e premte, 25 shkurt 2011

Amerika: Kisha e Xhamia.


Armir Taraj*

Kisha më tepër se 24 orë që isha nisur nga Rinasi për në Amerikë. Natën e kisha kaluar në aeroportin e Zyrihut në Zvicër. Pasi durova sa durova në një karrige të aeroportit, shkova e mora një dhomë fjetjeje për $30. Dhoma kishte vetëm një krevat e një komodinë te koka e asgjë tjetër. Kur fika dritën e u shtriva, kërkova sa andej këndej për një fije drite, por errësira ishte totale dhe e frikshme. Ishte hera e parë që përjetoja një terr të tillë dhe këtu kuptova rëndësinë e një burimi drite, qoftë sa një fije floku, kur ndodhesh në errësirë.


Pasi kisha fluturuar përsipër Oqeanit te pafund Atlantik e kisha shkelur për herë të parë në Amerikë, në aeorportin JFK International të Nju Jorkut, kisha kaluar me ndrojtje kontrollin e imigracionit e kapur më në fund aeroplanin e vogël lokal për në Albany, kryeqyteti i shtetit të Nju Jorkut. Teksa stjuardesa e vetme lajmëronte se po bëheshim gati për uljen, mendova si me gëzim se në fund të fundit nuk isha larguar shumë nga atdheu, nga Albania në Albany vetëm dy shkronja ndryshonin. Që nga lart vura re se vendi zbardhte nga dëbora. Ishte shkurt por në Tiranë nuk kishte patur dëborë atë vit. Pamja ishte e huaj dhe e ftohtë. Kur u ulëm, më goditi më në fund fakti se kisha ardhur në Amerikë, në një vend të huaj shumë larg shtëpisë, ku flisnin një gjuhë të huaj që s’e dija fort mirë, e ku do jetoja me një familje të huaj për 5 muaj ndërsa unë mbaroja semestrin e fundit të vitit të katërt gjimnaz në një shkollë lokale të fshatit/qytezë buzë lumit Hudson ku po shkoja.

Pasi dola e mora valixhen, po shihja me padurim kush kishte dalë të më priste. Pas pak kohe, dy vajza të reja, mosha ime, e një grua u afruan e më pyetën nëse unë isha Amëër. Ishte koordinatorja e programit tim të shkëmbimit studentor me vajzën e saj e me një shoqe klase. Më thanë se do më shpinin ato në shtëpinë ku do jetoja pasi “prindërit” e mi të rinj nuk kishin dalë dot pasi punonin “overtime”. Unë thoja “OK” dhe “Yes” duke tundur kokën me entuziazëm. Këto dy fjalë mund ti kem përdorur me qindra herë në ditë gjatë javëve të para në Amerikë. Kur dolëm jashtë për të shkuar tek makina, i ftohti më preu si brisk. Nuk kisha provuar të ftohtë si ky e befas, xhupi i rëndë që e kisha blerë me plakun para ca ditësh tek pazari i Medresesë e që e kisha tërhequr zvarrë me bezdi nëpër aeroporte, mu duk shumë i lehtë dhe i afërt.

E bëmë rrugën e gjatë një-orëshe për në fshatin tonë duke folur rreth çështjeve praktike të jetës sime të re në Amerikë si shkolla, lëndët që do merrja, rregullat e programit “exchange student” etj. Më në fund arritëm në shtëpinë time të re aty nga ora 6:30 e mbrëmjes. “Nëna” ime pritëse Deborah, me flokë të verdha, sy të çelët, e disi mbipeshë. Dukej që në fillim që ishte njeri i mirë dhe kjo më qetësoi. Pasi u prezantuam, ajo më prezantoi shtëpinë dykatëshe që mua mu duk goxha e madhe dhe më drejtoi për tek dhoma ime. Gjatë gjithë kohës na shoqëronte qeni i shtëpisë, Riley, i cili kishte një bisht të fuqishëm e u binte mureve me ngazëllim sa herë që Deborah e thërriste. S’kisha pasur ndonjëherë dhomë më vete e më pëlqeu kjo gjë. Në këtë botë të re e të huaj kisha vërtet nevojë për një hapësirë timen ku të mund të strehoesha kur e huaja të bëhej e papërballueshme. Më vonë, pas një dushi qetësues, vajta ti jepja Deborës disa dhurata të vogla të paketuara nga prindërit e mi, disa suvenire e dantella te thurura nga nëna e motra ime. Ajo i pëlqeu jashtzakonisht shumë, dhe duke më porositur të ngrihesha herët nesër për në shkollë më uroi natën e mirë. Shkolla e re ishte një emocion më vete, por kisha bërë mjaft për atë ditë, dhe me kaq u shtriva në krevat dhe bëra gjumin më të thellë të jetës sime.

