Doan Dani
Belgjika, Italia, Spanja, Britania, përballen me separatizmin e komuniteteve etnike, gjuhësore, fetare. Bosnja dhe Hercegovina kanë përjetuar ekstremin e konfliktualitetit që nuk pranon diversitetin. Ideja e Shqipërisë Natyrale, Etnike ose të Madhe rrugëton në një kah tjetër të kundërt me shtetet e mësipërme pasi mbështetet tek bashkimi dhe jo tek ndarja e territoreve.
Nga imazhi i Shqipërisë se Madhe, i krijuar nga fqinjët, tek Shqipëria Etnike e pretenduar deri pak kohe më përpara, kemi evoluar në një term tjetër që meriton një ndalesë të vogël. Përse Natyrale? Në fillim do të thoja që etiketa ‘etnike’ është me e pranueshme pasi mbulon një territor në të cilin jeton një etni specifike (edhe pse ka etni të tjera). Natyralen e kuptoj si diçka normale, universale në kohë, ligj natyror. A mund të jetë ligj i Natyrës ose i natyrës njerëzore lidhja me territorin? Historia dëshmon se popuj të ndryshëm kanë alternuar territore të ndryshme dhe se lidhja e një populli me territorin është fenomen i mesjetës së vonë, për perëndimin evropian, dhe i epokës moderne për Ballkanin. Detyrimisht natyralizmi i kësaj Shqipërie paraqitet shumë i ri. Nuk mjafton identifikimi me territorin për të natyralizuar shtrirjen e një populli në territorin në fjalë. Hapi më i rëndësishëm është vetëndërgjgjësimi i popullit: shqiptarët duhet të kenë qenë, ashtu si ligjet e natyrës (të përhershëm dhe të pandryshueshëm), shqiptarë kompakt me bindje të plotë për këtë amalgamë elementësh identitetformues.
Pikërisht përjetësia dhe pandryshueshmëria janë dy defektet themelore të nacionalizmit, në rastin konkret e motorit të Shqipërisë Natyrale. Asnjë popull, jo vetëm fetarisht, nuk ka garancinë që do të jetë i përhershëm. Shqiptarët kanë pasur kufij shumë elastikë gjatë historisë së tyre. Nëse i konsiderojmë pasardhës të ilirëve kjo vërteton edhe më shumë elasticitetin territorial. Mbi të gjitha vërteton diçka edhe më interesante që nacionalizmi e anashkalon: shqiptarët dhe ilirët, me gjithë elementet e përbashkët, kanë dy identitete të ndryshme, sepse ka pasur evolucion social. Është shumë e thjeshtë çështja: meqenëse ne jemi ilirë, serbët janë serbë, kroatët janë kroatë, e kështu me rradhë, nga një moment i veçantë historik, p.sh mijëvjeçari i parë para Krishtit (për ilirët), dhe shekulli i VII (serbët dhe kroatët), do të thotë që nga ky çast këto popullsi mbijnë mbi tokë duke kaluar nga ekzistenca në një gjendje në një tjetër, pra serbe, kroate dhe shqiptare (ilirët - po i konsideroj sikur janë te njëjtë me shqiptarët). Por, meqenëse pranohet nga nacionalizmi se populli ka një fillim dhe është derivat i një lëvizjeje (serbokroatët) ose transformimi natyral (iliro-shqiptarët), shtrohet pyetja e thjeshtë: përse të pranojmë vetëm një moment transformues dhe për 14 shekuj ose (ne mënyrë shumë më komike) 3000 vjet nuk mund të ketë transformime të tjera?
Ne jemi të vetëdijshëm që ndryshon dialekti brenda një brezi, imagjino mes disa brezave dhe mes disa shekujve. Ne përdorim sot një veshje e ndryshme nga ajo e pak dekadave më parë, e një shekulli më pare. Po sa mund të jetë ndryshimi me atë të një mijëvjeçari më parë? Përdorim ushqime të tjera, kemi zgjedhur ose trashëguar fe të ndryshme. P.sh. nacionalizmi, feja politike e modernitetit, nuk ka ekzistuar më parë. Atë e shpikëm dhe e pranuam ne. Në këtë mënyrë, ne kemi ndryshuar biologjikisht, kemi ndryshuar institucionet sociale, kemi ndryshuar territoret etj. Përse duhet të pretendojmë se jemi shqiptarët e njëjtë me ata të Skënderbeut, që flasim gjuhën e Komanit, që mendojmë si ilirët, që kemi zakonet e pellazgëve? Edhe sikur t'i kesh të gjitha këto, nuk të bëjnë pjesë e një populli paraardhës. Siç kam e thënë, një person të cilin e mbulon një përmbytje lumi dhe ai ndodhet me Toyota duke zënë peshk afër Matit, nuk do të thotë që matjanët ishin japonezë. Njerëzit evoluojnë së bashku me kulturat.
