Doan Dani
Në debatin e programit Opinion të datës 24 nëntor 2010 munguan vetëm pjesëmarrësit e Big Brother për të kompletuar analizat historiografike në lidhje me islamizimin e shqiptarëve, pavarësinë e vonuar, flamurin, osmanizimin etj. Sigurisht që ndërhyrja më groteske ishte ajo e z. Zhej i cili pa respektuar periudhat historike, rajonet, situatat gjeopolitike, ngjarjet e konsumuara gjate periudhës skënderbejane etj, eksperimenton rolin e historianit në një stil shërbese fetare mbushur me boshllëqe shkencore. Në një çast ambienton Rikard Zemërluanin në Francë; ngatërron kryeministrin italian Crispi (me senatorin Crespi) dhe e vendos në një periudhe 50-70 vjeçare përpara pavarësisë së Shqipërisë në një kohë që Crispi drejtoi kabinetin qeveritar jo më tepër se 27 vite përpara 1912; cilëson si rast të veçantë ballkanik që Shqipëria hyri nën sundimin osman jo si shtet por e coptuar, duke nënkuptuar se popujt e tjerë ballkanike ranë në këtë sundim si shtete (konkretisht cilat?); vendos ‹‹piramida kokësh›› në shek. XVI dhe i lidh me shqiptarët duke “vjedhur histori” - në lidhje me këtë ngjarje duhen ankuar serbët dhe jo shqiptarët, më saktësisht për të ashtuquajturën Čele Kula e vitit 1809.
Përballë mesazhit pak rendësi ka e vërteta nëpër filma, gjatë të gjitha ndërhyrjeve objektivi përfundimtar është paraqitja e osmanëve vetëm si masakrues të shqiptarëve të krishtere, një teme kjo e konsumuar dhe aspak komode edhe për disa zëra të historiografisë së fqinjëve tanë. Më tej “shpata” osmane shërben për prezantimin e islamizimit si proces i dhunshëm. “Eksperti” nuk kursehet, në dy ndërhyrje, të evidentojë shkallën e lartë të rrënjosjes së katolicizmit në tokat shqiptare: kështu zbulojmë se në shekujt XVI-XVII ne ishim në shumicë katolik dhe në rajonin që shtrihej nga Lezha në Shkodër, Malësi dhe deri në Raguzë - një territor shqiptar, sipas Zhej - numri i katedraleve ishte ‹‹mbi treqind››.
Le të ndalemi pak tek kjo shifër e lexuar nga folësi gjatë qëndrimit në Romë. Fjala ‘katedrale’, që vjen nga greko-latinishtja dhe mund të shqipërohet si ‘vend uljeje’, gjatë paleokroshterimit filloi të identifikojë vendqëndrimin e ipeshkvit (peshkopit) në institucionin kryesorë të njësisë administrativo-fetare të quajtur dioqezë. Normalisht, vendi ku ndërtohet katedralja është kryeqendra e dioqezës. Sot Italia ka rreth 227 dioqeza dhe përfaqëson vendin e parë në botë për numrin e katedraleve me 269 ndërtesa të tilla (së bashku me ish katedralet, pa numrin elastik të bashkëkatedraleve), e ndjekur nga Brazili me 220, Shtetet e Bashkuara te Amerikës me 175, India me 108, Franca me 93, Spanja me 65, Polonia me 27 (të dhënat e numrit të katedraleve i përkasin vitit 1985). Siç vërejmë as Italia, vendi që nuk mund të identifikohet pa historinë e katolicizmit, nuk arrin në shifrën që Zhej ka lexuar: edhe pse nuk është pushtuar kurrë nga osmanët, pra nuk ka njohur shkatërrime kishtare, edhe pse katolicizmi (krishtërimi) është i njëtrajtshëm gjatë gjithë historisë së dy mijëvjeçarëve të fundit të gadishullit Apenin, nuk arrin numrin treqind. Komuniteti botërorë katolik numëron rreth 2675 katedrale, rreth 250 bashkëkatedrale (kisha që ndajnë rolin e katedrës), rreth 230 ish katedrale, të gjitha së bashku tejkalojnë shifrën 3000. Përqindja e katolikeve në botë, në krahasim me mesjetën, sigurisht që është rritur dhe njëkohësisht edhe numri i dioqezave dhe katedraleve. Si shpjegohet që rajoni nga Lezha në Dubrovnik, në mesjetën paraosmane, përqendron rreth 9% të katedraleve të shifrës ekzistuese sot në botë?
