e hënë, 20 dhjetor 2010

Disa kontradikta në Projektligjin për Arsimin Parauniversitar

Fabian Zhilla*

Gjatë këtyre ditëve Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar projektligjin për arsimin parauniversitar, për konsultim me publikun. Ky projektligj është kontestuar jo pak në media për paqartësitë që mund të prodhojë. Kritika kryesore qëndron në atë se nene të këtij projektligji bien në kundërshtim me nene të veçanta të ligjit tashmë të aprovuar, Ligjin Kundër Diskriminimit. Parimisht, shqetësimi i ngritur në media deri diku qëndron, por në një pikëpamje tjetër juridike. Media e ka komentuar pikën 4 të nenit 36 të projektligjit, i cili ndalon ekspozimin e simboleve fetare në ambientet e institucioneve arsimore, si ndalim ndaj shamisë apo mjekrës për nxënësit praktikantë të besimit musliman. Në analizën juridike të mëposhtme, ndahet një qëndrim tjetër kritik.


Fillimisht, duhet cilësuar se ky projektligj është përpjekur të sjelli disa risi pozitive. Ai rrit gamën e të drejtave të nxënësve të shkollave të sistemit parauniversitar, si p.sh. mbrojtja ndaj keqtrajtimeve fizike apo edhe mbrojtja dhe administrimi i të dhënave personale. Gjithashtu, ky projektligj penalizon çdo keqpërdorim të nxënësve për shkaqe politike apo çdo forme indoktrinimi fetar të paparashikuar në programin arsimor. Stimulon arsimin duke ndaluar punësimin e fëmijëve gjatë periudhës së arsimit të detyrueshëm. Gjithashtu, njeh si të ligjshëm dhe arsimimin në kushtet e shtëpisë ose siç njihet ndryshe, në literaturën ndërkombëtare, si ‘home schooling’.

Sidoqoftë, ky projektligj krijon një handikap të ri, i cili, me të drejtë, kohëve të fundit është konsideruar nga media si një përplasje midis tij dhe Ligjit Kundër Diskriminimit. Që në nenin 1, ky i fundit, ndalon çdo lloj diskriminimi, qoftë ky i drejtpërdrejtë apo i tërthortë që bëhet për shkaqe të ndryshme, ndër të tjera edhe fetare. Në nenin 3 të tij ka një sërë përkufizimesh të detajuara për format e diskriminimit, si ato të drejtpërdrejta, të tërthorta apo dhe rastet kur ai përdoret në formën e viktimizimit. Ky ligj ka një nen të plotë i cili i kushtohet mbrojtjes ndaj diskriminimit për çështje fetare.

Shqetësimi i shprehur në media lidhet me një kontradiktë juridike midis nenit 10 të Ligjit Kundër Diskriminimit dhe nenit 36 pika 4 të projektligjit në fjalë. Në fakt, projektligji është kujdesur që të ketë një nen specifik (neni 6) kundër diskriminimit të nxënësve për shkaqe fetare. Pra, ky projektligj realisht nuk krijon përplasje në këtë aspekt. Duhet pasur parasysh se neni 36 është një dispozitë e karakterit administrativ, pasi është i renditur nën Kapitullin III, i cili ka të bëjë me mënyrën e funksionimit të sistemit parauniversitar. Sipas parimeve themelore të teknikës legjislative, neni dhe çdo paragraf i tij duhet të jenë në funksion dhe në një rrjedhë logjike me qëllimin e Kreut përkatës të ligjit.

Në këtë aspekt, duke qenë se në këtë Kre (Kreu III) flitet për formën administrative, kuptimi i nenit 36 pika 4 ka të bëjë me ndalimin e vendosjes në ambientet e institucioneve arsimore të simboleve fetare, siç mund të jetë kryqi apo dhe gjysmëhëna. Ky nen nuk mund të ketë lidhje me paraqitjen e jashtme të nxënësve, qoftë ajo mbulesa e kokës (e përdorur si nga muslimanet dhe të krishterat) apo mbajtja e kryqit publikisht. Një interpretim i kundërt do ta bënte këtë pikë të nenit 36 kontradiktore, jo vetëm me nenin 6 të tij apo dhe nenin 10 të Ligjit Kundër Diskriminimit, por mbi të gjitha me nenet 18 dhe 24 të Kushtetutës. Kjo do ta bënte këtë nen automatikisht antikushtetues dhe si rrjedhim nul.

