e hënë, 31 janar 2011

Reagim I Forumit Rinor Islam Maqedoni per Kishen ne Kalane e Shkupit

Deklarata e më poshtme na është dërguar nga Forumi Rinor Islam i Maqedonisë . Blogu jonë mbështet të gjitha format e ekspresionit dhe praktikës së lirë gjitha feve dhe ngritjen e tempujve, kjo bazuar në tekstin Kuranor ku xhamitë , kishat dhe sinagogat shenjtërohen si tempuj ku lartësohet emri i Zotit. Normalisht ne nuk do postonim një deklaratë kundra ngritjes së një kishe. Në Maqedoni, gjithsesi, sic është vënë re kohët e fundit në debatin për planin urbanistik Shkupi 2014 dhe debatin për Burmali xhaminë , tempujt fetare po përdoren nga qeveria maqedonase për të acaruar marëdhëniet etnike në Maqedoni duke mohuar prezencën kulturore e politike të shqiptarëve në Maqedoni. Shqyrtimi i këtij konteksti politik na motivoi të sjellim kë të deklaratë faqen tonë .



REAGIM

Me rastin e mbirjes së objektit misterioz në Kalanë e Shkupit, Forumi Rinor Islam, si pjesë e sektori civil në RM, e ngrit zërin e vet, duke kërkuar nga organet relevante që sa më shpejtë të ndërmarrin hapa preventiv për të parandaluar rritjen e pakënaqësisë së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe ngritjen e mëtejme të tensioneve ndëretnike dhe ndërkonfesionale.


Forumi Rinor Islam shfaq dyshimet e veta se edhe ky objekt paraqet një veprim e lojë të pushtetarëve maqedonas, të cilët me mjeshtërinë tanimë të dëshmuar dëshirojnë t’i vendojnë qytetarët para aktit të kryer. Ngritja e këtij objekti pa solemnitetet përcjellëse të vendosjes së gurë themelit (ashtu siç jemi mësuar t’i shohim zakonisht), pastaj mungesa e pamjes dhe projektit ideor, që sipas ligjit duhet të jenë të vendosura në afërsi të objektit, bashkë me elementet tjera përcjellëse që duhet të ketë një ndërtim i tillë, na e shton edhe më shumë dyshimin se plani përfundimtar i këtij objekti është krishterizimi i kalasë së Shkupit, për më tepër që i njëjti i ka të gjitha elementet e një kishe.

Duke pasur këtë parasysh, Forumi Rinor Islam kërkon nga faktori politik shqiptar në pozitë dhe opozitë që të veprojë fuqishëm dhe njëzëri ndaj objekteve të tilla dhe provokimeve tjera të ngjashme në aspektin kombëtar dhe fetar, si dhe të jemi më aktiv në parandalimin e gjërave të kësaj natyre.

Lusim Zotin që të gjithë të vetëdijesohemi dhe të punojmë për të mirën e përgjithshme, para daljes së situatës prej kontrollit, të cilën besojmë se askush prej nesh nuk e dëshiron.

Shkup 30.01.2011

Forumi Rinor Islam

Zyra për Marrëdhënie me Publikun

Nuk ka komente:

Posto një koment