e shtunë, 17 shtator 2011

Shqipëria, Palestina dhe Kosova

Arber Fetiu

Vitin që shkoi, politika e jashtme Kanadeze, krahas sprovave të ndryshme në agjendën e saj ndërkombëtare qe vendosur edhe para një testi të rëndësishëm për prestigjin dhe për vet politiken e jashtme kanadeze. Në Këshillin e Sigurimit, organin më të lartë të OKB-së, Kanadaja ishte vënë në garë karshi Gjermanisë dhe Portugalisë, për okupimin e njërës nga dy ulëset jo-permanente të Këshillit të Sigurimit, që do i jepte Kanadasë një eko më te rëndësishme për dy vitet që do vinin në këtë mekanizëm të diplomacisë ndërkombëtare. Parashikimi sillte në horizont Gjermaninë si fituese të pakontestueshme të njërës nga ulëset, ndërkaq ulësja e mbetur oshilonte mes Kanadasë dhe Portugalisë, shtet ky ndër më të varfrit në Bashkimin Evropian. Trofea u humb ! Kanadaja humbi ulësen jo-permanente në Këshillin e Sigurimit dhe kjo lojë për Kanadanë u shëndrrua në njërën nga disfatat më të turpshme të historisë se sajë diplomatike.


Nga shkaqet themelore, në mos shkaku kryesor, i disfatës diplomatike të këtij super-shteti, i kësaj Eunomi-e të politikes ndërkombëtare, nga analistët e politikes së jashtme kanadeze, pothuajse unanimisht u konsiderua qëndrimi i qeverisë konservatore vis-a-vis Izraelit në dy mandatet e saja ne dekadën e fundit, si dhe averzioni karshi çështjes së Palestinës. Qeveria konservatore e Stephen Harper-it konsiderohet si një nga qeveritë me pro-izraelite e pro-zioniste në historinë e Kanadasë. Ishte pikërisht vota e shteteve arabe, ajo e cila e uli prestigjin e Kanadasë duke i lënë kështu ulësen dyvjeçare Portugalisë.

….

Ditët që vijnë, Palestina do të propozoj pranë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së rezolutën e do shkoj kah krijimi i shtetit të Palestinës, projekt ky i cili dikur kishte marrë edhe miratimin e vet Izraelit, i cili sot e refuzon atë kategorikisht. Izraeli, ka disa muaj që ka ndjekur njërën nga fushatat më të rëndësishme diplomatike ndërkombëtare të lobimit për votimin (refuzimin) e Rezolutës. Në fund të qershorit të këtij viti, Ministri i Jashtem izraelit Lieberman erdhi edhe në Shqipëri, për të kërkuar votën e Shqipërisë për favorin e Izraelit. Vota në të cilën do ketë zë edhe Shqipëria, nga disa analistë u konsiderua si një votë tepër e rëndësishme për relacionet Shqipëri-Izrael , por edhe Shqipëri-SHBA, duke qenë se pozita e SHBA-ve përkon me atë të Izraelit në këtë çështje. Por cili vallë do duhej të ishte pozicionimi i Shqipërisë karshi Rezolutës mbi Palestinën dhe cili do të ishte impakti i kësaj vote në procesin e njohjës së Kosovës ?

Kosova, ka qenë dhe është njëra nder prioritetet e politikes së jashtme të Shqipërisë dhe njohja e Kosovës si shtet sovran nga shtetet të cilat këtë nuk e kanë bërë ende ka një rendësi të madhe për Kosovën. Njohja e sovranitetit të shtetit te Kosovës nga Izraeli dhe nga blloku i shteteve arabe e myslimane është konsideruar dhe konsiderohet si një përpjekje e rëndësishme e Kosovës dhe Shqipërisë.

……

Shtetet arabe e myslimane, edhe pse ende të ndrydhura nën trysninë e regjimeve autokratike apo nëpër demokraci autoritative, kanë vazhduar të jenë tepër të ndjeshme karshi çështjes së Palestinës si një “problem arab” apo edhe si një “problem mysliman”. Politikat e jashtme të këtyre shteteve, edhe pse të vobekta, kanë pasur për barometër themelor vet çështjen e Palestinës dhe dialektika e shteteve të tjera karshi çështjes së Palestinës, shpesh pa pasur dhe do të ketë një rol të rëndësishëm në determinimin e politikave të jashtme të këtyre shteteve (si në rastin e Kanadasë).

Në vazhdën e lëvizjeve revolucionare të “pranverës arabe” , ku ndërrimi i regjimeve ka ndër protagonistët kryesorë lëvizjet Islamiste (Vllezëria Myslimane në Egjipt, Siri dhe Libi, an-Nahda në Tunizi), pritet që Palestina të ketë rëndësi edhe më të madhe dhe të jetë bosht për politikat e jashtme të këtyre shteteve në tranzicion. Kjo është mëse e qartë kur konsiderohet doza “religjioze” që ngërthen në vete problemi i Palestinës dhe rëndësia e saj politike dhe fetare nëpër caqet e islamistëve. Për më shumë, islamistët e vendeve arabe, të cilët diku priten të marrin pushtetin kah fundi i këtij viti, për model kryesor kanë Turqinë, e cila në politikat e saj karshi Izraelit është shquar për pozitën pro-palestineze dhe ku politikat e Davutogulos vis-à-vis konfliktit izraelo-palestinez kanë ngjallur një intensitet të ri në relacionet e Turqisë me këto shtete.

