e diel, 3 tetor 2010

Syzet ideologjike mjegullojnë historinë


Doan Dani


‹‹Nuk kam lindur në Venecie, as në Breshia, por në një tjetër botë, thuajse nën një diell tjetër›› shkruante Marin Beçikemi në Panegyricus serenissimo principi Leonardo Loredano [...] botuar në Venezia në 1506. Fragmenti i shkëputur nga humanisti shkodran qartëson të “pasionuarit” e sotëm rreth ekzistencës të një humnere mes vendlindjes së Beçikemit, pas rënies në sundimin osman, dhe vendit ku ai emigroi dhe vdiq. Pretendimit ‹‹Shënime udhtimi te arbëreshët, [...] Ata na tregojnë sot, se si ndoshta do të kishin qenë shqiptarët po të mos kishin pasë fatin e keq me ra në robnín shekullore›› te shprehur nga Adrian Ndreca në mbishkrimin e artikullit me titull Sikur vjen nga Shiroka, nuk mund të gjejmë përgjigje më koherente për faktin e thjeshtë së Beçikemi jetoi atë periudhë që filozofi i sotëm, në rrobat e historianit, mitizon. Qëllimi është të evidentohet vazhdimësia e kulturës perëndimore në trevat shqiptare të mesjetës, duke pretenduar një Shqipëri te qytetëruar me largim abuziv nga konteksti ballkaniko-mesjetarë nga ku Shqipëria nuk përjashtohet dot. Një herë që ky evidentim funksionon mund të damkoset sundimi osman si shkatërrues i vazhdimësisë natyrale, siç shpreh autori në fragmentin e sipërcituar. Beçikemit edhe dielli, elementi më i përbashkët, i duket i ndryshëm, imagjinojmë vazhdimin.

E gjithë vijueshmëria e shkrimit tenton të pasqyrojë identitetin shqiptarë të ruajtur nga arbëreshët. Aty dhe vetëm tek ai model, i përfaqësuar edhe nga vetë Ndreca, ndodhet shqiptari i vërtetë, të tjerët nuk dihet se çfarë janë. Ne ketë mënyrë, si shpesh here, kombi duhet të jetë me doemos i një feje. Kjo teori neonacionaliste bie ndesh me shqiptarizmin e Rilindjes. Mënyra, faktet historike dhe terminologjia e zgjedhur për ta mbrojtur janë jo vetëm përzierje pa kriter dhe analiza te cekëta, por edhe themele te dobëta me identitet të paqarta. Konfuze është pikënisja: në titull ndodhet një toponim me dy origjina te mundshme. Së pari fjala Shirokë mund të jete derivat i fjalës latine scirocco (era e juglindjes) që lidhet me erën e njohur në shqip si ‘shirok’. Ermanno Armao (konsulli italian në Shkodër) e quan Scirocco, në dokumentet që konsulli përdor emri varion nga Sirocchi në Scirocio. Nga ana e saj kjo fjale latine rrjedh nga fjala arabe shuluq ose sciarq (orienti), pra ka origjine aziatike. Se dyti, toponimia e lagjes periferike të Shkodrës mund të burojë nga kisha e Shën Rrokut apo Shna Rrokut - i vdekur një shekull para fillimit te dominimit osman ne Shkodër, i dashur për republikën e Venedikut, i shenjtëruar në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të XV, shume vone për t’u shndërruar në toponimi të një territori osman - të transplantuar në Shkodër pothuajse njëkohësisht me Islamin në tokat shqiptare: vetë emri Rrok rrjedh nga rocco që mendohet të ketë origjinë persiane, pra përsëri aziatike. Toponimia e titullit lidhet me orientin, ose është po aq autoktone sa rimodelimi osman, edhe pse artikulli tenton të tregoje vazhdimësi me një orientim tjetër!

‘Rezistenca e Skënderbeut’ dhe ‘Emigrimi biblik i arbëreshëve drejt Italisë’ paraqiten si pjesë të një dikotomie tashmë në formë aksiome. Ajo çka i mungon kësaj aksiome është historia dhe logjika. Skënderbeu ushtroi veprimtarinë në Shqipërinë veri-lindore dhe qendrore. Edhe në këtë zonë pushteti i tij konsiderohej si kërcënim për zotërimet e disa feudaleve ku ndër më të rëndësishmit ishin Dukagjinët: fshatarët e veriut dhe qytetaret e Shkodrës dhe të Drishtit e luftuan Skënderbeun nën flamurin e Venedikut apo nën udhëheqjen e Dukagjineve, jo më të jenë konsideruar nga osmanët si pjesëtarë të rezistencës së udhëhequr nga Skënderbeu.

