e diel, 20 shkurt 2011

Letra e UAMI drejtuar MInistrise se Arsimit!

Nëpërmjet kësaj letre Ju transmetojmë shqetësimin e disa organizmave joqeveritare shqiptare në mërgim në lidhje me debatin e ndezur nga projektligji mbi sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri. Që nga publikimi i projektligjit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk kanë munguar në opinionin publik qëndrimet mbështetëse dhe ato kritike ndaj disa pikave të projektligjit e veçanërisht nenit nr. 36, paragrafit nr. 4. Do të mjaftonte kjo situatë fermentimi mendimesh, e karakterizuar në linja të përgjithshme nga bipolarizimi, për t’u përballur me paqartësinë që përcjell ndalimi dhe ekspozimi i ‹‹simboleve fetare në institucionet arsimore››. Fragmenti i nenit nr. 36, akoma pa u shndërruar në ligj dhe pa u vënë në jetë, i paraprin relativizmit të interpretimeve të ardhshme që do te krijojnë një realitet konfuz jo vetëm nëpër shkolla.


Përcaktimi ndalues ‹‹në institucionet arsimore›› mund t’i adresohet institucionit shkollorë publik, si pjesë e strukturave të shtetit laik, dhe në këtë rast është e nevojshme të ripohojmë domosdoshmërinë e laicitetit të strukturave politike dhe edukuese, por mund t’i adresohet edhe individit frekuentues të këtyre institucioneve, që shfaq haptas besimin e tij. Nxënësit vendosen përballë dilemës së përjashtimit ose detyrimit të mosrespektimit të besimit personal, në një kohë qe kushtetuta e Shqipërisë garanton si të drejtën e arsimimit ashtu edhe atë të besimit. Feja pa besimtarë është koncept abstrakt ashtu si ligjet që mbrojnë lirinë e fesë por nuk mbrojnë lirinë e besimtarit për ta ushtruar. Këtu flitet veçanërisht për atë grupmoshë që përbën të ardhmen e vendit. E ardhmja vjen nga sistemi arsimorë dhe shkolla duhet të jetë gjithëpërfshirëse.


Shfaqja e projektligjit në formën aktuale përbën edhe një frakturë të koherencës në linjën e qeverisë. Kështu, ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi (nr. 10 221) i datës 04.02.2010 dhe angazhimi i organeve shtetërore kompetente në mbështetjen e projektit të hapjes së Universitetit Teologjik Islam në Tiranë, shoqërohen me projektligjin e arsimit parauniversitarë që, nga ana tjetër, rrezikon diskriminimin e nxënësve.


Sigurisht që ndërhyrja e jonë nuk motivohet nga dinamikat e koherencës së politikes ose të elitave, por nga angazhimi qytetarë në respektimin e lirive dhe nga dëshira e renditjes së Shqipërisë përkrah vendeve me legjislacion demokratik, duke respektuar traditat historike të popullit tonë ku besimet fetare kanë padyshim rol shumë të rëndësishëm si në ruajtjen e identitetit kombëtarë ashtu edhe në ruajtjen e vlerave morale. Qëllimi është mënjanimi: i keqinterpretimeve, i rrezikshmërisë së largimit të nxënësve nga arsimi publik dhe i krijimit të getove, i nisjes së proceseve gjyqësore të kushtueshme si për privatin ashtu edhe për shtetin, i rishikimit të ligjit, i pakënaqësisë kolektive etj.


Të bindur në kompetencën e organeve përkatëse, propozojmë një ndërhyrje të thjeshtë dhe efikase tek paragrafi nr. 4 i nenit nr. 36 ku fillimi i paragrafit, ‹‹ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore››, mund të modifikohet në ‹‹ndalohet ekspozimi i simboleve fetare nga institucionet arsimore››. Vetëm në këtë mënyrë mbrohet individi dhe shkolla kryen funksionin edukues.

Faleminderit paraprakisht për mirëkuptimin.

UAMI - Unione Degli Albanesi Musulmani in Italia

FAT - Forum Alb Trentino

ASIAM - Associazione per lo Sviluppo e l’Integrazione degli Albanesi a Milano

El Hilal - Associazione Culturale Albanese EL HILAL

Nuk ka komente:

Posto një koment