e hënë, 6 dhjetor 2010

Politika e jashtme e islamofobisë


Elton Hatibi

Gjëja më e lehtë për çunakët që duan të futen në lojra të mëdha është të thurin lavde për idetë e atyre që janë më të afirmuarit në treg, paçka se tregu është një aksham-pazar, ku malli i freskët është shitur në mëngjes dhe në aksham ka tepruar malli bajat. Me gjithë këta autorë që për fat të mirë janë përkthyer në shqip këtë dekadë, dhe ndërkohë që mjetet e informimit, posaçërisht interneti, ofrojnë një mori mundësish për t’iu qasur informacioneve të specializuara, çunakët, të cilët duan të bëjnë karrierë, pijnë ujë vetëm nga burimet vendase, të helmatisura gjatë industrializimit të vrullshëm të periudhës enveriste.



Ky është rasti i Dritan Hilës, i cili një artikull të mëparshëm e bekon në fillim me gromësira citatesh nga i ‘urti’ Sabri Godo, ndërsa shkrimin tjetër të tij, me titull “Diplomacia dhe idetë e të mëdhenjve të mendjes”, e ka ngjizur në kokë pas leximit të librit të rradhës joartistik të Kadaresë.



Artikulli është i mbushur me pasaktësi, konfuzion dhe fyerje. Për shembull, hungarezët dhe polakët, që janë kontribues të asaj që quhet Rilindje Evropiane, konsiderohen lindorë të futur me hatër në qytetërimin perëndimor, si pasojë e besnikërisë së tyre ndaj Fuqive të Mëdha! Sipas kësaj ideje, Polonia e pësoi keq e me keq sepse nuk iu bind Rajhut të Tretë. Një hiperbolë shfaqet dhunshëm në këtë artikull: fuqitë evropiane janë te shqetësuara ndaj ekspansionit lindor (aludohet këtu Turqia)! Ndërkohë që Turqia është aleate e Natos (sikurse dhe ne) dhe shtyllë e saj, fërkimet me aleatët e saj nuk vijnë nga fakti se kërkon të rikthejë Andaluzinë mesjetare, ose të kapërcejë vijen e verdhë të komunës së Vjenës, siç i shitet vulgut, por ngaqë ajo po rrit rolin e saj në Lindjen e Mesme, dhe më konkretisht, po heq mbështetjen e saj pa kushte ndaj Izraelit.
Ndërkohë, Turqia, së cilës nuk i janë mbyllur dyert zyrtarisht për futjen ne BE, nuk po e rivalizon Bashkimin Evropian me ndonjë nisëm analoge zgjerimi, federate a pakti në rajonin e Ballkanit. Pra, jemi larg mobilizimeve për t’iu kundërpërgjigjur ekspansioneve imagjinare. Një çështje konfuze ngre kokë në lëçitjet e artikullshkruesit (qe luan rolin e përcjellësit), siç është fjalia që pasqyron bashkimin e shqiptarëve të të gjitha besimeve tek miti i heroit kombetar: “Secili prej besimeve gjente tek Kastrioti dicka nga vetja, dhe të gjithë së bashku një Shqipëri evropiane”! Do të kish qenë më e saktë që shkruesi ta emërtonte heroin me emrin Skënderbej, që të paktën myslimanët të gjenin me të vërtetë tek ai diçka të tyren.



Shqiptarëve, ndërkaq, u propozohet të qëndrojnë në rolin e mjeranit në Ballkan, duke u thënë se, ashtu si vendet e tjera të rajonit, nuk kanë asnjë aset (?!). E vetmja zgjidhje është që vendi të kthehet në numër rendor në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe çdo lehtësi në fushën e sigurisë, si hapësira portuale, aeroportuale, etj, të vihet pa kushte në dispozicion të më të fortit. (Shqipëria këtë rol e luan sot e gjithë ditën, por autori i shkrimit kërkon që kjo të ndodhë tashmë kundër Turqisë). Më pas, për këtë besnikëri, do të shpërblehet si aleate në tavolinën e fitimtarëve(?!). Këtu, frikshëm, në kokën e autorit, pëlcet një konflikt planetar. Shqipëria u rreshtua me Aleatët në Luftën e Dytë Botërore dhe çuditërisht, në tryezën e Konferencës së Parisit, fuqia që armatosi aleatthit e saj (Partinë Komuniste) që të shkatërronte kundërshtaret ideologjikë, duke e përgjakur Shqipërinë cep e më cep, nuk donte që t’i njihte asaj (aleates) kufinjtë shteterorë.

