e enjte, 27 janar 2011

Iraku, Tunizia, Egjipti dhe dominotë e Lindjes së Mesme.

Besnik Sinani

Në një bisedë me studentë egjiptianë në Universitetin e Kajros në vitin 2005, sekretarja e shtetit amerikan në atë kohë, Condoleezza Rice, deklaroi se “Për 60 vjet ShBA ndoqi politikën e stabilitetit në dëm të demokracisë në Lindjen e Mesme – dhe nuk arritëm asnjërën. Tashmë po ndërrmarim një tjetër drejtim. Po mbështesim aspiratat demokratike të të gjithë popujve.”


Pasi nuk arritën të gjejnë armët e shkatërrimit në masë në Irak, që kish shërbyer si arsyeja për pushtim, dhe vetë agjencitë e inteligjencës amerikane kundërshtonin se kishte patur lidhje midis regjimit të Sadam Husein dhe al Kaidës, ShBA deklaroi se kishte për qëllim që nëpërmjet shembullit të Irakut të promovonte demokracinë në Lindjen e Mesme duke shkaktuar rënien e regjimeve diktatoriale si gurët e dominosë.

Shembulli i Irakut ka shërbyer, në të kundërt, jo për të bërë demokracinë më atraktive në Lindjen e Mesme, por duke shërbyer si shembulli me të cilin diktatorët e rajonit kanë kërcënuar popullsitë e tyre. Demokracia në mënyrën si u pasqyrua në Irak do të thotë shkatërrim i vendit, luftë sektare, e disintegrim i strukturës shoqërore. Rasti i Irakut nuk do vinte në lëvizje asnjë gur tjetër dominoje.

Edhe vetë ShBA humbi dëshirën për të promovuar demokraci kur pas zgjedhjeve në territoret e pushtuara palestineze në 2006, fitoi Hamasi. Në vitin 2007, mbështeti Autoritetin Palestinez në rrëzimin në Bregun Perendimor e qeverisë së Hamasit, zgjedhur me votë të lirë. Ngjarjet në atë kohë po i ndiqja nëpërmjet El Xhezirës në lobin e një hoteli ne Tanxhir, Marok, ku falë bursave bujare të Departamentit të Shtetit kishim shkuar për të mësuar arabisht në mënyrë që të mund të kuptonim mesazhet e ‘rrugëve arabe.’ Leksioni nr. 1 erdhi nga Sulejmani, sportelisti i hotelit që kish mbaruar për juridik por nuk gjente punë dhe ndante kohën midis punës në hotel dhe si shofer taksie që të mbante familjen e tij: “Demokracia është e keqe kur fitimtarët në votën e lirë nuk i pëlqejnë Amerikës.” Përballë tij rinin studentë proporcionalisht në shumicë nga Universiteti Georgetown, makina që prodhon burokratët, ekspertët e analistët e ardhshëm të politikës së jashtme amerikane.

Për sa i përket dështimit të eksperimentit demokratik në Irak, injektuar nga forcat e armatosura amerikane, analistë të njohur si Thomas Friedman gjetën shpjegimin tek mungesa kulturore të arabëve. Të tjerë komentatorë, si historiani i Universitetit të Michigan, Juan Cole, shpjeguan mbështetjen për pushtimin e Irakut duke arsyetuar se në Lindjen e Mesme diktatorët mund të rrëzohen vetëm me ndërhyrje ushtarake nga jashtë. Tunizia na mësoi të kundërtën!

Loja Mbaroi!

Por lëkundja e gurëve të dominos së pushteteve diktatoriale të Lindjes së Mesme nisi në një qytezë të vogël tuniziane, Sidi Bouzid. Shtyrja e gurit të parë të dominosë nuk erdhi nga analistët e departamentit të shtetit apo Pentagonit, por nga protesta e një të riu, Muhamed Bouazizi, që fyerjen, vjedhjen e dinjitetit, dhe të ëndrrave të jetës e klithi me djegjen e vetes përpara zyrave të pushtetit.

Akti i tij radikal preku ndjeshmëritë e të rinjëve nga Algjeria, Egjipti, Mauritania e gjetkë dhe kudo në Lindjen e Mesme kanë nisur protestat kundra tiranëve të plakur e viralë e klyshëve të tyre që duan të marin stafetën e pushtetit në republikat e trashëguara të Lindjes së Mesme. Në demostratën e 25 Janarit në Egjipt, në Sheshin Tahrir (Mejdan Tahrir) u mblodhën rreth 20 000 veta. Në Aleksandri, protestues grisën fotografitë e diktatorit Mubarak. Kudo në botë u panë videot e të riut egjiptian që doli përpara makinës ushtarake. (Revolucioni po shihet në televizor.) Nuk mund të shtypet një popull që është i gatshëm të japë jetën për lirinë e vet. Parrula e protestuesve egjiptianë: Mubarak, Loja Mbaroi!

Por ditën pas protestës, gazetarët e NYTimes raportonin që kampionët e demokracisë në Washington D.C. i shohin zhvillimet nga Tunizia në Kajro me shqetësim, të tensionuar nga rënia e ‘aleatëve të tyre’ në Lindjen e Mesme. Vetëm tre ditë përpara se diktatori tunizian, Ben Ali, të merrte arratinë, Franca i ofroi ekpertizën e vet në kontrollin e turmave. Nuk munguan përpjekjet për të marë nën krah revoltën tuniziane, për ta paternalizuar. Revolta, thanë disa, u bë e mundur nga vite sponsorizimi evropian për organizatat e shoqërisë civile. Kur ekspertiza franceze për kontrollin e turmave nuk dha rezultat, Tunizisë po i ofrohet ekspertizë për organizimin e zgjedhjeve.

Në fjalën e tij në State of the Union, presidenti Obama shprehu përkrahjen ndaj aspiratave për liri të tunizianvë dhe popujve të tjerë të rajonit. Të gjithë e dinë se ka ardhur koha e ndryshimeve por duan të kontrollojnë formën e përfundimet e asaj vale që nisi me aktin e Muhamed Bouazizit.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Amr Musa, deklaroi se ka nevojë për reforma, “The name of the game is reform,” tha ai para kamerave, ndërsa sekretarja e shtetit amerikan, Hillary Clinton, kufizoi gjuhën e reformave në terma kërkesash ekonomike. Armata e analistëve po faktorizon politikat rajonale, Izraelin, islamistët, marëveshjet komerciale.

Por nëse Tunizia është tregues, arabët e ngritur për liri kundra diktaturave virale të vendeve të tyre, nuk do pranojnë oportunizmin e zgjidhjeve të pjesëshme. Revolucioni ka nisur me heroin e vet Muhamed Bouazizi dhe të tjerë që po bien përditë në luftë me regjimet që po kapen me kthetra pas karrigeve në grahmat e fundit të pushteteve të tyre. Revolucioni ka dhe armët e veta: telefonë, laptopë e internetin. Revolucioni ndërkaq ka dhe poetin dhe bardin e vet, repistin tunizian El General, tingujt e të cilit shoqëruan shkrimin e këtyre rreshtave.




Nuk ka komente:

Posto një koment