E. Mërtiri
Sprova e fundit e shkrimtarit Ismail Kadare ”Mosmarrëveshja”, ashtu si çdo gjë që del prej tij, po shoqërohet me një jehonë të gjatë në shtypin shqiptar, gjë që të ofron edhe mundësinë të kryesh matje sociologjike, duke përllogaritur zgjerimin e shtratit të elitave sunduese, por edhe nivelin e radikalitetit që gjenerojnë. Gjithashtu, është bërë normale që jehona e qendrimeve të Kadaresë, të sjellë një klimë të pashëndetshme për një debat të pjekur e të arsyeshëm, ashtu siç ndodh në çdo vend të qytetëruar, por më tepër, qendrimet e tij tërheqin pas vetes një klimë tensioni në debatin pulik, që prodhon akuza e kundërakuza me të cilat palët sulmojnë njëra-tjetrën. Në fakt, pas çdo shkrimi, qendrimi apo fjalimi të tillë “programatik” të Gjeneralit të letrave shqipe, ofrohen gjithmonë kritere të reja për kategorizimin e armiqve të kombit, gjë që turbullon debatin duke egërsuar gjithnjë e më shumë klimën e përjashtimit dhe linçimit publik ndaj një pjese të mirë të inteilgjencës. Prej këtej, dorë pas dore, rrethi i armiqve të kombit ka ardhur gjithmonë duke u zgjeruar, jo shumë për shkak të propagandës antikadareane, siç pretendojnë idhujtarët e tij, por më tepër për shkak të rritjes së radikalitetit të kritereve të vendosura prej vetë gjeneralit, të cilat kanë prirjen ta ngushtojnë gjithmonë e më shumë rrethin e atyre që meritojnë të përfshihen në drejtën e qytetarisë shqiptare.
Një shkrim i para disa ditëve në gazetën Shqip, i shkruar nga Artan Mullaj, fliste për jehonën e mendimeve të shprehura prej Kadaresë në veprën “Mosmarrëveshja”, e cila, sipas tij, përbën fillimin e vetëdijes (ende hezituese dhe modeste) të shkrimtarit mbi pozicionin e tij përballë kombit shqiptar. Sipas z. Mullaj, shprehur tekstualisht, Kadareja tashmë po bëhet miti i ri i shqiptarëve, pas Skënderbeut dhe Nënë Terezës, duke u bërë për shqiptarët, ashtu siç është Eskili dhe Aleksandri i Madh për grekët, si dhe ashtu siç është Shekspiri dhe Robin Hud-i për anglezët, por bashkombasit tanë nuk do ta kuptojnë këtë vetëm pasi bota ta tregojë. Ja se si shprehet autori:
“Duke qenë i treti në radhë, ai ndodhet sot pranë mitit të Skënderbeut, për shkak të madhështisë, dhe afër shenjtërisë së murgeshës, për shkak të krenarisë që si shkrimtar planetar, ju frymëzon shqiptarëve. I pezmatuar, i sinqertë, i vetmuar si gjithmonë në madhështinë e vet, i gjendur në mes, Kadare nxiton drejt krijimit modest të një përfaqësimi…
Dikujt mund t’i duket teprim ose guxim i shpifur kjo gjë dhe këmbëngulja në bindjen time se “Mosmarrëveshja” fsheh vetëdijen e të madhit që synon të shkojë drejt mitit për të mbrojtur madhështinë, pra rrjedhimisht vetë mitin e tij.
Ashtu si Skënderbeu, ashtu si Nënë Tereza, pasi ka kaluar kufijtë gjeografikë të Shqipërisë, është gati të kalojë barrierat e mprehta të historisë së saj. Për krenarinë e shqiptarëve, i gjendur mes të mëdhenjve, Dantes, Shekspirit apo Hygoit dhe shkrimtarëve të tjerë botërorë, në perceptimin shqiptar ai përfytyrohet si në një komunikim mbretërish, që shpirtërisht, por edhe djallëzisht, tinës vdekshmërisë së kësaj bote, kanë gjetur fijet e tyre, lidhjet, ngushëllimin pas dëshpërimit që ka qenë e pamundur të gjenin njëri-tjetrin në shekujt e tyre, në epokën e tyre, në gjuhën e tyre, në madhështinë e tyre…”
Në fakt, i gjithë ky delir, nuk do të mund të merrej ndryshe vetem se si një shaka, në raste normale, por ja që nuk është e tillë. Janë pa fund zërat në opinionin publik që artikulojnë një paranojë të tillë, duke u rrekur të ndërtojnë, ekspozojnë dhe imponojnë mitin e të tyre të ri. Në fakt, është vetë Kadareja që nuk lodhet së pozuari në këtë profil, duke u shprehur si të fliste nga Olimpi, gjë që obligon të gjithë banorët “tokësorë” të këtij vendi të binden me përulje.
