e martë, 31 gusht 2010

Deklarate e Klubit Kombetar Shqiptar

Deklaratë për shtyp

Tiranë më 30 Gusht 2010

Të shqetësuar për përpjekjet e kohëve të fundit për t’i imponuar
udhëheqësisë së Republikës së Kosovës rihapjen e bisedimeve rreth
statusit të Kosovës nëpërmjet lëshimeve shtesë ndaj Republikës së
Serbisë;

Duke marrë parasysh shpalljen e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt
2008 në përputhje me vullnetin e 95% të popullsisë së Kosovës;

Duke vërejtur se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka krijuar
sistemin më të avancuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të
komuniteteve pakicë në të gjithë hapësirën evropiane dhe më gjerë;

Duke vërejtur se Gjykata Ndërkombëtarë e Drejtësisë ka deklaruar se
shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të
drejtën ndërkombëtare dhe aktet ndërkombëtare me të cilat është
administruar Kosova deri në pavarësimin e saj;

Duke riafirmuar dëshirën e popullit shqiptar që jeton në Shqipëri,
Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe Mal të Zi për integrimin në Bashkimin
Evropian dhe angazhimin për fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët

Duke qenë të përkushtuar për respektimin e të drejtave të njeriut dhe
minoriteteve

Mirënjohës ndaj SHBA-ve dhe aleatëve perëndimorë që po e asistojnë
Kosovën në procesin e shtet-ndërtimit dhe në përpjekjet e saja për të
krijuar shtet funksional, multietnik dhe demokratik;

Duke ritheksuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe tërësia
territoriale e Kosovës do të mbrohet me çdo mjet nga shqiptarët kudo
që ata jetojnë

Ne përfaqësuesit e Klubit Kombëtar Shqiptar

nëpërmjet kësaj deklarate shpallim fuqishëm:

Kundërshtimin ndaj çdo lloj bisedimesh të imponuara që nuk marrin
parasysh pavarësinë e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, që
cenojnë në çfarëdo mënyre tërësinë territorial të shtetit të Kosovës
dhe që shkelin Kushtetutën dhe legjislacionin e miratuar në pajtim me
të.

Hedhim poshtë idetë e kohëve të fundit për avancim të mëtejshëm të
statusit të komunitetit serb të Kosovës duke shkelur dispozitat
kushtetuese dhe duke i ofruar Serbisë pjesë të territorit të Kosovës.
I deklarojmë këto ide tërësisht të papranueshme dhe të pakuptueshme;

Refuzojmë hapur çdo lloj përpjekje për të shpërblyer spastrimin etnik
të shqiptarëve në komunat e Leposaviq, Zubin Potok dhe Zvecan si dhe
në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës me shkëputje territoriale
ashtu siç është shpërblyer gjenocidi serb në Bosnjë me krijimin e
Republikës Serbe të Bosnjës;

Kërkojmë nga autoritetet e zgjedhura dhe klasa politike e Kosovës t’iu
përmbahen me përpikëri angazhimeve të marra përsipër më shpalljen e
pavarësisë së Kosovës;

I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë ndikimin e saj
mbi Republikën e Serbisë për ndërprerjen e provokimit të dhunës në
komunat veriore të Kosovës dhe të marrë përsipër përgjegjësitë për
vendosjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës;

I bëjmë thirrje KFOR-it që të përmbushë misionin e tij për garantimin
e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës

Kërkojmë nga EULEX të zbatojë detyrat e saj për vendosjen e sundimit
të ligjit pa diskriminim dhe standarde të dyfishta për komunitet e
ndryshme;

I bëjmë thirrje udhëheqësve politikë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës,
Maqedonisë, Preshevës dhe Malit të Zi për bashkërendim të veprimeve në
kundërshtimin e çdo ideje që cenon tërësinë territorial të Kosovës;

Gjithashtu i bëjmë thirrje organizatave studentore, intelektuale,
profesionale si dhe shoqatat e veteranëve të dala nga luftërat për
liri dhe barazi të popullit shqiptar si dhe mbarë kombit shqiptar që
të bashkohen me qëndrimin tonë, ta mbështesin në mënyrë aktive këtë
deklaratë, dhe të mobilizohen për të ndaluar çdo tryezë bisedimesh që
kërcënon pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës.

Njëherazi deklarojmë vullnetin tonë të përbashkët për ndërmarrjen e
hapave të mëtejshëm në mbrojtje të pavarësisë dhe pacenueshmërinë e
territorit të Kosovës me të gjitha mjetet.

Kryesia e Klubit Kombëtar

Lisandër Saraçi
Gentian Sala
Enis Sulstarova
Gentian Kapllani
Adri Nurellari

Nuk ka komente:

Posto një koment