Armir Taraj
Fjala xhihad sjell në mendje imazhe luftrash, imazhe myslimanësh të mbështjellë me shall në fytyrë që me kallash e granat-hedhës në duar kërcënojnë Amerikën e Perëndimin me luftë të shenjtë. Fjala xhihad ka marrë një konotacion tepër negativ dekadat e fundit, konotacion ky i ushqyer e fryrë nga mediat e etura për fjalë të reja gjithë-shpjeguese e të gëlltitshme nga publiku.
Por çdo të thotë në të vërtetë xhihad? Nga gjuha Arabe, "xhihad" përkthehet më së miri si një përpjekje e vazhdueshme për të përmirësuar gjendjen tënde e të atyre përreth teje me qëllim afrimin tek Zoti. Padyshim që kjo përpjekje përfshin edhe luftën e armatosur në mbrojtje të besimit, atdheut, shtëpisë, familjes e pasurisë. Islami si fe të tjera ka gjithashtu një traditë të luftës së drejtë. Por kuptimi primar i xhihadit nuk është ai ushtarak. Ka një thënie të famshme të Profetit Muhamed a.s. (paqja qoftë mbi të) i cili u thotë shokëve të tij kur po ktheheshin nga një betejë: “tani po kthehemi nga xhihadi i vogël tek ai i madh.” Me xhihad të madh këtu Profeti nënkupton jetën e përditshme pranë familjeve dhe përpjekjen e vazhdueshme për të bërë vepra të mira e për t'iu afruar Allahut me devotshmëri, luftën kundër egos personale.
Pra ç'mund të jetë atëherë xhihadi im shqiptar?
Përveç luftës për mbrojtjen e atdheut apo çlirimin e trojeve tona si dy luftërat e UÇK'së, të cilat janë shembull i xhihadit të vogël ushtarak, xhihadi i madh shqiptar është në jetën time të përditshme. Është në respektin tim ndaj prindërve e të afërmve, në ndihmën ndaj të varfërve e të dobtëve. Xhihadi im shqiptar është në luftën e përditshme për ti shpëtuar korrupsionit e për të jetuar me ndershmëri e moral në një shoqëri që njeh të tjera monedha këmbimi. Është përpjekja ime për tu arsimuar sa më mirë e për të lehtësuar arsimimin e atyre rreth meje. Është sfida për të qenë një inxhinjer sa më i saktë e profesional në punën time e për ti shërbyer interesave të publikut para së gjithash. Është edhe përpjekja ime modeste për të luftuar diskriminimin në shoqërinë tonë, qoftë atë fetar, rracor apo ndaj personave me aftësi të kufizuara. Xhihad është dhe mbjellja e fidaneve e kujdesi për mjedisin, pastrimi vullnetar i rrugicave të lagjes sime, edukimi i fqinjëve që të mos i lënë plehrat në ashensor e të mos zhgarravisin muret, e po ashtu edhe lyerja me gëlqere e shkallëve të pallatit kur hartat e pisëta në mure të jenë bërë të padurueshme.
A është pra e çuditshme apo edhe e dënueshme të flasësh sot për xhihad në Shqipëri ? Aspak. Por dallimi është tek arsimi. Nuk duhet mohuar fakti se myslimanët në botë sot kanë një problem shumë serioz me ekstremizmin e brendshëm fetar. Bile ky është problemi më i madh që has sot komuniteti botëror i besimtarëve të fesë Islame.
Dhe jo vetëm sepse numri më i madh i viktimave të sulmeve terroriste në botë janë myslimanë, por sepse narrativa eksremiste e urrejtjes e përçuar nga Al Kaida është një narrativë e cila mbyt dhe errëson shpirtin e lirë të Islamit. Unë kam mësuar se Islami (ose besimi në Zot) është gjendja e natyrshme e njeriut kur shpirti e mendja e tij janë të pakorruptuara (fitrah në Arabisht). Por si mund të jetë urrejtja dhe dhuna e Al Kaidës apo e Talibanëve gjendja e natyrshme e të ekzistuarit? Nëse narrativa përçudnuese e Al Kaidës, e cila shpërfytyron parimet themelore të Islamit, arrin të zërë vend në mendjet apo zemrat e një pjese të madhe të besimtarëve myslimanë, kjo do ishte katastrofa më e madhe që mund ti vinte Islamit. Por shyqyr Zotit, myslimanët sot janë 1 miljard e gjysëm, Kurani është i qartë e i pandryshueshëm, po ashtu tradita e Profetit tonë të lavdishëm, e dijetarët Islamë janë akoma të shumtë e të respektuar, kështu që ky skenar ogurzi nuk ka gjasa të zërë.
