e premte, 10 shtator 2010

Fitneja e përvitshme e Hënës




Edhe këtë vit nuk kemi shpëtuar dot prej "fitnes” së përvitshme të hënës. Ndonëse këtë vit kjo ndarje e besimtareve ka qenë më e vogël, efekti ka qenë më i madh. Sic u raportua në disa media, Cërriku e ka shtyrë për të premten faljen e Bajramit duke u rebeluar ndaj konsensusit të të gjithë qyteteve të tjera, por edhe në lushnje, besimtarët e kanë falur të ndarë, ndërkohë që në Tiranë, shumë myslimanë e kane agjëruar ditën e Bajramit, ndërsa Bajramin e kanë falur një ditë më vonë, në një nga musalet periferike të kryeqytetit. Mediat raportuan gjithashtu edhe për përplasje publike në shtyp të Myftinisë së Elbasanit me rebelet Cërrikas, të cilët nuk pranojnë rrugët institucionale në të drejtën për përcaktimin e Bajramit. Kjo natyrisht që prish jo pak nga atmosfera festive dhe na bën të dukemi fare karagjozë në sytë e një publiku që pret prej nesh të dëshmojmë mirësitë e Zotit dhe jo gazepin e sherrnajave bajate të brendshme. Sigurisht që çdokush në raste të tilla do të habitej se si ka mundësi që këta nuk merren vesh as se kur është Bajrami.
Megjithë konsensusin e imamëve në kryeqytet, për ta festuar Bajramin të enjten, kjo gjë ka hasur në kontestime të shumta. Shumë njerëz, të mësuar me fetvatë e përhershme se Ramazani fillon vetëm kur të jetë parë hëna, tashmë ndjehen të turbulluar, por edhe të zhgënjyer nga imamët e tyre, të cilët deri më tani kanë krijuar në xhemat profilin e mbrojtësve të sunetit, në kushtet kur streha e institucionit tonë përfaqësues (KMSH-së), është kthyer në një këshill ndrikullash që as që e can kokën për punët e fesë. Kofuzioni bëhet i natyrshëm kur besimtarët shohin mungesë qëndrueshmërie në një problem të tillë: njëherë ecet me hënë, e një herë tjetër me bindje ndaj KMSH-së. E gjithë kjo është ca e komplikuar për logjikën e prerë dhe të drejtpërdrejtë me të cilën xhematet janë mësuar në përgjithësi të gjykojnë problemet e tyre.
Megjithatë, në thelb, edhe këtë vit kremtimi i Bajramit ka kaluar si cdo herë tjetër. Njerëzit kanë mbushur bulevardin Dëshmorët e Kombit si rrallë ndonjëherë, duke sfiduar kësaj rradhe mitingjet elektorale të opozitës. Numri i madh i besimtarëve në shesh, sjell vërtetë shpresë dhe entuziazëm për kedo, por nga ana tjetër, shtron edhe shqetësime të shumta në lidhje me faktin që përgjegjësia e drejtuesve të fesë bëhet edhe më e madhe. Rritja e numrit të besimtarëve dhe masivizimi i fesë vjen në një kohë kur aftësia e drejtuesve fetarë për t’iu përgjigjur këtij realiteti duket e pamjaftueshme. Shfaqjet të tilla me sheshe të mbushura plot, na vendosin përballë një vëmendje më të madhe publike që krijon pritshmëri më të madhe prej nesh. Ndërkohë, përfaqësimi ynë publik nuk duket në nivelet e kërkuara në krahasim me peshën e masave të përfaqësuara. Ajo cka po ndodh, madje edhe në vetë ditën e festës, me shfaqjet e problemeve që nuk kanë përse ti ofrohen publikut, e më tej edhe me nivelin e ligjërimit të ofruar gjatë kremtimeve të Bajramit apo edhe gjatë Ramazanit në disa prej televizioneve periferike të Kryeqytetit (pa llogaritur këtu kllounadën festive të organizimit të ceremonisë, me ilahi alla BBF), nuk të jep të njëjtën shkallë optimizmi sa shtimi i numrit të falësve të Bajramit në shesh.

Shënim redaksional

Nuk ka komente:

Posto një koment