e martë, 13 shtator 2011

Pas Një Vere Protestash: A Ka Kosova Një Problem Fetar?


Besnik Sinani

Në mediat kosovare por edhe në disa media perëndimore është krijuar një narrativë e tillë: Kosova ka qenë përherë një vend me një shumicë muslimane ku identiteti fetar ka qenë dytësor ndaj atij kombëtar dhe ku ka mbizotëruar toleranca fetare e përftuar nëpërmjet një indiference ndaj fesë. Ndikimet dhe sponsorizimet nga vende si Arabia Saudite kanë influencuar në krijimin e një klime të re, ku të rinjë kosovarë, të ndjellur nga para apo trushplarje, po demostrojnë një identitet gjithnjë e më të duksëm fetar, të shënuar nëpërmjet ritjes së mjekrave apo mbajtjes së shamive për femrat. Kjo situatë e re rrezikon imazhin e Kosovës në sytë e Perëndimit - mbështetja e të cilit duhet që shteti i ri të mbijetojë ndaj presionit serb - rrezikon traditën fetare të sekularizuar dhe ka rezulutuar në qëndrime intolerante ndaj pakicës katolike. Por problemi kosovar me fenë duket të jetë më kompleks se kaq.


Vizibiliteti dhe Afirmimi i Islamit në Kosovë.


Më shumë se 90% e popullsisë së Kosovës janë muslimanë, por vite të tëra që pasuan aneksimin e ish-vilajetit osman në territoret e Serbisë dhe vitet e komunizmit mbas luftës së dytë botërore kanë ndikuar në dobësimin e identitetit fetar. Por edhe pse askush nuk di të japë shifra të sakta, është bërë e qartë se me çlirimin e Kosovës pas ndërhyrjes së NATOs, po vihet re një ritje e numrit të muslimanëve kosovarë, kryesisht në moshë të re, të cilët janë më të vëmendshëm ndaj praktikave fetare. Kjo është shoqëruar me kërkesa të muslimanëve për objekte të reja kulti, për të drejtën e shkollimit në shkolla publike për femrat që mbajnë shami dhe afirmimin e një identiteti më të dukshëm fetar që shoqërohet me kundërshtimin e politikave shtetrore për të cilat shumë muslimanë besojnë se tregojnë anësi preferenciale ndaj një identiteti katolik të perceptuar si më evropian.


Para një viti, në Gusht 2010, besimtarë muslimanë në Prishtinë protestuan kundra ndalimit të së drejtës së shkollimit për femrat muslimane që mbajnë shami. Në Mars të këtij viti, besimtarë muslimanë kërkuan heqjen e fotografive të Nënë Terezës nga muret e institucioneve shtetrore. Në Qershor, për tre të premte radhazi, besimtarë muslimanë bllokuan një nga rrugët kryesore të Prishtinës gjatë faljes së të Premtes, si protestë ndaj refuzimit të organeve qeveritare për dhënien e një trualli ndërtimi për një xhami të re në qendër të qytetit. Së paku një protestues u arrestua dhe pati të plagosur që u dërguan në spital. Stephen Schvartz, një kontribues në mediat e djathta perëndimore, pretendoi se prezenca e një prej organizatorëve të protestave, Fuad Ramiqi, në flotilën kundra embargos së Gazës më 2009 ishte provë e lidhjes së Ramiqit me Hamasin palestinez, pretendim që u amplifikua dhe nga mediat kosovare. Mjekrat e disa të rinjëve kosovarë në protesta u panë si provë se Kosova po përballej me ekstremizmin islamik të “vehabive.”


Nën hijen e katedrales.


Edhe midis atyre që pranojnë se besimtarët muslimanë kanë nevojë reale për objekte të reja kulti, ilustruar kjo nga pamjet e besimtarëve që falen rrugëve, ka që thonë se kërkesa për xhaminë e re reflekton rivalitet të muslimanëve me ndërtimin e katedrales së re katolike, inaguruar më 2009 në qendër të Prishtinës. Protestuesit muslimanë kanë kundërshtuar duke thënë se kërkesa e tyre ka të bëjë vetëm me nevojën për të patur një vend të përshtatshëm faljesh në zonën ku shumë besimtarë punojnë apo studiojnë. Por kanë vënë në dukje, gjithashtu, se meqë qendra ndërkaq gëzon një kishë ortodokse dhe një katolike, është vetëm normale që të ketë dhe një xhami të re.


Sido që të jetë, në sfond të këtyre protestave qëndron katedralja e re me simbolizmin që mbart mbi rolin e ri aktiv të Vatikanit në Kosovë. Sipas studiuesit italian Dr. Mateo Albertini, Vatikani është organizata fetare më aktive sot në Kosovë, aktiviteti i së cilës përfshin shtimin e personelit, ndërtimin e një infrastrukture të tërë shëribimesh, përfshi objekte fetare në zona ku nuk banojnë katolikë dhe ka si synim qendror konvertimin e muslimanëve kosovarë.