Por problemi qëndron tek ata dhjetra e qindra individë që kanë marrë atë rrugë të gabuar, tek dëmi që ata janë të aftë të shkaktojnë, e tek kundërpërgjigja e dhunshme edhe më e dëmshme e Perëndimit. Një prej këtyre individëve të keq-udhëzuar duket se është dhe djaloshi i ri me prejardhje nga Kosova, Arid Uka, emri i të cilit është tashmë fatkeqësisht i njohur për të gjithë ne. Akti i pafalshëm dhe rreptësisht i dënueshëm i Ukës, përveç humbjes së jetëve njerëzore, gjë e barazvlefshme me humbjen e vetë njerëzimit sipas Kuranit, dhe përveç dëmit të shkaktuar ndaj familjes se tij, është një akt që dëmton rëndë ndjenjat e besimtarëve myslimanë shqiptarë. Nëse del e vërtetë se Uka është frymëzuar në njëfarë mënyre nga narrativa e dhunshme e Al Kaidës në kryerjen e vrasjeve të tij, kjo do ishte një grusht në stomak për çdo besimtar mysliman shqiptar që përpiqet me besimin e tij, e me xhihadin e tij të përditshëm, të japë një shembull të mirë për shoqërinë tonë, e të kryejë sadopak mirë në këtë botë. Të paktën kështu e përjetova unë, edhe pse Uka nuk duket se është aspak produkt i një ambjenti fetar shqiptar: ai është rritur dhe ka jetuar gjithë kohës në Gjermani, nuk ka ndjekur xhami shqiptare, e nuk ka pasur imam shqiptar, e prandaj paraqitet dhe si shembull i multikulturalizmit të dështuar Gjerman sesa i ekstremizmit fetar shqiptar.
Ajo që nevojitet sot në komunitetin botëror Islam, është një xhihad ndaj xhihadit të dhunshëm. Dijetarët dhe liderët shpirtërorë të Islamit, përfshi këtu dhe ata shqiptarë, kanë për detyrë primare dhe emergjente sfidimin e narrativës së dhunshme të Al Kaidës e të Talibanëve. Ata kanë për detyrë mësim-dhënien korrekte të Islamit, ashtu siç e ka mësuar vetë Profeti ynë, një Islam i moderuar e pranues ndaj tjetrit, një Islam që është i aftë të frymëzojë zemrat e të rinjve e të moshuarve me besimin tek mirësia e Zotit dhe e njerëzimit. Ata kanë për detyrë krijimin e hapësirave alternative jo të dhunshme të shprehjes së opozitës ndaj politikave te ndryshme të shteteve të tyre. Dhe më së pari, kanë për detyrë vënien në pah të së kaluarës së lavdishme e tejet tolerante të Islamit ku myslimanë, të krishterë, e hebrenj jetuan në paqe si fqinjë të mirë dhe i dhuruan njerëzimit qytetërime magjepsëse si ai i Spanjës Islame, apo Andaluzisë. Dhe duhet të mësojnë ta bëjnë këtë pa nostalgjira rekonkuistash Islame për të “rimarrë Spanjën”, siç është shprehur fatkeqësisht dhe mendje-ngushtësisht “hoxha” Tan Kristo, i cili vuan dënimin 5-vjeçar për nxitje të terrorizmit (dënim tepër problematik nga ana ligjore por që është temë më vete).
Por edhe Perëndimi ka përgjegjësi për zgjidhjen e çështjeve bazë që qëndrojnë në rrënjë të konflikteve botërore që frymëzojnë propagandën ekstremiste e që kanë të bëjnë me padrejtësira të mëdha në dëm të myslimanëve. Mjafton tu hedhësh një sy lajmeve botërore dhe menjëherë vëren se shumica e konflikteve të armatosura dhe padrejtësive në botë vazhdojnë të bëhen në kurriz të popullsive myslimane, që nga Palestina në Çeçeni, nga Kashmiri në Xinjang. Për shumë kohë Perëndimi ka mbyllur sytë ndaj këtyre padrejtësive, dhe për shumë vite ka mbështetur regjime diktatoriale “mike” në vendet myslimane, që nga Maroku në Jemen, duke u mohuar popujve myslimanë të drejtën për të jetuar në vende të lira e demokratike, e drejtë kjo që këta popuj kaq shumë e admirojnë tek Perëndimi. Vetëm tani, në vitin 2011, dhe vetëm pasi popujt vetë u çuan në revoltë e i rrëzuan regjimet e tyre të korruptuara, Perëndimi po i përqafon më në fund aspiratat e tyre për liri, po mbështet më në fund xhihadin e madh të shumicës duke mposhtur frikën nga xhihadi i vogël i disave.
Nuk ka komente:
Posto një koment