Ermir Hoxha
Për të gjithë ata që nuk e dijnë, “shamia” në Islam është një obligacion për femrën besimtare; nuk është simbol. Nuk është vendi për të shpjeguar urtësitë e kësaj lloj performanceje te kategoria e “seksit të dobët” që ka vendosur ta jetojë jetën mbi principe besimi, por lehtësisht mund të kuptohet nga çdokush, që ajo (shamia), është në funksion të një përkorësie, e cila përshkon si fill pothuaj të tre besimet monoteiste, ngase pikërisht janë me rrënjë të përbashkëta. Nënë Tereza bën “muuu’’ në këtë aspekt, e po ashtu figura e Marisë së Virgjër, e njohur në Islam si Merjemja e ndershme. Por duhet ta pranojmë se sot, për shkak të një lloj vizualiteti dominant, real e virtual, me femra që mu aty te kufiri mes publikes dhe intimes anojnë paksa nga kjo e fundit, ajo që ka vendosur ta zbatojë rigorozisht këtë ndarje etike, bën më tepër përshtypje; tërheq vëmendje e madje shënjestrohet për atë se pse nuk futet tek të shumtat. E kjo, në një shoqëri, që mëton se i ka themelet te principi i lirisë!
Një fakt, neni kushtetues që e mbron dhe e lançon këtë princip, është principi vetë, si vetë kushtetuta xhanëm.
Ja, mbërritëm aty ku realisht duhet të kërleshen qëndrimet rreth “shamisë” , me një gjuhë të kulluar juridike, jashtë çdo lloj emotiviteti apo racionaliteti të pretenduar nga ana e çdokujt që angazhohet në këtë diskurs. Për dreq, nuk dihet pse i shmangen vetë juristët trajtimit të “shamisë”; e duke mos qenë i tillë, po rrekem ta thjeshtoj në një trajtë më pak juridike problemin në fjalë, me shpresën se mos ia qëlloj.
“Shkolla është laike”, kjo është fraza fast-food e çdo goje, rreshtuar kah anti-shamia, dhe, në këtë moment, prej lëshuesit të frazës, se ç`ka një lloj ngrefosjeje se e ka kapur tjetrin, e ka mbërthyer në darën e një argumenti që ka mpakur çdo kundërargument; por, bash prej këtij pohimi, çdo gjë është thënë, veç njerës: argumentit! Po, shkolla është laike, por jo ai që shkollohet. Shteti është laik, por jo shtetasi, që pikërisht kushtetuta, ia jep të drejtën të krijojë, ruajë, përqafojë, pëlqejë çdo identitet individual.
Çfarë është shkolla publike? Eshtë thjesht shërbim publik, që i ofrohet shtetasit taksapagues. Kaq. Madje, në rastin kur arsimi 8-vjeçar është i detyrueshëm, autoritetet shkollore përkatëse duhet të shkojnë ta marrin për veshi ndonjë çupërlinë që refuzon të shkojë në shkollë për ndonjë arsye private, qoftë dhe fetare. Për të tilla raste duhet te jepej kuja!
“Shteti është laik”, thamë më sipër. Atëherë, përse ky shtet laik regjistron si shtetas në gjendje civile dikë që është fetar dhe e shpërfaqë këtë identitet dhe në trajta të jashtme?! Së këndejmi, ky shtet laik, ka shërbimet e veta publike, siç e theksuam, në bazë të obligacioneve të ndërsjellta me shtetasin e vet, kur ky fundit, i detyrohet në mbajtjen e financave publike me anë të taksave, pikërisht për funksionimin e shërbimeve publike. Dhe le të veçojmë katër prej tyre: Uji, Energjia, Arsimi, Shëndetësia. Tani, kush mund ta imagjinojë se një familjeje me identitet fetar –a më saktë ku banojnë femra të cilat, vënë një shami në kokë kur dalin jashtë (vetëm për kaq gjithë kjo zhurmë!!!) – i ndalet furnizimi me ujë e energji, me pretendimin se ndërrmarja e ujësjellësit dhe ajo e elektrikut janë laike! Apo, një gruaje me shami t`i mbyllet dera e spitalit publik ku ajo ka shkuar për të marrë shërbim shëndetësor, për të njëjtën arsye. E njëjtë është dhe shkolla – ku, e theksoj – është thjesht shërbim publik. Laik apo jo laik, të qëndrojë në jetë të jetëve sa bashku me shërbimet e tjera e vetë shtetin, por në rast se ky i fundit, në emër të lirisë, ja ka dhënë të drejtën shtetasit të vet, të zgjedhë identitetin që do, e madje dhe ta jetojë e shprehë atë, atëherë nuk besoj se ka vend për komente të mëtutjeshme.
Pra, dhe njëherë që të fiksohet mirë në thjeshtësinë e vet dhe logjikën e kulluar që e shoqëron: Arsimi, shkolla, me përbërësit e vet ku futen lëndët, kurrikulat, metodat e mësimdhënies, etj., është laik; ndërsa ai që shkon ta marrë këtë arsim, pasi është taksuar për ta marrë këtë shërbim publik, mund të jetë çfarë dëshiron vetë të jetë. Pastaj, mundet t`u ndalohet nxënësve te mos mbajnë simbole të pretenduara fetare, ama ata mund të flasin me shoqi-shoqin në ambiente shkollore, rreth pikëpamjeve të tyre fetare. Si i bëhet në të tilla raste?! Përjashtohen?! Linçohen!
Afro tre vjet më parë, kur sefte nisi aplikimi për pasaporta biometrike, z/ministri i brendshëm Ferdinand Poni, lëshoi një xhevahir alla laik: femrat me shami duhet ta heqin atë kur të fotografohen, me pretendimin se duhet të dukeshin veshët për arsye sigurie!!! Në një emision televiziv, moderatorja tentoi ta bllokojë të ftuarin me këtë argument të huazuar prej Ponit. I ftuari, ju drejtua duke i thënë moderatores: Po ju si mendoni, se kur të dilni në fotografi, do ju thotë dikush se duhet t`i kaloni flokët mbi vesh?!
Shoqatave të të drejtave të njeriut, besimtarëve vetë, apo kujtdo qoftë që më së paku është i interesuar që ta shterojë këtë ngërç, që edhe në mos i pëlqefshin vajzat me shami, priret kah principi i drejtësisë – dhe kjo është ajo që e fisnikëron – do u propozoja këtë skemë: një nxënëse shkolle, ta vishnin një ditë me llojin e veshjes së Nënë Terezës dhe ta çonin në shkollë. Gallatë e madhe do ishte; si në rastin kur nuk do ta lejonin e si në të kundërtën! Gallatë e hidhur për ata që e vuajnë këtë nonsens të një shteti budall (që për dreq nuk është i vetmi), e hithtësia vetë për ata, që nuk dihet së për çfarë e komplikojnë një gjë kaq të thjeshtë në qasjet e tyre!
________________
Shkrimi eshte botuar me pare ne blogun Res Publica. Botohet ketu me pelqimin e autorit.
http://www.respublica.al/mat.php?idm=473&idr=8&lang=1
Nuk ka komente:
Posto një koment