e hënë, 27 shtator 2010

Deklaratë e një grupi besimtarësh rreth ngjarjeve të fundit në KMSH

Besimtarët muslimanë kanë ndjekur me shqetësim ngjarjet e fundit në Komunitetin Musliman Shqiptar (KMSH). Teksa këto ngjarje janë të paprecedenta për nga përshkallëzimi i konflikteve brenda këtij institucioni, problemet e KMSH-së nuk janë asgjë e re. Pikërisht kjo situatë prej dy dekadash ka lënë bashkësinë e besimtarëve pa institucion funksional që të përfaqësojë interesat e tyre dhe që të shërbejë si institucion i autoritetit moral dhe shpirtëror për besimtarët.

Ne i vlerësojmë përplasjet e fundit në KMSH si luftë e radhës për poste e pushtet në një institucion të ndërtuar mbi afera korruptive të shitjes së pasurisë kolektive të besimtarëve. Të dyja palët vepruan në shkelje të statutit të Komunitetit që funksionarët më të lartë të saj kanë kohë që nuk e respektojnë. Nisur prej kësaj, ne dënojmë ashpërsisht këto ngjarje të shëmtuara, si fenomene që nuk kanë të bëjnë aspak me fenë Islame, të cilat kanë ngjallur indinjatë tek çdo besimtar. Këto konflikte nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin që paraqet feja Islame, dhe aq më pak, me atë që duhet të paraqesin mësuesit e saj.

Këto ngjarje dëshmuan qartë se konfliktet në KMSH nuk kanë asnjë lidhje me fenë dhe se ideja që përplasjet në të janë të motivuara dhe produkt i dallimeve teologjike dhe ideologjike është e gabuar. Këto ngjarje tregojnë dhe një herë që përplasjet në KMSH janë produkt i korrupsionit ekonomik, mungesës së përfaqësimit të interesave të besimtarëve nga ky institucion dhe zemërimit legjitim të besimtarëve nga dështimi moral dhe etik i instuticionit që drejton jetën shpirtërore të muslimanëve shqiptarë. Konflikti u bë vetëm për arsye interesash personale ndërmjet palëve dhe për asnjë arsye parimore, fetare apo ideologjike.

Për këtë arsye, ne vlerësojmë se drejtuesit e lartë të Komunitetit Musliman, nuk pëfraqësojnë vlerat dhe moralin e duhur Islam, ashtu siç nuk përfaqësojnë realisht besimtarët e xhamive që ky Komunitet ka nën administrim. KMSH, realisht është i shkëputur dhe distancuar nga besimtarët e vet, e si rjedhim nuk drejton aspak jetën fetare e shpirtërore të tyre. Ndaj është e papranueshme që drejtues të lartë të këtij institucioni, të pambështetur prej bashkesisë muslimane dhe për më tepër, me precedentë të tillë të dënueshëm moralë, të flasin në emër të muslimanëve shqiptarë.

Ne e kuptojmë hapin e ndërmarrë nga imamët e disa xhamive të kryeqytetit në mbështetje të Kryetarit të KMSH-së si një nënshtrim ndaj presionit të ushtruar nga ky Komunitet. Ata mbështetën një njeri dhe një strukturë të cilën më parë e kanë akuzuar, me të drejtë, si të korruptuar dhe të dështuar. Në ndryshim prej tyre ne mbështesim qëndrimin e drejtë dhe parimor të mbajtur nga imamë të tjerë të kryeqytetit që vendosën mos mbajnë anë në një konflikt të tillë të papranueshëm moralisht dhe fetarisht. Ne vlerësojmë se qëndrimi që duhej marë prej tyre, si figura që kanë për mision të dëshmojnë parimet e traditës tonë fetare, do ishte distancimi i qartë nga këto veprime të pajustifikueshme të funksionarëve të lartë të një institucioni që duhe të kishte për mision t’i dëshmojë të vërtetën njerëzve.

