres e mberrij tek stacioni i autobusit, i cili nuk vonon, fatmiresisht. I jap fatorinos nje dyqind lekesh e kthehem nga dritarja duke kundruar pamjet e vjetra familjare por qe kam kohe pa i pare nga dritarja e autobuzit per shkak te mergimit disa vjecar. Jam i gezuar qe me ne fund do e fal njehere Bajramin ne nje shesh te madh sebashku me qindra (ndoshta mijera) shqipetare te tjere. Kur i afrohem sheshit, shoh turmen qe ka filluar tashme te mbushi hapesiren e gjere publike, shiritat e policise qe drejtojne devijimin e trafikut, dhe shume police qe rrine si te ngrire nga i ftohti. Autobuzi ndalet mu perpara xhamise se Ethem Beut e pasi zbrazet thuajse krejt, kthehet djathtas per ti rene rrotull Pallatit te Kultures. E kam lene per te takuar cunin e dajes, 12-vjecar, e gezohem kur e shoh duke me pritur aty ku i pata thene. E takoj duke e puthur dhe futemi ne shesh per te gjetur nje vend te mire per tu ulur. Aty nga mesi fillojne vendet e lira e ulemi ne shtrojet e mira qe kane pergatitur vullnetaret e xhamive organizuese. Kepucet i heqim pa deshire sepse e dime qe kembet do protestojne fort nga i ftohti. Kam marre me vete nje pale corape leshi dhe ja jap kusheririt te vogel i cili ka dale ne shesh kryesisht per te me shoqeruar mua, dhe per kete i jam mirenjohes, ndersa babai i tij bashke me 6 dajat e mi te tjere jane te gjithe ne punet e tyre e s’besoj se kane falur ndonjehere Bajram.



Bejme sikur rehatohemi pak e fillojme te verejme rrotull nesh. Njerezit vazhdojne e vijne me shumice, duket se do mbushet plot, madje dhe shkallet e gjera te Pallatit te Kultures jane zene qe tani. Kudo shoh burra te te gjitha moshave, sidomos te rinj, e kjo me gezon. Diku me tutje duket nje vije ndarese e pertej sektori i grave, edhe ai i mbushur plot. Nje det i vogel me shami, pamje interesante. “Paska femra besimtare plot,” mendoj. “Pse ankohen shoket e mi beqare qe eshte veshtire me gjet nje nuse te mire muslimane?”

Perpara nesh, ne te majte, hijeshon sheshin xhamia simbol e Ethem Beut me Sahatin perbri e minaren elegante. Ne ballkon te minares duket nje silhuete e vogel njeriu. A thua do e therrasi ezanin qe atje, apo thjesht vrojton situaten qe nga lart? Leviz shikimin e mu perballe kemi heroin tone legjendar Skenderbeun me kalin e tij te pandare.



Figura heroike e trimit tone Skenderbe, me veshtrimin e tij te rrepte prej luftetari, shpaten e zhveshur e kalin e tij fisnik, me mallengjen njesoj sikur kam qene femi. Me kujtohen historite e luftrave te tij kundra turqve pushtues, skena sulmi nga filmi “Skenderbeu” e muzika rrenqethese e atyre skenave me kumbon ne veshe. C’do kishte menduar valle heroi yne po te ishte gjalle e te shihte nen kembet e tij kete mase te madhe shqiptaresh qe beheshin gati te kremtonin festen e madhe te “fese se turqve”? Hmmm… patriotizmi im ndihet i lenduar nga kjo pyetje. Turqit mund te na kene pushtuar mendoj, por te pakten nje gje te mire na e sollen, Islamin. Pastaj vete heroi yne e ka kaluar nje pjese te jetes se tij ne kete fe, dhe emri i tij i famshem eshte emer mysliman. Pra c’ka ketu? Ndoshta Skenderbeu yne s’do e kishte patur fare problem se c’fe praktikojne vasalet e tij per sa kohe qe ai ishte mbi kale dhe thirrej zot. Sidoqofte, fakti qe nuk leviz nga forma e tij e hekurt me duket sikur na ofron aprovimin e tij te heshtur.