Miloševič i fliste turmës serbe ne Kosovë, në 600 vjetorin e përkujtimit të Betejës, ashtu siç kishte bërë princi Lazar – siç na rrëfejnë tregimet kishtare dhe romantike pasi historikisht nuk njohim asgjë nga ky fjalim hollivudian – me intonacione agresive, ngjyresa fetare duke ftuar në kohezionin e serbeve. Princi Lazar edhe sikur të kish folur me serbishten e 1989-s, nuk do të ishte kuptuar nga vllahët rumune, shqiptarët, boshnjakët dhe hungarezët që morën pjesë në këtë betejë. Miloševič u fliste serbëve të bashkuar sepse kështu kishte bërë Lazari: në të vërtetë bashkimi është përsëri mitologjik sepse Kralevič Marko dhe njeri nga djemtë e Vukašin Mrnjavčevič (Balshajt kishin miqësi familjare me këtë sundimtar serb të Maqedonisë) me trupat e tyre serbe luftonin përkrah Muratit të I. Mbase të gjithë serbët e ndodhur në atë betejë frekuentonin kishën, mbase, por ata që dëgjonin Slobon, 600 vite më vonë, ishin në masën 80 % të pa pagëzuar dhe bëmat e Lazarit apo të Kobiličit i njohën nga mjeshtëria romantike e Vuk Karađič i cili nga ana e tij ishte frymëzuar nga Petar Petrovič II Njegoš: një malazez u mësonte serbëve se kush ishin serbët Lazar dhe Kobilč!
Ne shqiptaret, që kemi një historiografi mediokre në krahasim me shkencën serbe në këtë fushë, këmbëngulim tek ca gurë, 50 emra ilirë të mbijetuar diku, përrallën e Rozafës – ky madje është emër sirian i lidhur me kultin e Shën Serxhit/Sirgjit/Shirgjit – tek disa dëshmi të autorëve të tjerë që flasin për një grup popujsh të quajtur ilir, ashtu siç mund të etiketohen sot evropianët, dhe për Teutën e Agronin – në fakt fshehim me mjeshtri, tek të njëjtat burime, që Agroni vdiq nga pija, Skerdilaidi ishte gjithashtu i alkoolizuar, Teuta i mori fronin djalit të cilin Agroni e kishte me motrën e Teutës (Triteuten) dhe që praktikonte veçanërisht piraterinë, pra vjedhjen. Mes shqiptarëve të epokës skënderbejane dhe shqiptarëve të sotëm ndryshon vetëdija ndërsa ne tentojmë ose ëndërrojmë për Shqipëri Natyrale, Skënderbeu luftonte dhe ëndërronte të sundonte tokat e të atit, duke njohur në Shqipërinë Natyrale sundimin venedikas serb e malazez dhe së fundmi sundimin aragonez. Për nacionalistin kjo është tradhti ashtu siç është vasaliteti: shndërrimi në vasal bëhet nëpërmjet një rituali me tri faza që fillojnë me homazhin ndaj zotit feudal (ndaj të cilit ndodh vasalizimi); kjo sanksionohet me elemente fetare; në fund është faza e investiturës ose e njohjes së zotërimit të vasalit (Skënderbeut) nga zotëria (Alfonsi V). Skënderbeu duhet t’i përulet Alfonsit V, duhet të ndërhyjë edhe elementi fetar (akoma nuk e njohim saktësisht se çfarë besimi fetar kishte Skënderbeu) dhe vetëm atëherë Alfonsi i njeh Skënderbeut të drejtën për të sunduar në ato territore si shërbyes (nën vullnetin) i Alfonsit. Kjo është normale për mesjetën, por sot është tradhti sepse ndryshon konteksti, koha dhe identitetet. Atëherë përse pretendojmë vazhdimësi natyrale ndërkohë që ajo është qartësisht produkt i laboratorëve ideologjikë të romantizmit dhe i akademive moderne të shekullit të kaluar? Elasticiteti kulturor dhe etnik karakterizon të gjithë popullsitë ballkanike. Mendoj që nuk ekziston një Shqipëri Natyrale, ashtu siç nuk ekziston një Serbi (etj.) e këtillë, sepse kjo natyrshmëri është ripërpunim i memories kolektive.