Disa javë pasi kisha ardhur në Amerikë dhe kisha filluar të ambjentohem e ta çoj komunikimin tim në anglisht përtej “yes”, “ok”, dhe tundjeve të kokës, Deborah më fton të shkoj me familjen time Amerikane, që përbëhej nga babai Dave dhe vajzat Jennifer dhe Val, në kishë një të djelë. Menjëherë mu kujtua porosia e prindërve në Tiranë “po të ftuan të shkosh në kishë prano se është mungesë respekti të mos shkosh. E pastaj nuk ka ndonjë gjë të keqe nëse shkon, një Zot ka për të gjithë.” E dija që e kishin pasur pak merak këtë punë sespe kisha qenë gjithmonë një besimtar mysliman më i zellshëm se ç’ua kishte qefi atyre. Vendosa të shkoj. Edhe për respekt, por edhe sepse isha kurioz të shihja një shërbim fetar në kishë e nuk e shihja si problem nga ana fetare.

Kisha ishte në qytezën ngjitur, e bukur nga jashtë, por jo tepër e madhe. I përkiste degës United Methodist të Krishtërimit Protestant. U futëm brëda. Atmosfera ishte e ngrohtë e familjare ndërsa “familja” ime përshëndetej me të gjithë e dukej se i njihnin mirë. Salla e madhe e kishës ishte me stola të gjatë në formë çerek rrethi të ngritur në shkallë si pallat sporti. Ne u ulëm diku nga mesi dhe vendet dukeshin gati gjysëm të mbushura. Ndërsa prisnim të fillonte shërbimi fetar, Val më pëshpëriti në vesh se asaj dhe motrës së saj nuk u pëlqente shumë të vinin në kishe e kur detyroheshin të vinin e kalonin kohën me lojra fjalësh tip gjëegjëzash ose me ndonje thashethem reth djemve që shihnin në kishë. Kjo gjë mu duk disi e çuditshme, me mua kishte qenë e kundërta. Nuk kisha vajtur në xhami me nxitjen e prindërve, por përkundër refuzimit të tyre.

Filloi shërbimi fetar dhe menjëherë më bëri përshtypje fakti se pastori ishte femër. Kjo ishte diçka e re për mua. Gjithashtu më ra në sy prezenca e flamurit Amerikan pas podiumit të pastorit. Ne s’kishim pasur kurrë flamur shqiptar brenda xhamive tona në Shqipëri e kjo shenjë nacionalizmi mu duk disi e çuditshme brenda shtëpisë së Zotit.

Fjalimi ishte shumë i këndshëm. Pastorja tregoi një histori biblike me një anglishte të qartë e zë të ëmbël. Herë pas here fjalimi i saj ndërpritej nga muzika e organos e të gjithë ngriheshin në këmbë e këndonin himne fetare që gjithashtu mu dukën të kendshme. Në fund, kur fjalimi kryesor mbaroi, pastorja thirri të zbrisnin poshtë në qendër fëmijët e vegjël prezentë e u ul me ta në një shkallinë e u tregoi një histori të shkurtër biblike për fëmijë. Kjo pjesë më pëlqeu shumë e mu duk me vlerë.