Ul syte me poshte, aty ku eshte ngritur minberi, apo tribuna a Bajramit, e shoh disa callma, turbane, e veshje klasike islame. Krejt paria e fese sone qenka ne rresht te pare mendoj, ja edhe rrobja jeshile e gjyshit bektashi. A do kete valle ndonje politikan mysliman ne rresht te pare? Dikur, kur falja e Bajramit transmetohej live ne TVSH dhe ne e ndiqnim te gjithe nga shtepia, me kujtohet qe me terhiqte vemendjen prezenca e Azem Hajdarit ne rresht te pare, krah per krah me besimtaret e lideret fetare. Ka kohe qe s’kam pare me nje politikan te shquar duke falur Bajramin.



Nderkohe ne minber ka hipur nje hoxhe i vjeter qe me sa duket eshte vete bosi, Haxhi Selim Muca, dhe zeri i tij i amplifikuar nga altoparlante te vendosur kudo, mundohet te depertoje turmen e madhe, por me shume veshtiresi. Rreth e rrotull duket se ja kane kercitur muhabetit pa te keq. Pyes cunin e dajes si ndihet dhe thote qe eshte mire, megjithese i ftohti na i ka bere kembet dru. Mundohem te kap disa fjale nga hutbeja dhe degjoj dicka per kerkesat e vazhdueshme te myslimaneve te Tiranes per xhamine e tyre te madhe. Zeri i folesit behet i rrepte dhe nje si paralajmerim i drejtohet dritareve te bashkise aty matane. “Ose te na plotesohen kerkesat, ose do jepni llogari perpara ketyre mijera besimtareve.” Me pelqen kjo thirrje, me sjell ndermend diten e votimeve dhe imazhi i mijera besimtareve te mbledhur si sot ketu duke votuar sebashku per kandidatin qe me se shumti do i pergjigjej zerit tone me dritheron.



Me ne fund thirret ikameti e bashke me besimtaret e cliruar ngrihemi ne kembe e drejtohemi ne reshtat e gjate ne sheshin tashme te mbushur plot. Degjohet tekbiri i pare, ngrejme duart tek veshet, Allahu Ekber, Zoti eshte me i madhi. Nje emocion gezimi ma pershkon zemren, solemniteti dhe madheshtia e ceremonise jane mbizoteruese. Tekbiri i dyte, Allahu Ekber, Zoti eshte me i madhi, i ngrej duart ngadale duke dashur ti zgjas momentet sa me shume e ti fiksoj ne memorie. Allahu Ekber, tekbiri i trete, ndjej nje mbushje me gezim e shprese.Allahu Ekber, tekbiri i katert, a jemi me prane Zotit ne keto momente mendoj? Allahu Ekber, tekbiri i peste, Zoti eshte me i madhi, i lartesuar qofte emri i Tij. Allahu Ekber, tekbiri i gjashte, e nxjerr me ze te larte, si nje thirrje drejtuar atyre qe s’degjojne. Allahu Ekber, tekbiri i shtate dhe i fundit i hapjes, nje qetesi e bukur e shoqeron shqiptimin e tij. “Elhamdulilah i rabil alemin….” fillon Fatihaja, “Falenderimi i takon Allahut, Zotit te boterave…” e keshtu vazhdon namazi i Bajramit ne sheshin e madh, sheshin e turmave e mitingjeve politike, i cili po pastrohet shpirterisht sot nga kjo ceremoni e larte fetare. Pas dy rekatesh te shkurtra por mbreselenese, e mbyllim namazin duke pershendetur engjejt ne te djathte e ne te majte “Esselamu Alejkum ue Rrahmetulah” – “Paqja dhe Meshira e Zotit qofte mbi ju”. Me kete pershendetje te thene ne kor ka perfunduar namazi i madh i Bajramit. Buzeqeshja e gezimi na pushton fytyrat e pasi rrokim kepucet tona e i mbathim me te shpejte, perqafohemi me cunin e dajes e i urojme njeri-tjetrit “Gezuar Bajramin”. Rreth e rrotull nesh duket se te gjithe po perqafohen e urohen me gezim. Edhe ne na hane krahet per te tjera perqafime te ngrohta vellazerore e fillojme te keqyrim ne te gjitha drejtimet mos dallojme dike qe njohim.



