e hënë, 20 shtator 2010

Një vizitë e gabuar


Besnik Sinani
(Nje variant i ketij artikulli eshte botuar tek Shekulli me date 20 Shtator 2010)

Sic është bërë e ditur në media, me datë 22 shtator, Presidenti Topi do vizitojë komunitetin shqiptar të Detroit dhe do nisë aktivitetin e tij duke vizituar statujën e Nënë Terezës në Kishën e Shën Palit. Teksa është komentuar prej disa autorëve abuzimi politik i figurës së Nënë Terezës prej politikanëve shqiptarë, askund ky abuzim nuk mer shije më të keqe se në këtë vizitë të Presidentit.

Famullia e Shën Palit drejtohet prej Dom Anton Kcirës, i cili është i njohur për publikun shqiptar për deklaratat e tij në 13 Maj të vitit 2007, ku thoshte se 1.9 milionë “qenë” të Kosovës duhej të ishin rrjepur për së gjalli nga Milloshevici si 260 mijë “qentë” e Sebrenicës.



Kcira fliste me rastin e planit të dështuar të vëllezërve Duka, me origjinë nga Maqedonia, për të sulmuar Bazën Ushtarake të Fort Dix në New Jersey. Sic ka thënë vetë më vonë, ai fliste i indinjuar nga mungesa e reagimit të shqiptarëve ndaj këtij akti e vecanërisht mungesës së reagimit të muslimanëve shqiptarë.

Për hir të së vërtetës, 13 xhami shqiptare në Amerikën e Veriut dolën në një deklaratë të përbashkët ku dënonin aktet e vëllezërve Duka. Por ajo që duhet vënë në dukje është se Anton Kcira ju përgjigj publikimit të fjalimit të tij me akuza për ata që e kishin publikuar dhe duke pretenduar manipulim të materialit. Kur organizatat muslimane në zonën e Detroit kontaktuan dioqezën e zonës, Anton Kcira bëri një gjysëm apologji ku pranoi që kish përdorur fjalë të gabuara por që nuk reflektonin zemrën e tij por zemërimin e tij. Do donim ta pranonim këtë qëndrim të Anton Kcirës sikur të mos i ishte kthyer qëndrimit të mëpërparshëm në deklaratat e tij gjatë vizitës së fundit në Kosovë. Vlen të theksohet se Kisha Katolike e Kosovës deklaroi se nuk do e ftonte Dom Antonin në përurimin e Katedrales së Nënë Terezës.

Atëherë, pse viziton Presidenti Topi këtë nxitës urrejtje fetare, këtë klerik që quan muslimanët shqitparë si “shqiptarë me bisht”, që quan viktimat e genocidit të Sebrenicës “qen” dhe bën thirrje se të njëjtin fat meritonin edhe 1.9 milionë “qentë e Kosovës?” Skizofrenia politike e një akti kaq jo sensitiv, nuk tregon vetëm mjerimin e gjykimit politik të Presidentit, këshilltarëve të tij apo atyre biznesmenë të diasporës që kanë organizuar këtë takim, por ngre dhe pyetje për statusin e presidentit si figurë që kërkon të emulojë koherencën dhe solidaritetin e komunitetit të një kombi, gjë që bie në kundërshtim me përpjkjet për të rehabilituar një sharlatan dhe nxitës urrejtjeje si Dom Anton Kcira.

Ka aspekte të tjera të kësaj vizite që kërkojnë vëmendje të publikut. Nga gjithë politikanët shqiptarë që vinë këto ditë në Amerikë me rastin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshmë të OKB-së, Topi vjen me shpurën më të madhe, me tërë familjen dhe këshilltarë, mbi dhjetë veta sipas medias, me shpenzime të mbuluara nga populli i reckosur shqiptar. Edhe pse kjo është periudhë kur liderë nga gjithë bota vërshojnë në New York për takime homologësh, Topi merr rrugën për në Detroit për tu shtruar vënce me diasporën dhe me profetin e urrejtjes, Don Anton Kcirën.

Por sebepi i vizitës është nderimi i Nënë Terezës. Le të bëjmë, me këtë rast, pyetjen naïve nëse një grua që njihet për dedikimin ndaj të varfërve do miratonte shpenzimet e këtyre udhëtimeve familjare të Presidentit me gjithë obortarët e vet? A do aprovonte një grua, që u bë e famshme për devocionin ndaj njerëzve më të mjerë të planetit, komentet e Dom Anton Kcirës për “shqiptarë me bishtë” që meritojnë “të rripen për së gjalli” ashtu si “qentë e Sebrenicës?” Po a ka rëndësi përgjigja e kësaj pyetjeje qoftë për Kcirën e qoftë për Topin?

Nuk ka komente:

Posto një koment