e martë, 6 shtator 2011

Kryqtari norvegjez qenkësh larë në të njëjtin ujë me Bushin...


Taha Këvanç

Nëse terrori që mori shpirtrat e 76 njerëzve në Norvegji kalohet nëpër gazeta me germa të vogla, nuk habitem aspak... Avokati mbrojtës i terroristit deklaroi se do të mbështetej në mëtimin se klienti ishte me “të meta mendore”; gjoja qenkësh i paaftë mendërisht... Kryeministri norvegjez i mbylli këto defterë me premtimin për “më shumë demokraci, më shumë transparencë”...


U organizuan ceremonitë e varrimit dhe me kaq u krye gjithçka. Qeveria nuk do të nxjerrë ligje të reja për të kufizuar të drejtat me avazin e “luftës kundër terrorizmit”; policia norvegjeze, që sipas traditës, nuk mban armë, edhe pse ndodhi kjo ngjarje, nuk ka asnjë qëllim që ta prishë këtë traditë...

Sikur pas sulmeve të 11 shtatorit (2001) edhe SHBA-të të kishin ruajtur këtë gjakftohtësi që po ruan Norvegjia! Xhorxh V. Bushi, teksa mprehu shpatën për të çliruar botën, zgjodhi të përdorte këtë pretekst për të kufizuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve të vet. Kjo zgjedhje e SHBA-ve kushtoi jetën e mbi pesëmijë ushtarëve amerikanë dhe trilionë dollarë dëme ekonomike.

Norvegjia nuk ra në të njëjtin kurth...

Mos vallë nuk ra në këtë kurth pasi u konstatua ndonjë lidhje mes ngjarjes së terrorit që përjetuan në vendin e tyre dhe atyre tipave që s’u bën syri dritë e që cilësohen së fundi rëndom me nofkën e neo-të çmendurve?

Vëreni me kujdes reagimet që në ditën e parë që ndodhi ngjarja: kur kryqtari norvegjez kreu sulmin me bombë ndaj ndërtesave publike në Oslo, prej “ekspertëve” që mbështeten në opinionet e kanaleve televizive që bëjnë transmetime ndërkombëtare, ngjarja u cilësua menjëherë si “11 Shtatori i Norvegjisë” dhe përgjegjësia iu ngarkua Al-Kajdas...

Pastaj ndodhi që kur u mësua më shumë mbi kryqtarin norvegjez që hapi zjarr ndaj të rinjve në moshë fëmijërore, të njëjtët opinionistë kësaj radhe nisën të shpreheshin me cilësime të tjera. I thanë “djathtist”, i thanë “nacionalist”, i thanë “fanatik i krishterë”, i thanë “neonazist”, së fundi i dhanë karar t’i thonë “i çmendur”...

Në fakt, autori i akteve në fjalë nuk përkon me asnjërin prej cilësimeve... Po, është e vërtetë se urren komunistët, por i urren vetëm sepse kanë devijuar prej komunizmit... Në “Manifestin” që ka botuar më herët, në disa raste, ai pohon: “Unë, në fakt, nuk jam ndonjë fetar i krishterë”... Kush e di në sa raste përshëndet Izraelin, ndërsa për palestinezët thotë se “duhen asgjësuar”. Një i tillë si mund të jetë “nazist”?

Dikush që paskësh qenë “nacionalist” apo “racist”, për të përçuar mesazhin e vet, si mund të ndodhte që të ngrihej e të vriste të rinj prej kombit e prej racës së vet?

E pra, shihet se këtu ka një gabim…

Gabimi është në identifikim: cilësimet që i bëhen, nuk i shkojnë aspak kalorësit tempullar norvegjez që shkaktoi humbjen e jetës së 76 njerëzve... as cilësimi “djathtist”, as cilësimi “nacionalist”, as cilësimi “fanatik i krishterë” e madje as cilësimi “neonazist”...

Disa mendjendritur u përpoqën të gjejnë ngjashmëri edhe mes aktorëve të 11 shtatorit dhe kryqtarit norvegjez. Në të vërtetë, s’ka kurrfarë lidhjeje. Nga “Manifesti” mësojmë se vetëm gjashtë muaj pas 11 shtatorit është krijuar në Londër organizata “Kalorësit e Tempullit”, me qëllimin për të nisur Kryqëzatën e Re. Në “Manifest” tregohet se në organizatë bëjnë pjesë dy anglezë, një amerikan, një grek, një serb dhe anëtarë nga vende të tjera...

Veçanërisht atë amerikanin kam kureshtje ta di se kush është...

