e enjte, 10 shkurt 2011

Let my people go!


Elton Hatibi

Prej më shumë se dy javësh tashmë, Egjipti po përjeton një prej momenteve me kulmore në historinë e tij moderne. Rinia duke sfiduar frikën, po e shtyn popullin egjiptian drejt erës së lirisë, dhe kjo besohet se do të sjellë një të ardhme që do t’i shdërrojë faqen të gjithë rajonit. Po vjen Xhumaja e tretë pas protestave dhe ende diktatori Mubarak refuzon të lërë pushtetin duke kërcënuar se pas ikjes së tij, vjen kaosi. Trualli i ngjarjeve dhe përmasat e revoltës nuk ka se si të mos intrigojë çdokënd për të hedhur sytë nga e shkuara.


Trualli mitik i Egjiptit ka parë mijëra vjet histori me qytetërime të ndryshme që i kanë dhënë njerzimit kontribute te vyera. Përtej një imagjinate neutrale me kallama papirusesh mbi Nilin parajsor, Egjipti identifikohet më së shumti si atdheu i piramidave dhe i faraonëve. Këto përfytyrime të karakterit kulturologjik po ndihmojnë publikun global për të kuptuar se ç’po ndodh këto ditë në këtë kënd të Afrikës. Në ndihmë si gjithmonë në të tilla raste vijnë komentatorët e shumtë, opinionbërësit që në këtë erë mediatike kemi luksin t’i përzgjedhim sipas oreksit. Shumëkush rekomandon zgjidhje, me tranzicion të butë a të lehtë, të ngadaltë apo të shpejtë, por të gjithë bien dakort në një çështje, se regjimi është shtypës e i palëvizshëm si një piramidë, të cilës ia shumëzon peshën prej dekadash një faraon.

Me gjithë vëmendjen e paprecedentë mediatike ndaj zhvillimeve ne Egjipt, tirani nuk doli asnjë centimetër nga natyra e tij faraonike në të gjitha lëvizjet për të mposhtur revoltën. Që në krye te herës, kur emëroi për herë të parë një zëvendëspresident, të gjitha lëvizjet e regjimit do të prodhonin vetëm mynxyra që u shëmbëllenin fatkeqësive biblike, të cilat i paraprinë largimit te hebrejve nga Egjipti antik. Derdhja e gjakut nëpër rrugët e sheshet e qyteteve, zhdukjet e djemve e vajzave egjiptianë dhe gazetarëve në birucat policore, humbjet e thella ekonomike që po bashkëshoqërojnë ngjarjen dhe kryeneçësia e regjimit për të mos lëshuar pushtetin që të hapë e një faqeje të re në historinë e Egjiptit, për nga permasat dhe dramaciteti, i përngjajnë vetëm kësaj pjese të historisë së lashtë. Dalja në skenë e një zevendësi që për gati njëzet vjet është leva e tmerrit e pushtetit dhe distancimi i tiranit nga daljet publike pas përmendjes se kaosit, më sjell ndër mend rrëfimin kuranor në të cilin faraoni i thotë ministrit të tij, Hamanit, “më piq tulla, dhe më ngrij një kullë të lartë që të shoh Zotin e Musait”.

Në mosdorëzimin me paqe, regjimi po mbështetet tek investimi i tij historik. Nuk e kam fjalën këtu për miliardat e shumtë të cilat Mubaraku, familja e tij dhe pasuesit kanë depozituar dhe investuar gjithandej nëpër botë, por në demonizimin sistematik të opozitës, kryesisht Vëllezërve Muslimanë. Kësaj propagande i ndihmojnë dhë opinionbërësit perëndimorë pranë të djathtës, duke krahasuar situatën në Egjipt me atë te 32 vjetëve më parë në Iran. Por siç e theksoi dhe Naom Chomsky para pak ditësh në The Guardian, SHBA nuk i tremben Islamit radikal, por pavarësisë se Egjiptit. Nëse do t’i trembeshin realisht Islamit radikal, armiku duhet të ishte regjimi saudit, që edhe pse praktikon në publik në mënyrë strikte Islamin, është një nga aleatët më besnikë të SHBA-ve ne rajon. E gjithë kjo propagandë është e destinuar të dështojë, sepse shumica e popullit egjiptian është muslimane dhe shumëkush e ka kuptuar se ky popull e ka pjesë te pandarë besimin fetar: edhe kushtetuta aktuale e Egjiptit thekson në hyrje të saj frymëzimin në vlerat islamike.