Ortodoksia ishte e përhapur kryesisht në trevat shqiptare të jugut, tek arbëreshët e Greqisë veriore, në mase më të vogël në pjesën qendrore dhe veriore (verilindore) të trojeve tona. Dialekti dhe riti ortodoks (shenjtorët, gjuha liturgjike) janë faktorët kryesore që shtyjnë studiuesit t’i konsiderojnë arbëreshët e jugut të Italisë me origjine nga trevat e jugut të Shqipërisë dhe të Greqisë së veriut dhe veriperëndimit. Schirò në Origine degli insediamenti albanesi in Italia sjell disa fakte mjaft interesante në lidhje me krishtërimin e këtyre banoreve: me 17 janar 1601, pasi akordohet leja për ndërtimin e një manastiri ortodoks në Mezzoiuso (Palermo), menjëherë vijnë murgjit e urdhrit të Bazilianeve (urdhër lindore), por meqenëse tashmë ato ishin në një faze latinizmi të avancuar u sollën murgj nga Kreta (nga manastiret e Aghìa Triàs dhe Akaratho) dhe Maqedonia; nuk munguan rastet e vrasjeve të klerikëve dhe laikëve, apo zhdukjes së familjeve me qellim largimin e detyruar të arbëreshëve nga feja e tyre, natyrisht jo katolike, ose nga tokat ku ato u sistemuan – në këto momente tragjike ndërthurën edhe elemente të tjerë politike e kulturore. Nëse ka dyshime rreth fesë së arbëreshëve të jugut të Italisë akoma më konciz është Zef Chiaramonte kur shprehet se ‹‹riti grek [...] i ndryshëm nga tradita latine, i mbrojtur me këmbëngulje [nga arbëreshët], u shndërrua në një ‘kartë identiteti’ për arbëreshët dhe i ndihmoi të ruanin kujtesën, gjuhën dhe traditat origjinale››. Është politika austriake, e interesuar ashtu si në Transilvani për të afruar në orbitën e saj elementin ortodoks, që vendos hapjen e dy kolegjeve për arbëreshët në Calabria dhe Sicilia (1732, 1734) – Sicilia kaloi përkohësisht në dominim austriak pas luftës austriako-spanjolle. Siç vërejmë nga këto fakte – do te ishte e teper sjellja e fakteve te dëshmive te tjera sepse ortodoksizmi i arbëreshëve është i gjithëpranueshëm me konsensus, përveç disa nostalgjikëve me syzet e një feje tjetër - që ndriçojnë aspektin fetarë, emigrantët arbëresh i përkasin ritit ortodoks, për rrjedhojë kanë origjinë nga jugu i Shqipërisë dhe kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi i Greqisë (Moreja), aty ku Skënderbeu nuk vuri këmbë, të paktën si udhëheqës i shqiptarëve kundër sulltanit. Kjo zhvlerëson plotësisht lidhjen e emigracionit në përmasa të mëdha me rezistencën skenderbeane. Vetë memoria rreth Skënderbeut tek Jeronim De Rada, figura më e shquar e shqiptarizmit arbëresh, sipas Clayer në librin Në fillimet e nacionalizmit shqiptarë [...], vjen në vitet e mëvonshme të veprimtarisë së tij: sikur De Rada të ishte rritur me këtë mit do të ishte pasqyruar që herët në veprën e tij e cila, sipas Clayer (që i referohet Arshi Pipës në Hieronymus de Rada, botuar në 1978 në München/Mynih), është frymëzim i romantizmit dhe i situatës politike kalabreze, pra edhe miti është derivat i shekullit te XIX më shumë se i kujtesës.

Gjithashtu, emigrimi i arbëreshëve është masiv në gjysmën e parë te shekullit të XVI dhe jo ndjekës si fateve të Skënderbeut, të fundshekullit të XV. Sikur të kishte një lidhje shkak/pasojë do të emigronin trevat e Shqipërisë qendrore dhe verilindore, më pas ato veriore. Si shpjegohet që rezistenca në veri shkaktoi lëvizje migruese në jug në fillimshekullin e XVI? Këtu duhet të presim përgjigje jo nga filozofë, por nga historianë.

