e premte, 29 tetor 2010

Keqkuptimet mbi ‘radikalizmin islamik’ në Ballkan.


Besnik Sinani

Në shtator të këtij viti, gazeta The Washington Post raportonte rritjen e prezencës së Islamit radikal në Ballkan dhe vetëm pak ditë më parë, National Public Radio (NPR) në SHBA, lidhte përhapjen e Islamit radikal ne Ballkan, duke marë si shembull Bosnjen dhe Kosovën, me varfërinë ekonomike të rajonit dhe investimet në ndërtimin e xhamive nga vende si Arabia Saudite.


Edhe pse një nga fenomenet më të përfolura sot, ‘Islami radikal’ nuk është i definuar, nuk egziston një përkufizim i qartë për kuptimin e tij. Megjithatë, egziston një lloj ideje që lidh fenomenin e ‘Islamit radikal’ me lëvizje politike fetare në Lindjen e Mesme që kërkojnë ndërrimin e regjimeve të Lindjes së Mesme duke përdorur dhunën. Në vende të tjera, kryesisht në Azinë Qendrore, grupe militante fetare dhe politike u shfaqën në kuadrin e luftrave etnike dhe u bënë pjesë e konflikteve politike që pasuan shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Në Ballkan, lufta në Bosnje solli vëmendjen ndaj grupeve solidare muslimanësh që luftuan në krahun e boshnjakëve kundra sërbëve dhe kroatëve me origjinë nga Lindja e Mesme si mbështetës së idesë së krijimit të një shtetit islam, pak a shumë në konturet ideologjike të formuluara nga Maududi dhe Sejid Kutbi.

Në rastet konkrete, asnjë nga grupet apo individët apo dhe fenomenet e përmendura në lidhje me rritjen e njoftuar të ‘Islamit radikal’ në Maqedoni, Shqipëri apo Kosovë nuk kanë të bëjnë me grupe apo individë që kërkojnë rrëzimin e rendit politik e prandaj etiketimi i tyre si ‘radikalë islamikë’ duhet vënë në pyetje.

Shpesh akuza për radikalizëm vjen nga udhëheqës muslimanë të institucioneve muslimane në këto vende që gëzojnë mbështetje shtetërore. Një gjeneratë më e re hoxhallarësh dhe predikuesisht fetarë ka sfiduar kredencialet e tyre fetare dhe shpesh përgjigjia në këtë dinamikë konkurence ka qenë ngritja e akuzës për radikalizëm edhe pse nuk është qartësuar kurrë se cfarë përbën ‘radikalizëm’ në veprimet e tyre.

Në rastin e Ramadan Ramadanit në Shkup, kryesia e Bashkësisë Islame në Maqedoni ka akuzuar Ramadanin se ka mësuar lëxime të Kuranit apo praktikave fetare që nuk janë në akordim me traditën fetare në Maqedoni. Edhe nëse këto akuza janë të vërteta, gjë që Ramadani e ka kundërshtuar, përsëri është vështirë të shihet ndonjë lidhje e këtyre çështjeve, që më së shumti janë sektare, me ‘radikalizmin fetar’ si fenomen politik.

Në sfond të këtyre akuzave qëndrojnë dhe tensione të tjera politike, për të cilat unë kam shkruar më parë. Por i duhet kushtuar vëmendje lidhjes së marë për të mirëqenë midis financimeve nga Arabia Saudite për rindërtimin e xhamive në Kosovën e pas-luftës dhe ‘radikalizmit Islamik'. Sic vë në dukje studiuesi në Universitetin Princeton, Bernard Haykel, në Arabinë Saudite, grupet që mund të etiktohen si ‘radikalë’ në kuptimin e radikalitetit që kemi dhënë më sipër, janë një minoritet dhe shteti saudit, ashtu si dhe establishmenti fetar dominant, vazhdimisht bëjnë presion mbi ta. Kjo lidhje midis financimeve për ndërtimin e xhamive dhe radikalizmit ka ngjallur reagime dhe në një sërë forumesh muslimanësh shqiptarë online për problematizimin e rindërtimit të xhamive, nderkohë që Kosova ashtu si dhe rajone të tjera kanë njohur financime të shumta për ndërtime kishash, apo edhe një vërshim organizatash të krishtera, gjë që nxit mendimin tek shumë muslimanë të rajonit se diskursi ndaj radikalizmit Islamik është shenjestrim i një-asnshëm dhe tendencioz i fesë së tyre.