Ka edhe kështu pradoksesh që autori mbase nuk i di, ose dhe ai, si frymëzuesi i tij, ia di për ndër Aleatëve që instaluan dhe konservuan në Shqipëri regjimin më stalinist në Evropë (zgjidhje për regjim tjetër nuk kishte…). Këta shembuj tregojnë amatorizmin dhe nxitimin e islamofobëve të rinj për të kontribuar me mish-mashe argumentësh dhe ata në tymin e qelbur të uzinave të dikurshme nxijnë ende realitetin shqiptar.



Artikullshruesi propozon që reflektimet e Kadaresë, prej të cilave ai është magjepsur, të kthehen në manual për politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë. Por nga ajo që lexojmë në artikull, Kadareja nuk thotë asgjë më shumë veç: “Shqiptarë urreni Turqinë; ajo që ju duket si dashuri vllazërore midis dy kombeve nuk është e vërtetë”. Per t’ia mbushur mendjen lexuesit futet ne funksion historia, zhanri më i dashur për spekulantët. Trazohet mjegulla në kthjelltësi për të prodhuar një tis që helmon mendjet dhe shpirtrat. U thuhet shqiptarëve se turqit po të kishin qenë të mirë do të kishin lejuar shkolla shqipe, autonomi të gjerë, etj., por ngaqë ju urrenin, nuk jua dhanë; ato i fituat vetë duke u pavarësuar me ndihmën e Perëndimit. Historitë me pashallarë janë një mashtrim; ata vetëm sa i pinin gjakun popullit në njerën vrimë, dhe vrimën tjetër e thithte vampiri turk.



Këto janë përralla orientaliste të kalcifikuara nga tekstet dhe imazhet e realizmit socialist që tashmë ripërcillen në forma reflektimesh patriotike. Që të jenë të ndershëm dhe bindës u duhet t’i japin më parë përgjigje disa pyetjeve, që pas këtij spekullimi lindin spontanisht. Në radhë të parë, duhet të tregojnë se cilin prej shumë popujve të perandorisë donin turqit? A ka një popull që u përkëdhel gjatë Perandorisë Osmane? Me pas duhet të na tregojnë se, ky popull me fat, a i donte dhe a vazhdon t’i dojë sot turqit? Po turqit a vazhdojnë t’i duan ata? Apo gjithë kjo perandori ka qenë një urrejtje për vdekje, turq kundër shqiptaresh, grekë kundër bullgarësh, serbë kundër boshnjakësh, kurdë kundër arabësh, çerkezë kundër tartarësh? Nëse është kjo e fundit, për të qenë korrekt me logjikën, këta spekulantë fanatikë duhet t’u thonë shqiptarëve se urrejtjet e kaluara nuk janë ndonjë gjë e madhe. Edhe francezët i urrenin italianët kur i mbanin nën pushtetin e tyre, edhe Habsburgët austiakë urrenin çekë e sllovakë, edhe anglezët urrenin irlandezë, qipriotë, maltezë, gjibraltaras, dhe të gjithë këta popuj bashkarisht urrenin sunduesit e tyre, e kështu pafund shembujt janë nga më të larmishmit. Të shkuara të harruara; kur e harruan urrejtjen dhe rivalitetin shkatërrues francezet dhe gjermanet edhe ne nuk kemi rrugë tjetër me turqit.