Në përfundim, të gjithë të pranishmit u ftuan të viheshin në rradhë për të kryer rritualin e Eukaristit, për të ngrënë e për të pirë simbolikisht trupin e gjakun e Krishtit. Deborah më ftoi të veja dhe unë. E pyeta nëse ishte verë ajo që pinin e më tha se ishte thjesht lëng boronice. Gjithsesi refuzova. Mu duk se respekti fetar mjaftonte me kaq e më tej do kaloja në ujra të turbullta fetarisht. Kur dolëm nga salla e madhe, në dhomat e pritjes e të aktiviteteve të tjera të kishës kishin shtruar biskota, ëmbëlsira, kafe, e çaj. Kjo pjesë ishte padyshim një shpërblim i mirë i kësaj vizite të nisur me pak ngurrim. Kur pyeta nëse e shtronin kështu çdo të djelë më thanë se ishte vetëm njëherë në muaj. Kisha zgjedhur të djelën e duhur për të shkuar në kishë për herë të parë.

Kur dolëm jashtë e vajtëm në makinë, Deborah më pyeti se ç’mbresa kisha. I thashë se isha i kënaqur e se kishte qenë një eksperiencë e mirë. I thashë që ne nuk kemi imamë femra e ajo mu përgjigj se edhe kisha e tyre nuk kishte shumë kohë që e kishte lejuar diçka të tillë. Më pas e pyeta pse mbanin flamur Amerikan në kishë? Kjo pyetje sikur i zuri të papërgatitur sepse vështruan njëri-tjetrin me habi e pas disa çastesh se kishte qenë gjithmonë ashtu e nuk e kishin menduar ndonjëherë këtë punë. Unë u thashë se në Shqipëri nuk mbanim flamur Shqiptar brenda kishave e xhamiave sepse ato janë shtëpitë e Zotit e nuk na përkasim vetëm ne Shqiptarëve, por kujtdo që qëllon aty e hyn të falet. U thashë se edhe në kishën e tyre ndoshta ka besimtarë që nuk janë Amerikanë e nuk ndihen rehat me praninë e flamurit Amerikan brenda në shtëpinë e Zotit e cila është e hapur për të gjithë. Deborah me ngurrim mu përgjigj se ajo mendonte se s’ka ndonjë gjë të keqe sepse këtu ishin në Amerikë e flamuri është për të gjithë, por gjithsesi tha se do pyeste pastorin herës tjetër rreth qëndrimit zyrtar të kishës mbi këtë çështje. Ky muhabet nuk u zu më në gojë gjithsesi e kam idenë se asnjërit nga ne nuk na vajti në mendje kjo punë.

Pasi kishin kaluar pak më tepër se dy muaj nga ardhja ime tek familja pritëse Amerikane, Deborah më pyet një të djelë në mëngjes nëse doja të shkoja në xhami. Familja ime Amerikane e dinte që në fillim që isha mysliman praktikant e falesha 5 herë në ditë, për këtë kisha qenë shumë i drejtpërdrejtë. U kisha shprehur që herët deshirën për të vizituar një xhami lokale dhe Deborah më pati thënë se do interesohej në internet për një gjë të tillë. Gjithsesi nuk e prisja që kjo vizitë të ndodhte atë ditë sepse të djelën ata shkonin rregullisht në kishë. “Po a nuk do shkosh në kishë?” e pyeta unë. “S’ka gjë” m’u përgjigj. “Të kam premtuar se do të gjeja një xhami dhe sot bashkë me Val do të të shoqërojmë.” Unë u gëzova e i thashë se po bëhesha gati menjëherë. Rrugës Deborah më tregoi se xhamia më e afërt që kishte mundur të gjente ishte një orë larg me makinë e do e gjenim me hartë se nuk e njihte atë zonë. Më tregoi gjithashtu se e kishte marrë xhaminë në telefon e i kishte pyetur se çfarë dege të Islamit ndiqnin dhe përgjigjja kishte qenë “Sunni”. Me aq sa dija unë rreth degëve të Islamit, i pata shpjeguar Deborës se në Shqipëri praktikonim Islamin sunit, ashtu si shumica e myslimanëve në botë. Rruga ishte goxha e gjatë dhe kur u afruam në destinacion e na u desh të gjenim adresën e saktë, u sorollatëm disa herë derisa më në fund dalluam minaren e vogël të xhamisë.

