e martë, 1 shkurt 2011

Gjykata: Selim Muca ka shkelur Statutin, shkarkimi i Vokshit i pavlefshëm


Redaksia

Gjykata e Tiranës ka shpallur Ilir Vokshin dhe grupin e tij, fitues në gjyqin e tyre ndaj KMSH-së. Seanca finale është zhvilluar dje në këtë gjykatë, dhe vendimi ka qenë në favor të Vokshit, duke shpallur të pavlefshëm, shkarkimet e bëra disa muaj më parë nga Kryetari i Komunitetit Selim Muça. Gjykata i ka parë veprimet e Muçës si të padrejta dhe si shkelje të statutit. Vendimi rrëzon kështu këto veprime, duke i dhënë të drejtën Vokshit, Trucit dhe të tjerëve të rikthehen në postet e tyre. E gjithë, kjo duket se do të riturbullojë ujërat në KMSH, duke bërë që emërimet e kryetarit Muca, pas shkarkimeve, të rivihen në diskutim. Pritet që KMSH ti drejtohet më tej apelimit në shkallë të tjera, gjë që do të vonojë edhe zbatimin e vendimit të gjykatës. Por nuk dihet se si do të veprohet, nëse ky vendim do të lihet në fuqi deri në fund. Megjithatë, ajo çka dihet, është se grupi Vokshi ka fituar betejën e parë, gjë që pritet ti komplikojë gjërat më tej për Mucën.


Ndërkohë, Vokshit do ti duhet të përballet edhe me një tjetër betejë ligjore, atë të ngritur nga Prokuroria e Durrësit, ku ai akuzohet për shpërdorim detyre me pasojë kosto të mëdha financiare për KMSH-në. Në fakt, Vokshi është akuzuar gjatë prej besimtarëve të qytetit të Durrësit, ku ai ka qenë Myfti, për abuzime me pronat e vakëfit. Për këtë ai kish hyrë në një konflikt të ashpër me besimtarët, të cilët kanë arritur deri aty sa të ngrihen nga namazi ixhumasë, duke e lënë hutben në mes, në shenjë proteste. Ndër të tjera, Vokshi nuk ka ngurruar të denoncojë në polici disa prej tyre, duke e përdorur policinë në të njëjtën mënyrë siç e ka përdorur Muça kundra tij, si dhe kundra imamëve të Tiranës. Megjithatë, në këtë luftë krejtësisht jostatutore dhe joinstitucionale (natyrisht edhe jomorale) midis Vokshit dhe Mucës, duket se Vokshi ka kaluar në shkallën e parë të gjykatës, duke i dhënë një goditje të rëndë legjitimitetit të lidershipit akual në KMSH.

Gjithçka ka filluar në gjysmën e parë të muajit shtator të vitit që lamë pas, ku një përplasje midis Ilir Vokshit dhe grupit të tij, me Gentian Krujën dhe grupit gylenist në KMSH, solli me vete një ortek shkarkimesh. Selim Muca u pozicionua në mbrojtje të nurxhinjve, duke iu kundërvënë Vokshit. Ndërkohë, duke menduar se zotërojnë thuajse të gjithë KMSH-në, - Sekretarin e Përgjithshëm, Kryemyftiun, Këshillin e Përgjithshëm, por edhe Kryesinë e KMSH-së, në të cilat ky grup kishte shumicën e votave, - ata menduan se kanë fuqinë të shkarkojnë edhe vetë Selim Mucën. Mirpo, duke përdorur edhe policinë e shtetit, si dhe duke kërcënuar me shkarkim anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, Kryetari Muça, injoroi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të thirrur në mënyrë statutore nga Vokshi, duke zhvilluar një mbledhje paralele të këtij këshilli, të thirrur prej atij vetë. Pas këtij veprimi ai arriti ti shkarkojë te gjithë "rebelët" dhe ti nxjrrë me forcë jashtë KMSH-së të gjithë.

Nga e gjithë kjo, mund të thuhet se prej tërmetit të shkaktuar nga kjo përplasje trualli nuk ka zënë vend ende dhe vendimi i fundit i gjykatës, duket se do të bëjë që kjo paqendrueshmëri të vazhdojë gjatë.

1 koment:

  1. Asht i xan baca Sal me pucin prandaj nuk i del dot ne krah Selos. Po ra baca Sal e merr edhe xhaxhin Sel me vete. Pastaj e marrin KMSh-ne keta djemt e shoqates Bamirsia

    PërgjigjuFshije