e martë, 17 gusht 2010

Nga se kërcënohet në të vërtetë minoriteti grek


E. MëRTIRI

Ngjarja e fundit e ndodhur në Himarë ka ndezur reagime të ndryshme, të cilat në përgjithësi duket se nuk po i shërbejnë aspak një klime pozitive në raportet mes shqiptarëve dhe minoritetit grek. Përtej deklaratave, në dukje të arsyeshme, të kreut të Kishës Ortodokse Shqiptare Anastas Janullatos, për të ruajtur gjakftohtësinë dhe për të dënuar fajtorët, vihet re një mungesë kthjelltësie, si dhe një mungesë vullneti për t’i parë gjërat në mënyrën e duhur. Ngjarja ka shkaktuar rritim jo vetëm tek ajo që mund të quhet “palë e dëmtuar”, por edhe tek pala shqiptare, e cila po tentohet të paraqitet si “agresore”, por që edhe në këtë rast, ndjehet më e dëmtuara në raport me shqetësimet e saj ndaj atyre që ajo i sheh si politika asimiluese greke në jug të vendit. Natyrisht, deklaratat e Kryepeshkopit Ortodoks për vetëpërmbajtje dhe qetësi, janë të mirëpritura dhe me vend, në një klimë të tillë acarimi, në një mjedis aspak miqësor si ai që ka të bëjë me raportet etnike në jug. Por, ato duket se minojnë vetveten kur kalojnë në thirrje për respektim të të drejtave të njeriut nga pala shqiptare. Një retorikë e tillë është krejt pa vend, dhe çon në implikime negative përballë një ngjarjeje të tillë. Ajo kërkon ta ekspozojë ngjarjen nën dritën e interpretimeve të gabuara, të cilat e zhvendosin diskutimin në një truall problematik për raportet ndëretnike në vend. Edhe në qoftë se ngjarja buron prej vokacioneve nacionaliste, ajo mbetet një incident krejtësisht i izoluar dhe nuk ka të bëjë aspak me nivelin e zbatimit të të drejtave ndaj minoritetit grek, të cila, duhet thënë se në Shqipëri janë në nivele të pashembullta, të pakrahasueshme ndoshta edhe me vetë mazhorancën, gjë që është shumë larg atij të zbatuar, bie fjala në vetë Greqinë e interesuar për këto të drejta.

Natyrisht, ngjarja është krejtësisht e papranueshme dhe është normale që një akt i tillë të dënohet ashpërsisht nga opinioni publik. E drejta e gjithkujt për të folur në gjuhën e tij është legjitime. Por është pa kuptim t’i referohesh të drejtave të njeriut, kundrejt një sherri banal rrugësh, ndaj njerëzve pa kurrfarë statusi përfaqësues, qoftë edhe të nxitur prej ndjenjash nacionaliste. Nuk ndodhi aspak kështu kur, në mënyrë të ngjashme, në rrugët e Greqisë u vra një shqiptar, teksa po festonte për fitoren e kombëtares shqiptare kundrejt asaj greke, pavarësisht se shkaqet e krimit janë thuajse identike.

Të evidentosh nevojën për zbatimin e të drejtave të njeriut, në momente të tilla gjaknxehtësie kolektive do të thotë t’i shërbesh acarimit të situatës nga të dyja palët, dhe kjo më së paku i shërben minoritetit grek në Himarë, të cilit më tepër sesa aventurat e politikave të mbrapshta ku është përfshirë shpesh, i intereson të zhvillojë turizmin dhe ekonominë e vet, të cilat nuk mund të bëhen pa ndërtuar më parë qetësinë dhe harmoninë me bashkështetasit e tjerë shqiptarë. Aq më pak mund të ketë dobi nga fabrikimi i heronjve të rinj, që derdhin gjakun për të vaditur kauza të tilla të mbrapshta, si ato që, mjerisht, gjejnë jo pak vend në fantazitë qytetarëve të Himarës, të mikluara këto edhe prej pensioneve të majme që nuk pyesin as për krizat ekonomike.

Një retorikë më serioze do të përpiqej t’i shkonte problemit më në rrënjë, duke e çliruar veten nga naiviteti për të mosparë diçka tjetër përtej një akti dhune antigreke. Në Shqipëri ka edhe minoritete të tilla si ai boshnjak apo edhe vllah, të cilët megjithëse ruajnë shumë prej traditave të tyre nuk kanë shfaqur ndonjëherë ndonjë problem real ndëretnik me vendasit. Nuk do mend për të kuptuar se ka diçka të veçantë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, ku politika dhe qarqe të ndryshme, përpiqen shpesh të turbullojnë ujërat, ashtu siç duket në disa raste se po ndodh edhe me ngjarjen konkrete, që po synohet të instrumentalizohet nga drejtuesit lokalë.