Ecim ngadale drejt rreshtave te pare bashke me turmen e zhurmshme e te ngazellyer e shohim vullnetaret e shumte qe fillojne te mbledhin shtrojet e panumerta. Me behet qefi qe ja kane bere hyzmetin sic duhet kesaj rradhe, ne kundershtim me namin e keq qe kane muslimanet per organizim te dobet. Aty nga fillimi dalloj nje tip mjekroshi te cilin e njoh menjehere, nje kusheri i imi i cili ka vite qe studion ne Siri. “Abdullah”, e therras. Ai me sheh e syte i qeshin nga gezimi. Afrohemi duke rrezatuar nga hareja e me ne fund marrim nga nje perqafim Bajrami: “…aaaahhh… J”, nuk e di pse por nuk ka si perqafimet e namazit te sapofalur te Bajramit.



Nderkohe qe ne cmallemi e bisedojme, dikush fillon e hedh fishekzjarre. Jane nga ato te voglat qe shiten ne rruge, jo nga ato zyrtaret qe do hidhen ne darke per Vitin e Ri, por fillojne te hedhin aq shume sa per disa momente qielli mbi shesh mbushet plot me drita shumengjyreshe e shperthimet e vogla jane aq te shpeshta sa na krijohet shkuarazi ndjenja e nje pershendetje te vertete zyrtare, si ajo e Vitit te Ri.



Biem dakort qe te takohemi me Abdullahin e vellain e tij pas disa minutash e te shkojme vizita me makinen e tyre. Nderkohe qe kusheriri im i porsagjetur kthehet te ndihmoje vullnetaret per te mbledhur bandierat e tribunes, une e cuni i dajes perfitojme nga rasti per te kapur ne foto disa nga ato momente te bukura te shperndarjes se gezueshme te besimtareve. Ne nje nga fotot me sfond xhamine e Ethem Beut dhe kullen gjigande te rrethuar me skela qe ndertohej pas saj, kap ne aparat nje grup femrash me shami qe bisedonin te shkujdesura e prisnin familjaret e tyre. Nje grup i vogel grashe te thjeshta besimtare, ne ane te sheshit tone te madh, nen hijen mbrojtese te Skenderbeut, teksa i gezohen festes se rralle te dyfishte fetare e gregoriane, presin qe sheshi tashme i cliruar nga mekatet, ti kthehet normalitetit te tij trafik-drejtues derisa te mbushet edhe njehere me skena e banda muzikore per festen e madhe te mbremjes. Ishte nje moment qe mu duk teper i paqshem e i kendshem ne mes te ndryshimit te shpejte e rremujes kaotike qe sundon jeten e perditshme te Tiranes.



Disa kohe me vone ne Nju Jork, u ndergjegjesova se sa subjektiv ishte ky perjetim i imi ndaj asaj pamjeje. Po i tregoja nje mikut tim ndertues te njejten foto, por kesaj rradhe fokusi ishte kulla e madhe e TID ne sfond, pas kulles se zvogeluar te Sahatit, me te cilen po i ilustroja bashkebiseduesit tim qe kishte 14 vjet pa shkelur ne Tirane, se sa ka ndryshuar Tirana e cfare ndertimesh po behen atje. Nderkohe qe i flisja per kullen e per projektin e ri bashkiak per qendren e Tiranes, aitj i mbesin syte tek grupi i besimtareve me shami dhe duke mos e kuptuar qe behej fjale per nje mengjes Bajrami ne shesh, thote me habi: “Pse mor vlla, kaq shume jane shtuar keto? Nck, nck, nck…, ne vend qe me ec para drejt Evropes e modernizimit, po na kthejne mbrapa.”

e hënë, 6 shtator 2010

Sënduku i vjetër i Nuri Beut.



