e mërkurë, 29 dhjetor 2010

Peizazh me baltë dhe floktore


Ervin Hatibi

Cepi i mëhallës nuk ka rrugë që të mund ta quash lirshëm rrugë. Balta e zezë e passhiut si naftë ngrihet nga gropat me llokoçitje. Është një lloj balte e përpunuar, një aplikacion urban i rafinuar imët nga këpucë me dhe pa taka dhe goma makinash me dhe pa dokumenta, një nënprodukt që ka shumë pak të bëjë me baltën burimore të rilindasve apo të poetit nga Devolli. (Kush është familjar me disiplinat erotiko-sportive ku meshkuj të ndezur brohorasin rreth ca grave të reja që luftojnë gjysëmcullak në një legen të stërmadh mbushur me diçka të ngjashme, e ka të qartë për ç’familje substancash po flas.) Lirshëm përfytyron mbi këtë lloj balte dy makina bllokuar turi më turi në ngushti të rrugicës tek i hungërojnë si hijena njëra-tjetrës duke i dërguar isharete kërcënuese me hapembyllje dritash. Dritat pas pak do të ikin dhe nafta më pak e ëmbël se mjalta do ngrihet vrik nga toka e do nxijë çfarë i zë pragu deri lart e më lart në qiellin, fundbarku i të cilit është ende i njomur me shi...


Po ama në cepin e mëhallës së re ardhacake në skaj të qytetit Studenti nusërojnë dy floktore, diagonal me njëra-tjetrën. Dhe e zbusin krejt tensionin zonal me dritëzat dhe ojnat e aromat mentale që emanojnë. E para floktore quhet “Dhurata” dhe besoj se është në konflikt me gjithë parkingun që i mbivendoset mu në hyrje: sapo “Dhurata” qep sytë mbi leshrat e klientes dhe neglizhon vëngjillën e vitrinës, opaa t’u ngul tjetri me makinë aty te pragu dhe ta spostoi klientelën tek floktorja e dytë pa emër e cila ngrihet kat i dytë mbi katër shtylla si ngrehinë e kulturës së Maliqit. Nëpër xhamllëqet e floktoreve, si e do zakoni, janë vendosur me shije sigurisht më të rafinuar se të kamionistëve, foto të stërmëdha vajzurinash me lloj-lloj baroku të ndërtuar drejt e mbi kokë, gra misterioze me vështrime prej opiumi nën kilogramë llaku dhe drite prozhektorësh. Pas xhamllëkut ku janë faqosur gra teorike posterash, fillon distanca problematike me realitetin fizik të grave të lagjes. Flokëpunueset premtojnë parajsën. Mu aty përmbi baltën post-baltë. (E sqaruam llojin: edhe një herë pra, nuk bëhet më fjalë për baltën e qëmotit ku mund mbijë diçka, përfshirë edhe mistikë narkotike patriotike, por jo, jo, kjo është b.a.l.t.a. formulë e re updated me përqindje të lartë çimentoje nga ndërtimet dhe me blozë nga “skarpamentot”. )

Floktorja& kafeneja

Mëhallat, në dallim nga Qendra, kanë një lloj urbanistike gjinore ku burrat e gratë zhvillojnë botët e veta paralele në një lloj ndarje gati laboratorike haremllëku e selamllëku. Vende burrash janë klubet e lagjeve bashkë me bilardot, zyrat e llotarive apo bast-hanet, këto shtëpi publike të fatit, ku të premtojnë që, për fjala vjen, 500 lek të vjetra mund të blesh një milion të reja. (Vetëm burrat mund t’i hanë kësi lloj mashtrimesh që bien erë përrallë e kërkojnë fantazi për t’u besuar; burrat braktisin gratë që u luten të mos rrezikojnë dhe vërsulen deteve në kërkim të El Doradove që ekzistojnë fillimisht vetëm në formë lajmi.)

Kurse vende grash janë shitoret dhe floktoret. Karakteristike është se gratë, duke qenë më bujare se burrat, u bëjnë vend në territoret e veta meshkujve disidentë, bile jo vetëm në territore i strehojnë po edhe në identitetin e vet. Kështu qëllon të gjesh jo pak meshkuj duke blerë spinaq apo detergjent krah për krah me gratë te shitorja te cepi, e po ashtu, gju më gju ulur tek ajo karrigia elektrike, sheh me gratë edhe ndonjë djalosh të dredhë cullufen te floktorja.

Tek territoret e autonome të grave nuk ka gënjeshtra të tipit ‘na i jep lekët sot dhe kismet të fitojë Verona pasnesër me Juventusin që të t’i japim dyfish’. Gratë nuk i hanë këto. Ato janë të imunizuara nga shantazhet apo premtimet që implikojnë kohë ose të ardhme brenda. (Ndryshe si do të pranonin pjesëmarrjen disaminutëshe në atë lodrën e njohur dhe të ëmbël popullore e cila përfundon kaq dhunshëm pas disa muajve (9).