Vatikani ka ritur nivelin e përfaqsimit në Kosovë me emërimin e Juliusz Janusz si nunc apostolik. Janusz është dërguar më parë në zona të vështira si në Ruanda ku kleri katolik ishte akuzuar për bashkpunim në genocid. Përkujdesja e veçntë që duhet në Kosovë ka të bëjë me vëmendjen që Vatikani i kushton mirëmbajtjes së marëdhënieve me kishën serbe. Kardinali Valter Kasper – president i Koncilit për promovimin e Unitetit mes të Krishterëve – në një intervistë dhënë agjensisë katolike të lajmeve Kathpres, haptazi konfirmoi qëndrimin e Kishës Katolike në lidhje me Kosovën duke deklaruar se: “jemi të vetëdijshëm që Kosova është një plagë e dhimbshme për Kishën Orthodokse Serbe. Ne gjithashtu e dimë se Kosova është djepi dhe qendra e Orthodoksisë Serbe. Ne e kuptojmë këtë mjaft mirë prandaj dëshira ime është që për këtë fakt të kihet konsideratë.” Janusz njihet të ketë bashkpunuar më parë dhe me Komunitetin katolik të San Egidios, i cili është tejet aktiv dhe politikisht i përfshirë në Kosovë ashtu si dhe në Shqipërinë fqinje.


Argumenti më i njohur për këtë angazhim konvertues të kishës katolike ka të bëjë me prezencën historike të atyre që quhen kriptokristianë, apo laramanë, por kjo është përdorur për të motivuar thirjen për të ashtu-quajturin “rikthim në fenë e të parëve,” e shoqëruar me cfarë Peshkopi i kishës në Kosovë, Dodë Gjergji quan nevojë për një “baptizëm kulturor.” Por përtej argumentit të kriptokrishtërimit, katolicizmi në Kosovë përfiton nga një argument më atraktiv. Një reportazh i REUTERS-it prej 28 Shtatorit 2008 vë në dukje se shumë të konvertuar shqiptarë deklaruan se kishin zgjedhur fenë katolike pasi vendet Perëndimore nuk i duan myslimanët, ndërkaq që edhe mbështetja, mbrojtja dhe investimet i kërkohen Perëndimit.


Një Look Perëndimor.

Ky duket të jetë edhe mendimi dominant i elitave kosovare. Ndalimi për shamitë në shkolla publike u shoqërua si në vende të tjera të Evropës me diskutimin për sekularizmin dhe parandalimin e imponimeve kundra femrave nga meshkujtë në familjet e tyre. Por argumenti dominant kishte të bënte me imazhin e Kosovës dhe identitetin që pasqyron. Në fjalët e Vlora Çitaku, zv. Ministre e Punëve të Jashtme në atë kohë, në një intervistë me BBC, “Shamia në Kosovë nuk është pjesë e identitetit tonë.” Këto praktika fetare nuk shihen, pra, si praktika personale fetare, por si çështje të identitetit kolektiv. I njëjti reporter i BBC vinte në dukje se shumë njerëz në Kosovë besojnë që ndalimi i shamisë kishte të bënte me përpjekjen e elitave për të treguar orientim perëndimor dhe përqafimin e vlerave evropiane me shpresë në integrimin në të ardhmen në Bashkimin Evropian.



Ky botkuptim reflektohet në mënyrën se si perceptohet rivitalizimi i jetës fetare i muslimanëve dhe prezenca e kishës katolike. Në një anë ky rivitalizim i jetës fetare të muslimanëve shihet si reaksion i një ndikimi të huaj dhe kërcënues, ndërsa ritja e prezencës katolike paraqitet si vlerë e brendshme, organike e Kosovës. Ish Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte promovuesi kryesor i projektit të ndërtimit të katedrales, fliste për katolicizmin si një lloj realiteti primordial kosovar, ndërkohë që theksonte se identiteti musliman ishte identiteti i imponuar nga pushtuesi turk. Promovimi i figurës së Nënë Terezës, një murgeshë dhe misionare katolike e lindur në Shkup, është ofruar në Kosovë si dhe në Shqipëri si vlerë përfaqsuese, identitare mbarëkombëtare.


Kjo ka motivuar protestat e muslimanëve se qeveria e Kosovës po imponon vlerat dhe simbolet katolike mbi shoqërinë. Studiuesi Kerem Oktem i Universiteti te Oxfordit ka vënë në dukje se në dallim nga popujt e Ballkanit me shumicë ortodokse, ku feja u bë pjesë e ideologjisë nacionaliste, shqiptarët që dolën nga perandoria Osmane me një shumicë të popullsisë muslimane janë përpjekur të zbehin prezencën fetare si formë identitare. Kjo reflektohet, sipas Oktem, edhe në refuzimin për leje ndërtimi për xhami të reja, gjë që shihet si në Kosovë dhe në Shqiperi. Kjo shpjegon edhe ankesën e besimtarëve muslimanë për diskriminim në një vend ku shumica e popullsisë janë muslimanë.


