e mërkurë, 15 shtator 2010

Luftë Civile në KMSH, Kryetari dhe Kryemyftiu shkarkojnë njëri-tjetrin


Selim Muca dërgon në polici Kryemyftiun


Një përcarje e re e fuqishme ka shpërthyer sërish në rradhet e drejtuesve të lartë të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kësaj rradhe ajo vjen brenda për brenda grupit në pushtet, i cili ka qenë përherë kundër zërave që kanë kërkuar reformim të këtij institucioni. Përplasja ka qenë midis Kryetarit të KMSH-së Selim Muça dhe Myftiut të Tiranës Ilir Vokshi, e cila ka shkuar deri aty sa ky i fundit ka përfunduar në polici, i marrë në pyetje. Për pasojë, të dyja palët, kanë marrë vendim të shkarkojnë nga detyra njëri-tjetrin, nga detyra, ndërsa Kryetari Muca ka paraqitur në faqen zyratre të KMSH-së edhe zëvendësuesit e të shkarkuarve.

Vendimet e palëve

Sipas burimeve të brendshme nga KMSH, bëhet e ditur se gjithçka ka ardhur për shkak përplasjes së brendshme të rrymave, midis asaj të përfaqësuar nga Myftiu i Tiranës Ilir Vokshi dhe Sekretari i Përgjithshëm Betim Truci si dhe asaj të përfaqësuar nga Gentian Kruja, e cila njihet ndryshe si krahu filo-turk në KMSH. Një ditë më parë, Vokshi dhe Truci i kanë paraqitur kryetarit Muca një shkresë për shkarkimin e Gentian Krujës. Muca ka refuzuar të pranojë këtë vendim dhe për pasojë palët janë acaruar deri në konflikte të ashpra verbale, gjë që e ka cuar Mucën të thërrasë policinë. Kjo ka bërë që Ilir Vokshi të mbahet në rajon për disa orë, ku dhe është marrë në pyetje nga organet e rendit. Ndërkohë, sot para dite, Ilir Vokshi, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të KMSH-së, ka mbledhur kryesinë e këtij këshilli, ku dhe ka dalë me vendimin për të shkarkuar nga detyra Selim Mucën, gjë të cilën e ka bërë publike nëpërmjet një komunikimi për shtyp. Por edhe ky i fundit nuk ka mbetur prapa. Ai ka thërritur menjëherë, në mënyrë urgjente kryesinë e KMSH-së, ku ka shkarkuar Vokshin dhe disa të tjerë. Me këtë rast, në faqen zyrtare të KMSH-së bëhet e ditur se Vokshi është zëvendësuar nga Ish-Myftiu i Tiranës, i mbetur myfti honorifik, Shaban Salihi.

Imami i Xhurës emërohet zëvendësmyfti

Por lëvizja e Mucës nuk është mjaftuar me kaq. Zëvendësimi i Myftiut është shoqëruar edhe me emërimin e imamit të Xhamisë së Xhurës Bilal Teqja në postin e Zëvendës-Myftiut të Tiranës. Një veprim i tillë bëhetë qartësisht për të mbajtur në kontroll një pjesë të mirë të xhematit të Tiranës, dhe për të eleminuar mundësinë e ndonjë përfshirjeje të xhemateve kundra Mucës. Nuk dihet ende nëse vetë Teqja e ka pranuar apo jo detyrën e re, por gjithsesi, në njoftimin zyrtar të KMSH-së, bëhet i ditur emërimi i tij, duke u përdorur për kredit në një përplasje të tillë. Vendimi për emërimin e z. Teqja në këtë post, është i cuditshëm, pasi aktualisht KMSH-ja e ka një Zëvendës-Myfti, z. Besim Nuzi, dhe njoftimi nuk bën të ditur asgjë për ndonjë shkarkim të mundshëm të tij. Ndoshta Nuzi dhe Teqja, do ta ndajnë së bashku postin e zëvendësuesit të Salihit, i cili është në vetvete një zëvendësues i ardhur stoli i rezervave të Mucës, i cili i ndërron myftinjtë sikur të jetë në një ndeshje stërvitore.

Mosekzistenca e ligjit

Këto vendime të ndërmarra nga palët në konflikt përbëjnë saktësisht puç të ndërsjelltë institucional. Gjithcka zhvillohet në një truall krejtësisht antistatutor, gjë që tregon se ky institucion është shndërruar në një barrakë institucionale ku ligji as që ekziston. Të dyja shkarkimet e ndërmarra nga palët janë krejtësisht antistatutore dhe askush prej tyre nuk ka kurrfarë mandati dhe të drejte ligjore për të shkarkuar tjetrin. Megjithatë, realiteti i këtij institucioni ka treguar se statuti as që ekziston në rregullimin e marrëdhënieve brenda këtij institucioni, por gjithcka funksionon në mënyrë primitive dhe klanore. Përplasje të tilla vetëm sa nxjerrin në pah kalbësinë e një karakatine të tillë, që nuk përfaqëson asgjë, jo vetëm nga vlerat e fesë Islame, por as vetë komunitetin e besimtarëve të cilët pretendon se i udhëheq.

Nuk ka komente:

Posto një koment