e shtunë, 18 shtator 2010

Tërmet në KMSH



Furkani


Tërmeti ra prap në KMSH. Përplasjet brenda kësaj korporate ishin aq të spikatura sa media vijoi t’i rendiste në faqet kryesore. Dhe akuzat e ndërsjellta të kastës politike për korrupsion nuk do të përbënin lajm më të rëndësishëm se akuzat brenda KMSHs. Një kanal televiziv do t’i kushtonte emisionin më të parë të tij pikërisht kësaj cështje. Drejtuesi i saj bile do të cilësonte se ky emision kishte qenë më i ndjekuri për këtë periudhe. Interesante ishte se si një prej të ftuarve bëri dhe paralelizmin e ‘cudive’ politike të ditës me ‘cuditë’ e KMSH-së. Pra njëra palë akuzon për korrupsion palën tjetër dhe kjo tanimë në KMSH është kthyer në precedent. Është kthyer në një kopje të keqe të politikës shqiptare.
Kush janë palët që përplasen dhe kush mund të jenë qëllimet e vërteta që fshihen pas këtij konflikti?
Në korportatën KMSH ka kohë që ka nisur një konflikt midis tre palëve (aksionereve) ku njëra palë përfaqesohet nga Selim Muca, pala tjetër nga Betim Truci and co dhe një palë tjetër që qendron më në hije, nurxhinjtë, e cila përfaqësohet nga Genti Kruja. Përplasjet që lindën për shitjen e madhe të vakfit bashkuan aksionerët të cilët kishin qëllime të ndryshme. Fakt është se në shitjen e vakfit ka firmosur e gjithë kryesia ku bënte pjesë Muca, Truci, Kruja, dhe Shabani (ish myftiu i Tiranës). Pra nëse ka shkelje të gjithë këta që grinden sot duhet të shkojnë në prokurori pasi të gjithë janë fajtorë.
Fillimet e kësaj ‘tragjedie’ kanë nisur menjëherë pas dekompozimit të Myftinisë së Tiranës dhe përfaqësuesve të saj në Këshillin e Përgjithshëm rreth vitit 2008. KMSH u kthye në një institucion tërësisht autoritar. Nuk respektoheshin as normat më elementare të statutit dhe kishte një mungesë të plotë të transparencës. Kulmi i arrogancës ishte pikërisht shitja e fundit e vakfit në mes të Tiranës e cila u përcoll shumë keq nga komuniteti i besimtarëve. Nuk ishte ndodhur në historinë 20 vjecare të këtij institucioni pas viteve ‘90 të bëhej një shitje me vlera kaq të konsiderueshme dhe me shkelje kaq flagrante. Kriminalizimi i të gjithë myftinjve, duke i detyruar ata të merrnin nga shuma e shitjes së vakfit, gjoja si ndihmë për buxhetet e tyre miskine, ishte mekanizmi më i pamoralshëm dhe korruptiv i pastrimit të parave.
Sic ka ndodhur normalisht në këtë korporate në momentin që bisnesi po shkonte keq, pra kur paratë u mbaruan, filluan problemet.
Ajo që duket të jetë është një përplasjë për marrjen e kryesisë së KMSH-së. Rizgjedhja e Mucës, megjithëse me shumë kontestime në bazë, duket të jetë bërë me kusht që ky i fundit ta ndërpresë mandatin dhe t’ia kalojë atë mbështetësve të tij që në rastin konkret duket të jetë vetëm grupi i Trucit. Ajo që nuk dihet me qartësi është se sa i gjerë ka qenë ky koalicon—a kanë qenë pjesmarrës në këtë kontrate dhe nurxhinjtë? Kjo ngelet enigme .
Nëse pretendimet e Mucës janë në përgjithësi të lidhura me postin, nurxhinjtë janë më së shumti të interesuar në mbrojtjen e investimeve të tyre. Megjithatë ajo që është e qartë është se Truci, me shumë mjeshtëri kishte arritur të ishte ura lidhëse midis Mucës dhe nurxhinjve dhe gradualisht të ngrinte stekën e autoritetit të tij. Kjo fillonte që tek mbajtja e vulës së KMSH-së e deri tek emërimet në poste kyce në Kryesi dhe Këshillin e Përgjithshëm. Pikërisht dalja si pol i tretë midis Mucës dhe nurxhinjve ka bërë që të lindi konflikti midis Trucit dhe dy poleve të tjera. Anekdoda që qarkullon është se shkaku i shpërthimit të këtij konflikti është pikërisht një zënkë midis Krujës dhe Vokshit. Por ky sigurisht është vetëm shkaku pasi problemet kishin kohë që zienin. Në fakt aksesi në këtë institucion është thuajse i pamundur, dhe analiza e ngritur është më tepër mbi baza supozimesh.