Mashtrimi që funksionon në rastin femëror, është i afishuar në formë posteri tek vitrina e floktores. ‘Na i jep lekët të t’i bëjmë flokët si kjo goca këtu!Dhe tani!’ Po nuk i pa flokët e veta tamam si ajo fotomodelja 16 vjeçare në foto, nuk t’i lëshon lekët gruaja e huaj, harroje!

Social fabric

Tymi obligativ i duhanit që mbështjell me një atmosferë violente intifade fytyrat e burrërisë në klubin e mëhallës është ajo ‘pëlhura shoqërore’, si i thonë, që përbën atë konsensusin e padukshëm identitar. Të kujtdo qëndrimi politik apo pozicioni social apo ajsbergu religjioz të jenë, meshkujt shqiptarë, mazhoranca e tyre, grupohen nën tymin gri të klubit, që nuk është nevoja të shpjegojmë se çfarë përfaqëson. Përfaqëson pra tymi i klubit të mëhallës që nga ditët e para iniciatike të adoleshencës, lëndën e parë të burrërimit mesdhetaroballkanas, me kultin e forcës, josofistikimit, solidaritetit, bindjes në të mirë a në të keqe ndaj grupit dhe traditës. ‘Grupi i tymit’ është ai me të cilin negocion elita, kapitali, pushtuesi i mundshëm, revolucioni i pritshëm.Tymi barazisht futet në mushkërinë tënde, dhe ai është i njëjti që thithin të gjithë; bile ai që ti shfryve, do thithet nga të tjerët dhe anasjelltas. Minoritetet (kryesisht e kam fjalën për ato joetnike) dhe gratë, kanë fatin e duhanpirësit pasiv; edhe po nuk e ndeze vetë, s’ka problem, e kanë ndezur të tjerët për ty, ti veç merr frymë, dhe e merr me të edhe identitetin si fakt të kryer, dosdo...

Tek gratë, pëlhura sociale, në përgjithësi ka qenë, thjeshtë...pëlhurë. Gratë punonin pajën nëpër mëhalla në grup. Qëndistari kryesisht pa funksion utilitar, ritual prej Penelope, thurja e pëlhurës sociale grarishte, simbolizohej në orë të të tëra vashëri humbur me punëdore mbi nyje të grepit apo shtëllunga të tezgjahut shtëpijak, ku ornament pas ornamenti, tegel pas tegeli kalitej identiteti durimtar i femrës si nënë dhe zonjë shtëpije. Hektarët e djersitur me qëndistari dëftenin haptas se vajza kishte kaluar përmbi ylberin e penjve ngjyra-ngjyra, bashkë me provën e përkushtimit të ardhshëm si grua, kur do kalonte në pushtetin kapricioz të burrit dhe prindërve e fëmijëve të tij. Ama ndër të tjera, qëndistaria kolektive e pajave, ishte edhe një shkollë e madhe ku transmetohej dhe përsosej ideali lokal i bukurisë, ashtu romb më romb e lule më lule. Tashmë në shoqërinë moderne, rishpërndarja e punëve dhe zakoneve e ka nxjerrë jashtë përdorimi punën e dorës, dhe të vetmet lidhje të underground-it të grave duket se janë kthyer lokale flokësh si ai me emrin ‘Dhurata’ apo ‘Sonila’ apo ‘Gërshëra e artë’ . Floktore, permanent, sallon bukurie, nga dy a tre për çdo rrugicë, le të quhen si të duan, ato janë vendet e grave, ekskluzive dhe erogjene. Tashmë jo me pambuk apo blegtori, po me flokët e veta gratë po thurin pjesën e vet të pëlhurës shoqërore, ku mbivendoset zhargoni i tyre, vështrimi i tyre subversiv (etatist) mbi politikën, teknikat e fundit kontraceptive, pedagogjitë, emrat e shqipëruar të personazheve të serialëve argjentinas, fobitë e parashikimet e motit, adresat e fallxhoreve apo numër-celularët e ‘njerëzve të mirë’ që dijnë të fryjnë a të lidh-e-zgjidhin magji... Por më e rëndësishmja është se në këto vatra kulture femërore, si dikur në odat e qëndistarisë, rindërtohet me artizanat bukuria. Kaligrafitë e kaçurrelave, ngjyrosja apo çngjyrosja e fijes, volumet e krehjes, transformimet përmes prerjeve, e pastaj nuk po zbresim më poshtë me mani&pedikyrat e format e tjera që ka njeriu për t’u rihumanizuar me anë të kulturës... (Nuk do harruar as arti samuraj i vetëpërmbajtjes me dythikëshin e gërshërës në dorë kur para teje shkëlqen e pambrojtur një qafë e bardhë.)

***

Sapo vijnë dritat, ato vrap e vrap nisin e lëshojnë korrentin nëpër ato skafandrat e mëdha me ngjyra të forta që kanë brenda koka grash që presin të elaborohen. Kurse ngjitur, klubit sa i vijnë dritat dhe tymi nis e ndrin si neon; kafexhiu rend të ndezë ekspresin dhe t’ua drejtojë me kafeinë shpupuritjen burrave në koka, përbrenda...

Marre nga gazeta Koha e Re

Nuk ka komente:

Posto një koment