Në këtë linjë, reagimi i Kryetarit të Bashkisë së Himarës Bollano, i cili bënte fjalë për provokime me motive të errëta ndaj minoritetit grek, ishin vërtetë një akt i papërgjegjshëm provokacioni. Me këtë deklaratë Bollano përpiqet të stisë skenarë të errët për të nxitur konfliktualitetin ndëretnik në Himarë, dhe kjo përbën vërtetë një vepër penale për çdo shtet që funksionon. Kjo është vërtetë alarmante kur del prej gojës së një zyrtari të zgjedhur me votat e këtij komuniteti. Kjo është retorikë lufte që vetëm njerëz të papërgjegjshëm si z. Bollano mund ta bëjnë, për më tepër në një situatë vërtetë të tensionuar si kjo.

Në fakt, e gjithë kjo duket normale për një provokator sistematik si Bollano, të cilit i duhet të mbijetojë nëpërmjet sistjes dhe përdorimit të kauzave të tilla boshe. Bollano është një produkt i marrëdhënieve konfliktuale ndëretnike dhe ai është i interesuar të ruajë një statukuo konfliktuale për të mbijetuar sa më gjatë në politikë. Për këtë ai është profilizuar me portretin e një politikani që lëshon herë pas here deklarata të tilla, vërtetë provokuese. Madje, jo vetëm kaq, por edhe faqja zyrtare e bashkisë që ai drejton, vijon të ofrojë informacion provokues për shqiptarët, të cilin asnjë shtet i botës nuk do të mund t’ia toleronte.

Në faqen zyrtare të internetit të kësaj bashkie, pushtimin e Himarës nga grekët në nëntor 1912, ku siç e dimë grekët luftonin kundër Eqerem Bej Vlorës, nipit të Ismail Qemalit që po mbronte Himarën, Bashkia e Himarës e konsideron, çlirim. Ja se fare thuhet në këtë faqe: “Më 5 nëntor 1912, Majori Himariot Spiro Spiromilios zbarkoi në Himarë dhe e çliroi atë, në krye të himarjotëve vullnetarë. Pas disa ditësh, ai çliroi gjithë fshatrat”. Kjo “pas disa ditësh” përfshin edhe periudhën pas shpalljes së pavarësisë, deri kur Eqerem Bej Vlora, tërhiqet nga rezistenca, me urdhër të Ismail Qemalit, i cili e dinte që tashmë çështja do t’i kalojë Fuqive të Mëdha. Madje, bashkia nuk heziton të na thotë se Himara ka qenë autonome për disa herë me radhë më pas, dhe se ajo nuk ka dashur kurrë të jetë pjesë e Shqipërisë. Vijojmë citimin: “Më 9 shkurt 1914, himarjotet kundërshtuan planet e fuqive të mëdha për t’i përfshirë brenda kufijve të shtetit shqiptar”. Ndërsa pak më tutje: “Më 22 dhjetor 1940, ushtria greke hyn ne Himarë dhe banorët e priten me entuziazëm dhe në mënyrë festive”.

E gjithë kjo na sqaron mjaft bukur se cili është provokator në këtë mes, dhe se kush është i interesuar për një klimë të tillë konfliktuale. Në këtë shkëmbim provokimesh, incidenti tragjik i një sherri banal është shumë më joserioz se ai i një zyrtari me pushtet si Bollano, i cili njësoj si në historinë e shkruar prej tij për Himarën, duket se ka shpallur në njëfarë mënyrë autonominë e vet prej feudali, duke e lustruar këtë me termat e të drejtave të minoriteteve.

Pikërisht këtu duhen kërkuar rrënjët e problematikës, ndërsa incidenti i këtyre ditëve, nuk është gjë tjetër vetëm se pasojë tragjike. Ajo për të cilën duhet të kujdeset çdo mendje e shëndoshë që e do paqen, është pikërisht klima antishqiptare që kultivohet nëpërmjet fijesh të tilla në Himarë. Më parë sesa të vërë gishtin mbi errësirat e skenarëve të tillë hipotetikë, Bollano do të duhet të na shpjegonte se kush dhe përse, shkruan me sprajte nëpër muret e Himarës parulla të tilla si: “Këtu është Greqi”. Këto dhe të tilla edhe më të errëta, Bollano duhet t’i dijë shumë mirë, dhe janë të vetmet për të cilat mund dhe duhet të na thotë ndonjë gjë, përpara se të merret me dekonspirime skenarësh të tillë imagjinarë.

Është lehtë të denoncosh krimin, dhe këtë duhet ta bëjë çdo mendje e kthjellët dhe njerëzore, shqiptare apo greke qoftë. Por kjo nuk mjafton për të zgjidhur problemet. Për këtë duhet të shkosh në rrënjët e tyre dhe të denoncosh krimin e heshtur që i prodhon realitete të tilla. Vetëm kështu mund t’i shërbesh marrëdhënieve ndëretnike dhe vetëm kështu mund t’i shërbesh edhe vetë komunitetit grek në Himarë, si dhe vetëm kështu, mund t’i japësh sadopak dinjitetin njerëzor që meriton, të ndjerit që humbi jetën në gërmadhat e kauzave të tilla të verbërta, të cilat nuk ngurrojnë të instrumentalizojnë edhe vetë viktimat e tyre.

Nuk ka komente:

Posto një koment