Në fakt, shqetësimi i ngritur mediatikisht se pika 4 e nenit 36 të këtij projektligji është konfliktuale, mund jetë i drejtë, por në një këndvështrim tjetër juridik. Kjo pikë e nenit mund të krijojë probleme në lidhje me punësimin e mësuesve praktikantë të feve të ndryshme dhe që kanë një paraqitje fetare. Pyetja që ngrihet në këtë kontekst është: a do të konsiderohet ‘ekspozim i simbolit fetar’ një kryq që mbahet i varur në qafë publikisht nga një mësues/e gjatë orës së mësimit?

Nga ana tjetër, është e paqartë se çfarë ka parasysh ligjvënësi me termin simbol fetar. Pasi, p. sh., mbulesa e kokës për femrat muslimane apo dhe të krishtera në rastin e murgeshave, sipas doktrinave përkatëse fetare, nuk konsiderohet simbol, por pjesë e domosdoshme e veshjes femërore. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë emblemë identifikuese, propagandistike, por thjesht për një mbulim të mëtejshëm të trupit, sipas një pikëpamjeje më konservatore për privatësinë dhe intimen.

Në rast se neni 36 pika 4 ka parasysh këtë kategori mësuesish, atëherë kjo do të krijonte padyshim përplasje me nenin 12 dhe 13 të Ligjit kundër Diskriminimit. Këto nene mbrojnë çdo individ i cili diskriminohet për shkaqe fetare në lidhje me punësimin. Nga ky këndvështrim, neni 36 pika 4 mund të krijonte përplasje edhe me nenin 49 të Kushtetutës, i cili mbron të drejtën e çdo shtetasi për të zgjedhur profesionin dhe vendin e punës që ai kërkon. Kjo, duke respektuar të drejtat e tij fetare të përcaktuara nga neni 24 i Kushtetutës. Është pikërisht kjo pikëpamje juridike që e bën pikën 4 të nenit 36 të kontestueshme.

Si mund të evitohet ky konfuzion?

Projektligji është ende në fazën e konsultimit dhe ende nuk ka kaluar për diskutim në Këshillin e Ministrave dhe Parlament. Për këtë arsye, mundësia për rishikim është e hapur. Disa sugjerime të cilat mund të merren në konsideratë janë:

1-Në nenin 3, i cili ka të bëjë me përkufizimet, të bëhej përkufizimi i termave ‘indoktrinim fetar’ dhe ‘simbole fetare’. Gjithashtu të bëhet i qartë dallimi me praktikat fetare. Të përkufizohet në mënyrë më të plotë termi “institucion arsimor”. Të sqarohet gjithashtu nëse ky përkufizim përfshin vetëm ambientet fizike apo edhe personat që ushtrojnë aktivitet në të, përfshirë këtu nxënësit dhe mësuesit. Po në këtë drejtim të rihartohet pika 4 e nenit 36, duke sqaruar nëse bëhet fjalë për shfaqje në ambientet e institucioneve arsimore apo edhe për shfaqje nga ana e nxënësve dhe mësuesve.

2-Të hartohet një nen i veçantë në lidhje me ndalimin e ekspozimit të simboleve fetare. Po në këtë nen të bëhet një përcaktim i qartë, në pika të veçanta, për rastet që ka parasysh ky nen.

3- Ky projektligj mund të shoqërohet edhe me një material/guidë shpjeguese për çdo nen, në atë se çfarë ka parasysh legjislatori. Zakonisht këto guida nuk kanë karakter detyrues, por ndihmojnë në një kuptim më të qartë dhe zbatim të ligjit. Kjo mund të publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përkatëse, për konsultim publik, dhe për të shmangur çdo keqkuptim nga institucionet dhe individët që preken nga ky ligj.

Në këtë aspekt, projektligji për arsimin parauniversitar është një dokument juridik i cili përbën një prurje cilësore në lidhje me rregullimin e këtij sektori. Megjithatë, kontestimet e bëra nga media për paqartësitë që neni 36 pika 4 mund të prodhojë, nga një pikëpamje tjetër juridike, janë të drejta. Për këtë qëllim, duke qenë se Ministria e Arsimit dhe e Shkencës është në procesin e Konsultimit të Jashtëm, do të ishte e këshillueshme që sugjerimet e bëra në këtë analizë të merreshin seriozisht. Kjo do të shmangte çdo përplasje ligjore midis këtij projektligji dhe Kushtetutës apo dhe ligjit tashmë të aprovuar në lidhje me mbrojtjen ndaj diskriminimit.

Mare nga gazeta "Mapo", 20 dhjetor, 2010.

Nuk ka komente:

Posto një koment