e mërkurë, 9 shkurt 2011

Mite të Mubarakut


Elizabeth Shakman Hurd

Termi ‘sekular’ dhe termat konceptualisht te ngjashëm me të ja kanë arritur që të shtrembërojnë perceptimin e revoltës në Egjipt. Politika ‘sekulare’ kuptohet si politika ‘e mirë’ (demokratizim i kufizuar, stabilitet dhe mbështetje për marrveshjen e paqes me Izraelin), ndërsa politika ‘Islamike’ përkthehet si politikë ‘e keqe’ (një laryshi rreziqesh me gjasa të paraqitura nga Vëllazeria Myslimane dhe aleatët e saj). Shpjegimi i situatës së tanishme në Egjipt kufizohet nga paaftësia për ta lexuar politikën në Egjipt dhe shoqëri të tjera me shumicë myslymane jashtë kësaj lentje tejet thjeshtëzuese dhe shtrembëruese.


Shoqërizimi pa dallim i sekulares me qeverisjen e mirë na ka ulur këmbëkryq prej kohësh kuptimin e përgjithshëm se Islami është çdo gjë që s’është sekulare. Gjithashtu, e me gjasa në mënyrë më të rrezikshme, gjeneron idenë e sekulares si lëmi i natyrshëm i interesit vetiak racional dhe etikës universaliste. Politika sekulare vjen e na paraqitet si e përkundërta e politikës myslymane dhe si kundërpesha e natyrshme e çfarëdolloj dimensioni tjetër politik që nuk bie rehatshëm në kallëpin e kategorive të interesit vetiak racional ose etikës universaliste. Kjo është një kategori e fuqishme dhe e gjerë. Përtej pozicionimit në mënyrë të sigurtë qartazi në dallim nga Islami, sekularja kështu vjen e zë vend dhe pozicionohet si e mira, rracionalja, dhe universalja, e cila i kundërvihet çfarëdolloj partikularizmi irracional, jo-normaliteti dhe larmie.

Kjo retorikë kundërvenëse mbyll të gjitha llojet e hapësirave dhe mundësive politike. Dhe sot kjo mbyllje po ndodh në kohë reale, teksa amerikanët dhe europianët mbështeten në përdorime jo reflektuese dhe gjithpërfshirëse të sekulares për të organizuar reagimin e tyre ndaj krizës Egjiptiane. Është e habitshme masa me të cilën ky term – dhe konstruksione të tjera, si përshembull demokraci sekulare apo liderë sekular – shërben si zëvendësues për gjithcka që është e mirë, e drejtë dhe universale në shumë konsiderime Perëndimore të zhvillimeve ne Egjipt. Vëllazëria Myslimane (VM), e themeluar në 1928 dhe akoma zyrtarisht e jashtëligjshme në Egjipt, me ngut përshkruhet në këto konsiderata si ‘Islamiste’ dhe paraqitet si një rrezik i mundshëm që mund të rezultojë nga shfaqia e demokracisë në Egjipt. Pozicionet politike të shprehura në referencë ndaj traditës, historisë apo politikës Islame asimilohet vrik në kategoritë e politikës ‘së keqe’ dhe nënkuptohen si kërcënim i politikës normale, racionale dhe demokratike. Islami politik shihet si një divergjencë nga/ose shkelje e hapësirës publike sekulare e neutrale, si një lloj kthimi mbrapa tek forma para-moderne të rendit politik myslyman, apo një kombinim toksik i të dyjave.

