e mërkurë, 27 korrik 2011

Kundër Propagandës Terroriste Në Median Shqiptare.

Forumi E-Zani i Naltë

Legjislacionet kundër nxitjes apo përligjies së dhunës në shoqëritë demokratike tregojnë se ka kufinjë të domosdoshëm që kushtëzojnë lirinë e fjalës dhe të shtypit. Këto ligje që synojnë mbrojtjen e shoqërisë, humbasin çdo kuptim kur në vendin tonë agjitatorë të urrejtjes dhe të dhunës si Kastriot Myftaraj dhe gazeta SOT botojnë të tilla manifeste:

“Atentatet e 22 korrikut të këtij viti në Norvegji, janë simptomë e shqetësimit të pjesës së përgjegjshme të shoqërisë norvegjeze për shkak të rrezikut ndaj të cilit e kanë ekspozuar stoltenbergianët Norvegjinë. Stoltenbergianët, kolaboracionistët islamikë, janë ata që po i detyrojnë qytetarët normalë norvegjezë të shtresës së mesme, si Anders Behring Breivik, autori i atentatit në kampin rinor në Utoya, që të ndërmarrin veprime të dhunshme të dëshpëruara. Por Anders Behring Breivik nuk është një terrorist, por një antiterrorist. Kampi rinor në Utoya i Partisë Laburiste të Stoltenberg ishte një qendër e indoktrinimit të të rinjve norvegjezë me idetë disfatiste të multikulturalizmit dhe të tolerancës religjioze, me theks tolerancën ndaj Islamit. Prandaj, kampi rinor në Utoya ishte një kamp i përgatitjes së agjitatorëve dhe propagandistëve terroristë të cilët do të shpërndaheshin më pas për të manipuluar mendjet e norvegjezëve. Prandaj atentati ndaj kampit rinor në Utoya është një aksion antiterrorist. Edhe atentati ndaj selisë së qeverisë norvegjeze është i tillë, se Stoltenberg e ka shndërruar atë në një qendër të kolaboracionizmit me invadorët islamikë të Norvegjisë”.

K. Myftaraj vetëm pak javë më më parë në shkrimet e tij ka celebruar genocidin në Sebrenicë, ka bërë thirrje të hapura për dhunë kundër muslimanëve shqiptarë dhe po mbron haptas nazizmin, por në shoqërinë tonë këto nuk përbëjnë asnjë asnjë alarm. Në një kohë kur bota shpreh solidaritetin e vet me dhimbjen e popullit norvegjez, ky agjitator i urrejtjes nderon terroristin Breivik si hero, promovon aktin e tij si normal dhe të moralshëm, dhe quan ata të rinj që u vranë brutalisht - ndër të cilët dhe një vajzë shqiptare - si terroristë. Shkrimin e tij Myftaraj e përfundon duke përkujtuar se edhe në Shqipëri ka “kuislingë proislamikë”, të njëjtë në fajësi me viktimat norvegjeze:

“Stoltenbergianët, ose kolaboracionistët e islamikëve ekzistojnë edhe në Shqipëri, dhe ata janë jo vetëm shqiptarë, të cilët deklarojnë se janë ateistë dhe laikë, por që postulojnë tolerancën ndaj Islamit, duke i ndarë muslimanët praktikues në radikalë dhe të moderuar”.


Tragjedia e Oslos dëshmon për lidhjen e drejtëpërdrejtë të kësaj lloj propagande ekstremiste dhe dhunës e terrorizmit të Breivik. Marc Sageman, një ish-funksionar i CIA-s dhe konsulent për terrorizmin, citohet nga gazeta The New York Times me datë 25 korrik të thoshte për autorët dhe literaturën e urrejtjes që ka frymëzuar Breivik, se “ata dhe shkrimet e tyre janë infrastruktura prej nga doli Breivik. Kjo retorikë nuk është pa koston e vet.”

Terroristi Breivik në manifestin e tij kërkon dhe ndarjen e Shqipërisë dhe deportimin e muslimanëve shqiptarë, e raportuar kjo në disa media shqiptare. Nderimi si hero i Breivik nga K. Myftaraj është dhe mbështetje e këtyre qëndrimeve shprehimisht antishqiptare. Faqet ekstremiste shqip në internet, si zakonisht, kanë riprodhuar edhe shkrimin e rradhës së Myftarajt, për një auditor më të gjerë ndjekësish.

Shteti shqiptar është përfshirë në luftën kundër terrorizmit dhe propaganda terroriste është pjesë e infrastrukturës së terrorizmit, prandaj organet përkatëse kanë obligimin të adresojnë ligjërisht këtë propagandë dhe mediat që i japin zë asaj. Gjithsesi, pavarësisht rrugës ligjore që mund të ndiqet, gazeta që ka botuar apologjinë e masakrës së Oslos, duhet thirrur të kërkojë publikisht falje dhe të sigurojë marrjen e masave të parandalimit të përhapjes së propagandës pro-terroriste.

Lavdërimi dhe përligjia publike në shtypin shqiptar e vrasjes së njerëve të pafajshëm, cilësimi i viktimave adoleshente të Oslos si terroristë, është një turp dhe sfidë për gjithë shoqërinë shqiptare. Heshtja ndaj këtij turpi na shëmton të gjithëve.

3 komente:

  1. Mendoj se nje si KM nuk meriton nje shkrim kaq elokuent. Nderkaq them se psikologet dhe psikiatret kane rastin e mire te shikojne sesi funksionon nje tru delirant dhe paranoiak dhe ta marrin si objekt studimi per studentet e deges perkatese. Por ka edhe njerez te tjere te medias, te cilet mendojne se KM eshte vetem nje kobure ne duart e te tjereve (pikerisht prej karakteristikave te mesiperme) e meqenese padronet e tij fshihen skutave, besoj se mund te injorohej fare ky si person.Qente qe lehin, nuk kafshojne, perndryshe lehin vetem atje ku hane. Ketij fare homo sapiens-i kushedi se cfare i genjen mendja.

    PërgjigjuFshije
  2. ka thene shume mire nje rob i Zotit ne nje koment ne FB nen kete artikull

    "vite me pare, kur shkonim ne stadium, kulmi i gezimit tone ishte kur ne grupin tone kishim nje cun lagje me kartele, edhe policise se asaj kohe mund ti gjuanim sepse cdo veprim do i vishej "atij me kartele". "

    Pra nuk eshte problemi te KM si person, por tek KM si teknike. Sikur te mos jene personazhe si KM, nuk mund te hidhen ne treg ide vrastare, se asnje person normal nuk e ve dot emrin poshte shkrimeve te KM. Por sigurisht qe askush nuk ka per te reaguar ndaj KM dhe gazetes SOT, pasi idete qe ai ka aty, jane pak a shume ajo qe nuk thone dot me ze te larte shume njerez ne Shqiperi. Ndiq pak reagimet neper faqe gazetash dhe shih cfare simpatie del per masakren e Oslos.Perqindja e komenteve pro masakres sigurisht nuk eshte e madhe, por eshte e konsiderueshme. Nuk ka nevoje per shume ekstremiste, edhe nje si ai i Oslos mjafton

    PërgjigjuFshije