e diel, 6 shkurt 2011

Imam Krasniqi dhe Albin Kurti.

E-Zani.

Është njoftuar se imam Shefqet Krasniqi ka deklaruar se ka qenë mëkat dhe haram për myslimanët kosovarë që kanë votuar për Lëvizjen Vetëvendosje të z. Albin Kurtit.


““Vetëvendosja është një lëvizje enveriste dhe myslimanët duhet me qenë larg saj. Është mëkat me ia dhanë votën Vetëvendosjes, por ne nuk kemi punuar për ta sqaruar mendimin e Islamit për “Vetëvendosjen”, sepse nuk ka pasur kohë. “Vetëvendosjes” është haram, është mëkat me ja dhanë votën. Kaq”, ka thënë Krasniqi në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosova.”

Nuk mendojmë se qëndrimi i imamit në fjalë është, sic është pretenduar në media, shkelje e ndarjes së shtetit nga feja.

“Imami kontrovers i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e ligjëruesit islam, duke përzier fenë me politikën, ka folur ashpër kundër Lëvizjes “Vetëvendosje” të Albin Kurtit, duke e quajtur atë enveriste dhe duke thënë se myslimanët që votuan për të, bënë një mëkat të madh.”

Cdo individ ka të drejtën e votës në një shoqëri demokratike dhe është normale që votuesit të ndikohen dhe informohen nga sistemi i vlerave me të cilat identifikohen.

Është e njohur gjithashtu se në ligjërimin fetar të traditës myslimane, konsideratat politike shpesh shqyrtohen në korinizën e asaj që quhet e mira apo përfitimi publik (maslaha).

E megjithatë, kundërshtimi jonë me deklarimin e imam Krasniqit nuk ka të bëjë vetëm me vlerësimin për lëvizjen e z. Kurti dhe bashkëpuntorëve të tij. Z. Kurti jo vetëm ka artikuluar një qëndrim të qartë e të guzimshëm politik përtej servilizmit dhe konjukturizmit të njohur të partive politike shqiptare, por ka sjellë dhe një emancipim të aktivizmit politik që ka kaluar kufijtë e Kosovës tek shqiptarët e tjerë të rajonit.

E megjithatë imam Krasniqi ka të drejtën e mendimit të tij. Kundërshtimi për imam Krasniqin ka të bëjë me abuzimin me terminologjinë fetare. Sic imam Krasniqi e di më së miri, përcaktimi se cfarë është e ndaluara (haram) dhe mëkat janë prerogativa hyjnore dhe nuk është e denjë dhe nuk nderon traditën fetare të cilës imam Krasniqi i shërben kur, sic thotë vargu popullor, ters e vërvit sheriatin.

4 komente:

  1. Nje shprehje e urte shqiptare thote se i zoti i shtepise e di se ku i pikon catia. Hoxha ka si detyre te udhezoj njerezit dhe hallallin dhe haramin e njeh me mire sesa keta kritike qe e bejne keto verejtje ketu. Albin Kurti mund te jete figura me intriguese sot ne Kosove, por kam frike se prej tij do te zhgejnjeheni ashtu sic u zhgenjyen ne Shqiperi me Mjaftin, te cilin kur disa muslimane e denuan si levizje sorrosiane disa te tjere e mbrojten ate...! e Sot askush nga muslimanet nuk mbron me Mjaftin as ata qe e mbrojten dje ate dhe qe sot per cudi po mbrojne sivellain e saj Kurtin!
    Historia perseritet

    PërgjigjuFshije
  2. Hipokrizia kundërfetare e hoxhës Shefqet Krasniqi

    Besart Asllani
    http://www.kohaditore.com/index.php?cid=1,12,48850

    Në paraqitjen e tij të ditës së hënë, 31 janar, në emisionin “Info Magazine” të TV Klan Kosova, duke folur për aktualitete politike në vend dhe më gjerë, hoxha Shefqet Krasniqi shpalosi qëndrime skandaloze, inkoherente dhe hipokrite. Të irrituar nga defektet e tij morale dhe ndikimi dëmtues të cilin ai e ushtron në një pjesë të shoqërisë kosovare, ndihemi të detyruar që ta demaskojmë.