Nga ana tjetër, ne e konsiderojmë të papranueshëm rolin e luajtur nga disa struktura të shtetit shqiptar, të cilat u pozicionuan qartësisht pro njërës palë ndërkohë që të dyja palët vepruan në mënyrë jolegjitime. Kjo është në vazhdën e ndërhyrjeve të shtuara të shtetit në punët e brendshme të një komuniteti fetar që bie qartazi në kundërshtim me parimet e sekularizmit, ku ndarja e shtetit nga feja presupozon gjithashtu mbrojtjen e fesë nga ndërhyrja shtetërore. Ndërhyrja e instancave shtetërore në një konflikt të tillë klanor, të ngritur mbi akuza për korrupsion midis palëve, e bën shtetin palë ne konflikt, e si e bën atë faktor që vjen në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë të besimit Islam, si dhe me interesat shoqërore e kombëtare për integrimin tyre në shoqërinë shqiptare. Kjo ndërhyrje e gabuar e shtetit, vjen përkundër indiferencës së përsëritur prej tij, në raste të tjera, kur besimtarët njëzëshëm kanë shprehur mosaprovimin e tyre për shumë probleme të ardhura nga drejtuesit e lartë të institucionit të tyre përfaqësues. Jo vetëm përkrahja nga Prokuroria dhe Gjykatat, në raste të denoncimeve për abuzime financiare, por edhe mosndërhyrja e instancave të tjera që kanë mundësi të zbardhin fenomene të tillë, kanë shërbyer për thellimin e distancës së këtij isntitucioni prej besimtarëve të thjeshtë, si dhe për thellimin e aktiviteteve koruptive në këtë institucion. Të gjitha këto, kanë krijuar tek besimtarët se shteti vepron në kundërshtim me interesat e muslimanëve dhe se shteti mbron korupsionin në KMSH.

Ne mendojmë që besimtarët muslimanë të të gjitha xhamive duhet të organizojnë një aksion civil që kërkon transparencë, përfaqësim të gjerë dhe hapje dialogu mbi të ardhmen e KMSH-së. Ne i bëjmë thirrje të gjithë organizmave dhe aktorëve me peshë në organizimin e këtj institucioni për hapjen e një dialogu të gjerë, për reformimin e këtij institucioni, krijimin e strukturave që garantojnë transparencën në aspektet ekonomike, përfaqësim të gjerë të bazës së besimtarëve, pjesëmarrjen e grave muslimane në strukturat përfaqësuese në KMSH, dhe reformimin e statutit në mënyrë që të reflektojë zërat, interesat, dhe idealet e bashkësisë së besimtarëve.

Ne konsiderojmë se një reformim i mirëfilltë dhe jo kozmetik i KMSH–së dhe i kulturës institucionale të përfaqsimit të muslimanëve është e domosdoshme për një jete të shëndetshme shpirtërore dhe sociale të bashkësisë së besimtarëve. E kundërta, qartazi, do sillte përshkallzim të krizës së autoritetit dhe përfaqsimit të kësaj bashkësie me pasoja të gjera për gjithë shoqërinë.


Kjo deklaratë është iniciuar nga foumi E-zani i Naltë, të cilës i janë bashkangjitur një gup i madh besimtarësh myslimanë. Ajo është nënshkruar nga një grup pëfraqësuesish të cilët janë myslimanë të angazhuar në zhvillimet e fesë në Shqipëri.


Neshkruesit

Besnik Sinani Politolog

Elton Hatibi Historian

Roland Zili Gazetar

Klenti Tare Drejtues i shoqatës “Oaz”

Gerdi Demneri Financier

Neki Kaloshi Imam i Xhamisë së Laprakës

Justinian Topulli Drejtor i QSKI-së

Rezart Beka Studiues i Krahasimit te Feve

Ergys Martiri Sociolog

Anjeza Xhaferaj Politologe

Doan Dani Historian

Edlira Xhafa Studiuese e Shkencave Shoqerore dhe Ekonomike

Sabina Tufa Perkthyese

Altin Hyka Ekonomist

Haki Kurti Ekonomist

Ermir Agaci Inxhinier

Nuk ka komente:

Posto një koment