e shtunë, 5 shkurt 2011

Mesazhi fetar i mediave të pushtetit.

E-Zani

Gazeta 55 e z. Fahri Balliu është ndoshta burimi mediatik i printuar më i pasur në ofrimin në shqip të lajmeve të Radio Vatikanit. Shfletuesit e rregullt të kësaj gazete ndërkaq e kanë vënë re këtë fakt. Një lajm i tillë, për shembull, është ai i botuar me datë 4 shkurt, në dukje periferik për vëmendjen mediatike të lexuesit shqiptar: takimi i Papës Benedikt XVI me ambasadorin austriak! E megjithatë, pjesa relevante nuk është dhe aq tek lajmi se sa tek titulli i ngritur mbi një citim të Benedikt XVI: “Shtëpi e përbashkët evropiane, vetëm nëse i ka themelet në rrënjët e krishtera. “


Papa Benedikt XVI është i njohur për qëndrimet e tij ekskluziviste rreth Bashkimit Evropian dhe qëndrimet përjashtuese ndaj myslimanëve. Ai njihet, sic shihet dhe në këtë artikull, dhe si kritik ndaj sekularizmit evropian, cfarë shihet nga një Evropë e sekularizuar dhe më së shumti e distancuar nga tradita fetare.

Jetojmë në një kohë kur, nga njëra anë, autoritetet politike përpiqen ta përjashtojnë fenë nga sfera publike e, nga ana tjetër, duan ta shekullarizojnë mesazhin ungjillor, duke ia përshtatur kulturës aktuale.”

Ndërkaq janë të njohur zërat në instancat më të larta të establishmentit politik dhe kulturor shqiptar që pretendojnë se besimi mysliman i një pjese të mirë të shqiptarëve është pengesë për integrimin e Shqipërisë në Evropë, duke përqafuar pikërisht këtë qëndrim përjashtues dhe fetarisht ekskluziv që drejtohet vecanërisht kundra myslimanëve. Ky ligjërim përforcohet nga rritja e grupeve të djathta në Evropë, shpesh me origjinë fashiste, që mesazhet e tyre i mbushin shpesh me argumente raciste të inferioritetit biologjik të myslimanëve.

Asnjë nga këto nuk është e re, e megjithatë, duhet vënë në dukje fakti ndërkaq i njohur se Gazeta 55 është gazetë gjysëm-zyrtare e partisë në pushtet, cfarë bën qëndrimet e saj qëndrime të partisë në pushtet.

Nuk ka komente:

Posto një koment