e hënë, 14 shkurt 2011

Berluskonizmi ne Shqiperi dhe heshtja jone stoike...


Sara Sahatci*
Sot sheshet Italiane jane bere deshmitare te protestave kundra atij modeli sub-kulture qe Berlusconi perfaqeson qe i ka kthyer femrat ne objekte seksuale e te kembyeshme ne treg perkundrejt nje sasie parash apo favoresh te tjera qe vetem klasa politike mund te t’i ofroje. Sot nenat e motrat Italiane po protestojne kundra asaj sub-kulture mizogjeniste qe i sheh femrat si kategori e klasit te fundit, me te cilat mund te besh c’te duash dhe t’i quash si te duash; ne fund te fundit vlera e tyre vendoset nga burrat. E protesta e tyre nuk eshte vetem ndaj Berluskonit; ashtu si nje prej organizatoreve te protestes ne Rome u shpreh “ne jemi ketu sot per te denocuar ate model te shemtuar mizogjenizmi te misheruar ne gjuhen dhe veprimet e Berluskonit, qe perfaqeson ate sub-kulture italiane te dhunes verbale e shpirterore ndaj femres – fenomenin e quajtur Berluskonizem”.


Rreziku me te cilen perballet shoqeria nga ky model i trajtimit te femres eshte kritik, te themi se paku. Pavaresisht rasteve flagrante te korrupsionit, ne te cilat Berluskoni eshte perfshire, dhe shfrytezimit seksual te femrave, madje edhe te miturave, sipas sondazheve te fundit ai vazhdon te pelqehet nga Italianet. “Berluskoni po ben ate qe te gjithe ne bejme,” – tha nje Italian i intervistuar pak dite me pare – “ai vetem duhet jete paksa me i kujdesshem (me diskret)”. Tragjedia e vertete ketu eshte se tashme kemi te bejme me nje rreth te mbyllur. Ai pelqehet dhe ka reputacion sepse ben ato qe ben, (ben ate qe burri duhet te beje) e ne te njejten kohe perforcon ate model shfrytezues ndaj grave e sendizimin e tyre. Dikush duhet ta thyeje kete rreth: dhuna ndaj grave ne shoqeri ka lidhje te drejtperdrejte me modelet qe i ofrohen shoqerise nga ata qe drejtojne vendet e qe kane me shume akses ne shoqeri. Ngritja e zerit dhe organizimi i protestave te sotme nuk jane zgjidhja perfundimtare e ketij problemi strukturor te shoqerise Italiane, por ato jane padyshim nje hap i rendesishem per te sfiduar ato konstruksione sociale qe jane natyralizuar ne jeten e perditshme e qe jane bere norme e trajtimit te grave ne shoqeri.

Ne fakt doja te filloja kete shkrim me “…janë përpëlitjet e fundit të horrave e lavireve të bulevardit, por janë përpëlitje të dështuara, të mjera”, por m’u duk tmerresisht, deshperisht e shemtuar ta nisja keshtu. Kjo eshte gjuha qe kryeministri i vendit tone perdori perpara femijeve per te pershkruar se cilet ishin ata qe moren pjese ne protestat e 21 Janarit. Une nuk e di se cfare reagimi kane patur shoqatat e grave qe luftojne dhunen kundra grave, apo shoqatat qe jane te pershira ne programe kundra diskriminimit, une nuk e di nese ka patur ndonje distancim te grupeve brenda maxhorances per keto deklarata, une akoma nuk kam lexuar asnje gje. Por le te perpiqemi ta analizojme kete gjuhe ne konteksin e shoqerise Shqiptare ku dhuna ndaj grave ndodh ne te gjitha strukturat shoqerore, familje, pune, hapesire publike e hapesire politike.

Ajo cka injekton nje fjali e ketille ne shoqerine e trazuar shqiptare eshte se kushdo qe guxon te kete mendim ndryshe nga Burri (e kete radhe eshte burri i shtetit, por mund te jete edhe burri ne familje, apo shefi ne zyre, apo pronari ne pune) meriton te quhet lavire. Kete e ligjeron shteti drejtpersedrejti me gjuhen qe perdor. Cfare e ndan kete gjuhe nga dhuna verbale e fizike me te cilen grate shqiptare perballen cdo dite ne jeten e tyre? Absolutisht asgje. Kjo gjuhe mund te perkthehet lehtesisht ne ‘”dajak” per grate ne shtepite e njerezve te thjeshte. Perballe varferise se tejskashme, pamundesise per te gjetur nje pune ate dite apo pageses qesharake qe te ofron pune ne te zeze, 100 lekeshi i fundit harxhohet per nje gote me bashkevuajtesit duke pare lajmet e prej andej shprehja e vetme e dhunes e frustrimit me varferine mbetet dhuna ndaj grave ne familje. Pse jo? Kur kryeministri ne TV ofendon (ndoshta me fjalen me te ulet qe mund t'i thuhet nje motre, nene, gruaje, shoqeje ne shoqerine Shqiptare) grate qe nuk i ka asgje, pse te mos dhunosh ne shtepi ate qe gjithsesi eshte vetem se "prona jote" me te cilen mund te besh c'te duash. Rrethi i dhunes eshte tashme i mbyllur. Deshmite e grave qe perballen me dhunen e varferise dhe dhunen e bashkeshorteve te tyre jane rrenqethese.