    PërgjigjuFshije
  3. Hipokrizia e hoxhës në raport me parimet fondamentale islame: pjesëmarrja në sistem

    Të gjitha tekstet burimore islame shpjegojnë se dijetarët myslimanë bëhen felëshues nëse bëhen pjesë e sistemit shtetëror joislam (Ibn Tejmije, "Fatawa", Vëll 35, f. 363): në aparatin ligjbërës (Kur’ani 12:40; 18:26 etj.) dhe aparatin e dhunës (Kur’ani, 4:76; 85: 4 -7). Nuk mund të qëndrojnë arsyetimet eventuale të hoxhës në fjalë për pashmangshmërinë e braktisjes së këtyre parimeve thelbësore islame në kontekstin e sotëm në Kosovë për shkak të mungesës së alternativave. Përveç hapësirës së shfrytëzueshme në shoqërinë civile, e cila mund t’i pranojë organizatat fetare, kanë qenë gati gjashtë vjet gjatë të cilave lëvizja “Vetëvendosje” ka funksionuar jashtë aparatit shtetëror, dhe madje në konfrontim me të. Duket se hoxhallarët si Shefqet Krasniqi i josh vetëm ai pushtet politik, i cili e përjashton dhe e lufton pikërisht fenë, të cilën ai pretendon se e predikon - Islamin.

    Hipokrizia e hoxhës në raport me rreshtimet politike në Kosovë

    Brenda këtij konformizmi joislam të hoxhës, hipokrizia thellohet edhe më tutje. Duke u rreshtuar në mbështetje të forcës politike më abuzuese në Kosovë, ai thellohet edhe më tepër në kundërshtimin e parimeve morale dhe politike (jo vetëm -) islame. Pra, mbështetja e tij për PDK-në dhe bllokun e saj është hiç më pak se skandaloze, sepse ai flet nga pozita e një predikuesi të një religjioni fisnik si Islami. Madje është e habitshme dhe paradoksale. Përveç që është në kundërshtim me moralin islam të mbështetet një kastë politike, e cila e plaçkit popullin e vet dhe ia shet vendin armikut, nga këndvështrimi fetar është e pafalshme që të përkrahet një parti, e cila shtetin e shfrytëzon për t’i ndaluar të drejtat fetare. PDK-ja është parti, e cila e para në Kosovën e paskomunizmit e ka rikthyer ndalesën e shkollimit të femrave besimtare myslimane. Përveç kësaj, dihet se është po kjo parti njerëzit e së cilës kanë mbyllur xhami dhe përzënë hoxhë nga Kosova. Në anën tjetër, është botërisht e ditur se kundërshtari kryesor i regjimit të PDK-së ka qenë dhe mbetet lëvizja VETËVENDOSJE. Për më tepër, kundërshtimi i pandalur i lëvizjes VETËVENDOSJE ndaj PDK-së përveç që përfshin politikat e saj antikombëtare në rrafshin ekonomik, në atë diplomatik – ndërkombëtar, në atë të praktikave të qeverisjes dhe të shtetndërtimit, është i shprehur edhe në raport me lirinë e besimit. Udhëheqësi i lëvizjes VETËVENDOSJE me deklaratat e tij publike gjatë intervistës në ORA NEWS të datës 23.6.2010, në mënyrë shumë të qartë është shprehur kundër ndalesës së shkollimit të femrave besimtare myslimane, duke u bërë i pari dhe ndër të paktit politikanë shqiptarë që kanë shfaqur pikëpamje të tillë.

    PërgjigjuFshije
  4. ekfiri i hoxhës përmes përgjithësimit të aktivistëve të lëvizjes VETËVENDOSJE si “enveristë”

