e shtunë, 18 shtator 2010

Dështon Vokshi, Muca vendos diktatin



Elvis Naci dekretohet imam i ligjshëm

Dështon tentativa e grupit të Kryemyftiut Ilir Vokshi për të rrëzuar Selim Mucën. Kjo ka ardhur pas dështimit të mbledhjes së thirrur nga Vokshi, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm, ku sipas të dhënave, nuk kanë qenë të pranishëm më shumë se 9 vetë. Për sot ishin lajmëruar dy mbledhje njëkohësisht, ajo e thirrur nga Kryetari i KMSH-së Selim Muca, si dhe ajo e thirrur nga Kryetari i vetë këtij këshilli Vokshi. Por, Kryetari Muca ka arritur ti nënshtrojë anëtarët e Këshillit duke i detyruar ti qëndrojnë larg mbledhjes rivale. Kjo edhe për shkak të presionit që ai u ka bërë anëtarëve, ku në mënyrë të hapur, në njoftimin e KMSH-së, të publikuar edhe në faqen e internetit të këtij institucioni, kërcënon të gjithë anëtarët se, nëse nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e tij, do të mbajnë përgjegjësi “përpara ligjit dhe institucionit”.

Kjo ka bërë që anëtarët e këshillit të ndjehen të nën presionin e Kryetarit dhe të mos veprojnë sipas zgjedhjes së tyre të lirë. Në këtë mënyrë, nëpërmjet presionit, si dhe nëpërmjet akteve të dhunshme, Selim Muca i ka shpërthyer Kryemyftiut dyert e zyrave në Myftininë e Tiranës si dhe atë të Durrësit, me c’rast raportohet edhe ti ketë sharruar me gur freksibël kasafortën e dokumenteve, Muca ia ka dalë mbanë të vendosë diktatin e vet. Kryemyftiu, tashmë i shkarkuar, ka bërë të ditur dje në një debat televiziv, se Selim Muca i ka falcifikuar vulen, duke vulosur tashmë vetë në vend të tij. Megjithate, pas dështimit të mbledhjes, grupi rebel brenda KMSH-së ka shtrirë dorën bashkëpunimit duke kërkuar pajtim me kryetarin, të cilin nuk mundën dot ta rrëzonin, gjë që e ka bërë publikisht edhe në debatin televiziv në Ora News, megjithë lumin e akuzave për korupsion të adresuara në drejtim të tij.

Vendimet

Këshilli i Kryetarit Muca, gjatë kësaj mbledhjeje të jashtëzakonshme, ka miratuar të gjitha vendimet e mbledhjes së Kryesisë të mbajtur dy ditë më parë, ndonëse këto vendime janë të jashtëligjshme, pasi statuti përcakton që vendimet merren me dy të tretat e kryesisë, gjë që nuk ka ndodhur. Megjithatë, ndonëse në mëmyrë antistatutore, Kryetari Muca, ka arritur ti kthejë në realitet vendimet e tij, duke i flakur jashtë strukturave të KMSH-së figurat më të larta të saj, të cilat vetë ai i ka ngritur nga hici në majat e piramidës së tij institucionale. Nga ana tjetër Muca është përpjekur të afrihe prane vetes disa prej grupeve më te rëndësishme të xhematit, duke uofruar poste Bilal Teqes dhe Elvis Nacit. Përvec emërimit të Teqes në postin e Zëvendësmyftiut të Tiranës, gjë të cilën e ka paralejmëruar që më parë në mbledhjen e kryesisë, Muca ka vendosur riemërimin e Elvis Nacit si imam të Xhamisë së Tabakëve, të cilin e kish shkarkuar më parë me motivacionin “falcifikim dokumentash”, në një kohë kur Naci (ashtu si edhe vetë Kalaja apo edhe Teqja), më parë kish hedhur drejt tij akuza te ashpra për afera koruptive. Ky vendim, e përfshin tashmë Nacin në strukturat e KMSH-së pas një periudhe 4-vjecare si imam i jashtëligjshëm, ashtu sic e kanë theksuar publikisht vetë funksionarët e lartë të komunitetit. Sic duket, sherri me grupin Vokshi ka ridimensionuar marrëdhëniet e Mucës me imamët, duke krijuar solidaritet mes tyre dhe duke rikthyer për të disatën herë aleancën midis tij me imamët. E gjithë kjo ndodh në pavarësi prej faktit që imamët e kanë akuzuar Mucën për afera koruptive, ndërsa vetë Muca i ka akuzuar imamët për ekstremistë dhe terroristë.

Shkeljet

E gjithë kjo situatë është vendosur në mënyrë krejt arbitrare prej Mucës, në kundërshtim të plotë me statutin e Komunitetit Musliman, dhe c’është më e rëndësishmja, këto shkelje janë bërë me miratim të plotë të të gjithë pjesës tjetër të këtij institucionit, të cilët kanë i pranuar, madje edhe i kane duartrokitur ato pa kurrfarë reagimi. Jo vetëm që mbledhja e Kryesisë, ku janë marrë keto vendime, ka qenë e paligjshme, për shkak se nuk është plotësuar kuorumi i nevojshëm, por edhe vetë prania e pjesëmarrësve në mbledhje ka qenë e paligjshme. Nga sa duket edhe në fotot e bëra publike, gjatë kësaj mbledhjeje kanë qenë të pranishëm edhe Bilal Teqja, Ahmed Kalaja dhe Elvis Naci, të cilët nuk janë anëtarë të kryesisë. Kjo është në shkelje të rëndë të statutit, duke treguar që kryesia e vërtetë në KMSH, madje jo vetëm kryesia, por edhe e gjithë KMSH-ja në tërësi, është vetëm një person, Selim Muca. Të tjerët janë thjesht figurantë që ai i zgjedh në funksion të nevojave të momentit. Po kështu, emërimi i përfaqësuesve të tjerë të myftinive, të cilët kanë zëvendësuar anëtarët e shkarkuar, janë gjithashtu të jashtëligjshëm, për shkak se ata nuk janë zgjedhur nga xhamitë, ashtu sic parashikon statuti për ta.

Rezultati

Të gjitha këto flasin për precedentë të rëndë konstitucionalë, duke dëshmuar që tashmë e tutje, KMSH-ja do të drejtohet pa statut dhe pa ligj, por thjesht me urdhëra apo me aleanca fluide momentale të kryetarit, sipas interesit të momentit. E gjithë kjo është një grusht shteti institucional, i cili ndërmerret nga vetë kryetari i këtij institucioni, në miratim të plotë me grupet e tjera rivale (përvec grupit Vokshi). Por ajo që mungon deri më tani, është një analizë e thellë, e kthjellët dhe e sinqertë e ngjarjeve, në mënyrë që ato të mos përsëriten. Ky është një ogur i keq, që tregon se situata në KMSH nuk është qetësuar aspak, por përkundrazi, pritet që ajo të përkeqësohet edhe më tej në të ardhmen. Askund nuk kemi parë një trajtim serioz të ngjarjes, dhe askund nuk kemi parë që aktorët e kësaj estrade të mjerueshme që KMSH-ja i ofroi publikut shqiptar, të na tregojnë se përse erdhi e gjithë kjo dhe se si mund të shmangen situata të tilla në të ardhmen. Askush deri më tani, nuk na ka treguar arsyen e vërtetë të konfliktit Muca-Vokshi. E për sa kohë që nuk zbardhen shkaqet, problemi mbetet aty. Për rrjedhojë, së afërmi do të vijojmë të shohim në vazhdimësi që ky institucion të degradojë gjithnjë e më shëmtueshëm.

Nuk ka komente:

Posto një koment