e diel, 24 korrik 2011

Njerëzit që besojnë në Zot - kundër regjistrimit të Berishës.


E-Zani

Sulmi i fundit verbal i kryeministrit Berisha ndaj kundërshtarëve të regjistrimit të popullsisë mbi baza fetare dhe etnike krijon habinë e rastit me kryeministrin tonë. Regjistrimi i popullsisë ka vite që kërkohet ndër të tjera për të korrur të mbjellat e komunizmit që më së fundi elitat e kompleksuara të shpëtojnë nga stigma e të qenit pjesë e një populli me shumicë muslimane. Nëse komunizmi nuk e kish kryer këtë punë gjer në fund, kriminalizmi dhe demonizimi i identitetit musliman në vitet e tranzicionit, shantazhi kulturor e fetar dhe presioni ekonomik grek kanë synuar ta përmbushin këtë proces.


Por është e habitshme që z. kryeministër zgjedh t'i atakojë kundërshtarët e regjistrimit si “njerëz pa zot,” e pra si ateistë, pasi ndërkaq një sërë stacionesh televizive kanë transmetuar firmosjen e peticioneve në dyert e xhamive nga grupe të mëdha besimtarësh muslimanë, të sapodalë nga namazi i xhumasë, pasuar kjo me intervista imamësh që kanë mbështetur peticionin e Aleancës Kuq e Zi.

Qëndrimi ynë kundër regjistrimit është i motivuar, jo nga ndonjë pretendim i ruajtjes së ndonjë statusi maxhorance që nuk po na jep asnjë përfitim, por mbi të gjitha nga fakti se ai nuk mundet të përmbushë qëllimin e shprehur të regjistrimit të vullnetit të lirë fetar të popullsisë. Në të kundërt legjitimon fabrikimin e realiteteve etnike dhe fetare në Shqipëri, në dëm të interesave të popullit shqiptar.


Kjo prezencë muslimane midis shqiptarëve të tjerë, me fe e pa fe, midis atyre që kundërshtojnë këtë regjistrim, duket të mos i ketë shpëtuar as ministrit Pollo, i cili, sic mund të pritej, i quajti kundërshtarët e regjistrimit si “haxhiqamilistë.”


Kësisoj, në këtë Shqipërinë tonë ku nuk ka mundur të ketë asnjë regjistrim të vullnetit politik të popullit, pra zgjedhje, që të pranohen si të ndershme, ministri Pollo e kryeministri Berisha na thonë se do bëjnë regjistrim popullsie të saktë për të arritur standarte evropiane, pa adresuar asnjëherë faktin se pse shumë prej vendeve të Evropës nuk e shohin të nevojshëm po këtë lloj regjistrimi për vendet e tyre. Zotni Berishës do duhej t'i kërkohej të arrinte standartet evropiane me zgjedhjet që të mos na duhen muaj pritje deri sa të na dalë një kryetar bashkie, edhe ky nga zgjedhje të kontestuara. Në të kundërt, nëse z. Berisha beson në Zot, shumë mirë i themi, e ta mbajë këtë punë për vete, po mos marrë guximin e marrë për të na sqaruar fenë se nuk e kemi as myfti e as peshkop. Në këtë vend fenë njerëzia e di vetë e prandaj po kundërshtojmë këtë ndërmarje të pajustifikuar dhe të dëmshme të kësaj qeverie që kërkon të legjitimojë politikat e presionit grek në këtë vend.

1 koment:

  1. Bravo cuna, po kujdes pak kur i prekni Doktorin cave, se u erren syte e nuk dijne cfare thone pastaj. Argumento sa te duash ti, e harrojne dinin e imanin ca gjynahqare kur permendet Doktori. Nuk e di cfare ilacesh u ka dhene. Duhet me e provu nji here kete ilacin, se thone qe osht i omel.

    Po ca qe kane zbulu se fundmi anti-nacionalizmin? U harxhua nga leket fondacioni Sorros dhe Harameini deri sa ua mbushen mendjen se eshte gabim nacionalizmi. Tani flamurin e kombit le ta marrin ne dore fashistet dhe fondamentalistet katolike, se ne na u mbush mendja me ne fund se nacionalizmi eshte mashtrim. S'na e fut dot njeri

    PërgjigjuFshije