e martë, 28 dhjetor 2010

Besimtarët jo-konformistë, një qasje alternative

Vajada Keçi Manjani*

‹‹Fëmite e tu nuk janë femijtë e tu, janë fëmijtë e vetë jetës. Ti i sjell në jetë, por nuk je ti që i krijon. Ata janë pranë teje, por nuk janë pronë e jotja. Mund t’i japësh të gjithë dashurinë tënde, por jo idetë e tua, sepse ato kanë idetë e veta›› - Khalil Gibran.


Në projektligjin për arsimin parauniversitar, i cili i është hapur tashmë diskutimeve të publikut, ndër të tjera në paragrafin 4 të nenit 36 ‹‹ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare››. Ky paragraf lë shumë hapesirë për reflektim, aq më tepër kur i referohet nxënësve që efektivisht nuk duhet të kenë mbushur ende moshën madhore përderisa kryejnë arsimin parauniversitar. Në sferën tonë juridike çdo subjekt i cili nuk ka mbushur ende moshën madhore, edhe pse zotëron aftesinë juridike[1], nuk zotëron aftësinë e veprimit[2]. Pra, për sa i përket minorenit, ai e ka të kufizuar aftësinë për të vepruar apo për të vendosur në saj të interesave të tij, duke mos qënë ende i “aftësuar për veprim” gjer sa të mbushë tetëmbëdhjetë vjeç. Në këtë rast është e thjeshtë të mendosh se një subjekt nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, që ndoshta ndodhet në një fazë ku personaliteti i tij ende nuk është formuar plotësisht dhe për pasojë e gjen veten në vështirësi për sa i përket ndërgjegjësimit për pasojat juridike të zgjedhjeve vetiake, duhet t’i garantohet mbrojtja juridike kundrejt akteve kushtëzuese që mund të ndërrmarrë. Për aplikimin konkret të institucionit juridik i cili ka për qëllim mbrojtjen e minorenëve nën profilin që përmendem më lart, kjo sferë kërkon bashkëpunimin e atyre faktorëve që në bazë të një marrëdhënieje natyrale janë të aftë të shprehin mbrojtjen më të mirë të tyre, pra, prindërit dhe tutorët[3]. Përballë një të drejte themelore, siç është ajo e edukimit të fëmijeve, prindërve iu është dhënë hapësirë shumë e gjërë për të kryer akte të cilat lidhen me interesat e tyre. Por gjërësia e kësaj të drejte mund të shtrihet vetëm aty ku këto akte bëhen në interes të minorit. Kështu juridikisht mund të shprehemi se është e drejta dhe detyra e prindërve të mbajnë, arsimojnë dhe edukojnë fëmijët e tyre[4], kjo qoftë edhe fetarisht.


Përshkrimi që cituam më lart ka natyrë përmbledhëse, gjithsesi na mjafton që të japim idenë e pasojave delikate që ka ndërhyrja e shtetit në marrjen e vendimeve në interes të minorenit. Por ka nga ata që mendojnë se individi përpara moshës tetëmbedhjetë vjeçare, duhet të lihet i lirë nga presionet apo ndikimet familjare në marrjen e vendimeve të cilat ndikojnë në jetën e tij.

Mund të themi se e drejta për edukimin personal, për formimin njerëzor, për realizimin individual si njeri, si qytetar si punëtor, i takon prindit: vetëm në rolin e mbikqyrësit, gjersa femija të jetë i aftë të vendos vetë, prindërit kanë të drejtën dhe detyrën e edukimit të tyre. Më pas, kjo e drejtë bie dhe kalon në duar të vetë fëmijës, të vetë personit i cili vendos për të ardhmen e tij. Kjo, në aspektin fetar Islam, është e ditur dhe e praktikuar botërisht përderisa fëmijët nuk janë të obliguar fetarisht gjer sa të mbushin moshën madhore, si për praktikat e veshjes ashtu edhe të riteve të tjera fetare. Por kjo moshë madhore mund të mos përkojë me moshën e aftësimit juridik të cituar më lart, atëherë si i bëhet? Në këtë rast, mbikqyrja e prindit duhet të jetë e garantuar dhe i riu të gëzojë hapëzirë të gjërë lëvrimi në nevojat e tij për eksperimentimin e botës shpirtërore fetare e praktike. Në një ambient neutral po, por neutral në sensin e të mos pasurit asnjë shtrëngim apo ndalim të praktikës së tij fetare, as nga shteti e as nga familja për aq kohë sa praktika të jetë e njohur botërisht si jo e dëmshme apo kriminale.

Kushtetuta[5] shprehet qartë se prindërit në funksion mbikqyres kanë për detyrë të edukojnë, të përmbushin të drejtën e femijëve për t’u rritur, për t’u formuar intelektualisht, për të qënë autonom: kjo e drejtë nuk mund t’i rezervohet asnjë personit tjetër, madje as shtetit përveçse në raste të veçanta si jetimoret ku në përgjithësi është shteti që mbikqyr dhe është përgjegjës për mbarëvajtjen e tyre apo edhe kur prindi abuzon me drejtën e tij si tutor duke e shtyrë minorin në akte kriminale qoftë edhe konsensuale apo edhe në abuzime të ndryshme mbi të. Është e drejta e shtetit që të pretendojë mbrojtjen dhe edukimin e fëmijëve[6], por nuk ka të drejtë t’i edukojë ata sipas qëllimeve dhe kritereve të tij. E kemi provuar ketë eksperiment fare mirë në komunizëm, e për fat të keq kemi harruar shumë shpejt gjatë këtyre njëzet viteve se çfarë sjell një shtet i cili ia jep të drejtën vetes për të edukuar simpas doktrinave të tij. Shteti dhe institucionet lokale duhet të pretendojnë që fëmijët të bëhen qytetar të përgjegjshëm, të formuar në aspektin e bashkëjetesës demokratike si dhe në planin e aftesisë punëtore. Feja dhe praktikat e saj, të njohura botërisht si pozitive nuk pengon në këtë proçes. Në një shtet social është detyrë e Republikës të zhvendosë pengesat ekonomike dhe sociale që pengojnë zhvillimin e plotë të qënies njerëzore.