Megjithatë, nuk është ky thelbi i këtij shkrimi. Ajo që përbën interes, përtej delirimeve të tilla, është pikërisht mesazhi që fshihet pas kësaj zbulese, parë nga mënyra sesi e lexojnë dishepujt më të flaktë. Sigurisht, këta të fundit janë ata që ofrojnë pamjen reale mënyrës së leximit të asaj që vetë Zeusi i kulturës shqiptare dëshiron të shprehë ndërmjet rrjeshtave, pasi janë ata që janë angazhuar në planin aplikativ për ti dhënë jetë projektit që paraqet teksti dhe nënteksti (sidomos nënteksti) i kësaj zbulese.
Patriotizmi i ri
Thënë me pak fjalë, z. Mullaj ka mundur të sintetizojë “Mosmarrëveshjen” e Kadaresë, në një sprovë për të ofruar formulimin e një “patriotizmi të ri”, një “patriotizëm i natyrshëm”, i ndryshëm nga nacionalizmi, me të cilin e akuzojnë herë pas here shkrimtarin e madh, duke u përpjekur ti mveshin nota shovinizmi. Sipas tij, ky patriotizëm i ri, përmbledh përpjekjen për të kthjelluar kombin shqiptar në dyzimin e tij midis lindjes dhe perëndimit, për ta bërë atë të zgjedhë përfundimisht perëndimin, si të vetmen rrugë të tij. Pra sipas këtij botkuptimi, patriotizmi sot përbën përpjekjen e çdo shqiptari për të qëruar në çdo qelizë të identitetit kombëtar, çdo element kulturor oriental, duke përforcuar gjithçka që na bën të dukemi më perëndimorë. Sipas tij, Kadareja përpiqet të na bëjë të vetëdijshëm për atë që mund të quhet ndërgjegje e trazuar e shqiptarëve midis civilizimit perëndimor, i cili përbën edhe “idealin e hershëm të Skënderbeut” dhe tundimit të lindjes osmane, i mbështetur prej “pushtetit të mentaliteteve, nostalgjive dhe energjive negative” të trashëguara.
Patriotizmi, kthehet kështu në një sfidë për transformime të mëdha, të cilat kërkojnë kthjellimin e shoqërisë për të identifikuar e ndarë atë çfarë është perëndimore në kulturën e tyre, prej asaj që është lindore. Sfida madhore e këtij patriotizmi të ri është pra sfida për të çrrënjosur gjithçka joperëndimore brenda kutlurës sonë, për ta flakur tej atë si mbeturinë të kohës së errësirës barbare orientale. Sipas këtij botkuptimi, kjo është rruga drejt qytetërimit, e cila nuk shkon nëpërmjet ndarjes së vlerave nga antivlerat, por nëpërmjet pozicionimit në njërin prej kampeve antagoniste në përplasjen e madhe globale të qytetërimeve, ku në fakt, vetëm njëri mund të konsiderohet qytetërim, tjetri mbetet të jetë antiqytetërim.
Sigurisht, ky mentalitet nuk e shtron çështjen në rangun e diskutimit midis vlerave, pasi, sipas një logjike orientaliste, vlerat janë vetëm në perëndim, ndërsa antivlerat, në lindje. Për këtë arsye, seleksionimin e vlerave e bëjmë thjesht duke përzgjedhur perëndimin përballë lindjes. Në fakt, kjo logjikë nuk është gjë tjetër vetëm se vijimsi e të menduarit totalitar. Sipas ligjërimit të dikurshëm të partisë në pushtet, vlerat gjendeshin vetëm në shoqëritë komuniste dhe gjithçka që vinte nga vendet borgjeze, revizioniste i përkiste dekadencës së shoqërive të tyre. Kjo logjikë vijon të përforcojë dialektikën e kësaj klase intelektuale, të mësuar të funksionojë vetëm duke identifikuar armiq, gjë që mbi të gjitha, është shumë larg Europës së vërtetë që pretendojmë se aspirojmë, duke zgjedhur pjesën më të paemancipuar të inteligjencës perëndimore, atë raciste dhe ksenofobe.