Rrefenja Dervishësh.


Nuri Beu ishte një shqiptar i njohur për urtësi e tejet i nderuar e i respektuar, i cili qe martuar me nje grua goxha më të re se veten. Një mbrëmje, kur u kthye në shtëpi më herët se zakonisht, një nga yzmeqarët e tij besnikë erdhi dhe i tha:
“Gruaja jote e zonja jonë po sillet cuditshëm.”
“Ajo është në apartamentin e saj me një sunduk të madh, aq të madh sat ë nxërë një njeri brenda, e është sunduku që ka patur gjyshja jote.”
“S’duhet të ketë gjë tjetër vec qendisma të vjetra.”
“Mendoj se ka më shumë se qendisma në të.”
“Ajo nuk më lejoi as mua, yzmeqarin tënd më të vjetër që të shoh c’ka brenda.”

Nuri Beu shkoi tek dhoma e së shoqes dhe e gjeti të të mërzitur ulur pranë sundukut të drunjtë.
“Do me tregosh se c’ka në atë sunduk,” pyeti ai?
“Pse, për shkak të dyshimeve të një shërbëtori apo se ti nuk ke besim tek unë?”
“A s’do qe më e kollajtë ta hapje pa vrarë mendjen për arsyet,” pyeti Nuri Beu?
“Nuk mendoj se është ë mundur.”
“Është i kycur?”
“Po.”
“Ku është celësi?”
Ajo e ngriti lart. “Shporre yzmeqarin dhe une ta jap.”
Yzmeqari u dëbua. Gruaja dorëzoi celësin dhe u largua e pezmatuar.

Nuri Beu u mendua për një kohë të gjatë. Më pas thirri katër kopshtarë të vetët. Pa e hapur, e morën sundukun nëpër natë dhe e cuan në në një cep të largët ku e varrosën.
Kjo punë nuk u zu më kurrë në gojë.

Kjo rrëfenjë tronditëse, për të cilën shpesh ngulet këmbë se ka një kuptim të brendshëm përvec atij të dukshmit në kuptimin primar të gjuhës, është pjesë e repertorit të dervishëve bredharakë, ualiu (shenjtori) i të cilëve është Jusufi i Andaluzisë i shekullit të 13 të. Dikur këta dervishë kanë qenë të shumtë në Turqi. Kjo rrëfenjë gjeti rrugën për në gjuhën angleze në formë më të zgjeruar në “Netët e Stambollit” të H.G. Dwight, botuar në Amerikë më 1916 dhe 1922.

Shqipëroi Emin Baomeri.

e premte, 3 shtator 2010

Islami im Shqiptar


Armir Taraj*

"Selam Alejqum he burra" - "We Alejqum Selam"

RIZA NELA - ky nuk eshte emri i nje patrioti mysliman shqiptar te harruar, por thjesht emri i gjyshit tim nga nena. Njeriu me frymezues per femijen qe isha une dikur, shembulli im i burrerise, nderit, tradites, e imanit.

I lindur ne vitin 1921 ne Selite te Malit, gati 2 ore prapa Dajtit, i zbritur ne Yzberish te Tiranes me 1957, ai ishte babai i 7 djemve e 2 vajzave, e gjyshi i shum niperve e mbesave, nga te cilet nipi i pare isha une.

