e mërkurë, 16 shkurt 2011

Sfida e popujve të lirë

Sabaudin Jashari

“Përdorimi i drejtë i lirisë është sfidë më e madhe se sa fitimi i vetë lirisë.” Anomin

“Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve, që të lejoni bijtë e Izraelit të vijnë me ne!” (Shuara:16-17)

“O njerëz, mos më pengoni të flas me njerëzit!” - u tha Profeti (a.s) mekasve politeistë.

Historia tregon se, në shumë raste, interesimi i njerëzve ndaj vlerave esenciale, të paktën ndaj atyre vlerave që përbëjnë kufirin minimal të qenies humane, në kushtet e mungesës së lirisë është më i madh se në kushtet e gëzimit të kësaj lirie apo pas daljes nga “gjendja e jashtëzakonshme” që shkakton shijimin e lirisë me pikatore. Në këto kushte, ajo pikë lirie që në shumë raste fitohet vjedhurazi, natyrshëm vihet në shërbim të vlerave të “kufirit minimal njerëzor”.


Në librat e fikut, dijetarët thonë se nëse ndodh të jesh në shkretëtirë dhe me vete ke vetëm ujin që të duhet për të mbajtur shpirtin gjallë, në këtë rast merret tejemum edhe nëse ke nevojë për gusul.

Bijtë e Izraelit mezi e prisnin ardhjen e profetit të radhës, Musait (a.s), që ta besonin e ta ndiqnin në rrugën drejt Zotit të gjithësisë. Gjatë kësaj kohe lidhja e tyre me identietin e tyre – popull profetësh dhe i përzgjedhur në këtë aspekt- dhe krenaria e tyre me këtë identitet-pavarësisht se ishte krenari e fshehur nga frika e Faraonit- ishte shumë e madhe. Madje kjo i bënte ta prisnin me ashk të madh këtë profet (a.s), i cili natyrshëm do kishte si mision kryesor, por hierarkik, çlirimin e bijve të Izraelit nga robëria e Faraonit.

Në momente të caktuara të shoqërisë njerëzore, për shkak të vuajtjeve të mëdha që u shkaktohen popujve të robëruar nga tiranët, kërkimi i lirisë kthehet në një qëllim absolut. Kjo ndodhi me bijtë e Izraelit. Për shkak të dhunës dhe shkeljes ekstreme që pësuan nga Faraoni (“Do ti vrasim foshnjat e tyre meshkuj dhe do të lëmë të gjalla gratë e tyre”), harruan se liria është si një shtëpi komode për të zhvilluar një jetë normale të motivuar.

Bijtë e Izraelit i duruan pothuajse të gjitha fenomenet e robërimit faraonik, ku mjafton të sjellësh ndërmend sprovën e vrasjes së fëmijëve. Vetëm pasi u mbyt faraoni u kuptua se dashuria e tyre për liri, ishte kthyer thuajse në idhull.

Goditjet e njëpasnjëshme që Allahu i Madhëruar i jepte Faraonit -gjaku, bretkosat, morrat, karkalecat, etj.- për ta kujtuar se tashmë duhet t’i jepte fund robërimit të bijve të Izraelit, njëkohësisht i dërgonte edhe si argumente hyjnore për të zgjuar vetë bijtë e Izraelit, për t’ua forcuar besimin dhe për t’u kujtuar se rruga e tyre nuk mbaron me shpëtimin nga faraoni, por vazhdon drejt Allahut, për aq sa të rrojnë mbi faqe të dheut. Njëkohësisht këto shenja ishin argumente edhe për t’iu thënë se asgjë nuk ka ndodhur larg vëmendjes së Zotit të gjithësisë.

Goditja e fundit që Allahu i dha faraonit, e cila tashmë nuk kishte më si rol zgjimin e faraonit, por shkatërrimin e tij, ishte argumenti më i madh për bijtë e Izraelit dhe treguesi më i fuqishëm i parë ndonjëherë prej tyre, që tregonte se kishte ardhur koha të adhuronin Allahun të lirë. Njëkohësisht Allahu, me këtë argument, u kujtoi se nëse nuk do ishte Allahu, kjo gjendje nuk do kishte ndryshuar kurrën e kurrës. Këtë e pohuan edhe vetë bijtë e Izraelit kur u gjendën mes detit dhe faraonit. “Na zuri faraoni!” - thanë ata. “Kurrën e kurrës!” – pohoi me bindje të thellë Musai (a.s.)- “Allahu është me mua dhe do më drejtojë”. Pra në njërin krah kemi të bëjmë me dorëzim total e në krahun tjetër me optimizëm hyjnor, optimizëm që u vërtetua me çarjen e detit dhe mbytjen e faraonit. Pra edhe në çastet e fundit të robërisë dhe në çastet e fillimit të lirisë, Musai (a.s.) u kujton bijve të Izraelit se liria -ashtu si dhe jeta- është dhuratë e Allahut dhe vetëm për Të dhe me Të duhet të jetohet.