Në një kontekst të tillë të realpolitikës, në momentet kur caqet kryesore në shtetet arabe të “revolucionuara” tashme kanë shprehur dëshirën dhe gatishmërinë e tyre për të njohur Shtetin e Kosovës si shtet sovran, çështja e votimit të Palestinës mund të ketë rol determinues në vazhdimësinë e njohjeve të Kosovës nga shtetet e tranzituara (Egjipti, Tunizia, Libia…) si dhe nga ato shtete te cilat janë ende nën regjime autokrate por për të cilat çështja e Palestinës vazhdon të jetë shtyllë kurrizore e politikes së tyre të jashtme.

Shqipëria, ka një rast të mrekullueshëm që me votën e saj pro Rezolutës, të fitoj një kartë të rëndësishme e cila mund të ketë një rol tepër të rëndësishëm dhe esencial në konfigurimin dhe përshpejtimin e njohjes së shtetit sovran të Kosovës nga shumësia e shteteve arabe-myslimane dhe të ofroj edhe më shumë Kosovën kah konsolidimi i saj në strukturat ndërkombëtare. Ndërkaq, vota për refuzimin e Rezolutës apo edhe abstenimi, përveç se do të ngërthej një dozë të madhe hipokrizie (konsideruar paralelja mes Kosovës dhe Palestinës), ajo do mund të ketë për konsekuencë ngadalësimin e madje edhe armiqësimin politik te shteteve arabe e myslimane karshi çështjes se Kosovës (sidomos pasi që Serbia e Tadic-it i ka shprehur Abbas-it se do të njoh shtetin e Palestinës). Përveç kësaj, një qëndrim i tille i Shqipërisë do mund të metamorfozojë edhe qëndrimin e atyre shteteve të cilat tashmë kanë shprehur se do të njohin Kosovën, si Egjipti dhe Libia. Dëshmia se Shqipëria ka kundërshtuar apo abstenuar Rezolutën e propozuar, do e vente atë në kampin pro-izraelit minoritar, i cili pritet të rrezohet vetëm me ndihmën e veto-së së SHBA-ve, dhe kështu sikurse Kanadaja, Shqipëria do te ballafaqohet me disfatën e saj në politikën e saj për njohjet e shtetit të Kosovës e poashtu edhe lidhjet e saja me shtetet arabe e myslimane do përjetojnë regresion. Krahas rëndësisë që do të ketë kjo kartë për përfitime nga blloku i shteteve arabe e myslimane, Shqipëria, me votimin pro Rezolutës njëherit do të siguroj automatikisht edhe një potencial të veçantë për njohjen e Kosovës nga shteti i ri i Palestinës, nëse Rezoluta kalon.

Kjo do të behej me një shkëmbim të vogël dhe modest. Relacionet e Izraelit me Shqipërinë, nuk do të jenë peng i votës pro-rezolutë të Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme, aq sa kjo do të mund të çorientonte maradhënjet bilaterale mes Izraelit dhe Anglisë, apo Izraelit dhe Francës, të dyja këto shtete të cilat pritet të votojnë pro Rezolutës. Përveç kësaj, Shqipëria është shteti i vetëm në botë ku popullata hebreje gjatë luftës së dytë botërore është pothuajse dhjetëfishuar, dhe kjo është motiv i mjaftueshëm për te ardhmen e maradhenjeve shqiptaro-izraelite, edhe pse kjo s’ka qenë motiv i mjaftueshëm për Izraelin që ta njohë pavarësimin e Kosovës. Shkëmbimi do të jetë pikërisht karshi çështjes së Kosovës: Izraeli do të vazhdoj edhe më tutje të jetë “i suspenduar” karshi çështjes së njohjes së Kosovës (Lieberman gjatë vizitës së tij në Shqipëri pati kushtëzuar njohjen e Kosovës nga Izraeli me momentin kur ajo do të njihet nga Greqia dhe Spanja), dhe nëse Kosova do fitoj njohjet e të gjitha shteteve arabo-muslimane, atëherë shumësia e njohjeve do t’i imponoj edhe Izraelit njohjen tacite apo eksplicite të Kosovës si shtet sovran. Në anën tjetër, as relacionet e Shqipërisë me SHBA-të nuk do të mund të pësojnë metamorfozë te çfarëdoshme e aq me pak qëndrimi i tyre karshi Kosovës. Përkundër shteteve arabe e myslimane, politika e jashtme e SHBA-ve nuk konfigurohet në varësi me politikat që shtetet kanë karshi çështjes së Palestinës. Politikat pro-izraelite të SHBA-ve, nuk kanë pothuajse asnjë impakt në maradhenjet bilaterale që SHBA-të kanë me shtete të tjera, çofshin këto skajshmërisht pro-palestineze si psh Turqia. Perkundrazi, edhe pse Turqia shfaq dukshëm mbështetjen e saj për një shtet palestinez, SHBA-të vazhdojnë ta konsiderojnë atë si aleatin kryesor në politikën rajonale. Politikat pro-izraelite të SHBA-ve janë kryesisht politika qe kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me konfliktin dhe me raportet e SHBA-ve me të dyja entitetet (Izraelin dhe Palestinën).



Ky është një moment mjaft i rëndësishëm për politikën e jashtme shqiptare, ku duhet vepruar me pragmatizëm dhe matur matematikisht. Shikuar kështu, interesi i Shqipërisë do të ishte më i dobishëm sikur shteti Shqiptar të radhitej krah për krah me Francën, Anglinë dhe kështu të hapte rrugët për njohje të reja të Kosovës dhe për integrimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare.

Nuk ka komente:

Posto një koment