Gjysh Zai tregonte shum histori te vjetra, te koheve te monarkise, te luftes e te komunizmit. Ai i shte nje tregimtar i vertete, mbartes i afte i atij zakoni te lashte malesor shqiptar, i "dhenies muhabet" miqve nepermjet tregimtarise se holle mjeshterore te ngjarjeve gjysem shekulli te vjetra. Kishte shume tregime te vjetra ne kujtesen e tij. Shume prej tyre, ato me terheqeset per mua, kishin te benin me hasmeri, me pusi, me pushke e fjale burrash. Isha gjithmone i magjepsur prej ketyre tregimeve, gjithmone kureshtar. Por ajo qe me kujtohet me fort eshte hyrja e disa prej ketyre tregimeve te cilat fillonin me nje rreth burrash malesore te mbledhur ne nje ode te madhe me mure te bardha e me pushke ne mur, qe kuvendonin duke thithur duhan e duke dredhur mustaqet. Nje apo disa malesore te porsaardhur hynin nderkohe ne dhome e pershendesnin te pranishmit me nje ze te forte e kumbues "Selam Alejqum he burra", dhe pergjigja e tyre ne nje ze ishte "Ve Alejqum Selam, bujrum e mirse keni ardh".

Nuk di pse por mbaj mend se qe i vogel ky shkembim pershendetjesh me bente shume pershtypje. Noshta ishte pesha e ketyre fjaleve te vjetra turke qe tingellonin kaq serioze e burrerore, apo ndoshta ishte thejsht "e huaja" tek keto fjale qe nuk i degjoja vec se ne tregimet e gjyshit dhe qe po ti perseritja me shoket e mi kur i takoja, do me dukej vetja qesharak.

Kane kaluar shume kohe qe nga ato dite dhe tashme fjalet "Eselamu alejkum" kane shume me teper kuptim per mua. Jane fjale paqjeje dhe urim paqjeje. Jane fjale identifikimi me besimin tim Islam, fjale te shenjta, profetike. Edhe pse jane pjese e fjalorit tim te perditshem, ato perseri mbeten te dyzuara mes antikitetit dhe te tashmes. Ne takime me vellezer e motra myslimane, jane fjale vellazerore qe dhurojne shume buzeqeshje te sinqerta, por ne takime me pjesen tjeter te shoqerise shqiptare jane fjale te lashta, te harruara, e perseri mbeten..."qesharake".

Njehere, ne nje kafe te Nju Jorkut, teksa po bisedoja me nje studente shqiptare katolike, me bie zilja e celularit dhe bej nje bisede te shkurter me nje shokun tim mysliman shkodran. Ne mbarim te bisedes, shoku im me pershendet me "Selamu Alejkum" dhe une, me nje fare hezitimi te pavetedijshem, ja kthej "Alejkum Selam" dhe mbyll telefonin. Menjehere shoqja ime katolike buzeqesh haptazi e me nje shikim si te cuditur e dyshues me pyet "Cfare ishte ajo shprehje arabe qe perdore?" I shpjegoj se eshte pershendetja Islame ne gjuhen arabe qe do te thote "Paqja Qofte mbi Ty". Ajo perseri me pyet "Po pse e ben tenden kete shprehje te huaj?" Atehere, si i zene ne faj dhe i prekur ne ndjenjen time te shqiptarizmit, i shpjegoj se kjo eshte nje pershendetje universale e perdorur nga myslimane te cdo rrace e ne cdo gjuhe, e si e tille na perket edhe ne myslimaneve shqiptare.

Fakti qe me bezdisi me teper nga ky incident, nuk ishte injoranca e nje shqiptareje katolike (apo e cfaredo feje qofte) ndaj Islamit, sepse kjo injorance eshte boll e njohur per te gjithe myslimanet shqiptare, por fakti se kjo studente kishte vite qe studjonte ne NYC dhe jam me se i sigurt qe ne klasat e saj ka pasur te beje me studente myslimane te rracave te ndryshme qe e pershendesin njeri-tjetrin me "Selamu Alejkum". E megjithate. prania e ketij pluralizmi fetar e shprehimor ne kontekstin shqiptar asaj ju duk i "cuditshem"...

*Armir Taraj punon si inxhinjer civil ne qytetin e New Yorkut dhe korrespondent examiner.com