e martë, 15 shkurt 2011

Kush e dogji Voskopojën: Historia dhe fiction-i i marrëdhënieve fetare.



Në romanin “Të jetosh në ishull,” shkrimtari dhe një nga liderët politikë të opozitës socialiste, Ben Blushi, shkruan për shkatërrimin e Voskopojës, i paraqitur si një ishull zhvillimi kulturor, civiliteti, e prosperiteti të krishterë në mes barbarisë myslimane dhe osmane. Voskopoja e Blushit, më së fundi, digjet nga myslimanët.


Libri i fundit i historianit Pëllumb Xhufi, “Shekulli i Voskopojës 1669 – 1769” mer shtysë pikërisht nga debatet që pasuan botimin e librit të Blushit.


Mendimi për të konkretizuar në një libër këtë studim, që kishte nisur të konceptohej prej kohësh, më lindi në pranverën e vitit 2008, kur mediat shqiptare u pushtuan nga debati për librin e shkrimtarit Ben Blushi, “Të jetosh në ishull”. Atë kohë u fol shumë për suksesin e pazakontë të këtij libri, dhe me të drejtë ky iu atribua talentit të padiskutuar të autorit, por edhe një fushate publicitare në shkallë të gjerë si dhe një marketingu të pakursyer që parapriu e shoqëroi botimin e tij. Ndërkohë, lexues e studiues të vëmendshëm kanë nënvizuar edhe një arsye të tretë të suksesit, jo më pak të rëndësishme se të parat: provokimin me historinë (Shaban Sinani, Për letërsinë shqipe të shek. të 20-të, në “Gazeta Shqiptare”, e martë, 7 shtator, f. 19).


Përgjigja ndaj të tilla kritikave ka qenë shpesh bazuar në vënien në dukje që romani i Blushit është vepër fiction. Por që në kapakun e librit të Blushit shohim ngritjen e pretendimit të njohjes “gjer në imtësi të epokës” kur ndodhin ngjarjet.

Duke e marrë temën nga një periudhë jo fort e njohur e historisë së Shqipërisë, fabula shtrihet në gati katër shekuj duke sjellë në letërsinë shqipe, personazhe të njohur, ngjarje e data që të çudisin për erudicionin e autorit, njohjen deri në imtësi të epokës ku zhvillohen ngjarjet dhe të zakoneve, traditave, organizimit të jetës së përditshme, e, në mënyrë të veçantë, të riteve e normave fetare që rrjedhin nga Librat e Shenjtë.


Një Skënderbe ndryshe nga ç’e njohim, mosmarrëveshjet e tij me princin Arianit Komneni dhe historia e familjes Komneni e parë në disa breza, Ali Pashai i Tepelenës dhe qeverisja ekzotike e Janinës, konfliktet e tij me çamët e krishterë, lulëzimi dhe shkatërrimi i Voskopojës i përshkruar për herë të parë në letërsinë shqipe, luftërat e shqiptarëve deri në Kretë kundër Turqisë, si dhe bëmat e Sabatai Zevit, çifutit më të famshëm të Perandorisë Osmane që vdiq në Shqipëri, janë vetëm disa prej kulmeve që të mbajnë mbërthyer pas leximit për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e ngjarjeve.

Këtu përgjigjet historiani Xhufi, jo vetëm ndaj pretendimeve si ato të Blushit që paraqesin Voskopojën si një “ishull” por edhe ndaj pretendimeve të historianëve grekë e rumunë për Voskopojën.


Ky studim mbështetet kryekëput në shfrytëzimin dhe vlerësimin e një dokumentacioni historik mjaft të gjerë, si dhe në ballafaqimin kritik me literaturën historike, deri tani të prodhuar mbi çështje të veçanta të historisë së Voskopojës. Nëse do të duhej të flisnim për ndonjë paragjykim (paragjykimet gjarpërojnë shpesh, qoftë edhe në formë të fshehtë, në shumë vepra historike), paragjykimi ynë do të ishte thjesht metodologjik: kemi refuzuar ta trajtojmë Voskopojën si një “ishull”, i palidhur e i pangjizur me mjedisin përreth, siç kanë bërë deri tani shumë nga autorët grekë e rumunë që janë marrë me historinë e saj. Përkundrazi, e kemi projektuar rastin Voskopojë në një kuadër shumë më të gjerë, në lidhjet e saj të shumëllojshme me mjedisin e afërt e të largët gjeografik e shoqëror, të bindur se asnjë përfundim nuk do të mund të ishte i saktë dhe i drejtë, pa marrë në konsideratë dimensionin krahinor, shqiptar, ballkanik e europian të këtij qyteti prodige. Duke hulumtuar hap pas hapi këto lidhje, ne kemi dalë në një përfundim, që përbën edhe kontributin thelbësor të këtij libri, sipas të cilit nuk janë faktorët ideologjikë, kulturorë, racorë e fetarë ata që shënuan fatin e këtij qyteti, ngritjen e shpejtë dhe rënien po aq të shpejtë të tij. Historiografia greke e ka ngritur prej kohësh një skemë të tillë, pas së cilës Voskopoja ishte një produkt i “frymës helene”, një “ishull mes barbarisë shqiptare”, që në fund të fundit u shkatërrua nga myslimanët ziliqarë e nga Porta e Lartë. Asgjë nuk ka më të pavërtetë se thënie të tilla. Dokumentet e kohës, duke filluar nga Kodiku i çmuar i Manastirit të Shën Prodromit, tregojnë se historia e Voskopojës nuk mund të shkruhet duke ndjekur fillin e rremë të gjoja “helenizmit” të saj.


