e shtunë, 25 shtator 2010

Konfliktet e Islamit shqiptar dhe analistët e tij.


Besnik Sinani


Ngjarjet e fundit në Komunitetin Musliman Shqiptar (KMSH) treguan, ndër të tjera, mangësinë interpretative në debatin publik për të kuptuar krizën disa vjacare të këtij institucioni.



Varianti dominant, i artikuluar ndër të tjerë nga Xhavit Shala, Piro Misha apo dhe komentatorë të huaj si Miranda Vickers dhe mbështetur dhe nga kreu i KMSH-së, Selim Muca, është reflektuar për të shpjeguar ngjarjet e fundit në KMSH dhe nga gazetari Alfred Lela ( Mapo 18/09/2010).

Sipas këtij varianti, kriza në KMSH vjen nga përplasja midis muslimanëve të vjetër si Selim Muca, tradicionalistë dhe tolerantë, nga njëra anë, dhe të rinjve që kanë studiuar në vendet e Lindjes së Mesme në anën tjetër, të cilët kanë importuar ‘wahabizmin’, janë intolerantë dhe përbëjnë rrezik kombëtar. Në formë faktike, pretendohet, kjo përplasje vihet re në dallimin midis Xhamisë së Qendrës dhe asaj të rrugës së Kavajës.

Teksa ky variant interpretativ është përdorur nga Lela për të shpjeguar c’po ndodh në KMSH, ngjarjet e fundit treguan më së qarti se pse dikotomia ‘te rinjtë’ kundra ‘të vjetërve,’ ‘ekstremistë’ kundra ‘tolerantëve’ është i pasaktë dhe nuk ofron shpjegim mbi krizën e disa dekadave në KMSH.Kreu i KMSH-së, Muca, e përdori dhe këtë rradhë retorikën kundra ‘ekstremismitëve’ adresuar kundërshtarëve të vet, por ironija ishte se e përdorte kundra atyre që gjer dje e kanë mbështetur kur ka sulmuar ‘ekstremizmin’ dhe e bëri këtë duke patur në krah dhe i mbështetur nga ata që gjer dje ka akuzuar për ‘ekstremizëm.’ Atëherë kush janë ‘ekstremistët?’ Përgjigja e bazuar mbi vëzhgimin në kohë të ngjarjeve në KMSH është se ekstremistët janë ata që dalin kundra Mucës dhe kush del në mbështetje të tij nuk është më ‘ekstremist.’ Rjedhimisht, teksa Muca ngrinte akuzat e rradhës për ekstremizëm, në krah për ta mbështetur gjendej dhe imami i xhamisë së Rrugës së Kavajës, xhami të cilën Lela e identifikon si krahun kundërshtar të Mucës tolerant.

Le të sjellim një tjetër shembull domethënës. Para pak muajsh, me të njëjtat akuza, Muca shkarkoi ish Myftiun e Shkodrës, Ndricim Sulejmani, një musliman i ri, me mjekër që kish studiuar në Lindjen e Mesme, pra që plotëson profilin e ‘wahabistit’ sic propozohet nga Lela e të tjerë. Por Sulejmani është diplomuar në shkollën Ebu Nur në Siri që njihet për qëndrim të ashpër anti-vehabi. Ky model interpretativ, gjithashtu, nuk arrin të sqaroj as flakjen jashtë strukturave të KMSH – së të personaliteteve si Qeramudin Durdia apo studiuesi Ali M. Basha, medresistë të vjetër dhe nga rithemeluesit e parë të KMSH.

Problemet e KMSH-së nuk janë, sic pretendohet, rezultat i dallimeve ideologjike të brezave. Ato janë produkt i korrupsionit ekonomik të strukturave të KMSH - së, politikës shtetrore ndaj fesë, dhe krizës së përfaqsimit të besimtarëve muslimanë.Ish krye myftiu i Shqipërisë, Bledar Myftari, ish nën kryetari i KMSH-së, Rusheku, ish myftiu i Shkodrës, Sulejmani e shumë të tjerë, janë shkarkuar jo për cështje debatesh ideologjike, por pasi kanë ngritur zërin kundra korrupsionit në shitjen dhe manaxhmin e pronave të KMSH-së. Teksa këta, sic dihet më së miri nga monitoruesit e Islamit në Shqipëri, janë përfaqsuesit e vërtetë të Islamit tradicional, hanefi, shqiptar, ata janë akuzuar vetëm se nuk pranuan të marin pjesë në pazaret e shitjeve korruptive të shefave të tyre. Ankesat e imamëve dhe këshillave të xhamive, pavarësisht ku këta hoxhallarë kanë studiuar, janë mbi të gjitha të lidhura me korrupsionin ekonomik të KMSH-së, korrupsion që shteron resurset dhe potencialet e gjithë bashkësisë së besimtarëve muslimanë.