    Përgjithësimi i aktivistëve të VV si “enveristë” nga prizmi fetar nënkupton identifikimin e tyre me një ideologji ateiste, e cila ka qenë e vetmja në historinë e njerëzimit që e ka ndaluar praktikimin e fesë. Thënë troç: sipas hoxhës në fjalë, të gjithë aktivistët e lëvizjes VETËVENDOSJE janë ateistë, të cilët duan ta ndalojnë fenë. Një akuzë e tillë në terminologjinë juridike islame quhet “tekfir”, d.m.th. denoncim apo shpallje e një individi apo grupi si jomysliman apo felëshues. Kur kjo ndodh, atëherë sipas rregullave të fesë islame, njëra palë me të vërtetë është jomyslimane: ose denoncuesi, ose pala e akuzuar (Ṣaḥīḥ al-Bukhāri, 8/26). Përveç që i ka shpallur si jomyslimanë të gjithë ata aktivistë, simpatizues dhe votues të lëvizjes VETËVENDOSJE, të cilët i respektojnë apo zbatojnë obligimet fetare islame, hoxha e ka bërë një precedent të rrezikshëm në hapësirën shqiptare, duke e hapur derën e ekstremizmit sektar të tipit të Al-Kaidas dhe lëvizjeve frymëzuese të saj, ekstremizëm ky, i cili i ka larë dhe po i lan në gjak shumë shtete ku myslimanët janë shumicë. Por as me këtë qëndrim ekstrem hoxha nuk ka shfaqur koherencë mendimesh. Blloku politik të cilin ai e përkrah udhëhiqet nga një shumicë njerëzish për të cilët dihet botërisht se kanë qenë pjesëtarë të grupeve ilegale marksiste-leniniste të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Madje figurat kryesore të bllokut politik të hoxhës as që e fshehin këtë fakt, duke u shfaqur në TV me foto të Enver Hoxhës apo duke marrë pjesë në përkujtimin e ditëlindjes së tij në Prishtinë e gjetkë.

    Hipokrizia në raport me frymën e ndryshimeve në botën arabe

    Në të njëjtën intervistë hoxha Shefqet verbalisht i përkrahu lëvizjet popullore në botën arabe, të cilat kërkojnë drejtësi sociale dhe rrëzim të diktaturave; por shtrohet pyetja se ku e merr hoxha të drejtën morale për ta bërë këtë, përderisa ai vetë në vendin e tij del kundër lëvizjeve të tilla dhe haptas e mbështete Qeverinë antipopullore? Përveç tjerash, këto lëvizje popullore në botën arabe të cilat i përkrahu verbalisht mulla Shefqeti po i lëkundin pozitat e regjimeve diktatoriale të cilat kanë pasur qëndrime të padrejta ndaj çështjes së Palestinës, mirëpo blloku politik i vetë këtij hoxhe është i lidhur ngushtë me Izraelin. Sjellim ndërmend këtu dhurimin e kotë të 5 milionë eurove të taksapaguesve kosovarë për kompaninë propaganduese “Saatchi & Saatchi”, angazhimi i ish-drejtorit të Bankës Kombëtare të Izraelit në cilësi të këshilltarit të Hashim Thaçit, vizitat e shpeshta të dr. Shaip Mujës në Izrael, deklarimet përçmuese të Hashim Thaçit ndaj shteteve me shumicë myslimane (“s’kemi nevojë për njohje të Kosovës nga adresa të dyshimta”).
    Edhe pse shpesh është cilësuar lëvizja VETËVENDOSJE si fondamentaliste-islamike për shkak të marrëdhënieve të ndera me aparatçikët e huaj neokolonialistë dhe për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm të politikave të padrejta të fuqive perëndimore ndaj popullit shqiptar, e theksojmë se ne kurrë nuk kemi qenë, nuk jemi dhe nuk do të bëhemi lëvizje fetare. Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbesim të hapur për njerëz të të gjitha besimeve, të cilët janë të gatshëm për të kontribuar së bashku në angazhimin tonë për një Kosovë të përparuar, shoqëri të drejtë e jodiskriminuese dhe një komb sovran shqiptar. Brenda këtyre koncepteve, në lëvizjen VETËVENDOSJE kanë vend të gjithë, madje edhe pavarësisht banalizimeve eventuale të shfaqura si simpati apo antipati për figura historike, çofshin ato të spektrit të majtë apo të djathtë, “enverist” apo “zogist”. Ne u bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë që të distancohen nga klerikë të këtillë hipokritë, të cilët i kanë shndërruar xhamitë në filiale partiake të bllokut antikombëtar duke e vënë në hije të keqe tërë komunitetin besimtar, e me këtë janë duke e rrezikuar seriozisht perspektivën e tij qytetare dhe politike.

    (Autori është student i Fakultetit Filozofik në Prishtinë)

    PërgjigjuFshije