e enjte, 29 shtator 2011

KMSH legjitimon vjedhjen e mandateve në KPD

Komuniteti Musliman ka thërritur mbajtjen e seancës së parë të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të dalë pas zgjedhjeve të kontestuara që u mbajtën në verën e këtij viti. Mbledhja do të zhvillohet ditën e djelë dhe do të ketë për rend dite, fillimisht konstituimin e këtij këshilli, duke i dhënë mandatin për vitet në vazhdim, miratimin e të gjitha vendimeve të Kryesisë së KMSH-së të mbajtura që nga mbledhja e fundit e Këshillit të Përgjithshëm, si dhe disa çshtje të tjera, të cilat në shkresën përkatëse të Kryesisë së Këshillit nuk bëhen të ditura.


Këshilli formohet pa votat e besimtarëve

Kjo seancë do të legjitimojë, uzurpimin e pushtetit të bërë gjatë kësaj vere nga krerët aktualë të KMSH-së duke mandatuar një Këshill të paligjshëm, i cili nuk ka dalë nga votat e xhamive, por nga emërimet arbitrare të Kryetarit, Kryemyftiut dhe grupit gylenist që i mbështet. Vendimi për përcaktimin e anëtarëve të këtij këshilli për Tiranën dhe disa rrethe të tjera, është kundërshtuar nga disa prej imamëve dhe thuajse të gjitha xhamitë e kryeqytetit, por drejtuesit e KMSH-së, në mënyrë krejtësisht arrogante, nuk kanë marrë në konsideratë asnjë prej reagimeve të ardhura nga xhamitë, duke vijuar të me papërgjegjshmëri aktin e përjashtimit të besimtarëve nga përfaqësimi në këtë institucion. Jo vetëm kaq, por ata nuk ngurruan as të përdorin kërcënimet ndaj imamëve, si mjet për ti zbutur dhe shfryrë këto reagime, duke vijuar ta çojnë deri në fund vjedhjen e mandateve që ligjërisht duhen zgjedhur vetëm me votë të lirë. E gjithë kjo përbën një grusht institucional, i cili ka shfuqizuar çdo lloj mekanizmi përfaqësues midis KMSH-së dhe besimtarëve. Drejtuesit e KMSH-së, duke përjashtuar besimtarët nga pjesëmarrja dhe votimi, varrosën statusin e këtij komuniteti si përfaqësues i besimtarëve. Ky institucion nuk përfaqëson më besimtarët muslimanë, por një sekt të vogël, të futur kontrabantë në realitetin fetar në Shqipëri, nëpërmjet fondeve dhe veprimtarive politike informale.

Rendi i ditës pjesërisht sekret

Zëra të ndryshëm brenda KMSH-së thonë për “E-zanin” se, pritet të ketë surpriza të reja. Shkresa që u është dërguar anëtarëve të Këshillit, nuk e tregon të plotë rendin e ditës, duke lënë një pikë të hapur nën siglën “çështje të ndryshme”. Burimet thonë se, flitet për disa ndryshime statutore, ku pritet të vendoset për rritjen e kriterit të moshës së lejuar për të kandiduar për Kryetar të KMSH-së. Përpara një viti, kriteri i moshës u ul me statut, duke përgatitur terrenin që në postin e kryetarit të vijë Betim Truçi, por tashmë, pas eleminimit të Truçit dhe klanit të tij, pritet që të rivendoset në edhe njëherë kriteri i vjetër. Megjithatë, nuk dihet nëse do të ketë një moshë maksimale të lejuar, gjë që do të kufizonte mandatin e Kryetarit aktual.

Seanca e parë nis me shkelje të rregullores

Seanca e parë e Këshillit të Përgjithshëm, është thirrur në mënyrë të parregullt nga ana statutore. Statuti ka si kusht që Këshilli i Përgjithshëm mblidhet vetëm me shumicën e votave të Kryesisë së këtij Këshilli. Siç bëhet e ditur, kjo seancë po mbahet pa u mbajtur një mbledhje paraprake, pasi, burimet thonë se tre prej pesë anëtarëve të Kryesisë së KPD-së, nuk kanë pasur fare dijeni për këtë mbledhje. Myftiu i Lezhës, ka qenë jashtë vendit, ndërkohë që Myftiu i Shkodrës dhe ai i Malësisë së Madhe janë informuar njësoj si të gjithë anëtarët e thjeshtë, dhe nuk kanë ditur asgjë për këtë vendim. Nga ana statutore, kjo përbën një shkelje proceduriale që e bën të paligjshme këtë seancë. Megjithatë, tashmë jemi mësuar që Komuniteti Musliman ta shpërfillë krejtësisht statutin e vet, duke shpërfillur rregullisht garantin ligjor të marrëdhënieve të muslimanëve në Shqipëri.



Nuk ka komente:

Posto një koment