Z. Zhej përjashton mendjelehtësisht mundësinë e pranisë së ortodoksisë në këtë territor dhe sposton të gjithë shqiptaret nga Lezha në veri, pjesa e ngelur e territorit ka gjasa të mos jetë banuar nga shqiptarë. Në shekullin e X, gjatë sundimit të perandorit Leon VI, Lezha dhe Kruja ndodhen nën administrimin e mitropolitit të Durrësit: sipas Sbutega-s, ky qytet është epiqendra e Prevalit (Shqipëria e veriut dhe jo vetëm) me 15 dioqezat e kësaj njësie territoriale - duhen edhe 285 për të arritur në 300 - përfshi edhe Doklean mesjetare (një pjese e Malit te Zi aktual), ndërsa arqipeshkvia e Splitit shtrihet gjer në Risan, Kotor, Budva. Paraardhësi i tij, Leoni III, në vitin 732 i kishte bashkëngjitur Prevalin patriarkanës së Kostandinopojës. Me krijimin e mbretërisë se Dokleas dhe kurorëzimin e Mihajlit nga një mëkëmbës i Papës Tivari merr rolin e arqipeshkëvisë dhe nga veriu i Shqipërisë (të kufijve aktual) nën juridiksionin e Tivarit kalojnë Shkodra, Çasi, Ulqini, Drishti dhe Pulti, territore të sunduara nga dinastia Vojislavljevič. Konstatojmë se autoriteti i Papës në tokat shqiptare fillimisht është rezultat veprës së sllavëve të Dokleas, gjithashtu mësojmë se ky është numri maksimal i katedrale/dioqezave që përmban zona nga Drishti në Tivar, më në veri është e kotë të pretendojmë katedrale “shqiptare”, por edhe sikur të jenë te atilla, deri ne Dubrovnik, numri nuk kalon shifrën dhjetë, madje edhe sikur t’i bashkëngjisim të gjithë Kroacinë. Më vone do të rreshtohen si ipeshkvi katolike - njësi për katedrale të mundshme - edhe Balëzi (në afërsi te lumit Rrjodh, në Malësinë e Madhe) dhe Sarda apo Shurdha (ne liqenin e Vau Dejës). Sipas dokumenteve të vitit 1416, të cituara nga Jireček, Balëzi numëronte në këtë vit vetëm 25 shtëpi, Shurdha perëndon një shekull më parë. Sundimtarët e rajonit janë venedikasit dhe jo osmanet: është domethënës ky fakt pasi janë sundimtaret venedikas që forcojnë autoritetin papnorë, pas një periudhe të shkurtër mbështetjeje të misioneve nga mbretëresha serbe Elena që ndikoi ne përhapjen e katolicizmit në trevat shqiptare të veriut, dhe është periudha venedikase që regjistron dekadencën e dy ipeshkëvive të mësipërme. Është gjithashtu kalimi i Lezhës nën sundimin venedikas që shkëput këtë qytet nga administrata fetare ortodokse: jo më kot Shën Nikolla, të cilit i dedikohet katedralja e Lezhës, përfaqëson një nga shenjtorët më të dashur të botës ortodokse që ka influencuar kulturën fetare ballkanike; Shën Nikolla nga Anadolli, së bashku me Shën Gjergjin nga Palestina dhe Shën Sirgjin (martir në Re/osafa te Sirisë) dëshmojnë rrënjëzimin e ndikimit ortodoks oriental në trevat shqiptare, të asaj bote që Zhej e quan ‹‹orienti më i errët››.