Vizibiliteti në ritje i Islamit në publik shkon në kahjen e kundërt të kësaj tendence të elitave politike. Ky vizibilitet përballet me akuzën për importimin e formave fetare që bien ndesh me traditën fetare të Kosovës. Por ky lloj vlerësimi injoron një lloj të re sociologjie fetare në rang botëror që ndeshet tek të gjitha religjionet. Diskursi mbi traditën fetare duket të kërkoj një izolim të panatyrshëm dhe realisht të pamundur. Teksa burimi i influencave të reja fetare shihet të jenë vendet e Lindjes së Mesme, ky vlerësim duket të mos marë në konsideratë që shumë nga influencat nuk kanë të bëjnë me një drejtim të caktuar gjeografik dhe në fakt janë produkt i një procesi që njihet si globalizimi i fesë. Facebook dhe YouTube janë burime perceptimesh të reja fetare për muslimanët shqiptarë më shumë se sa çfarëdolloj lokacioni në Lindjen e Mesme.


Këto trende të reja sugjerojnë dhe një zbehje të autoritetit tradicional fetar dhe kjo është vënë re dhe në tradita të tjera fetare. Bashkësia muslimane e Kosovës, ashtu si komunitetet fetare kudo në botë, po përjetojnë një periudhë riformimi që ka të bëjë më shumë me globalizmin se sa me Lindjen e Mesme. Kjo kërkon një trajtim më vete, por autoriteti i institucioneve fetare si Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) në këtë sfidë të re autoriteti, ka më shumë shanse të ruhet nëse këto institucione do kenë aftësinë për të adresuar kërkesat e gjeneratës së re të besimtarëve, përfshi përfaqsimin e kërkesave të tyre në marëdhënie me shtetin. Qeveria e Kosovës ka bërë të qartë që gjendet më komode të negociojë me institucione si BIK se sa me organizatat e shoqërisë civile që kanë organizuar protestat. Por qeveria duhet të kuptojë që organizatat muslimane të shoqërisë civile janë një realitet i pakontestueshëm i Kosovës së re dhe se nëse dëshëron që BIK të vazhdojë të jetë relevant, duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kërkesave të tyre. Kërkesa për xhaminë e re, për shembull, ka 12 vjet që zvarritet dhe mesazhi që shteti kosovar duket të ketë dhënë është se bisedimet nën zë me BIK nuk ofrojnë më rezultate për besimtarët muslimanë.


Realitet Evropian.


Protestuesit muslimanë janë etiketuar me emra derogativë si “talebanë,” udhëheqës të protestave si z. Ramiqi janë etiketuar si “të lidhur me Hamasin,” dhe protestat janë parë si shfaqje e “ekstremizmit vehabi” në Kosovë. Establishmenti politik dhe mediatik në Kosovë duket të mos i ketë kushtuar vëmendje faktit që protestat, formulimi i kërkesave, fjalori i përdorur për të drejtat e njeriut, për respektimin e sekularizmit, për paanësinë e shtetit, për respektimin e lirive fetare si në vende të tjera të Perëndimit (ku kihet parasysh kryesisht SHBA dhe Britania) na tregojnë për një diskurs të musliamënvë kosovarë që nuk kundërshtojnë “vlerat evropiane,” por në të kundërt kërkojnë respektimin e tyre. Është indikative dhe se personaliteti që muslimanët kosovarë ftuan të vizitojë kohët e fundit vendin e tyre ishte Tarik Ramadan, një profesor në Universitetin e Oxfordit i njohur si promovues i idesë së Islamit evropian.


Kosova ka një realitet të ri fetar që do të ketë ndikimet e veta edhe në ritjen e tensioneve mbi problematikat fetare. Por duket sikur Kosovës i mungon një strategji bashkohore dhe e balancuar që garanton liritë fetare teksa siguron ruajten e sekularizmit, respektimin e pakicave fetare dhe kohezionin shoqëror. Kosovës i duhet respektimi i principeve evropiane më shumë se sa përftimi i Look-ut evropian. Duhet kujtuar se nuk kanë qenë vetëm muslimanët ata që kanë komentuar përdorimin shtetror të simboleve katolike si Nënë Tereza si abuzues dhe në shkelje të principeve të sekularizmit.


Problemi fetar i Kosovës është në një masë të madhe rjedhojë e rikonfigurimeve globale të marëdhënieve të fesë me shoqërinë dhe shtetin, riformulimit të sekularizmit dhe një riafirmimi fetar në publik në rang global. Por është gjithashtu rjedhim i politikave të gabuara shtetrore dhe një klime të tensionuar artificialisht nga politikat identitare. Qeverisë së Kosovës i duhet të formulojë një politikë të qartë dhe koherente mbi bashkësitë fetare të cilat kanë si prioritet respektimin e principeve të deklaruara evropiane më shumë se sa të një makiazhi të përciptë evropian.


Botuar ne Revista Shenja, Shkup (1.9. 2011)

Nuk ka komente:

Posto një koment