Dua ta njoh për këtë arsye: “Manifesti”, që i kapërcen 1500 faqet, është shkruar duke përdorur plot e plot burime... Autori, në fund të çdo kapitulli të punimit të tij, jep informacione se cilat burime ka shfrytëzuar. Duke vërejtur mes qindra burimeve, vërehet ajo pikë e përbashkët që i bashkon të gjitha: tekstet e përdorura si burime, autorët që kanë shkruar librat dhe shkrimet e përdorura, faqet e internetit nga të cilat janë cituar artikujt, thuajse të gjitha u përkasin neo-të çmendurve...

Kryqtari norvegjez u referohet dhjetëra mendimeve të Bernard Lewis-it, që njihet si mësuesi ideologjik i neo-të çmendurve... Emra si Daniel Pipes dhe Robert Spencer shfaqen thuajse në çdo dhjetë faqe... Bat Ye’or shfaqet shumë shpesh mes burimeve...

Duke shëtitur sytë nëpër “Manifest”, nëpër kapitujt e radhitur e nën të cilët janë shkruar këto emra, s’rri dot pa thënë me vete: “O Zot! Mos vallë raportet që iu paraqitën një herë e një kohë Bushit kanë rënë në dorë të këtij kalamanit?”...

Ata që, pas 11 shtatorit, i jepnin mend presidentit Bush duke i thënë se “zgjidhja e vetme është që të rrëzohen një nga një regjimet në Lindjen e Mesme, se ne kemi probleme edhe me sistemet e besimit të këtyre”, gjithmonë i sillnin atij opinionet e po këtyre autorëve. Dhe Bushi, që lexonte të tilla raporte, një ditë doli e lëshoi si pa dashje një fjalë që mbartte kuptimin: “Po nisim Kryqëzatën.”

Norvegjezi, që qysh në moshën 21-22 vjeçare ka marrë pjesë në mbledhjen e Kalorësve Tempullarë në Londër, duket se ka pësuar një lavazh të ngjashëm truri. Mësuesit “neo-të çmendur” i paskëshin larë trurin çilimiut...

Duket se e vërteta që synohet të mbulohet e të fshihet është kjo: kryqtari që sulmoi ndërtesat publike në Norvegji dhe që më pas hapi zjarr mbi të rinjtë pjesëmarrës në kamp, në fakt, nuk është “i djathtë” apo “nacionalist”, madje as “neonazist”; ai është një individ që ka rënë drejtpërdrejt nën ndikimin e të ashtuquajturve “neo-cons” dhe që vepron në një linjë me ta...

Sikurse neo-të çmendurit, edhe ai e sheh Islamin si kërcënim për botën. Neo-të çmendurit e shihnin Turqinë si një “hasëm” që duhet hequr zvarrë me thes në kokë. Edhe kryqtari i ri nuk e do Turqinë... Edhe kryqtari i ri ushqen miqësi me Izraelin, armiqësi me arabët...

Të mbetet mes nesh, këtë të vërtetë ta dini vetëm ju…


E Përktheu Edvin Cami

http://www.zaman.com.tr/yazar.do?yazarno=1188

2 komente:

  1. Them se "e djathta ekstreme" nuk qëndron si "label" për këtë link. Autori pikërisht këtë shpjegon: "Norvegjezi s'është as i djathtë, as nacionalist, as racist. Vërtet i urren komunistët, por për arsye se kanë devijuar prej komunizmit." Aq më tepër që "neo-cons" quhen herë "të majtë" e herë "konservatorë" dhe kanë dalë prej demokratëve amerikanë; në fakt, s'janë as të majtë e as konservatorë. Janë "përtej së majtës e së djathtës". ;) :)

    PërgjigjuFshije
  2. Jo tamam. Eshte e vertete qe neocon-et e kane origjinen ne majtizem, me sakte ne trockizmin e nje grupi hebrenjsh studente ne City College ne vitet 20-30, qendruan ne partine demokratike gjer nga vitet '60 por qe nga '70 e tutje jane qartazi pjese e te djathtes. Nder ideologet me te rendesishem te se djathtes se sotme amerikane jane femije fo vetem shpirteror por edhe biologjike te atyre qe themeluan levizjen. Bill Kristol, Podhoretz et al jane nder ideologet kryesore te djathte sot. Ok, e djathta eshte diverse e komplekse dhe Ron Paul, per shembull eshte libertar qe eshte shume larg neoconeve. Por te thuash qe neo-conet nuk jane te djathte eshte ti lejosh vetes partizanizem ideologjik me shume nga sa eshte e shendetshme.

    PërgjigjuFshije