Në punë të mëparshme të mijat mbi politikën e sekularizmit përshkruhen dy korniza vlerësuese gjërësisht të përdorura që ushqejnë këto paraqitje të Islamit, laicizmit dhe sekularizmit Judeo-Kristian. Po të njëjtat korniza po mobilizohen nga mediat dhe aktorë politikë për t’i dhënë një farë kuptimi krizës në Egjipt, kësisoj duke formuar sfondin mbi të cilin shumë europianë dhe amerikanë ndërojnë kuptimin e tyre rreth zhvillimeve në terren. Në të parin, leximin laicist, Islami politik na paraqitet si një shprehje sipërfaqësore dhe e cekët e interesave të thella ekonomike dhe politike dhe/ose një shkelje nga forma fetare jorracionale e jetës publike përndryshe sekulare në shoqëritë me shumicë myslymane. Në leximin e dytë, atë ‘Judeo-Kristian’, Islami politik përshkruhet si një amalgam jodemokratik i Islamit dhe politikës që qëndron përkundruall ndarjes moderne Kristiane, ose Kristiane të sekularizuar, të kishës nga shteti. Kjo narrativë e dytë hamendëson se dallimi ndërmjet fetares dhe autoritetit politik jo vetëm që janë historikisht jo të pranishme në shoqëritë me shumicë myslymane por janë të pamendueshme për shkak të karakteristikave të ngurtësuara të fesë Islame. Në të dyja narrativat Islami politik barazohet me një refuzim të njohjes së statusit të privilegjuar të sferës private dhe një transgresion i kategorive moderne të publikes dhe privates. Ndikimi i këtyre narrativave është barazimi i çdo shfaqieje të diskursit Islam në praktikën politike me fundamentalizmin dhe intolerancën. Këto qasje ndaj Islamit politik janë të gjalla dhe funksionale në paraqitjet e sotme që i bëhen VM dhe ndihmon në strukturimin e reagimit politik Perëndimor ndaj krizës. Frika ndaj arrdhjes në pushtet të VM në Egjipt duket të jetë një nga arsyet pse administrata e Obames po heziton t’i bëjë thirrje Mubarakut që të dorëhiqet dhe njëkohësisht ka shprehur njëfarë mëdyshje në lidhje me mbështetjen Amerikane ndaj objektivave legjitime të protestuesve.

Sakaq ne mund të tregojmë një histori ndryshe rreth fesë dhe politikës në Egjipt. Sot Egjipti po sfidohet për strukturën themelore të fushës në të cilën sekularja dhe fetarja janë përkufizuar. Struktura e kësaj fushe nën Mubarakun sherbeu për të legjitimuar dhe delegjitimuar parti të caktuara, institucione dhe forma të tjera identifikimi kolektiv. Lejoi që forma të caktuara të praktikës politike, si përshembull ligjet e forta anti-terror dhe shtypjen e dhunshme të kundërshtarëve të regjimit të Mubarakut, e ndërkohë duke mos lejuar të tjera forma, si pjesëmarrjen e plotë politike të partive që përkufizoheshin nga regjimi si ‘fetare’. Këto dallime u vunë në fuqi ligjërisht: rishqyrtimi i Nenit 5 të kushtetutës Egjiptiane, nen i hyrë në fuqi në 2006 që ndalon aktivitetin politik të bazuar në çfarëdolloj mënyre në fe, kësisoj duke shpallur automatikisht të jashtë ligjshme VM e duke mos e lejuar atë të marrë pjesë në politikë.

Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar me forcë prapa këtij dyjëzimi sekular-fetar tejet të kontrolluar e kundërvënës të themeluar nga shteti si mënyrë për të mbrojtur interesat e saj në rajon, të përkufizuara kryesisht si garantimi i sigurisë së Izraelit, vazhdimi i luftës ndaj terrorit dhe garantimi i aksesit të naftës. Në një fjalim të 2005-s në Universitetin Amerikan të Kairos, Kondoleza Rajs theksoi se: “synimi ynë këtu është të inkurajojmë qeverinë Egjiptiane, brenda ligjeve të veta dhe me shpresë brenda një procesi dhe konteksti që është gjithmonë në reformim e sipër, të angazhohet me shoqërinë civile, me popullin e Egjiptit për zgjedhje që mund të jenë të lira dhe të drejta. Por ne nuk jemi angazhuar me Vëllazërinë Myslymane edhe nuk do t’a bëjmë një gjë të tillë në të ardhmen.” Sipas Samer Shehata-s dhe Joshua Stacher-it, administrata e Bushit e përforcoi këtë pozicion edhe më tej pas vizitës së Rajs. Fill pas zgjedhjeve parlamentare të 2005, zgjedhje në të cilat VM fitoi një të pestën e vendeve në parlament, presioni i ShBA.-ve ndaj regjimit të Mubarakut u ul dhe më vonë u ndërpre tërësisht pas fitores së Hamasit. Uashingtoni heshti teksa regjimi i Mubarakut arrestonte me qindra Vëllezër dhe transferonte dyzina në gjygje ushtarake.