Në marrëdheniet dhe bashkëveprimet ndërmjet popujve dhe kulturave të ndryshme, nën çadrën e strukturave të tilla si perandoritë, sigurisht ka supremaci, urrejtje, interesa, lëshime, represion, dekadencë e prosperitet, por është detyrë e shkencës dhe jo e sharlatanëve t’i shohë e të na i thotë këto fenomene rast pas rasti, me ngjitjet dhe uljet e këtyre raporteve. Por ky sqarim nuk ndodh sepse historia e shqiptarëve, sipas spekulantëve, është e shkëputur nga çdo kontekst botëror dhe nuk mund të krahasohet me asnjë analogji. “Mjeshtrat” tanë miksojnë historinë, politikën, dëshirat dhe pamundesinë me qëllim ideologjinë e urrejtjes.



Këto ide me urrejtje të vjetra, që nuk i kemi kuptuar dot, dhe i kemi kthyer në dashuri se jemi të paaftë t’i kuptojmë pa ndërmjetësimin e ekspertëve guru, e që nuk janë të vetmet, jo më kot po trumpetohen fort sot. Ndër të tjera trumpetime, një publicist në një gazetë online, me intervisten e tij joprofesionale, shabllone (të gjithë në një kallup/Gallup), me teknikë dikotomike prej 25 pyetjesh, sprovon elitën shqiptare me pyetjen: “nëse e kupton ajo shqetësimin e evropianëve për anëtarsimin e Turqisë në BE”! Kjo, me fjalë të tjera nënkupton: a je dhe ti evropian, a jo? Dhe në fakt, ky nënkuptim vjen më poshtë në formën e pyetjes së drejtpërdrejtë: “A jemi ne shqiptarët evropianë me titull të plotë”? Përderisa populli i paditur nuk e di ç’është Evropa dhe vazhdon të dashurojë “xhelatin” e djeshëm, sigurisht që përgjigjja e sakte duhet të jete “Jo”. ”Përveç një pakice të vogël, domethënëse”, - nxiton të shprehet burri i një deputeteje, për të treguar që edhe ai me të shoqen nuk bëjnë pjesë tek “mëkatarët” aevropianë.



Në fund, si për të mbyllur trekëndëshin, vjen pyetja e cila nuk do koment: Pavarësinë e fituam vetë apo na e dhuruan të tjerët? Sipas kësaj llogjke, që ngjet si zdrypje nga shkallët, duhet të shtrohet dhe kjo pyetje: A ka Shqipëria sot sovranitet (se Kosova e dimë që jo)?
Propaganda për të alienizuar ndjenjat natyrale të popullit shqiptar ndaj Turqisë (e cila jepet si recetë e domosdoshme, ultimative për politikën e jashtme të vendit) është zgjatim i islamofobisë në rritje në Evropë, që shkon nga shkon, shfaqet si kulmim me “idhnimin zyrtar” të Francës dhe Gjermanisë ndaj kanditaturës për antarësimin e Turqisë në BE, kombinuar kjo me rritjen e rolit të Turqisë në punët e Lindjes së Mesme, që kësaj rradhe ka “idhnuar” Uashingtonin. Por “idhnimet” e çështjeve që kanë të bëjnë me diplomacinë ndërkombëtare është pabesi që të hidhen në tryezat e shqiptarëve nga islamofobët, mbi të gjitha pas gjithë atij investimi edhe të Turqisë për sigurinë në rajon, ku ne shqiptareve na u hoq laku nga fyti.



Fanatikëve nuk iu duhet ndershmëria; parimi është i motçem, “kalova lumin … kalin”. Kanë gjetur momentin oportun në këtë situatë të ribalancimeve botërore për të tulatur shqiptarët duke aluduar për pritshmëri malinje. Se si e kanë llogaritur ata dinamikën e ardhshme të një mali me shkëmbime midis dy popujve dhe shteteve tona, që nga ato më njerzoret si lëvizja e lirë, tregtia, shkollimi, turizmi etj, të cilat kanë qenë jetike për shqiptarët e izoluar nga Evropa, e deri tek ato më të komplikuarat, siç janë investimet strategjike, bashkëpunimi ushtarak, ekspertiza në punët e fesë, etj., kjo i ngelet hamendësimeve dhe kohës per ta zbardhur. Një gjë është e sigurt, stina e fanatikëve po përplaset përherë e më dhunshëm në portat e shqiptarëve.



Nuk ka komente:

Posto një koment