Ajo që vihet re është dhe prononcimi i Kryetarit të Kulteve i cili mbështet Mucën. Në retorikën e tij lexohej qartë ‘linja shtetërore’ e cila ishte tërësisht në krahun e Mucës. Edhe kjo është një enigmë më vete. Në këtë moment Muca si duket i instruktuar mirë, nxjerr në pah asin e tij të përhershëm, i cili është extremizmi dhe të rinjtë që duan të marrin institucionin me puc. Nga ana tjetër rilegjitimohet publikisht duke përfshirë dhe imamët kryesorë të qytetit të Tiranës. Është e paqartë pse imamët i janë përgjigjur thirrjes së këtij të fundit. Imamët kanë kohë që ruajnë një kohezion me Mucën në cështje publike si caktimi i ditës së Bajramit, ftesa që u bënë në iftar etj. Në fakt, dhe ky rast, duhet parë nën dritën e faktit se institucioni ka pasur disa ndryshime të cilat lidheshin drejtpërsëdrejti me shkarkimet dhe emërimet e reja që lidheshin me Myftininë e Tiranës. Mbase Muca ka përdorur këtë rast për të treguar ‘muskujt’. Duhet cilësuar se imamët e Tiranës dhe jo vetëm, kanë kohë që sinkronizojnë me njëri-tjetrin, hap i cili është parë me sy pozitiv nga komuniteti. Është e vështirë të japësh një ide se kush duhet të ishte pozicionimi I tyre në këtë ngjarje pasi, si ata dhe pjesa e komunitetit, jane mbajtur tërësisht në periferi qëllimisht nga KMSH.
Sidoqoftë situata është shumë delikate dhe mund të percipitojë në cdo moment. Në emisionin Ora e Debatit dt. 17 Shtator, 2010 zhvilluar tek Ora News, Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, njëkohësisht Myftiu i Tiranës Ilir Vokshi, tashmë i shkarkuar nga Muca, do t’i bënte ftesë Mucës për t’u ulur dhe për të shuar konfliktet. Të njëjtën thirrje bëri dhe Gjinishi, i kudondodhur në të tilla raste. Nga ajo që mund të vihet re është se Muca me shumë gjasa do të dalë fitues edhe në këtë përplasjë. Nurxhinjtë do të shtrijnë kontrollin e tyre në Kryesi, ndërsa Myftinija e Tiranës do ti kalojë të bindurit të Mucës, Shaban Saliut.
Me pak fjalë ajo që ndodhi është turpi tjetër i rradhës që korporata KMSH dhe aksionerët e saj i lanë besimtarëve muslimanë shqiptarë. Ky është një fakt tjetër që ky institucion ka kohë që ka humbur legjimitetin e tij dhe fatkeqesisht nuk përfaqëson emrin që mban. Ana tjetër e medaljes në të gjithë sagën e KMSHs, është kultura e indiferentizmit dhe mosbesimit ndaj institucioneve qeverisëse që ajo po kultivon tek besimtarët. Nëse sot në perëndim ka përpjekje serioze për centralizmin e komunitetit të besimtarëve muslimanë nën një organizatë ‘cadër’ dhe autoritare si një mjet pozitiv për unifikimin e tyre, KMSH përfundimisht duket e dështuar. Injorimi i saj gjithashtu përbën problem. Si rrjedhim mardhënia me të si nga besimtarët në përgjithësi dhe imamet në vecanti duhet të jetë konstruktiv dhe pa shkelur parimet. Një qëndrim i ekuilibruar dhe përpjekja për projekte serioze në terren do të ishte mbase rruga më e mire. Ne mungesën e normalitetit në institucionin qendror ju ngelet xhamive, por dhe cdo ambienti tjetër intelektual musliman që të luajë këtë rol.

Nuk ka komente:

Posto një koment