Presidenti Obama duhet ta ketë dëgjuar me dhjetëra herë “Go down Moses”, sigurisht në variantin më të popullarizuar, atë të Louis Armstrong. Me një inspirim të fuqishëm nga temat biblike, kënga është një trashëgimi e muzikës spirituale negër, e lindur në mjedisin e hidhur te skllavërisë në të cilën gjendeshin zezakët e shekullit XIX. Situata e tyre ishte identike me atë të hebrenjve të Egjiptit të lashtë, kështu që dhe shpresa për një çlirim të shpejtë buronte sërisht nga ai kontekst. Në këtë rast faraoni ishte skllavopronari i bardhë, i cili i mësuar me shërbimet e skllevërve, kishte krijuar një botë të tij iluzore dhe amorale e cila do të sillte më pas deri në Luftën Civile. Një pjesë e madhe e shoqërisë amerikane të kohës e shihte këtë padrejtësi të pavend dhe nuk hezitoi t’i kundërvihej.

Hezitimi i Obamës që t’i telefonojë drejtëpërdrejt Faraonit modern dhe t’i thotë ‘lëre popullin TËND të shkojë’, nuk i ngjan fare atij të Linkolnit për të nxjerrë jashtë ligjit skllavërinë dhe hedhjes së hapave të parë drejt çlirimit te zezakëve. Frika e tij është së populli do të shkojë dhe me rënien e faraonit egjiptian do t’i vijë dhe fundi tiranëve përreth, çfardoqoftë ideologjie t’i përkasin ata. Ndarja e njerëzve në të denjë dhe në disa edhe më të denjë është shënuar historikisht si burimi i padrejtësive. Fundi i tyre ka ardhur kur ata me më pak të drejta ia kanë shkulur të drejtat e mohuara uzurpuesve të tyre. Kur vjen koha e ndërgjegjësimit dhe e vrasjes së frikës, atëherë është momenti për qëndruar drejt. Moment që është dramatik e me dhimbje, por i pashmangshëm, dhe nëse tiranit nuk i dilet përballë, ai kurrë nuk vetëndërgjegjësohet për ç’ka gatuar me duart e veta.

Historia e Musait është një nga shembujt më të mëdhenj të historisë në sfidën ndaj autoritetit të rremë, në edukimin e popullit për të shembur frikën duke iu mbështetur Zotit dhe duke mos iu nenshtruar tiranisë. Sigurisht kurrë tirania nuk vjen prej Zotit. Nuk ka rëndësi kush do ta marrë rolin e Musait sot në Egjipt, e rëndësishme është t’i qendrojë parimeve universale e të manifestuara prej tij në qëndresë e në udhëheqje. Suksesi i Lëvizjes Egjiptiane do të ndodhë kur t’i ketë bërë ballë pa asnjë lëshim esencial tiranit. Kjo është sfida e vërtetë në kapërcimin e detit , vala e të cilit sigurisht që do të perfshijë dikë nga palët, dhe me shumë mundësi do të zerë të padrejtët, ata të lodhurit me zullumet e tyre.

Halli tjetër i mbështetësve të faraonit është e siguria e shtetit të Izraelit. Kjo shihet qartë në të gjitha qëndrimet nervoze të shtetarëve të tij dhe aleatëve të ndryshëm nëpër botë. Me rënien e faraonit ngushtohet izolimi rajonal i ketij shteti, i cili siç u pa së fundmi me dokumentat e publikuara nga prapaskenat e negociatave, nuk dëshiron paqen me palestinëzët. Por sot Izraeli ka shansin të riformulojë një qasje të re më të drejtë përballë palestinezëve dhe arabëve. Arroganca dhe padrejtësitë që ky shtet rezaton, e kanë kthyer në një skllavopronar modern, i cili i lejon vetes gjithçka në kurriz të dinjitetit njerëzor. Arabët aty përqark, në masë dërrmuese, mbase nuk e kanë dëgjuar ndonjëhere këngën “Go down…”, por sigurisht kanë folklorin e tyre të ngjashëm kundrejt realitetit që jetojnë. Në qoftë se nuk ka drejtësi dhe sheshim të konfliktit në Tokën e Shenjtë, në të ardhmen ajo do të përballet së brendshmi më një revoltë si e Egjiptit. Përherë vjen një kohë që populli do të shkojë para.

2 komente:

  1. GAME OVER!
    Per disa ore shkrimi do kishte qene i vjeter, por ja ku erdhi xhumaja e trete dhe vala e detit e kaperdiu Faraonin. Gjithsesi Faraoni ishte vesh polumbar prej kohesh

    PërgjigjuFshije