I njejti kryeminister qe, per te luftuar kundershtaret politike, permed histori te tmerrshme te dhunes qe ata kane ushtruar mbi grate e tyre, quan lavire ato qe guxojne te dalin te protestojne kundra tij ne rruge. Pjese me e dhimbshme ne te gjithe kete dhune eshte qe shoqeria hesht. Heshtin shoqatat e grave, heshtin komunitet fetare, heshtin organizatat e shoqerise civile ne pergjithesi… HESHTJE! Ndoshta sepse ajo cka Berisha artikulon eshte tashme pjese e subkultures Shqiptare e keshtu diskursi i Berishes perforcon subkulturen dhe subkultura e dhunes perforcon diskursin politik te Berishes. Eshte subkultura qe i sheh grate si objektin mbi te cilen mund te ushtrosh dhune kur gjerat nuk te kane ecur mire gjate dites; te nje subkulture politike qe ndersa aplikon kuota per perfaqesimin e grave ne politike (pjese e detyrimeve te te qenit anetare ne organizimat nderkombetare) i perdor grate si dekor per manifestime dhe guxon t’i fyeje ato publikisht; te nje subkulture qe i sheh grate si te paafta te shprehin mendim ndryshe (ato na duhen vetem per harem alla Ciljeta, qe eshte vetem viktime e kesaj shoqerie rrenjesisht patriarkale, ndersa perpiqet te duket siperfaqesisht e tipit modern perendimor). E si per t’i vene kapak fyerjes qe kryeministri i ketij vendi i beri gjithe grave Shqiptare, e ligjerimit te dhunes verbale ndaj grave, nje koncert madheshtor pritet te organizohet. Vetem duhet analizuar paksa me mire se cfare do i pelqeje me shume shqiptareve: perdredhjet alla Shakira, apo zhveshjen e peshtire te lady Gaga… Sa pak respekt per popullin z. Kryeminister! E dime qe per ju politikanet ne jemi vetem se turma qe mund te genjehemi lehtesisht nga nje pale zgjedhje ne te tjera, por dijeni se jo pergjithmone…

Revolucionet ne Lindjen e Mesme i kane dhene nje shtyse te fuqishme dhe energji te padiskutueshme levizjeve ne te gjithe boten. Edhe pse ne kontekste te ndryshme e me probleme ne dukje te ndryshme, njerez te thjeshte, punetore, te papune, pensioniste, gra, te rinj e te reja ne shoqeri shpesh te klasifikuara si apatike, po ngrihen per te luftuar ate pjese te dhunes me te cilen ata perballen ne jeten e perditshme. Degjojme shpesh qe ne nuk jemi si Tunizia apo Egjipti apo Lindja e Mesme. Ndoshta fytyrat ndryshojne, e ndoshta edhe intensiteti i dhunes, por per nje gje te jemi te sigurte. Dhuna ndaj grave si pjese e subkultures shqiptare nuk ndryshon me zgjedhje te lira e as me rotacion pushteti. Dhuna per te cilen po flasim eshte rrenjezuar ne kulturen tone dhe si e tille kerkon reagim dhe aktivizem shoqeror nga te gjithe.

Ndoshta do vije nje dite ne Shqiperi qe njerezit do te ngrihen t’i thone mjaft kesaj dhune kafsherore ndaj grave te ligjeruar ne diskursin politik. E ate dite kur te ngrihen, nuk do te jete vetem kundra Berishes e gjuhes se dhunshme ndaj grave - pjese esenciale e dhunes me te cilen grate Shqiptare perballen kudo - por kundra te gjitha formave te dhunes qe sjell varferia e shtypja shoqerore. Deri atehere, per ata qe po lexojne keto rrjeshta, do ju lutesha te verenit rreth e qark per te kuptuar ate dhune te strukturalizuar mbi grate, motrat, nenat e shoqet tona, pjese e se ciles jemi bere te gjithe, qofte edhe me heshtjen tone. Ndoshta ne deklaraten tjeter te politikaneve tane te gjithe do te dalim ne shesh per te thene: MJAFT ME!

*Ky shkrim eshte mare me leje nga faqja ne Facebook e Sares.

Nuk ka komente:

Posto një koment