e martë, 24 gusht 2010

Çfarë do të thoshin etërit tanë themelues rreth xhamisë në 'Ground Zero'?


nga Parvez Ahmed

Në debatin mbi qendrën islamike dhe xhaminë pranë Ground Zero në Nju Jork, kanë dalë dy argumente konkuruese.

Mbështetësit e qendrës së komunitetit islamik dhe xhamisë pranë Ground Zero (i quajtur projekti Park51) kanë argumentuar se Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane u jep muslimanëve të drejtën për të ndërtuar një shtëpi të adhurimit kudo që ata dëshirojnë për sa kohë që projekti është në përputhje me urdhëresat lokale. Disa ithtarë të projektit gjithashtu pohojnë se ndërtimi i një xhamie pranë Ground Zero është një deklaratë që Amerika nuk është kthyer prapa mbi vlerat themelore të lirisë fetare pavarësisht nga abuzimi që fanatikë fetarë bënë me një fe duke kryer një krim kundër njerëzimit.

Kundërshtarët e projektit Park51 kryesisht e bazojnë kundërshtimin e tyre në lidhjet e gabuara midis terrorizmit të kryer në emër të Islamit nga një pjesë e vogël e fanatikëve dhe besimin e Islamit siç praktikohet në mënyrë paqësore nga shumica e muslimanëve. Kundërshtarët kanë gjetur inkurajim tek anketat e ndryshme që tregojnë se gati 7 në 10 amerikanë e kundërshtojnë këtë projekt. Opozita nga disa, por jo të gjitha, familjet e viktimave të 11 shtatorit ka qenë përdorur gjithashtu si një arsye.

Debati ishte tashmë i nxehtë, por kur Presidenti Obama ndërhyri në mosmarrëveshje duke afirmuar të drejtën e planifikuesve të Park51 për të ndërtuar xhaminë e tyre në një vend të zgjedhur të tyre, niveli i opozitës partizane u ngjit një valë decibeli. Opozita ka ngatërruar disa fakte përkatëse, të cilat, nëse dihen, mund të bindin shumicën dërrmuese të publikut amerikan për të ndryshuar mendimin e saj. Sa amerikanë e dinë se muslimanët ishin në mesin e viktimave të 11 shtatorit? Sa amerikanë e dinë se ka kohë që ekziston një xhami afër Ground Zero? Sa amerikanë e dinë se myslimanët amerikanë kanë dënuar pa mëdyshje sulmet e 11 shtatorit? Sa amerikanë e dinë se al-Kaida ka vrarë dhe shënjestruar më shumë muslimanë se njerëz të çdo besimi tjetër?

Ose muslimanët kanë të drejtë për të praktikuar fenë e tyre, ose jo. Parashtrimi i pyetjeve në lidhje me "përshtatshmërinë" e projektit apo "urtësinë"e tij janë mënyra të tërthorta për të shkelur mbi lirinë e fesë. A është i shenjtë Amendamentit i Parë apo është subjekt i një konkursi popullariteti? Etërve tanë themelues e parashikuan këtë rebus dhe përcaktuan shënues të qartë që ne duhet të përdorim për të udhëhequr pikëpamjet tona.

Xhorxh Uashington, në një letër hebrenjve të Rhode Island, pohoi natyrën thelbësore të Amerikës, "një qeveri e cila për fanatizëm nuk jep sanksione, persekutimit nuk i jep asistencë - por bujarisht u ofron të gjithëve lirinë e ndërgjegjes, dhe imunitetet e nënshtetësisë." Por sot ne kemi zyrtarë të qeverisë që haptazi duket sikur sanksionojnë fanatizmin dhe paragjykimet.

Në 1784, Xhorxh Uashingtoni, tek kërkonte të punësojë zejtarë për Mount Vernon, tha: "Nëse ata janë punëtorë të mirë, ato mund të jenë nga Azia, Afrika, ose Evropa. Ato mund të jenë Mahometans [muslimanët], hebrenj, apo të krishterë të ndonjë Sekti - ose ata mund të jenë Ateistë." Kështu, themelimi i Amerikës është bazuar në meritokraci. Nga meritat, projekti Park51 i ka kaluar të gjitha pengesat. Nuk ka konsiderata të tjera që duhet ta ndalin projektin të eci përpara.