Këtu, vëmëndja ime spostohet nga sfeta private (mikro) në atë publike (makro) për të reflektuar mbi nevojat alternative që sjell implementimi i ketij projekt-ligji në fomën e paraqitur më lart.

Nuk do shumë mend të kuptosh se suksesi i reformës arsimore, nuk arrihet me pengimin e një grupi të caktuar interesi (praktikuesve të riteve fetare) për të marrë pjesë në arsimimin sipas aftësive dhe prirjeve personale, por vetëm duke ngritur cilësinë e procesit mësimor. Sa i përket projektligjit në fjalë, a nuk do të ishte më afër mënd sikur përpiluesit e tij, kur të nisnin punën të konsultoheshin gjëresisht me teologë ekspert të fushës përkatëse? Në rastin konkret të shamive të femrës muslimane a nuk do të ishte me afer arsyjes së paku të pyetet Komunitetin Musliman nëse ajo është thjesht një simbol apo obligim fetar përderisa pohoet se ka një diferencë midis tyre. Kjo do të ishte një mënyrë e mirë për të afruar në vendimmarrje grupet e interesit.

A nuk do të ishte padrejtësi ndaj këtyre vajzave të përjashtohen nga arsimi publik nëse gabimisht akti i tyre i devotshmërisë fetare të deklasohet nga praktikë dhe obligim fetar në një simbol të thjesht fetare i cili hiqet e vihet simbas nevojës apo rastit? Obligimi fetar, është akt pa të cilin një besimtar nuk do të ishte i plotë në besimin e tij ndërsa simboli është fakoltativ dhe që shpreh thjeshtë një përkatësi.

Do të ishin të natyrshme reagimet në rast se shteti do t’i ipte të drejtën vetes të mënjanonte dhe veçonte individë të caktuar nga arsimi i detyruar për t’i dërguar ato në institucione arsimore alternative, jo vullnetarisht por të detyruar nga mos toleranca dhe mos pranimi në ambjente publike për shkak të praktikimit të një riti fetar (vëre: rit fetar dhe jo simbol fetar). Në këtë rast ai duhet të përgjegjësohet dhe të plotësojë detyrat e tij ndaj kësaj kategorie duke mundësuar dhe lehtësuar praktikën e hapjes së shkollave alternative kudo që të jetë nevoja për to. Në çdo fshat, qytet apo zonë malore ku ka nxënës praktikant të detyrimeve fetare të ket shtet që furnizon arsimin e detyrueshëm, qoftë me financim nga fonde publike, ashtu siç ndodh rëndom me institucionet arsimore “paritare” në perëndim. Nëse shteti i largon nga vetja nxënësit që kanë zgjedhur një praktikë fetare atëherë ai duhet të kujdeset që e drejta e tyre për arsimim të garantohet nëpërmjet hapjes së shkollave të cilat i përmbushin si kriteret e arsimit publik ashtu edhe atij fetar, me përmbajtjen e çdo lënde të arsimit shtetëror, kjo, sepse ato në këtë rast do të kryenin nje funksion publik ndaj dhe të financueshëm nga shteti. Shumë vënde evropiane financiojnë shkollat private me fonde publike sipas llogjikës së ekselencës, për derisa këto të fundit garantojnë arsimin publik të detyrueshëm, dhe e garantojnë atë me sukses.

*Autorja po kryen master në INTERNATIONAL COMMERCE /(Seksioni Ligjor) në Padova, Itali



[1] E drejta civile e R.P. të Shqipërisë, Andrea Nathanaili.

[2] Ibidem.

[3] LIGJI Nr.10 347, datë 4.11.2010 Neni 3 pika h) Përfaqësues ligjor” është kujdestari ose familja kujdestare, personi apo institucioni, i cili, brenda tagreve që i janë dhënë nga ligji ose nga gjykata, mbron interesat e fëmijës nëpërmjet kryerjes
apo jo të veprimeve juridike, në emër ose për llogari të fëmijës. http://www.president.al/shqip/info.asp?id=6256

[4] Ibidem. Neni 6 pika: 2. Prindërit/përfaqësuesit ligjorë kanë përgjegjësi parësore të krijimit të kushteve të jetesës për t’i garantuar mirërritjen, zhvillimin, mirëqenien, edukimin dhe arsimimin fëmijëve të lindur nga martesa dhe jashtë martese.

[5] Kushtetuta e Shqiperise: Neni 27 pika ç): Liria e personit nuk mund të kufizohet, përveçse në rastet e mëposhtme: për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi.

[6] LIGJI Nr.10 347, datë 4.11.2010 Neni 36 pika 1. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës është person juridik, në varësi të ministrisë që bashkërendon punën për çështjet për mbrojtjen e fëmijës.

Nuk ka komente:

Posto një koment