Në lidhje me rrënimin e Voskopojës, në dallim nga narrativa e Blushit, Xhufi thotë:


Nga një vend blegtoral që prodhonte kryesisht për nevojat e veta, Voskopoja na rezulton të jetë kthyer në një qendër mbarëballkanike të tregtisë së leshit e të produkteve të tij. Ky ndryshim përcaktohej nga një kërkesë e madhe për këto produkte, që vinte pikërisht nga fronti i gjatë austro-turk përgjatë Danubit. Këtu ishte dislokuar një ushtri e stërmadhe dhe e parregullt kufitare, e përbërë nga fshatarë ballkanikë, mes tyre shumë shqiptarë e vlleh. Kundrejt shërbimit të rojës, Monarkia e Habsburgëve u kishte dhuruar atyre nga një copë tokë dhe i furnizonte me uniforma e pajisje të tjera leshi. Prej këtij fronti ushtarak vinte, pra, ajo kërkesë e madhe për lesh, që përcaktoi rolin e jashtëzakonshëm të Voskopojës si protagoniste të kësaj tregtie, që kishte si qendër grumbullimi të mallit Voskopojën dhe si port evadimi të tij Durrësin. Mirëpo, kjo konjukturë e favorshme nuk vazhdoi gjatë. Së pari, me zhvendosjen e kufirit aktiv austro-turk drejt Danubit lindor, u zhvendosën drejt Lindjes edhe rrugët e tregtisë së leshit, dhe kjo e la Voskopojën në një rol margjinal. Nga ana tjetër, paqet e njëpasnjëshme austro-turke të gjysmës së parë të shek. XVIII krijuan kushtet për çmobilizimin e ushtrisë kufitare, duke ulur në minimum edhe kërkesën për leshin e produktet e tij. Këtu zë fill kriza ekonomike në Voskopojë, aq mirë e dëshmuar nga dokumentet e kohës, konfliktet e ashpra sociale brenda qytetit, emigrimi i familjeve më të shquara tregtare që kërkonin t’i iknin përndjekjeve të kreditorëve të tyre.


Xhufi adreson në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe atë pjesë të fiction-it të Blushit që flet për rrënimin e Voskopojës nga myslimanët, cështje për të cilën historiani Xhufi ka përsëri një tjetër histori për të na treguar. Në vazhdim të përgjigjes për rrënimit të Voskopoës, Xhufi thotë se ishin kreditorët e krishterë që


sulmuan qytetin në shtator 1769, duke kërkuar të zëvendësonin me plaçkë borxhet e shumta që tregtarët voskopojarë u detyroheshin atyre. Edhe ky akt i fundit e tragjik i historisë së qytetit na ka ballafaquar me historiografinë greke, sipas të cilës autorët e tij ishin shqiptarët e rrethinave, myslimanë fanatikë e ziliqarë. Mbi bazë dokumentesh të pakundërshtueshme, ne na rezulton se sulmuesit e Voskopojës ishin kreditorët e voskopojarëve, të krishterë si këta, ndërkohë që ata të cilët e mbrojtën qytetin ishin njëmijë shqiptarë myslimanë me në krye bylykbashin Mustafa Korça, mik i voskopojarëve. Ne na rezulton qartë se kundërvëniet fetare, që aq shumë janë emfatizuar nga historiografia greke, nuk kanë të bëjnë fare me fundin e Voskopojës. Përkundrazi, gjithçka flet për atë që voskopojarët patën vazhdimisht marrëdhënie të mira me myslimanët, duke filluar nga dinjitarët vendas e duke përfunduar te Sulltani, i cili për shumë kohë e mori Voskopojën nën mbrojtjen e vet, për arsye se i siguronte atij të ardhura të mëdha në valutë të huaj.


Ndërkohë shkrimtari dhe politikani Blushi vahdon të pretendojë e të paraqitet nga ata që mbështesin propagandën e tij të militancës fetare si ekspert dhe njohës i historisë e në mënyrë të vecantë të asaj që ka lidhje me cështjet fetare. Sic shkruajnë botuesit e Blushit,


linja më dominuese në roman që do të ngjallë, padyshim, debate e diskutime të shumta mbetet procesi i gjatë dhe i ngatërruar i islamizimit të shqiptarëve të pas pushtimit nga Turqia. Ishte paqësor apo i dhunshëm ky transformim, u krye me dëshirën e vetë shqiptarëve apo u detyruan nga masat shtrënguese të pushtuesve?! Si bashkëjetoi një familje shqiptare e ndarë në dy fe në Shqipërinë e shekullit XVIII?


Fiction-i i Blushit kërkon të apelojë në një përfytyrim të rremë e të deformuar historie, ngritur mbi paragjykime fetare e kulturore, për të krijuar një histori e cila nuk mund t’i sherbejë kohezionit të shoqërisë shqiptare pavarësisht përkatësive fetare. Kontributi i historianëve të vërtetë, dija e mirëfilltë për të kaluarën është mbrojtja më e mirë ndaj propagandës militante të Blushit dhe të tjerëve si ai. Kontributi i Profesor Xhufit është më se i mirëpritur.

1 koment:

  1. Shpresojme qe libri i ardhshem i Blushit te jete mbi djegjen e Frasherit nga andartet, dhe djegjen e Borshit nga Piqerasit.

    PërgjigjuFshije