Ku shkuan banorët e veriut? Emigruan në masë shumë të vogël, kryesisht popullsia urbane; një pjesë humbi jetën në luftime dhe një pjesë “preferoi” sundimin osman, fundja kishin jetuar të sunduar nga Venediku dhe politika e tij e egër fiskale, aq sa kishte shtyrë popullin e Qipros t’i priste osmanët si çlirimtarë (pohon Castellan në Histori e Ballkanit), ose nën konfliktualitetin permanent të feudalëve shqiptare dhe sllavë. Me një urbanizim të ulët edhe mundësia e lëvizjeve masive reduktohet. Noel Malcolm vëren shpopullim të një numri të ulet fshatrash, aspak anormal për mesjetën, Ballkanin e zhytur në disa dekada lufte si edhe për rajone të tjera të sulmuara nga fuqi qoftë dhe perëndimore apo të influencuara nga Kundërreforma (kujtojmë këtu shfarosjen e vendësve ne Amerikën Latine, Inkuizicionin etj). Nga statistikat e regjistrave osman të shekullit të XV, kur trevat shqiptare kaluan në sundimin osman, Minkov në Conversion to Islam in the Balkans. ‘Kisve bahasi’ petitions and ottoman social life arrin në përfundimin që, nga 1488 deri në 1491, popullsia e krishterë u rrit me 3%; për të gjithë shekullin e ardhshëm rritja vjetore, më pak ndryshime nga ajo evropiane perëndimore, luhatej nga 0,65% ne 1%; vetë rritja e popullsisë urbane nëpër qytete të ndryshme ishte rezultat i politikes osmane që favorizonte popullimin (gjysma e Stambollit përbëhej nga të krishterë dhe hebrenj). Kostandinopoja kishte rezistuar më shumë se Kruja.

Përgjigjen më të plotë e gjejmë tek Lucia Nadin në Shqiptarët në Venedik. Mërgim e Integrim, 1479-1552. Emergjenca e emigracionit shqiptarë ne Venedik fillon pas rënies së Shkodrës në 1479, jo pas vdekjes së Skënderbeut, dhe vazhdon deri në vitin 1480. Komisioni i ‘Pesë të Diturve’, i formuar posaçërisht për të përballuar problemin e Shkodrës dhe zonave të tjera të Arbërisë Venedikase, regjistron dyzet familje të shtresave të larta, tetëdhjetë të shtresës së mesme dhe tetëdhjetë të shtresës së ulët, të stabilizuar në Venedik në pranverën e 1479. Mesatarisht përllogariten 5 anëtar për familje, gjithsej në këtë dokument flitet për rreth 1.000 banorë të emigruar. Shifra shtohet me 110 familje fshatare të vendosura nga venerianët në Friuli, pranë lumit Isonco, për t’u mbrojtur nga sulmet e osmaneve që kishin depërtuar në veri. Të gjithë këto ishin familjarë të ushtarëve shqiptarë që mbronin Shkodrën për interesat e Venedikut dhe për këtë veprimtari paguheshin si mercenarë: atdhetarizmi zakonisht nuk paguhet. Përsëri Beçikemi na ofron në 1504 shifrën e shtatëdhjetë burrave e po aq grave që së bashku me 1.300 fëmijë braktisën Shkodrën pas 1479. Shifrat e Beçikemit dhe të regjistrave venedikase përputhen në një sasi prej rreth 1.500 individësh. Konstatojmë që një rezistencë aq e “fuqishme”, për me tepër në mbështetje te sundimit venedikas dhe jo të ndonjë pavarësie me ngjyra kombëtare, nuk solli “emigrime biblike”, të paktën në veri ku rezistenca u jetësua; nuk u shoqërua as me masakra, të përshkruara si të llahtarshme vetëm nga historiografia ballkanike. Faktikisht osmanët nuk kishin asnjë interes të zhduknin popullsinë vendase sepse eliminonin të ardhurat nga taksat, fshatarësinë dhe artizanatin urban, si dhe shkonin kundër justifikimeve fetare. Osmanet, me përjashtime të vogla rajonale (Trakia, Sarajeva, disa fshatra në Sanxhak, në Maqedoni, dhe disa ofiqarëve zyrtarë) dhe në periudha të veçanta (pas dështimeve me Rusinë) nuk aplikuan as politika koloniale: me çfarë do t’i ripopullonin zonat nëse do të kishin si politike primare shpopullimin? Stereotipi i masakruesit është ushqyer nga zërat ideologjike fetare dhe nacionaliste, të mëvonshme. Ndreca duket shumë i motivuar nga përpunimet ideologjike, konkretisht ato me baza fetare.