Deborah më pyeti nëse ajo dhe Val mund të vinin brenda dhe u thashë se megjithëse nuk e njihja këtë xhami, besoja se do ishin të mirëpritura. Gjithsesi vura re njëfarë hezitimi tek ato dhe u thashë se edhe nëse preferonin të mos vinin brenda nuk kishte problem. Dola dhe e lamë të takoheshim pas një oreaty tek parkingu i xhamisë. Kur u drejtova drejt derës së xhamisë vura re se po afroheshin dhe të tjerë besimtarë. Pashë orën, ishte mesditë, koha e ylesë (drekës). “Sa mirë, - mendova – paskam ardhur në kohë namazi.” Kur hyra brënda e hoqa këpucët, teksa bëhesha gati të ngjisja shkallët për në kat të dytë ku po shkonin besimtarët e tjerë, pashë disa postera e lajmërime të ngjitura në mur. Një prej posterave lajmëronte një uebsajt të titulluar justiceforall.org, myslimanë të Amerikës në mbështetje të Kosovës. Lista e organizatave pjesëmarrëse ishte tepër e gjatë dhe kishte edhe uebsajtet e tyre. Isha kurioz të bija në kontakt me diçka islamike në Amerikë e duke qenë se bëhej fjalë për Kosovën, ku lufta s’kishte shumë që kishte mbaruar, i mora 2-3 fletushka me vrull e i futa në xhep të xhupit. U ngjita lart me nxitim e hyra në sallën gjysëm të mbushur të faljes. Vura xhupin në varëset anës murit e u afrova nga mesi i sallës për të qenë sa më pranë qendrës së këtij ambjenti shpirtëror që më kishte munguar. Besimtarët po faleshin në heshtje e ma mori mendja se janë synetet (rekatet fakultative) para farzeve (rekatet e detyrueshme) të drekës të cilat falen sëbashku me imamin.

I fala dhe unë dy synete të cilat më shijuan shumë. Gjithë turbullira, paqartësia, e stresi i këtyre dy muajve në këtë vend të huaj po davaritej nga prania e prezenca ime në një ambjent të njohur e familjar. Fytyra filloi të më qeshte lehtas. Dikush u ngrit në këmbë e u afrua tek mikrofoni. Ishte muezini i cili filloi ndërkaq të thërriste Ezanin. Kishte një zë të bukur e melodioz dhe ezani i kënduar fuqishëm e në mënyrë perfekte sikur depërtoi çdo qelizë timen e më mbushi me mall, me shumë mall, një oqean me mall. Ndjeva sytë të më lotojnë e një ngrohtësi në gjoks e shoqëruar me një çlirim të këndshëm. Ndihesha mirë.

Mu kujtuan xhamitë e Tiranës e xhumatë e bajramet e falura në to. Mu kujtua ezani i thirrur bukur nga një shok i i imi në xhaminë e Yzberishit. Mu kujtua filmi “Mesazhi” me Antoni Kuin dhe ezani i parë i thirrur nga hazreti Bilal, skllavi i liruar Afrikan. Ezani, kjo thirrje shpirtërore që nxirrte në pah krejt potencën dhe elokuencën e gjuhës së bukur Arabe, mu duk në atë moment se ishte krijuar enkas për të prekur zemrat e udhëtarëve. Ishte një thirrje që të bënte të ndiheshe në shtëpi kudo që të ishe.

Pas ezanit, u ngritëm e u bashkuam në rreshta të drejtë e sëbashku me imamin që mbante rrobën e gjatë arabe, falëm namazin e drekës. Ishte një namaz i munguar që e ndjeva në çdo lëvizje të buzëve e gjymtyrëve. Kur përfundoi me selam në të djathtë e në të majtë, ndjeva një kënaqësi e një përmbushje të jashtzakonshme. Imami u kthye nga ne siç ishte i ulur në gjunjëe na lajmëroi se pas faljes së syneteve të prapme të drekës do mbante një fjalim të shkurtër.

Pas syneteve, tesbiave e lutjeve personale të bëra në heshtje, të gjithë besimtarët u ulën në formë rrethi për të dëgjuar imamin. Nuk më kujtohet mirë tema e fjalës së imamit, ndoshta isha tepër i pushtuar nga emocionet dhe përjetimet e momentit e nuk u fokusova siç duhet. Ajo që më kujtohet është se imami fliste qartë anglisht por si me “s”, dhe ishte disi i rreptë. Sepse më kujtohet që e disiplinoi një adoleshent pse ky kishte bërë zhurmë gjatë namazit.