Miti kundër shkencës
Në vijim të kësaj, artikulli përpiqet të mbrojë Kadarenë në qendrimet e tij ndaj miteve. Sipas tij, ndjeshmëria për kultet, mitet, heronjtë legjendarë, kujtesa, historia, përbëjnë ato që supozohen të jenë “kode sigurie” për një komb. “Sa më pak lavdi, sa më pak simbole, legjenda, sa më pak histori, sa më pak heronj, sa më pak mite, aq më i brishtë, aq më i vrazhdë, aq pa imunitet, aq më i sertë, aq më i rrezikuar është një komb, e ardhmja e tij”. Për këtë arsye, ato që Kadareja i quan “sulme ndaj Skënderbeut”, duhet të vijnë domosdoshmërisht nga qarqe antishqiptare. Autori në fjalë, e konsideron “Mosmarrëveshjen” e Kadaresë si një përpjekje patriotike për “të betonuar mitin e Skënderbeut”, si një mbrojtje kjo nga sulmet antishqiptare të “rimohuesve”.
Pra, ndryshe nga, ç’jemi mësuar të dëgjojmë për vlerat e mendimit perëndimor, të cilat glorifikojnë mendimin kritik dhe sidomos superioritetin e mendimit shkencor ndaj çdo forme tjetër mendimi, për Kadarenë dhe apostujt e tij, themelet e shoqërisë qenkan të tjera. Shoqëria qëndroka doemos mbi mite, legjenda, kulte, të tilla, të cilat duhet të jenë të paprekshme, të shenjta, të padiskutueshme. Kjo do të thotë se sipas kësaj është i domosdoshëm pak iluzion për të konsoliduar një komb dhe se armiku kryesor i këtij “patriotizmit të ri” është patjetër rancionaliteti. Rrjedhimisht, qasjet shkencore dhe jo mitologjike ndaj figurës së Skënderbeut, nuk janë gjë tjetër vetëm se “sulme antishqiptare” ndaj figurës së heroit, të cilin ky patriotizëm ka për qëllim ta “betonojë”. Pra shkenca, objektiviteti dhe asnjanësia shkencore, është armik i këtij kombi, për sa kohë është armik i projektit të “patriotizmit të ri të natyrshëm” të propozuar në tekstin dhe nëntekstin e Mosmarrëveshjes.
Në fatk, do të ishte e pranueshme të shihnim një qendrim antiracionalist, nëse gjykimet kadareane do të ngriheshin mbi paradigma tradicionaliste, antimoderniste apo konservatore. Por duke parë se, projekti i tyre është krejtësisht diçka tjetër, krejtësisht liberal dhe modernist, e gjithë kjo mbart një kundërthënie të madhe, mbi të cilën ndërtohet e gjithë ideologjia e këtij “patriotizmi të ri”.
Nga e gjithë kjo mund të themi se historia, për të cilën flitet këtu, nuk është gjë tjetër vetëm se historicizëm me të cilin jemi mësuar gjatë diktaturës, një përpjekje për të gjetur apo prodhuar faktet të cilat mbrojnë përfundimin e vendosur paraprakisht nga ideologjia. Historia zhvishet kështu nga të qenit shkencë, për tu kthyer në një instrument politik, për tu shndërruar në manifakturë mitesh që konstruktojnë ndërgjegjen e re kombëtare. Shkenca pra nuk orientohet prej fakteve dhe objektivitetit, por prej leverdisë dhe oportunizmit në funksion të atyre që ne i konsiderojmë si “aspirata kombëtare”, të cilat në fakt, përbëjnë aksiomat e ideologjisë sonë kombëtare. Gjithçka që nuk i shërben këtyre aspiratave është armiqësore, antikombëtare. E gjithë kjo vjen ngaqë kadareanët quajnë kombëtar vetëm projektin e tyre. Përballë tij, nuk ka të drejtë të ekzistojë asnjë projekt tjetër për kombin.
Asgjësimi i pluralitetit
Së fundi, autori tërheq vëmendjen në një pikë të Mosmarrëveshjes, e cila ka të bëjë me përçarjen midis shqiptarëve. Sipas tij, kjo përçarje vjen prej ndikimit të forcave të errësirës, që synojnë të na tërheqin drejt “natës osmane”, përkundrejt atyre të qytetërimit, që synojnë të na shpiejnë përpara duke kuptuar vendin tonë në Evropë. Pra, dyzimi historik i shqiptarëve ngërthehet në mosmarrëveshjet midis asaj pjese të kësaj shoqërie që synon të na përafrojë me vendet e qytetëruar dhe atyre që, duke flirtuar me lindjen, synojnë të na mbajnë të mbërthyer në prangat e barbarisë 500 vjeçare. Kjo “përçarje gjenetike” e dëshmuar në historinë tonë, shfaqet si “një mallkim deri në ditët tona” dhe pikërisht eleminimi i saj, përbën edhe sfidën kryesore të shqiptarëve sot. Për këtë, autori citon nga Kadareja “vullnetin për të qendruar bashkë”, si një kusht themelor për shqiptarët.