Mos të zvogëlojmë edhe forcat centrifugale brenda kësaj “Shqipërie Natyrale”. Shpesh i mbulojmë, por janë gjithnjë të pranishme (të dokumentuara). Ato i kanë rezistuar vullnetit uniformizues të Rilindjes dhe imponimit enverist. Ne 1997 jemi dëshmitarë që duhet pak e aspak për t’i ringjallur identitetet lokale. Termi “malok” është domethënës: unë jam i tillë dhe pse e kam shtëpinë 15 m mbi nivelin e detit. Është një etiketë e qartë përjashtuese krahinore që nuk justifikohet me mentalitetin e prapambetur. Greket përdornin termin barbar në lidhje me gjuhën e pakuptueshme të atyre që nuk i përkisnin komunitetit grek. Termi u shndërrua në përjashtues të çdo elementi të huaj, jo vetëm duke u nisur nga dallueshmëria gjuhësore. Akoma pa u “dyndur malokët” Fan Noli i etiketonte malok/malokiotë (ashtu si edhe ‘kosoviot’).
Shumë individë përdorin emëruesin e përbashkët të “gjakut”, asgjë më shumë se një metaforë romantike dhe pretendim racist që “harron” se biologjikisht gjaku nuk ka etni. Manipulohet edhe elementi gjuhë, sikur ne flasim të njëjtën gjuhë, 'Shqipja Standarde' e imponuar nga enverizmi. Përveç se kjo shqipe është e re - jo e kultivuar ne kohen e Skenderbeut, aq me pak te ilirëve, çka lëkund elementin e përbashkët - unë i pari mundohem ta shkruaj pa e folur. Jo me kot Hobsbawm nuk e konsideron gjuhën si elementin kryesor identitetformues tek shqiptarët - gjuha është elementi i përbashkët sot që është satndartizuar dhe sot që ne e besojmë me të vërtete hyjninë Gjuhë, por kjo hyjni para një shekulli ishte e panjohur. Ashtu siç një dialekt është transformuar në gjuhën standarde, ashtu edhe një tjetër mund të formohet nesër: spanjishtja dhe italishtja janë dy dialekte të latinishtes, pra, për të përdorur një metaforë çomskiane, “gjuha është dialekti me ushtri pas krahëve”. Dialektet ekzistojnë sepse ekziston një gjuhë e standartizuar zyrtare, në të kundërt do të kishte vetëm gjuhë, mbase të një familjeje. Ka raste edhe më ironike. Serbishtja dhe kroatishtja janë dy gjuhë të të njëjtit dialekt (shtokavian), masivisht të përhapur edhe tek malazezët dhe boshnjakët, por këta popuj e konsiderojnë tradhti nëse firmoset emri në latinisht e jo në alfabetin cirilik dhe anasjelltas. Ka shembull më te mirë se ky për të pasqyruar manipulueshmërinë e gjuhës dhe të komunitetit?
Të njëjtët individë të dalldisur nga ideja e “gjakut të përbashkët” ndihmohen në natyralizmin e pretendimeve të tyre edhe nga ‘vëllazërimi’. Ne qenkemi vëllezër! Sa bukur. Kështu zbulova që I. Kadare, E. Hoxha, Z. Caushi, klika e sotme politike së bashku me atë shumën e hamendësuar të 30.000 prostitutave shqiptare në Evropë i paskam vëllezër e motra dhe duhet t’i dua më shumë se serbët e italianët pasi këta janë gjaku im, gjuha ime, populli superior, të lidhur përmes ligjit të natyrës. A ka absurditet më të madh se shndërrimi i vesit të mendjemadhësisë në virtyt kolektiv sic bën nacionalizmi? Vesi i parë që “lindi” me mrekullinë e krijimin të njeriut është mendjemadhësia. Deri ne atë moment kishte vetëm adhurim. Pikërisht ndjena e superioritetit është abuzimi i parë. Në Suren Al’A’raf (7:12-13), pyetjes së All-llahut për mos zbatim të urdhrit (përuljes) Iblisi ju përgjigj se “unë jam më i mirë se ai; me ke krijuar nga zjarri, ndërsa atë e krijove nga balta”. Përgjigja e Krijuesit ishte “Ik. Këtu nuk mund të jesh krenar”.
Mendoj se është e domosdoshme të natyralizojmë (bashkojmë) shqiptarët brenda Shqipërisë jo vetëm nëpërmjet pasaportës, pastaj të tejkalohen kufijtë në Kosovë e gjetkë, në ato territore të banuara nga shqiptarë, pa guxuar asnjëherë të tejkalohet në territore të tjera me justifikimin se dikur ishin banuar nga paraardhësit tanë, sepse as Ademi e as i shkreti majmun (për dëshirat darwiniane) nuk ishin shqiptarë. Ky është hapi i parë i ndjekur domosdoshmërisht me detyrimin për njohjen e vetvetes dhe të tjetrit me qëllim pranimin e ekzistencës se diverstetit, të kësaj mrekullie tjetër hyjnore, pa cilën nuk do kishte kuptim as njeriu në vetvete. Bashkime të tilla duhet të vijnë natyrshëm dhe në mënyrë konsensuale, ashtu si edhe divorcet politike.
Nuk ka komente:
Posto një koment