e enjte, 1 shtator 2011

Cfarë na mëson lirimi i Artan Kristos?


Besnik Sinani*

Shtypi ditor njoftoi se festa e Bajramit në Shqipëri gjeti të lirë Artan Kriston (alias Muhamed Abdullah el Albani) veprimatarin musliman të dënuar në dhjetor të 2010 me pesë vjet heqje lirie nën akuzën “thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave penale për qëllime terroriste.” . Gjykata e apelit të Durrësit ka rrëzuar si të papranueshme akuzat e ngritura nga prokuroria. Në një shkrim të botuar në gazetën Shekulli me datë 18 Nëndor 2009, me titull “Xhihadi i pamundur i Artan Kristos,” kam ngritur pikërisht pretendimin se në bazë të kumtesës së Kristos të postuar në Youtube dhe qëndrimeve të tjera të postuara në internet, të sjella nga prokuroria si provë e fajësisë së Kristos, akuza ndaj tij nuk qëndron. Kam shkruar se për të kuptuar çfarë Kristo thotë, mesazhi i tij duhet vendosur në kontekstin e debateve fetare bashkohore rreth xhihadit si dhe referencave të klerikëve që ai përmend.


Tek i njëjti artikull kam shkruar se për ideologët që mbështesin metodologjitë e Al Kaidas, ata muslimanë që predikojnë qëndrime si ato të Kristos, “përbëjnë oportunistë, të cilët në fakt dëmtojnë kauzën e Islamit duke induktuar pasivitet tek pasuesit e tyre, dhe duke i drejtuar ata të shohin thelbin e problemit jo tek Amerika dhe qeveritë e Lindjes së Mesme, ku e sheh Al Kaida, por tek imtësitë e ritualit apo tek debatet teologjike, të cilat kanë shekuj që myslimanët nuk i zgjidhin.” Në një tjetër shkrim të postuar në një blog, kam propozuar se, “për te kuptuar këto debate, do sugjeroja punën studimore mbi mendimin e ideologëve të Al Kaidas, kryer nga studiuesi hollandez Joas Wagemaker dhe studiusi pranë Akademisë Norvegjeze të Mbrojtjes, Brynjar Lya. Puna e këtyre dy studiuesve, ndër te tjerë, sqaron se pse grupe si Al Kaida shohin tek imamet selefi si … Kristo, një nga pengesat kryesore të aktivitetit të tyre. Prandaj ideologët e Al Kaidas i kanë quajtur oponentët e tyre selefi "doktrinarë shkatërrimtarë," për shkak të obsesionit të tyre mbi çështje të doktrinës që i largon nga aktivizmi politik…


Kam sugjeruar gjithashtu në artikullin e parë që gjykata duhet të konsultohet detyrimisht me studiues dhe njohës të trendeve bashkohore të mendimit islamist. Një sërë vendesh në Evropë, veçanërisht Hollanda, Norvegjia e Franca për shkak të tensioneve që vinë nga lëvizje xhihadiste, kanë prodhuar studiues të mirëfilltë të këtyre fenomenve. Në një deklaratë të 41 imamëve shqiptarë të botuar po atë ditë në faqet e gazetës Shekulli thuhet se, “ i bëjmë thirrje organeve përkatëse, të studiojnë me ndihmën e ekspertëve, nuancat dhe terminologjinë e përdorur për rastin në fjalë, të akuzës për nxitje të akteve terroriste dhe të tregojnë përgjegjësi legale dhe qytetare në procedimin e tij.


Me sa kam mundur të ndjek, gjykata nuk u konsultua asnjëherë me ndonjë specialist, praktikë e njohur kjo në raste të ngjashme në vende të Perëndimit. Mbrojtja e Kristos në gjyq u postua në Youtube dhe gjykatësi duket të refuzojë dhe të dëgjojë shpjegimet e termave dhe koncepteve fetare që kërkon të shpjegojë Kristo, edhe pse i tërë gjyqi ngrihej mbi këto terma e koncepte.

Në dekadat e fundit në rrafsh global kemi qenë dëshmitarë të rritjes së retorikave fetare në shërbim të politikave identitare dhe ashpërsimit të tyre. Gjithashtu, realitetet sociale në Lindjen e Mesme që sollën shpërthimin e pranverës arabe, manipulimi i zellit fetar gjatë konfliktit të superfuqive gjatë Luftës së Ftohtë dhe pakënaqësitë nga politika të vërteta apo të supozuara të Perëndimit në Lindjen e Mesme kanë sjellë rritjen e radikalizmit të një pjese të retorikës fetare muslimane. Transportimi i ideve dhe trendeve si pasojë e proceseve të globalizmit do sjellë që në forma e në kohë të ndryshme, si gati çdo shoqëri në botë, të përballemi me sfida të reja me të cilat shpesh dhe nuk jemi të familjarizuar.


Praktika e vendeve në Perëndimit na mëson se qeveri, organe të rendit, gjykata, dhe ente të shërbimeve sociale konsultohen me specialistë të mirëfilltë për të siguruar që kuptojnë natyrën e problemeve të reja me të cilat përballen, që të sigurojnë përmbushjen e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve. Rasti i Kristos na tregon se përdorimi i një retorike fetare që na vret veshët, retorikë kjo e kritikuar dhe nga vetë kolegët fetarë të Kristos, nuk është detyrimisht ligjërisht e dënueshme. Ndërtimi i shtetit të së drejtës kërkon që të drejtat ligjore të respektohen edhe për ata qëndrimet e të cilëve nuk na pëlqejnë. Me këtë rast, vendimi i Gjykatës së Apelit të Durrësit duhet përshëndetur për vënien në vend të drejtësisë.


*Autori ka një M.A. në studime të Lindjes së Mesme nga Unversiteti i New Yorkut me fokus në trendet e Islamit bashkohor.

3 komente:

  1. Duet ta pershendesim Gjykaten e Apelit dhe Allahu ja shperbleft ka mar nje vendim te drej nuk mund te quajm terroris nje njeri qe as ka vra dhe as ka pre njeri te quash terroris nje mesues te fes dhe ta burgosesh pa faj po bab Saliut dhe Fatmir mediut qe vran e shkaterruan cfar emri do i vejm si mund ti quajm, terrorista e kalu terroristave t ka mar nje vendim te drej nuk mund te quajm terroris nje njeri qe as ka vra dhe as ka pre njeri te quash terroris nje mesues te fes dhe ta burgosesh pa faj po bab Saliut dhe Fatmir mediut qe vran e shkaterruan cfar emri do i vejm si mund ti quajm, terrorista e kalu terroristave .

    PërgjigjuFshije
  2. I nderuar anonim. Vertete, sic thuhet dhe ne kete shkrim, ne besojme se Artan Kristo ishte i pafajshem per cfare ishte akuzuar, por kjo nuk e liron ate nga pergjegjsia morale. Gjuha e tij kontraversiale, e tille qe sic thote artikulli ka nevoje per shpjegim por qe pa dyshim eshte e renduar sjelle tensione ne shoqeri dhe pasoja e presione ne bashkesine ne te cilen ai ben pjese. Ai eshte treguar i papergjegjshem si predikues fetar. A meriton burgun per kete? Jo. Por ai meriton mbajtje qendrim nga muslimanet e tjere.

    PërgjigjuFshije
  3. ...rasti i Kristos deshmon me se miri se si e manipulojne drejtesine shqiptare influencat e huaja...politika shqiptare shpesh ben kurbane me qenie njerezore per nder te zotave nderkombetare...kjo eshte tragjikomedia alla shqiptare...

    PërgjigjuFshije