e martë, 18 janar 2011

Në Tunizi, një bloger emërohet ministër !


Nga Th. Rmia

Nuk ndodh çdo ditë që pallati presidencial i Elysée-së t’i pëshpërisë shtypit në vesh konfidencat e korridoreve të shërbimeve sekrete të shtetit francez. Kësisoj, anekdoda e kallëpeve të florinjta të Lejla Ben Aliut mori dhenë në gjithë shtypin e botës, përfshi edhe atë shqiptar, pas lajmit të botuar në gazetën Le Monde.


Por le t’i kthehemi edhe një herë, me jo pak ëndje, kësaj historie. Shërbimet sekrete franzece, thotë gazetari i akredituar i Le Monde-it pranë Elysée-së, Arnaud Leparmentier, ‘mundohen të kuptojnë rrejdhën e ngjarjeve të datës 14 janar’. Sipas tyre, Lejla Trabelsi Ben Ali, bashkëshortja e ish presidentit Ben Ali, kishte shkuar personalisht në Bankën Qendrore të Tunizisë për të tërhequr kallëpet e florinjta. Guvernatori i bankës, me sa duket burrë me namuz, nuk e kish pranuar kërkesën. Kështu, zonja Ben Ali kish marrë të shoqin në telefon, i cili fillimisht kishte kundërshtuar. Por më pas, i ishte dorëzuar kërkesës së të shoqes.

‘Me sa duket’, thotë një politiakan frëng, ‘zonja Ben Ali është larguar nga Tunisi e ngarkuar me florinj’. ‘1,5 ton flori, janë 45 milionë euro’, vijon politikani. Pas tij, lajmi vjen e saktësohet nga një këshilltar i Elysée-së i cili pohon se : ‘Informacioni vjen kryesisht nga burime tuniziane, dhe në veçanti, nga Banka Qendrore e Tunizisë. Lajmi duket se është ralativisht i konfirmuar’.

Konfidencat e Elysée-së raportohen filimisht në blogun e gazetarit Arnaud Leparmentier. Më pas, lajmi botohet nën firmën e tij në shypin e përditshëm të Le Monde-it, së bashku me mohimin e lajmit nga një zyrtar i Bankës Qëndrore të Tunizisë.

Problemi është se i njëjti lajm, tolalisht i njëjti, raportohet nga faqja e Internetit TunisNews që më 3 janar 2011. Ja se si tregohet ai nga kjo faqe :

‘Në sekretariatin e pallatit presedencial tunizian mbërrin një telefonatë nga z. Tefik Bakar, guvernator i Bankës Qëndore. Z. Bakar dëshironte të sigurohej përfundimisht nëse duhej ose jo të ekzekutonte urdhrin e mbërritur në zyrën e tij po atë ditë nga znj. Ben Ali.

‘Cilin urdhër ?’ – përgjigjet presidenti Ben Ali, i cili duket se nuk është në korrent të ngjarjes.

‘Zonja, Ben Ali’, - përgjigjet guvernatori, ‘kërkon t’i dorëzohen 1500 kallëpe floriri. Por unë nuk kam asnjë urdhër formal, ansjë shkresë të firmosur’- vijon guvernatori Tefik Bakar.

Ish presidenti merr gruan e tij në telefon, dhe brenda dy minutash duket se znj. Ben Ali e bind të shoqin për ndërmarrjen. Rroftë dashuria ! Kështu, Ben Aliu i kthen telefonatën Tefik Bakarit me urdhrin formal : ‘Të zbatohet !’.

Prej këtej përfundimi se Franca ka ende shumë për të mësuar nga njohuritë e shtypit të lirë të blogosferës tuniziane, në veçanti asaj frankofone. Forca e përfshirjes së saj në revolucionin demokratik u kompensua dje nëpërmjet emërimit të një prej blogerëve të kësaj hapësire të lirë si ministër i qeverisë së re të bashkimit kombëtar.