Sot populli Egjiptian dhe një koalicion i fortë anti-Mubarak po e përmbysin krejt këtë strukturë dominimi, të mbajtur nga Mubaraku dhe pagëzuar nga amerikanët dhe europianët prej dekadash. E ardhmja është e atij qe e fiton. Rami Khouri, gazetari i famshëm libanez, e përshkroi këtë ndryshim të menjëhershëm si “shpleksjen e rendit post-kolonial që krijuan britanikët dhe francezët në botën arabe në vitet 1920-të dhe 30-të dhe që më pas u mbajt – me ndihmën e amerikanëve dhe sovjetikëve – për më shumë se gjysmën e shekullit të kaluar.” Është e paqartë nëse vendimarrësit në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë do ta njohin potencialin e këtij momenti për egjiptianët dhe të tjerët në rajon për t’u hapur dhe për t’a ribërë fushën e lojës politike në vija demokratike dhe pjesëmarrëse, apo do të kapen pas dikotomisë komode e familjare të politikës sekulare/fetare në emër të sigurisë dhe rendit në rajon.

Ngjarjet mund të na imponojnë një qasje të re ndaj botës. Ashtu siç vën re Philip Weiss: “rreziku për Amerikën dhe Izraelin qëndron tek fakti se revolucioni Egjiptian do të shktarrojë këtë zgjedhje të stisur midis diktatorit sekular ose “Islamistëve të çmendur” duke treguar se arabët janë njerëz të zgjuar e të artikuluar që mund të menaxhojnë demokraci reale nëse arrijnë t’a bëjnë vetë.” Mohamed ElBaradei gjithashtu e përshkruan idenë se fundamentalistët Islamikë kanë për synim të marrin Egjiptin si “një mit që shitej nga regjimi i Mubarakut – o ne, diktatorët e pamëshirshëm, ose… lloji i al Kaedës.”

Në kohën e revolucionit Iranian, Michel Foucault vëzhgoi se “problemi i Islamit si një forcë politike është thelbësore për kohën tonë dhe për vitet që do të vijnë dhe ne nuk mund t’i qasemi me një modicum inteligjence nëse ja nisim qysh prej fillimit nga një pozicion urrejtje.” Ky shoqërizim i rrezikut me VM fuqizon ata të cilët argumentojnë se Perëndimi aspiron për një hegjemoni globale përmes një kryqëzate ndaj Islamit. Kjo trimëron Mubarakun dhe autokratë të tjerë të rajonit. Njekohësisht dështon në adresimin e realiteteve të politikës bashkëkohore në shtete ku këto lëvizje kane fituar një mbështetje politike të fortë dhe legjitime e cila nuk mund të anashkalohet nga petullat me ujë të Washingtonit, Londrës apo Jeruzalemit.

Një qëndrim i tillë armiqësor ndaj VM është gjithaq i pathemeltë. Ashtu siç i përshkruan Nathan Brown, “një pjesë e mirë e programit të tyre përfshin thjesht reforma standarde – pavarësia e gjygjesorit, dhënia fund e korruspionit, mbrojtja e ambientit. Veçanërisht kur morën ngjyra më politike gjatë 10 viteve të fundit, ajo çfarë filluan të përdorin ishte një gjuhë reformash të përgjithshme që merr ngjyresa Islame në disa fusha. Por pjesa dërrmuese është konsistente me programe të tjera reformash që vijnë nga i gjithë spektri politik.” Mbetet për t’u parë nëse vendimarrësit dhe komentuesit perëndimorë do të shfaqin kurajon politike dhe krijimtarinë intelektuale të nevojshme për të transhendentuar zgjedhjen e stisur ndërmjet diktatorëve sekularë dhe “Isamikëvë të çmendur” dhe të mbështesin demokracinë e vërtetë në Lindjen e Mesme, sa për ndryshim.

Perktheu A. Gjikola

http://blogs.ssrc.org/tif/2011/02/02/myths-of-mubarak/

Nuk ka komente:

Posto një koment