Jo vetëm që prania e krishterimit bizantin është e dokumentuar në trevat shqiptare të veriut, por edhe rifuqizohet me sundimin serb, ndonëse ndikimi i Kostandinopojës është gjithnjë e më i zbehtë për shkak të tkurrjes së perandorisë dhe forcimit të Serbisë mesjetare. Ndërkohë Mali i Zi ortodoksizohet masivisht gjatë sundimit serb (shek. XII-XIV) - shenjtori sllavo-ortodoks Jovan (Gjon) Vladimiri është i dashur për popullsinë e rrethinave të Shkodrës, mbrojtësi i Durrësit derisa spostohet në Elbasan. Nga ana e saj Kisha serbe disponon dy dioqeza në bregdetin adriatiko-malazez: pjesë e tyre është edhe kisha e Sveti Vrači (dedikuar Shën Kozmait dhe Shën Damianit) në veri të Shkodrës. Edhe gjatë sundimin venedikas Shkodra ka mitropolitin ortodoks serb. Që ‹‹territori shqiptar është një zonë kufitare mes dy Kishave››, siç shkruan Di Miceli, nuk ka as më të voglin dyshim, me gjithë dëshirën e ngelur vetëm dëshirë për ta njëtrajtësuar me njërën apo tjetrën Kishë.
Kjo tablo demofetare e copëzuar përjashton mundësinë që shumica e popullsisë shqiptare të këtë qenë e drejtuar nga autoriteti papnor në shekujt vijues. Shkëputja e Dokleas nga ky autoritet zvogëlon më tej mundësinë e shtimit të numrit të dioqezave dhe katedraleve në një territor që shkon nga Lezha e sunduar nga Venediku, tashmë në një faze të re fetarizimi, drejt Dubrovnikut. Rajoni zgjerohet në rrethinat e Shkodrës, por ngushtohet përgjatë Adriatikut deri në Dubrovnik. Si është e mundur që ky territor të përmbledhë më shumë katedrale se zonat thellësisht katolike si p.sh Franca, Spanja, Portugalia dhe Austria, të marra së bashku, e di vetëm Zhej.
Shifrat e trilluara parapërgatitin terrenin në përshkrimin e islamizimit që, i kriminalizuar si shkatërrues edhe pse i asaj që nuk ekzistonte (pak rendësi ka sepse Zhej e shpik), shpallet fajtori kryesorë i vonesës së pavarësimit tonë sipas ekuacionit ‘feja e përbashkët me sunduesin asimilon’. Në parantezë, me gjithë zellin e zjarrtë të “specialistit” për të krijuar situata tragjike katastrofike dhe komplotiste (një model arsyetues i trashëguar nga enverizmi), duhet qartësuar se shqiptarët fituan pavarësinë pak më vone se popujt e tjerë të Ballkanit: 35 vite pas serbëve, malazezëve, rumunëve dhe bullgarëve, të lidhur ngusht me Rusinë dhe një moment të veçantë historik, sidoqoftë 80 vite përpara Bosnje-Hercegovinës të sunduar (pas 1878) nga austro-hungarezët, me besim fetarë të ndryshëm nga shumica boshnjake - këtu roli i fesë dhe fajësimi i sundimit osman nuk përputhen me shpjegimin e vonesës nga z. Zhej! Madje ne nuk ishim aq shumë të vonuar nga popuj perëndimore, pa fe dhe sundime orientale, si p.sh italianët që u pavarësuan gjysme shekulli përpara nesh dhe u bashkuan përfundimisht 41 vite përpara Shqipërisë.