Kjo masë arbëreshe e mbiquajtur edhe ‘diaspora e humbur’ u integrua plotësisht nga venedikasit, pasi i kishte mbrojtur me vetëmohim zotërimet e Republikës se Shën Markut edhe kundër Skënderbeut. Shumë emigrantë përfitonin nga trajtimi i shkodranëve për t’u regjistruar në mënyrë abuzive si shkodranë: ‹‹për çdo dite po shtohet numri i atyre që deklarojnë [...] se janë nga Shkodra, kur në të vërtetë nuk janë›› - dëshmon një dokument. Emigrantet përfitonin ndihma ekonomike, por ishte i vështire përcaktimi i vendlindjes për vetë nivelin e latinizuar të popullsisë shkodrane. Cila është e ardhmja e emigranteve? Fatkeqësisht për teorinë e Ndrecës këto arbëresh humbën gjurmët, humbën identitetin dhe kulturën specifike. Emrat e pothuajse të gjithë personave “arbëresh” që kishin hapur aktivitete ekonomike në gjysmën e parë të shekullit të XVI nuk përmbajnë elemente dallueshmërie nga emrat italianë të kohës; shkollat unifomizohen me sistemin shkollorë vendës; liturgjia është rigorozisht në gjuhen latine ose greke për ato që njohin greqishten (shqiptarë ose grek, pra ortodoksët dhe jo katolikët). Kështu elementi i përbashkët fetarë katolik ndikoi në asimilimin e plote të arbëreshëve gegë te emigruar në Republikën e Venedikut. Identiteti humbi. Diçka e tillë ndodh edhe në jugun e Italisë, por në përmasa shumë më të përmbajtura ose të detyruara me dhunë e politika të tjera detyruese. Arsyeja është e thjeshte, ato ishin arbëresh të ritit ortodoks të cilëve u lejua liturgjia greke në këmbim të njohjes së autoritetit papnorë. Gjuha liturgjike jo latine (greke, jo shqiptare) i largoi paraardhësit tanë nga elementi katolik italian duke i identifikuar. Në këtë mënyrë arbëreshët e emigruar në jug mund të kishin një element identitetformues (siç pohon edhe arbëreshi Zef Chiaramonte) që arbëresheve gjysmë të latinizuar në u mungoi ne veri të Italisë. Në përgjigje të nostalgjisë si do te ishin ‹‹shqiptarët po të mos kishin pasë fatin e keq me ra në robnín shekullor›› mund të them që në Venedikun katolik ato nuk janë më shqiptarë, ndërsa në tokat e dominuara nga osmanet katoliket që zgjodhën të mos emigronin mbetën sipas dëshirës katolikë dhe mbi të gjitha shqiptarë. Një fat asimilimi të modelit venedikas, madje me forcë, njohën edhe arbëreshët në jug: është rasti i Spezzano Albanese (Spiksana) në provincën e Cozenza-s: meshat filluan të mbaheshin në latinisht; në gjysmën e shekullit te XIX u vra edhe prifti ortodoks Nicola Basta dhe zëvendësuesi zgjidhet nga riti roman, në këtë mënyrë humbi identiteti fetarë i këtij komuniteti arbëreshësh. Fakti që konvertimi i sforcuar ndodhi vonë ka ndikuar në ruajtjen e disa karakteristikave të kulturës arbëreshe.

Kush e shikon si robni identitetin e sotëm të shqiptarëve mund të sistemohet në provincën e Veneto ku do të këtë mundësi të njësohet me fenë, duke harruar elementin etnik i cili sot formon atë që quajmë Komb, siç u njësuan paraardhësit e emigruar në këtë zonë në shek. XV, të cilët besimi i njëjtë, vullneti i tyre dhe politika venedikase i deetnicizuan. Është e drejtë e secilit të dalldiset nga botëkuptimi dhe nostalgjitë mesjetare, por kur përpiqet të vesh rrobat e historianit duhet të zhvishet nga ato të ideologjive, siç këshillon Eric Hobsbawm.

Nuk ka komente:

Posto një koment