Kur fjalimi mbaroi, imami më kërkoi të prezantohesha meqë më shihte për herë të parë e unë u prezantova para të gjithëve. Më pritën me buzëqeshje e fjalë të ngrohta e dikush nxitoi të më sillte një kalendar të orarit të faljeve për atë zonë. E falënderova dhe i kërkova një Kuran në anglisht, të cilin ma solli menjëherë. Më bënë disa pyetje rreth Kosovës e luftës atje e më pyetën nëse e kisha përjetuar edhe unë luftën. U thashë jo, por pata përjetuar krizën e refugjatëve kosovarë dhe se shtëpia ime kishte qenë fare pranë qendrës më të madhe të strehimit të refugjatëve në Tiranë. Më thanë se kishin çuar ndihma ndaj tyre si komunitet. Unë i falënderova për zemërgjerësinë e u kërkova falje që s’mund të rrija më gjatë por më prisnin poshtë. Dola duke u përshëndetur me selam e vajta tek makina ku më prisnin Deborah dhe Val. Kështu u mbyll vizita ime e parë në xhami në Amerikë. Më është dukur gjithmonë interesante që atë imam të asaj xhamie e takova pas disa vitesh në qytetin e Nju Jorkut në zyrat e CAIR (Council on American Islamic Relations) ku pata shkuar për të ndihmuar si vullnetar. Ai nuk më mbante mend, ndërsa mua më dukej se e kisha parë para disa orësh.

Deborah dhe Val më pyetën si si ja kisha kaluar e ju thashë se kishte qenë diçka e bukur dhe e nevojshme për mua. I falënderova përsëri që ma kishin bërë këtë dhuratë e ato me thjeshtësinë tipike Amerikane mu përgjigjën se isha i “mirëpritur” dhe se ishin të lumtura që unë isha i gëzuar. Udhëtimi i kthimit ishte i qetë e unë shijoja efektin e asaj eksperience të bukur ndërsa pa vetëdije, një stereotip tjetër thyhej në mendjen time. Kisha ardhur në Amerikë me idenë se Amerikanët janë të çuditshëm, materialistë, individualistë në kulm, e të painteresuar tek e ndryshmja. Por ngadalë kisha kuptuar se kjo nuk ishte tërësisht e vërtetë. Ndoshta qytetet e mëdha si Nju Jorku ishin vërtet plot me tipa të tillë Amerikanë hollivudianë, por këtu në qytezën e vogël buzë Hudson-it, unë kisha zbuluar Amerikanët e tjerë. Kisha rënë në kontakt me Amerikanët familjarë e mikpritës që ja hapnin derën e tyre dikujt të huaj në emër të shkëmbimit kulturor. Amerikanët që ishin respektues ndaj fesë së tyre e tepër pranues ndaj fesë së tjetrit, aq sa në ditën e tyre të shenjtë ishin gati ta linin kishën e tyre për të me çuar mua në xhami. Isha tepër i lumtur që e kisha patur shancin ta njihja nga afër këtë familje Amerikane, familja që do të jetë gjithmonë familja ime e dytë.

Armir Taraj eshte inxhinjer civil me banim ne qytetin e New York-ut.

3 komente:

  1. nje ndjesi mjaft te kendshme me fali leximi i ketij rrefimi te sinqerte e stilistikisht te arrire. ndoshta ngaqe shumekush prej nesh eshte gjendur ne situata te ngjashme, por shumepak kane marre mundimin t'i hedhin ne leter kesilloj perjetimesh e kujtimesh, e per me teper t'i ndaj me te tjere, ku ne fakt pikerisht brenda ketyre copeza jete gjenden mesazhe te fuqishme te te njerezishmes, duke hedhur tej pretendimet false te "perplasjeve te kulturave apo qyteterimeve".
    shume pergezime per shkrimin Armir, dhe Allahu te shperblefte

    PërgjigjuFshije
  2. e shkruar cilesish & e perjetuar po aq cilesisht! Zoti te forcofte ne besimin tone dhe e forcofte prezencen tende tek ata qe te rrethojne.

    PërgjigjuFshije