Hykel, gjithashtu, ka kohë që thërret vëmëndje ndaj perceptimit të gabuar se përhapja e formave të Islamit që identifikohen të burojnë nga Arabia Saudite janë produkt thjesht i financimeve të majme. Ajo që nuk kuptohet shpesh është se pse lëvizje fetare si selefizmi janë atraktive për muslimanët e kohëve të sotme, se cfarë pyetjesh dhe shqetësimesh fetare adresojnë keto lëvizje dhe se pse në periudhën e internetit dhe globalizimit gjeografia fetare apo ideologjike nuk është dot përherë e parashikueshme.

Një pjesë e mirë e akuzave për radikalizëm Islamik lidhet dhe me shqetësimin e zyrtarëve dhe qytetarëve në këto vende ndaj imazhit të tyre në sytë e Perëndimit, e për këtë arsye radikalizmi Islamik identifikohet me forma të dukshme devocioni e kryesisht me mbajtjen e shamisë për femrat dhe rritjen e mjekrës për meshkuj. Këto shpesh identifikohen si prurje të huaja nga vende arabe, kryesisht nga Arabia Saudite e kësisoj identifikohen me radikalizmin dhe vehabizmin. Në artikullin e NPR për shembull, prezenca e radikalizmit islamik u identifikua dhe me protestën e para pak kohëve ndaj ndalimit të mbajtjes së shamisë në shkollat publike të Kosovës.

Një numër paradoksesh vihen re me këtë rast. E para, teksa protestat u identifikuan si ilustrim i Islamit ‘radikal’ të ardhur nga Arabia Saudite, hoxhallarë të shkolluar në këtë vend si Ekrem Avdiu dhe Enis Rama, u deklaruan kundër këtyre protestave. Ndërkohë që shumë nga mbështetësit e protestës nuk ishin klerikë muslimanë. Ata e bënë këtë në emër të shoqërisë civile, teksa vetë protestuesit, diskursrin e tyre e ngritën në bazë të së drejtës fetare të njohur në Evropë. Vende si Shqipëria, Kosova apo dhe Maqedonia vazhdojnë jetojnë paradoksin midis politikave të deklaruara të respektimit të të drejtave fetare të perceptuara si vlera perendimore, teksa kërkojnë të kufizojnë format e ekspresionit të kësaj lirie duke e kriminalizuar atë si shprehje e ‘radikalizmit’, pa mundur të qartësojnë lidhjen midis këtyre fenomeneve dhe radikalizmit islamik si ideologji që përdor dhunën për të rrëzuar rendin politik.

Këto njoftime për rritjen e radikalizmit Islamik në Ballkan reflektojnë njëkohësisht disa keqkutpime mbi fenomenet fetare të muslimanëeve bashkohorë. Së pari lidhen me konkurenca klanore të brendshme muslimane që kanë pak të bëjnë me ideologji, por që shpesh shprehen me gjuhën e demantimit të tjetrit si ‘radikal’. Lidhen gjithashtu, me ethet identitare shqiptare që gabimisht i shohin format e dukshme të religjiozitetit si shfaqje të radikalizmit fetar. Lidhen dhe me mangësi në njohjen e natyrës së lëvizjeve fetare si vehabizmi, koncepte si ‘radikalizmi fetar’ dhe realitetet politike që përfaqsojnë.

Nuk ka komente:

Posto një koment