Feja e përbashkët me sunduesin shpesh herë integron, e natyrisht kur është e ndryshme shërben si faktor dallues, por kjo nuk do të thotë që domosdoshmërisht në kushtet e besimit të njëjtë ka asimilim. Varet nga largësia me epiqendrën e subjektit sundimtar, kontakti direkt i të sunduarit me etninë e sunduesit dhe gjendja në minorancë e të parit përballë të së dytit, statusi i sundimit apo statusi i pushtimit, feja, gjuha, kultura, etnia, situata gjeopolitike, zhvillimi ekonomik (politik dhe shoqëror), forca e sunduesit, metodat e sundimit, kohëzgjatja e tij, gjithashtu edhe gjendja e të sunduari në të gjitha aspektet. Pa dyshim që feja është faktor i rëndësishëm në afrimin ose largimin mes sunduesit dhe të sunduarit, sidoqoftë nuk mund të reduktohet fenomeni tek feja: shqiptarët muslimanë të emigruar në Stamboll u turqizuan masivisht, shqiptarët (arbëreshët) katolik të emigruar në Itali (veçanërisht në territoret e Venedikut) gjatë shek. XV-XVI u latinizuan, përkundër shqiptarëve të trevave etnike që nuk u asimiluan në përmasa të tilla edhe pse me fe të njëjtë me sunduesin osman; nga ana tjetër, feja e ndryshme, dhe jo vetëm, me shumicën italiane ruajti identitetin e arbëreshëve ortodoks; kroatët edhe pse me fe të njëjtë me hungarezet nuk u deetnicizuan në favor të sundimtarëve, ndërsa vllahët ortodoksë të Hercegovinës u serbizuan aq sa të masakronin boshnjakët muslimanë në vitet ’90 të shekullit të kaluar në emër të lavdisë serbo-mesjetare; shumë shqiptarë ortodoksë u deshqiptarizuan në favor të etnive fqinje, por shumë të tjerë ruajtën dallueshmërinë shqiptare. Këta shembuj shërbejnë për të kuptuar se një element, në këtë rast feja, mund të prodhojë dy realitete plotësisht të ndryshme për shkak të ndërveprimit me elemente të tjera. Për misionarizmin propagandistik të z. Zhej, të kombinuar me njohuri mediokre në histori - të ekspozuara me seriozitet në pak minuta brenda dy orëve emision - feja islame, e përbashkët me sunduesin osman, është e vetmja pengesë e pavarësisë, çka nënkupton se një fe e ndryshme do të kishte përshpejtuar kurorëzimin nacional të popullit tonë, pra elementët e tjerë janë plotësisht të padukshëm.
Mendoj që shembulli vijues është mjaft interesant për të kundërshtuar këtë teori: bëhet fjalë për Irlandën e pavarësuar në vitin 1922. Pas revoltës së shtypur përfundimisht në Limerick (në 1691, ku mbrojtësit e kështjellës u masakruan) anglezët aprovuan disa ligje antikatolike që pengonin irlandezët të shprehnin lirshëm besimin e tyre. Kjo situate do të mbijetojë deri në Catholic Emancipation Act të vitit 1829. Diçka të tillë anglezët e kishin aplikuar edhe në territorin e tyre nëpërmjet Test Act (viti 1673) që përjashtonte katolikët nga të gjitha pozitat administrative dhe ushtarake për 150 vite. Kriza e gjysmës së shek. XIX përgjysmoi popullsinë irlandeze për gjysmë shekulli, nga tetë në katër milion banorë, si rezultat i vdekjeve dhe emigracionit. Sundimi anglez varfëroi më tej vendin në të gjitha aspektet: trashëgimi e sundimit është mosnjohja e gjuhës irlandeze origjinale (e zëvendësuar nga anglishtja) nga shumica e popullsisë aktuale. Cahill e krahason Irlandën nën sundimin anglez me një ‹‹vend i botës së tretë në kufijtë e Evropës››. E pra Irlanda nuk ishte e pushtuar as nga osmanet e as nga ndonjë pushtet oriental ‹‹ogurzi››. Feja e ndryshme e irlandezëve me anglezët, bota perëndimore dhe e krishterë ku ngjarjet zhvillohen, që të dy realitete vazhdimisht të pretenduara si të emancipuara nga Zhej, nuk arrijnë t’i sjellin pavarësinë Irlandës përveçse dhjetë vite më vonë se Shqipërisë dhe vetëm pesë vite përpara Arabisë Saudite. Ashtu siç pohova më lart vonesa të tilla apo përshpejtimet rrjedhin nga një polikromi faktorësh.
Ngelet jashtë këtij shkrimi shtjellimi i çështjes së islamizimit të shqiptarëve, pasi nuk meriton të trajtohet në forme replike me individë që i “qëndrojnë” historiografisë, siç thotë populli, ‹‹si shala gomarit››.
Nuk ka komente:
Posto një koment