e martë, 21 shtator 2010

Vijojnë shkarkimet në KMSH, kësaj rradhe kurbani është Zëvendësmyftiu Nuzi


Trualli nën këmbë në KMSH duket se nuk ka zënë vend ende pas tërmetit Vokshi. Rradha i ka ardhur tashmë Zëvendësmyftiut të Tiranës Besim Nuzi, i njohur si mbështetës i ish-myftiut Vokshi. Besim Nuzi nuk kishte as një vit në detyrë, dhe u bë shumë shpejt prehë fshesës së kryetarit dhe klanit nurxhi që qëndron pas tij. Nuzi është njohur për konfliktet e krijuara në Durrës, në përplasjet e xhematit të këtij qyteti me myftiun Vokshi, në lidhje me një shitje prone vakëf prej tij, me c’rast, Nuzi, u bë figura që që u angazhua në frenimin e protestave.

Gjithsesi, nga të dhënat rezulton se Nuzi, është shkarkuar në mënyrë krejtësisht joinstitucionale, ashtu si çdokush tjetër gjatë këtyre ditëve në këtë institucion. Sic bëhet e ditur, zëvendësmyftiu nuk ka marrë asnjë shkresë zyrtare, si dhe asnjë motivacion për shkarkimin e tij. Madje, në mënyrë krejtësisht qesharake, komunikimin për shkarkimin, ia kanë ngarkuar t’ia bëjë gojarisht zëvendësuesi i tij në këtë detyrë, Bilal Teqja, i zgjedhur së fundmi prej Selim Mucës, në postin e zëvendësmyftiut të Tiranës. Pra, nuk kemi një epror që shkarkon vartësin në mënyrë ligjore, të dokumentuar dhe të motivuar, por kemi zëvendësuesin që i komunikon shkarkimin të zëvendësuarit. E gjithë kjo tregon për gjendjen e mjerueshme institucionale që ka kapluar dhe po kaplon cdo ditë e më shumë këtë institucion, ku ligjet dhe statuti nuk kanë më kurrëfare vlere dhe ku gjithcka drejtohet me fjalë goje dhe me vullnetin e kryetarit.
Së afërmi, pritet që shkarkime të tjera të ketë në vazhdim, derisa të gjitha rrënjët e rrjetit të Vokshit të jenë shkulur krejtësisht nga ky institucion. Pas kësaj, shohim që vakumin e tyre e kanë mbushur një mori individësh të cilët po krijojnë një mozaik të ri, krejtësisht të fragmentuar të grupeve të reja që do të popullojnë lëvizjet nën thundrën e Selim Mucës. Rryma nga më të ndryshmet, njerëz të pikëpamjeve nga më të larmishmet, të gjithë të vetëndjerë potencial për të drejtuar, janë përfshirë tashmë në një strukturë të tillë të brishtë që nuk e njeh aspak gjuhën e debatit dhe kompromisit, përvec atij klanor, gjë që premton për konflikte të reja. Kjo pritet të sjellë zhvillime të reja, në dëm të mirëfunksionimit dhe të zhvillimit të këtij institucioni, ngjarje që do të venë komedi të reja në skenën e teatrit të këtij institucioni aspak serioz. Sa për fillim, shohim tashmë se figura që ka zëvendësuar Vokshin në Këshillin e Përgjithshëm është me shkollë të mesme, çka e bën realitetin jo vetëm të paimagjinueshem, kur muslimanët në Shqipëri kanë figura me mjaft kapacitet dhe të aftë për ti shërbyer zhvillimit të fesë, por mbi të gjitha përbën një shkelje të rëndë statutore, në lidhje me kriteret që duhet të ketë një figurë e tillë e lartë si kreu i legjislativit në këtë institucion.

Nuk ka komente:

Posto një koment