Është kjo qeveri që do të udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve të reja, të cilat popullit trim tunizian ia shpresojmë dhe urojmë me gjithë zemër të lira dhe të pavaruara.

Pavarësisht anekdodës së florinjve të zonjës Ben Ali, e cila mban gjallë jo vetëm thashethemet e grave të irrutuara tuniziane, fakt mbetet se revista Forbes parurinë e Ben Alive e hamendëson të jetë përafërsisht 5 miliardë euro.

Një pjesë e madhe e kësaj pasurie ndodhet sigurisht në Tunizi, po një pjesë edhe më e madhe e saj dihet se fshihet posaçërisht në Francë, Zvicër, Monako dhe Dubai.

Po qeveria frënge në gjithë këtë mesele, ç’qëndrim mbajti gjatë revolucionit demokratik në Tunizi ?

Ndërsa forcat policore të shtetit diktatorial të Ben Aliut kishin vrarë gjatë përleshjeve qytetare së paku 70 njerëz, Michelle Alliot-Marie, Ministre e Mbrotjes së shtetit frëng, deklaron publikisht më 11 janar se ‘Franca është e gatshme t’i ofrojë presidentit Ben Ali gjithë dijen e saj të rëndësishme në administrimin e manifestimeve të dhunshme publike’.

Opozita politike dhe në veçanti Partia Socialiste franceze i kanë kërkuar formalisht znj. Alliot-Marie të dorëhiqet. Por, dorëheqja e znj. Alliot-Marie duket sidoqoftë tejet e vështirë të ngjajë.

Sikurse e vërente sot e interesuara në parlament, Dominique Strauss-Kahn, kanditati aspirant i Partisë Socialiste për president në zgjedhjet 2012 dhe presidenti aktual i Bankës Botërore, vetëm pra pak muajsh ‘lëvdonte gjërësisht progresin e arritur të Tunisizë’.

Vështirë pra që klasa politike franceze, krenarisht mike e shpallur e ish dikatorit Ben Ali të dorëhiqet e gjitha njëherësh.

Jo më larg se një vit më parë, a nuk ishte vallë deputeti i mirënjour, presidenti i grupit parlamentar të miqësisë franko-tuniziane, Eric Raoult që deklarote se Tunizisë së Ben Aliut i duhet dhuruar etiketa ‘mike e madhe e Francës’ ?

Ende më domenthënëse është se deputeti mik i Ben Aliut e bëri këtë propozim publik, fill pas ndërhyrjes së gazetarit për habinë e rezultatit të zgjedhjes së Ben Aliut me 90%, të cilës deputeti iu gjegj pa ngurim : ‘Duhet kuptuar mirë se presidenti Ben Ali gëzon dashurinë e popullit të tij’.

Për ta mbyllur me një notë entuziazmi këtë shkrim, kujtojmë se diktatori i Haitit, Baby Doc, mbëriti dje në Haiti për t’i ardhur në ndihmë popullit haitjan.

Në shkurt 1986, pasi u përzu nga vendi i tij në mënyrë të ngjashme me Ben Aliun, Jean Claude Duvalier, i njohur si Baby Doc, u stabilizua në Paris bashkë me një shumë prej 900 milionë dollarësh, shumë e cila ishte më lartë se borxhi i jashtëm i Haitit në kohët për të cilat flasim.

Baby Doc u nis pra drejt vendit të tij të dashur pikërisht nga rezidenca e tij rehatshme në Francën revolucioneve.

2 komente:

  1. Shyqyr Baby Doc u arrestua dhe mbi te u ngrit akuza.
    http://www.nytimes.com/2011/01/19/world/americas/19haiti.html?_r=1&ref=world

    PërgjigjuFshije
  2. Shihni te djathtet amerikane ne mbeshtetje te Ben Ali

    http://www.danielpipes.org/9326/tunisia-turmoil

    PërgjigjuFshije