e diel, 12 dhjetor 2010

Politikat dhe historografia e konvertimit në Islam.


Besnik Sinani


Pse u konvertuan shumica e shqiptarëve në muslimanë? Kjo pyetje nuk është thjesht e karakterit historik. Mbi të gjitha, në debatin publik shqiptar ajo përbën një pyetje politike. Debati mbi konvertimin e shqiptarëve në ligjërimin publik është i lidhur me pyetje (dhe më shpesh shpjegime) për gjendjen tonë politike, ekonomike e kulturore, për prapambetjen e fatkeqsitë historike, për orientimin gjeopolitik dhe pavarësinë e vonuar. Ky debat pasurohet përditë nga kontributi i politikanëve, shkrimtarëve, politikano – shkrimtarëve, armatës së analistëve e qeflinjve të tjerë të histories, dhe duket të jetë kthyer në zbavitje mbarëkombëtare tonën në kohë të lirë. Në këtë vërshim prurjesh, kontributi i një historiani të mirëfilltë, si Dr. Dritan Egro (Panorama, 5 Dhjetor, 2010) është vërtet i mirëpritur.


Egro nuk është kufizuar në rolin tradicional të historianit të montuar në katedrën e tij, që i paraqet studimet nëpër konferenca midis kolegësh, por prej kohësh ka marrë rolin e intelektualit që përfshihet në pasurimin e ligjërimit publik teksa sjell prirjet më të reja të historiografisë, duke u distancuar nga metodat e ideologjizuara. Kjo është arsyeja pse artikulli i tij, “Mbi konvertimin fetar tek shqiptarët”, ka dhe elementin e tij zhgënjyes.

Egro me të drejtë vë në dukje se një studim i procesit të konvertimit kërkon njohje të dokumentacioneve kishtare si dhe ato osmane, shënime udhëtarësh e njohje të vetë dogmës së Islamit dhe Krishtërimit. Disa nga këto burime janë përdorur dhe nga historianë të huaj si Peter Bartl, por komente mbi konvertimin e shqiptarëve janë përfshirë dhe në shënimet e udhëtares së mirënjohur për publikun shqiptar, Edith Durham. Ç’është më e rëndësishmja, Egro vë në dukje atë që shumë komentatorë shpesh harrojnë, faktin se procesi i konvertimit në Islam i shqiptarëve është një proces kompleks dhe i shtrirë në shekuj.

Të kuptuarit e këtij fakti, së paku, duhet të vërë në dyshim ‘ekspertizën’ e shpjegimeve simplistike që nuk dëgjohen vetëm në muhabete kafenesh, por shprehen nga analistë që ftohen të mësojnë publikun. Shpjegime si, “shqiptarët e kthejnë gunën nga fryn era”, “shqiptarët u konvertuan që të mbajnë armë”, “shqiptarët e kuptuan që Islami është fe më e mirë”, “shqiptarët u konvertuan që të mos paguajnë taksa”, “shqiptarët u konvertuan me dhunë”, “shqiptarët u konvertuan që t’i rezistojnë asimilimit sllav” e të tjera si këto, jo vetëm që janë të pamjaftueshme në përpjekjen e tyre për të shpjeguar veprimet e kaq e kaq njerëzve në lokalitete shpesh të ndryshme e pa lidhje me njëra-tjetrën gjatë një periudhe disa shekullore, por na tregojnë më shumë për ata që i përqafojnë këto ligjërime se sa na tregojnë se çfarë ndodhi?

Kufizimet ideologjike nuk tregohen vetëm në shpjegimet që japim, por edhe në pyetjet që ngremë. Egro e mbyll artikullin e tij duke na dhënë vetëm dy mundësi pse konvertimi mund të ketë ndodhur: ose për fanatizëm doktrinar fetar, ose si instrumentalizim pragmatist. Pyetjet që ngre Egro, jo vetëm injorojnë pyetjet e ngritura nga historianë të tjerë, por bien, dashje pa dashje, në premisat e ideologjizuara të debatit publik shqiptar. Historianët nuk nisen të studiojnë pyetje për të cilat ata vetë sugjërojnë paraprakisht përgjigjen.

Por a është e vërtetë dikotomia e ngritur midis fanatizmit nga njëra anë dhe pragmatizmit nga ana tjetër? A është nevoja fetare e bashkësive shoqërore - në kohëra kur feja është i vetmi burim që shpjegon botën, shënon fillimin dhe përmbylljen e jetës dhe rregullon marëdhëniet shoqërore - shfaqje fanatizmi?

Kjo pyetje nuk ngrihet në mënyrë hipotetike, por ashtu sikurse Dr. Egro e shtron, është një pyetje që burimet historike na shtyjnë ta ngremë.

A është e përjashtuar për një shqiptar që motivimi i konvertimit të ketë qenë pragmatist? Dikush mund të jetë mahnitur nga ndonjë dervish kalimtar, ndonjë tjetër të ketë qenë edhe fanatik fetar dhe nëse gjejmë prova për secilën nga këto mundësi si dhe të tjera, si vlejnë këto për të shënuar ‘karakterin e përgjithshëm’ të një popullsie të tërë nëpër disa shekuj? A ka dallime midis procesit të konvertimit në zonat rurale nga ato urbane? A është e njëtë vëmendja e autoriteteve osmane për të gjitha trevat, në të gjithë kohët? A ka dallime në zonat ku shtrihet Kisha Ortodokse nga ajo Katolike dhe pse? A kanë rol dallimet dhe konfliktet midis dy kishave në procesin e konvertimit? A ka dallime në shkallën e konvertimeve në periudha të ndryshme dhe cila është lidhja e konvertimeve në këto periudha me ngjarjet historike dhe zhvillimet shoqërore të epokës? A mund të ketë një përgjigje të vetme për pyetjen rreth konvertimit, vetëm një faktor, vetëm një arsye që shpjegon gjithcka?

Këto janë pyetje që na vijnë ndërmend teksa lexojmë artikullin e Egros dhe prandaj na falet të habitemi se, së fundi, shpjegimi i konvertimit për Egron gjendet ose tek fanatizmi ose tek pragmatizmi.

Asnjë historian sot nuk mund të dalë përtej njohjes së debatit politik në qendër të pyetjes së konvertimit, por çdo historian i kupton premisat johistorike të tij. Ky debat është ngritur mbi bazën e determinizmit historik, mbi krahasimin e supozuar të asaj që ndodhi me nocionin e supozuar qartë të asaj se si duhej të kishte ndodhur. Në bazë të kësaj premise është vështrimi i 500 vjetëve histori jo si ngjarje, por si aksident. Historia e paideologjizuar nuk mund të ndihmojë në këtë diskurs, por as nuk mund të pretendojë se kishte një marrëveshje që shkonte përmes brezave e trevave të të gjithë shqiptarëve që të konvertohen ose për pragmatizëm ose për përqafim fanatik të fesë. Në çështjen e konvertimit, historianë si Dr. Egro nuk mund të na tregojnë “çdo kish ndodhur” (?!) – se vetë pyetja është sakate – por mund të na tregojnë, ndoshta jo në mënyrë shteruese, atë çfarë historia ka marë përsipër të tregojë: Çfarë ndodhi?

Ky shkrim u botua tek gazeta Shekulli me titullin "Pse u konvertuan shqiptret ne myslimane?" me date 9 Dhjetor 2010.

http://www.shekulli.com.al/2010/12/09/pse-u-konvertuan-shqiptaret-ne-myslimane.html

Nuk ka komente:

Posto një koment