Allahu i Madhëruar nuk lejoi që argumentet e Tij me të cilat godiste faraonin dhe që u kujtonin bijve të Izraelit se ishin robërit e Zotit, të ishin më të dobëta se sfidat dhe dhimbjet që mund t’i bwnin bijtw e Izraelit tw harronin se kush ishin dhe pse ishin në të vërtetë.

Megjithatë dalja e tyre nga robëria vërtetoi se sfida reale e “këtij populli” -në lidhje më lirinë- filloi pikërisht në momentin kur e fituan atë.

Sapo dolën nga deti i ndarë më dysh, ku panë me sytë e tyre mbytjen e robëruesit të tyre, teksa gjetën një popull që adhuronte idhuj, të dehur nga liria, i kërkuan Musait (a.s): “O Musa, na bëj edhe neve një zot ta adhurojmë ashtu si ata”. Ata adhuruan edhe viçin e florinjtë të formuar nga Samiriu, madje kërkuan ta shikonin me sytë e tyre Allahun dhe nuk i bënë sexhde Atij, vetëm pasi e panë malin të ngrihet mbi kokat e tyre. Madje edhe këtë sexhde e bënë me gjysmë balli duke parë me bisht të syrit malin, nëse realisht kishte mundësi t’i fundoste apo ishte thjesht kërcënim dhe frikësim.

Popujt e lirë janë popuj misionesh të larta. Në këtë nivel donte ta ngrinte Musai popullin e tij, kur i ftoi që të futen në Palestinë për ta çliruar nga pushtuesit. Pavarësisht premtimeve të njëpasnjëshme që u dha Musai (a.s.) dhe garancinë për triumf dhe ndihmë nga Allahu i Lartësuar, ata përsëri refuzuan. Madje me shumë cinizëm i thanë: “Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do rrimë këtu”.

Konfliktet reale mes myslimanëve filluan pikërisht kur kalifati i tyre shembi nga themelet perandoritë më të mëdha që kanosnin lirinë e tyre. Thënë ndryshe, këto konflikte filluan kur ata garantuan lirinë.

Përvoja e rizgjimit islam të shekullit të njëzetë, në disa vende islame, tregon se menjëherë pas fitimit të lirisë ka filluar konfuzioni i prioriteteve i shkaktuar nga hapësirat e shumta e të menjëhershme të krijuara pas thyerjes së dyerve të despotizmit.

Kjo përvojë tregon se aktorët e rizgjimit islam e kanë pasur të pamundur, në shumë raste, të bindin veten se angazhimi total me sferën politike, për fazën në të cilën kanë qenë, nuk është prioritet siç e kanë pasur akoma më të vështirë të ruajnë ekuilibrin mes aktrimit në politikë dhe vazhdimit në nivelin e duhur, të rrugës së “edukimit” e cila garanton shfrytëzimin e duhur të lirisë.

Është jo e drejtë të mohosh se një nga faktorët e këtij konfuzioni ka qenë ashku i madh për lirinë e sapo fituar, ashk të cilin e ka shkaktuar dhunimi prej dekadash i lirisë politike, me anë të delegjitimimit e persekutimit, siç është edhe frika e sloganit “Shfrytëzoje rastin sa e ke në dorë!”.

Tregohet se njw gjahtar ishte mëse i dashuruar pas gjahut të gazeleve. Në një ditë gjahu me shumë fat, gjendet përballë një tufe të madhe gazelesh. Hirashi, tejet i mrekulluar, s’diti se cilën të godiste të parën. Sakaq, gazelet ikën të tëra sapo nuhatën Hirashin.

Njeriu synon më shumë se gjithçka tjetër atë gjë nga e cila është privuar më shumë, pavarësisht prioriteteve të shumta që mund të ketë. Persekutimi më i madh i aktorëve të rizgjimit islam ka qenë vazhdimisht ai politik. Kemi dëgjuar shpesh të flitet për dhjetëra e mijëra të burgosur politik në vendet islame. Ky persekutim është bërë pikërisht mbi bazën e predominancës totalitare e diktatoreske politike të qeverive të ndryshme të këtyre vendeve.

Vërehet ndjeshëm se kërkesat kryesore të revolucionarëve, historikisht edhe aktualisht, janë politike. Natyrisht kjo vjen për faktin se kjo është sfera nga e cila ata janë privuar më së shumti, por mbase edhe nga bindja se ‘po u rregullua koka rregullohet edhe trupi’. Ndërsa faktori i dëshirës apo tahmasë së brendshme njerëzore për të synuar majat dhe për predominancë nuk mund të identifikohet lehtë pavarësisht se jo rrallë ka qenë kryesori.

Natyrshëm shfaqet edhe faktori i bindjes së thellë se reformat reale shoqërore nuk mund të bëhen vetëm se në një atmosferë lirie politike që garanton lirinë e mendimit, të shtypit, të fjalës… etj. Por pikërisht këtu lind pyetja: “Kush vallë na e garanton se epoka e despotizmit nuk mund të kthehet më?! Apo kush na garanton se ata që do vijnë në pushtet nuk do të ndjekin rrugën e të parëve?!” Ky shqetësim nuk është aq i vogël sa për të na lënë të qetë për të menduar se revolucioni tashmë ka dalë me sukses.