Por, mënyra sesi Kadareja dhe të tjerët synojnë të realizojnë këtë vullnet për bashkëjetesë është gati genocidale. Kjo realizohet nëpërmjet eleminimit të tjetrit, atij që mendon ndryshe, atij që nuk është pastërtisht perëndimor, siç e kërkon ky projekt i patriotizmit të ri. Pra, përçarja eleminohet duke eleminuar kundërshtarët, duke homogjenizuar me dhunë shoqërinë, e aspak nëpërmjet dialogut e tolerancës. Projekti për Shqipërinë e sotme, është një projekt ku nuk ka vend për të tjerët, ata që nuk i përkasin formatit kulturor të krijuar nga ideologu i letrave, ndaj dhe politika për realizimin e këtij projekti është një politikë përjashtuese. Është pikërisht ky vizion, kjo politikë, e cila prodhon polaritet në këtë shoqëri, gjë që e bën atë kërcënimin më të madh për shoqërinë shqiptare. Duhet thënë se armiku më i madh kulturor i shqiptarëve sot, është mentaliteti monist që përpiqet me çdo kusht të eleminojë pluralitetin duke vendosur diktatin e vet kulturor, si “e vetmja rrugë”.
bravo Ergys, ja ke thy brinjet ketij Mullajt dhe Kadarese bashke.
PërgjigjuFshijeKritika ime e vetme per kete artikull eshte se meret me mendimet e autorit te nje artikulli per librin e Kadarese ne vend qe te meret drejteperdrejte me librin e Kadarese. Sigurisht menyra se si i eshte bere jehone librit eshte e rendesishme, por marja me leximet e librit nga te ngazellyer si zoteria ne fjale nuk jane tregues detyrimisht te ideve te librit qe per vete meriton goxha kritike si nje liber ksenofob e racist.
PërgjigjuFshijeAnonimi i Pare:
PërgjigjuFshijeNa vrave komplet me ate punen e brinjeve dmth na dhembin brinjet nga gazi me faktin qe ende kritika cilesohet si 'thyerje brinjesh'. Meqe je anonim e nuk fyhesh, kujdes me metafora fashiste si keto, se vetem veten demton
Anonimi i Dyte:
Edhe une si anonim i trete e vura re faktin qe artikullshkruesi merret me shume me nje recense tendencioze te Kadarese sesa me Kadarene, po nga ana tjeter, fokusi i artikullit eshte hyjnizimi i Kadarese si "rruga e vetme"; kete hyjnizim e bejne dishepuj si Mullai me shoke, dhe ata jane Kadareja me shme se ky vete
Po, perderisa Kadareja i jep vetes te drejte te shpalle armiq e rimohues kombetare, duke synuar te zgjodje ndergjegjen e gjithe kombit perballe tyre, nga ana tjeter, per sa kohe Kadareja flet ne menyre urdherore, duke shpallur armik kedo qe nuk eshte dekort me te e qe nuk mendon si ai, natyrisht qe Kadareja flet ne profilin qe promovojne dishepujt e tij. Pra, sic thuhet ne shkrim, "flet nga Olimpi", nderkohe qe te tjeret behen garda kulturore e tij, duke sulmuar kedo qe i kthen llafin. Nese ka dallim midis Kadarese dhe shpures se tij, te pakten te dale njehere e te distancohet nga tezat e tyre, ose te pakten tu kerkoje qe te mos e keqinterpretojne. Fakti qe s'e ben do te thote se ata po prodhojne me perpikmeri ate qe kerkon Kadareja.
PërgjigjuFshijeAvash more g, sa shume u preke nga pergjigja e anonymous 1. Nje metafore perdori tjetri, e nuk duhet domosdoshmerisht te jete objekt kunderpergjigjeje, ose s'duhet shkoje domosdoshmerisht pas midese tende, meqe qenke kaq delikat. Kadareja dhe shpura tij kane shume kohe qe nuk jane kaq delikat ne artikulimin e tezave te tyre, nderkaq presioni jone ndaj vetvetes per te qene gjuhesisht e politikisht korrekt nuk eshte se ka ndryshuar ndonje gje. Madje eshte mode e vjetruar.
PërgjigjuFshijeTe marrurit me Kadarene apo kopjacet e tij nuk ndryshon, sa kohe qe jane ne unison te plote.
L, Durres