Ben Franklin shkroi në autobiografinë e tij, "edhe në qoftë se Myftiu [Imami] i Konstandinopojës do të dërgonte një misionar për të predikuar muslimanizmin tek ne, ai do të gjejë një podium në shërbim të tij." Ndërsa Franklin ishte mikpritës ndaj imamëve të huaj, sot një propagandë e fshehtë është hapur kundër një imami të fuqishëm amerikan.

Thomas Jefferson, i cili kishte në pronësi dhe lexonte një kopje të Kur'anit, ka shkruajtur në 1816, "më e shenjta detyrë e një qeverije është të vendosë drejtësi të barabartë dhe të paanshme për të gjithë qytetarët e saj." Sot zyrtarët qeveritarë po diktojnë se ku qytetarët privatë duhet të ngrejnë shtëpitë e tyre të adhurimit.

Në 1797 Senati i SHBA miratoi Traktatin me Tripolin, duke vënë në dukje, "Për shkak se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është themeluar në asnjë kuptim në fenë e krishterë, siç dhe nuk ka në vetvete karakterin e armiqësisë kundër ligjeve, fesë, ose qetësisë së muslimanëve [Musselmen]." Sot Presidenti Obama, i cili ka theksuar këtë pikë në fjalimin e tij në Kairo dhe e përsëriti atë gjatë darkës së Iftarit në Shtëpinë e Bardhë, është duke u sulmuar pa mëshirë për qëndrimin e tij me vlerat e themeluesve të Amerikës.

John Locke, shkrimet e të cilit ndikuan tek etërit tanë themelues, shkroi, "Jo, në qoftë se ne mund të flasim hapur të vërtetën, dhe siç i ka hije një njeriu ndaj një tjetri, as paganët as mahometanët [muslimanët], as çifutët, nuk duhet të përjashtohen nga të drejtat civile të Commonwealth-it për shkak të fesë së tyre. Ungjilli nuk komandon diçka të tillë." A nuk është ironike që një nga opozitat më të mëdha ndaj projekt Park51 po vjen nga grupe fetare konservatore?

Park51 ka të drejtën të vazhdojë ngritjen e kësaj xhamie. Afërsia e saj me Ground Zero nuk ofron ndonjë arsye racionale për tu tërhequr. Megjithatë, duke qenë se ne jetojmë në një botë të papërsosur, ku publiku është i prirur për breshëri episodike të disonancës në njohuri, është më mirë për Park51 që të shqyrtojë seriozisht një vendndodhje alternative për aq kohë sa vend i ri mund të shërbejë në mënyrë efektive përdoruesve të saj. (Raportet tregojnë se ndërtuesi i saj është i hapur për një ide të tillë.) Ata duhet ta bëjë këtë për të nderuar parimin e paqes mbi krenarinë i ilustruar edhe nga Profeti Muhamed gjatë nënshkrimit të Traktatit të Hudejbijes, ku ai bëri kompromis duke i lëshuar vullnetarisht të drejtat e tij në mënyrë që të fitonte paqen. Një paqe e papërkryer është e preferueshme ndaj një konflikti të drejtë.

Nëse Park51 do e zhvendoste këtë projekt, a do e kthenin energjinë e tyre kundërshtarët pastaj ër të mbështetur projektet e tjera të xhamive në të gjithë vendin që janë përballur me kundërshtime fanatike? A do e hidhnin poshtë kundërshtarët iniciativën e kishës në Florida që është duke planifikuar të djegë Kur'anin në përvjetorin e 2010 të 11 shtatorit? Po Sarah Palin dhe Newt Gingrich a do t'i edukojnë mbështetësit e tyre në realitetin e komunitetit musliman amerikan, që është përshkruar në Studimin e Pew Survery të 2007 si "amerikanë të vendosur në pikëpamjet e tyre, si dhe vlerat e qëndrimet?"


Profesor Parvez Ahmed është një Fulbright Scholar dhe Profesor i Rregullt i Financës në Universitetin e Floridas se Veriut. Ai është gjithashtu një komentator i rregullt rreth Islamit dhe eksperiencës muslimane amerikane.

Perktheu Armir Taraj, Nju Jork

Nuk ka komente:

Posto një koment