Edhe faktori i hakmarrjes politike nuk duhet përjashtuar. Pra këta njerëz të shtypur politikisht duan të hakmerren politikisht ndaj shtypësve të tyre apo edhe se të drejtat e tyre të rrëmbyera nuk mund të rikthehen vetëm se duke mbërthyer pushtetin në dorë. Sakaq, pa dashur dhe pa kuptuar, i përgjigjen despotizmit me despotizëm.

Omer Ibn Hatabi u irritua shumë kur pa Profetin (a.s.) të nënshkruante me idhujtarët marrëveshjen e Hudejbijes. Arsyeja e Omerit (r.a.) ishte: “A nuk kemi të drejtë o Profet i Allahut?! A nuk je ti Profeti i Allahut?! Atëherë pse duhet të nënshtrohemi duke qenë myslimanë?!” Pra Omeri (r.a.) ftonte për konfrontim, pse jo edhe për gatishmëri për derdhje gjaku, në emër të dinjitetit të tij islam. Megjithatë Profeti (a.s.) e miratoi marrëveshjen e Hudejbijes.

Realisht frika më e madhe në raste të tilla, triumfi lirie, konsiston tek shpërdorimi i energjive të furishme.

Persekutimi i lirisë shkakton persekutimin e mendjes dhe të të menduarit dhe si rrjedhojë kufizon edhe horizontin e vizionit. Kur liria ç’burgoset, bashkë me të ç’burgoset edhe mendja, e cila fluturon në horizontet e reja e të gjëra ashtu si zogu kur del nga kafazi.

Uria apo etja për liri është tamam si uria dhe etja për ushqim dhe për ujë. I urituri dhe i eturi mund të vdesin nëse pas urisë dhe etjes së gjatë nuk hanë dhe pinë me masë.

“Një ditë, djali i një bujku që shpeshherë shkonte në arë me të atin për ta ndihmuar, për t’i bërë një surprizë babait të tij, shkon në arën e gjerë e të mbjellë me misër për ta ujitur para se të vinte i ati. Afrohet tek rezervuari në krye të parcelës së gjelbër, dhe me hurin e vendosur tek cifundi (venddalja e ujit) e shtyn fort shtupën e cila bllokonte cifundin. Djaloshi i hutuar nga uji që dilte me rrëmbim për shkak të presionit të sasisë së madhe të ujit të grumbulluar në rezervuar, turret me vrap drejt parcelës për të kontrolluar ujin e pakontrollueshëm. Djaloshi u hutua edhe më shumë kur pa se sfratet e brazdave (shporeve) të parcelës së gjelbër ishin të mbyllura. Sakaq brenda pak minutave uji u harxhua duke dalë në fund të arës pa u futur në brazda, sepse sa herë që djaloshi tentonte të hapte ndonjë sfrat dheun e rrëmbente uji i furishëm.”

Profeti (a.s.) u tha shokëve të tij, veçanërisht Omerit (r.a.) se nënshkrimi i kartës së Hudejbijes me politeistët ishte një çlirim i vërtetë. “Si ka mundësi o profet i Allahut?” - e pyeti Omeri (r.a.) Profetin (a.s.).

Mënyra se si Profeti (a.s.) e shfrytëzoi këtë dhjetëvjeçar vërtetoi fjalën e tij. “Dhjetë vite ftesë e lirë në rrugë të Zotit.” – u përgjigj Profeti ynë e dashur, i urtë, i butë e i mençur, (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të). Pra dhjetë vite edukim të myslimanëve për të menaxhuar drejtë lirinë e dhuruar prej Allahut, Zotit të gjithësisë.

“Mos u dëshpëro!” - i tha Allahu i Madhërueshëm Musait (a.s.), kur bijtë e Izraelit refuzuan të futen në Palestinë pavarësisht garancive të Allahut për fitore. “Ne do t’i humbim bijtë e Izraelit dyzetë vite në shkretëtirë”. Çfarë?! Nga burgu në burg?! Po. Por tashmë nga burgu i Faraonit tek burgimi i nefsit, i epsheve cinike dhe i tahmasë. Gjatë kësaj periudhe dyzetë-vjeçare Musai (a.s.) dhe profetët e tjerë edukuan në shkretëtirë një brez tjetër nga bijtë e Izraelit, për hatër të të cilëve Allahu i Madhëruar pezulloi një nga ligjet e Tij natyrore për të mundësuar çlirimin e Palestinës në kohën e caktuar.

Për shkak të menaxhimit jo të duhur të lirisë dhe të çliruar tashmw nga despotizmi dhe diktatura politike, shoqëri të caktuara aktuale dhe të kaluara, afër dhe larg nesh kanë rënë pre e disa fenomeneve tw tjera despotike, jo më pak të tmerrshëm se ai politik, ku më i vogli është ai i imitimit të verbër të “popujve të lirë e të civilizuar”, i korrupsionit, dehumanizimit… etj.

O Allah ruaji popujt që të mos kalojnë nga despotizmi i paligjshëm tek ai “i ligjshëm”!

Nuk ka komente:

Posto një koment