E. Mërtiri
Prej kohësh në Kosovë është shtruar një debat mbi përfshirjen e mësimit të fesë në kurikulat shkollore. Së fundmi, gjatë një konference Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, u shpreh se përfshirja e mësimit të fesë në shkolla, do të ishte, ndër të tjera, edhe në dobi të mbojtjes prej interpretimeve të pashëndetshme mbi Islamin, të cilat nuk përputhen me modelet e trashëguara në shoqërinë tonë. Ndërkohë, mësohet se Kisha Protestante në Kosovë është shprehur kundër kësaj nisme. Sipas saj, shteti nuk duhet të favorizojë ndonjë fe dhe se do të ishte më mirë të ndiqnim modelin amerikan ku mësimi fetar nuk është i përfshirë në shkollat publike. Gjithmonë, sipas saj, mësimi i fesë mund të mbështetet mbi nisma të tjera, të cilat nuk duhet të financohen nga shteti.
Ajo që mund të themi në lidhje me këtë debat, përtej argumentimit se cila palë ka argumente më bindëse, është se qendrimet janë më tepër të politizuara dhe argumentet përdoren më tepër në funksion te interesave fetare e ideologjike, sesa në funksion të së vërtetës apo dobisë kombëtare. Kryemyftiu i Kosovës, Tërnava, detyrohet të luajë me logjikën e përdorur nga qarqe të ndryshme mediatike, por edhe të shoqërisë civile, të cilët kanë ngritur zërin për të denoncuar atë që ata e quajnë arabizimi i Kosovës, i shprehur në ndikimin vehabi, tek një pjesë e besimtarëve praktikantë. Tërnava, përpiqet t’i kapë kësisojë kundërshtarët me fjalët e tyre, duke u argumentuar se futja e mësimit të fesë në shkolla do të frenojë pikërisht këtë dukuri për të cilën ata shqetësohen. Në fakt, kushdo e kupton se, futja e mësimit fetar në shkolla, do të duhet të bëhet më tepër për të ndikuar në rritjen e religjiozitetit të të rinjve shqiptar, sesa për fortifikimin e tyre me njohuri të mjaftueshme për të mos rënë prehë e fondamentalizmit. Ky është edhe nënteksti i pa shprehur që i bën intelektualët dhe politikanët e mësipërm të jenë kundra, megjithë se një nismë e tillë do të bëhej vërtetë barrierë për fondamentalizmin fetar.
Pra në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, thelbi i diskutimit ka të bëjë me qendrimin ndaj fesë. Ata që nuk e duan mësim-besimin në shkolla, nuk duan rritjen e praktikueshmërisë së fesë Islame në Kosovë, ndërsa ata që e duan atë, duan që qytetarët e Kosovës të jenë besimtarë më të mirë.
Në të njëjtën mënyrë, mospranimi i Kishës Protestante të përfshirjes së mësim-besimit në shkolla, do të ishte një çudi, po të mos kuptonim se, mungesa e religjiozitetit të shoqërisë kosovare i nevojitet misionarëve protestantë për aspiratat e tyre konvertuese. Argumentet e tyre, ku shteti nuk duhet të favorizojë asnjë prej feve, duket se nuk janë hiç bindëse. Së pari këtu nuk duket se ka vërtetë gjasa të favorizohet feja e shumicës prej shtetit, por nga ana tjetër edhe modeli amerikan i propozuar prej tyre, nuk duket se përbën argument, për sa kohë që realiteti shoqëror në Kosovë është krejtësisht ndryshe nga ai në SHBA. Qoftë edhe për arsyet që shpreh Kryemyftiu Tërnava për nevojën e lëndëve fetare, kjo nuk qendron. Amerikanëve nuk u kërcënohet ndopak stabiliteti apo identiteti nga lexime fondamentaliste të fesë muslimane si në Kosovë, për të parë të nevojshme edukimin e rinisë me lexime më të kujdesshme në funksion të ndërtimit të një shoqërie të ekuilibruar.
E megjithatë, përtej retorikës së argumenteve të cilat më tepër luajnë shah sesa prodhojnë idetë e duhura, mund të themi se mësimi i fesë në Kosovë është i domosdoshëm. Në fakt, një gjë e tillë do të ishte e nevojshme në çdo vend, por sidomos në Kosovë. Këtu, jo vetëm që feja ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kohezionit shoqëror, në kushtet e një represioni të egër të ushtruar nga politika shoviniste serbe, gjë që do të duhet ta luajë edhe tashmë, në kushtet kur shumë probleme duket se nuk janë shuar ende, por sot në Kosovë, më së shumti ka nevojë për të përgatitur një mjedis shoqëror më të shëndetshëm, për shkak se shumë sprova duken në horizont.
Duke lenë mënjanë problemet politike, duket se kjo shoqëri po përballet me fillimin e një krize serioze ekonomike, shoqërore, kulturore, morale etj. Një rritje e ndjeshme e korrupsionit, destabilitetit, polarizimit shoqëror, ka filluar tashmë. Nga ana tjetër, duket se shumë sfida të natyrës sociale, i kanë të gjitha gjasat të bëhen një problem i madh për shoqërinë. Një rritje e ndjeshme e numrit të vetvrasjeve, të konfliktualitetit në familje, të problemeve me drogën, si dhe problemet morale, duket se po fillojnë përhapen me shpejtësi në shoqëri, gjë që kërcënon ndjeshëm, jo vetëm kohezionin moral dhe shoqëror, por edhe vitalitetin dhe aftësinë e saj në përballimin e situatave që ka përpara. Modeli i një shoqërie liberale, i propozuar nga shumë intelektualë, është krejtësisht i papërshtatshëm, për sa kohë Kosova nuk mund të jetë një Amserdam dhe nuk e ka luksin të hapet ndaj një problematike që vetëm do ti shtonte hallet, duke e bërë edhe më të paaftë për t’iu përgjigjur nevojave. Në këto kushte, shtimi i religjiozitetit, do ti ndihmonte ndjeshëm shoqërisë, për tu përballur me realitetin ku ndodhet, për ta ndryshuar atë dhe për ta vënë veten në rrugë të mbarë drejt zhvillimit dhe konsolidimit të vlerave dhe strukturave të reja, ende të brishta. Vizioni social, i paraqitur herë pas here nga Bashkësia Islame dhe Kryemyftiu Tërnava në shumë projekte të aplikuara prej tyre, janë për tu përshëndetur. Ky duhet të jetë vërtetë dimensioni që do të duhet të luajë një komunitet fetar i shëndetshëm, në dobi të shoqërisë. Do të ishte në interesin e tërë shoqërisë, të hapej ndaj komuniteteve fetare, për të lehtësuar dhe shkarkuar sadopak barrën sociale, sidomos tek të rinjtë, gjë që do të bënte të mundur, aftësimin e saj për përballimin e efekteve të tranzicionit.
Nuk ka komente:
Posto një koment