Lela ka të drejtë kur thotë se shteti, duke gjykuar se besimtarët e rinj “përbëjnë rrezik kombëtar” ka mbështetur Mucën. Kjo u duk dhe në ngjarjet e fundit ku pavarësisht se as Muca e as ata që u munduan ta rrëzojnë nuk kishin bazë statutore për të shkarkuar njëri-tjetrin, shteti coi policinë në mbështetje të Mucës. Në të shkuarën, gjykatat e shtetit kanë rrëzuar me nxitim paditë e sjella nga besimtarë muslimanë rreth korrupsionit ekonomik të KMSH-së.Kjo mbështetje e njëanshme e shtetit, që bie në kundërshtim me parimet e sekularizmit, ka potencuar në KMSH ata që në sytë e shumë besimtarëve shihen si të korruptuar dhe ka krrijuar përshtypjen se shteti punon në dëm të interesave të besimtarëve. Kjo mbështetje shtetrore, për më tepër, ka bërë të mundur që kryesia e KMSH-së të përjashtojë zërat e imamëve të xhamive dhe këshillave të xhamive duke bërë që këta njerëz që përbëjnë pjesën më të madhe të bazës së besimtarëve mos kenë zë dhe përfaqsim në institucionin që supozohet se i përfaqson.

Ironikisht, komentatorë si Mark Marku (Mapo, 22/10/2010) ngulin këmbë që të ketë më shumë ndërhyrje nga shteti në përzgjedhjen e llojit të Islamit. Nuk është e qartë se mbi c’baza shteti ngre preferencat për imponimin se si një individ apo grup individësh besimtarë mendojnë për Zotin (teologjia) apo i luten Atij (ritualet), dhe mbi të gjitha, përvec nëpërmjet përdorimit të dhunës, si dhe sa mund të arrihet praktikisht ky imponim në epokën e internetit. Ironikja është se e gjitha kjo propozohet në emër të ruajtjes së demokracisë, ku nënteksti është që mund të sakrifikohen të drejtat e besimtarit për të drejtat e të tjerëve. Por kushdo që është i interesuar për demokracinë e di se demokracia selektive nuk është demokraci.

Të tilla propozime informohen nga nocione të gabuara dhe mosnjohje të problemtatikës që këta autorë pretendojnë të komentojnë. Për shembull Marku, Misha, Shala e të tjerë shohin ‘botën arabe’, ‘islamin arab’ si një entitet të vetëm, të identifikuar kryesisht me ‘wahabizmin’. Një hapësirë nga Maroku, në Egjipt e Kuvajt, qindra milionë banorë, tradita fetare, shkolla teologjike, interpretime, pjesë e dinamikave fetare që gjenden në cdo fe pra, reduktohen në ‘islami arab’, apo ‘wahabizëm’ kur është se si në shkollat teologjike ashtu si dhe në praktikat fetare vehabizmi është minoritet në Lindjen e Mesme. Por këta analistë, të cilët meren ndër shumë gjërave të tjera dhe me Islamin, bien në kundërshtim me konkluzionet e studiuesve më të njohur të Islamit bashkohor në botë. Teksa Marku identifikon ‘islamin radikal’ me një entitet gjeografik (botën arabe) studiues si Olivier Roy thonë se në të kundërt, radikalizmi fetar bashkohor është i lidhur me “c’territorializimin e religjiozitetit.” Për Markun problemet e muslimanëve në Evropë janë produkt teologjik i ‘islamit arab’, dhe jo i kuptuar në kuadrin e emigracionit, politikave identitare evropiane, daljes së partive populiste të djathta, trashigimisë historike të marëdhënieve midis emigrantëve dhe vendeve pritëse të ngjizura gjatë kolonializmit. Një qasje e tillë do ishte një arsye më tepër për të kuptuar pse debatet populiste evropiane nuk mund të sillen të shpjegojnë debatet për muslimanët shqiptarë vendali. Këto premisa bëjnë më pas të mundur diskursin për ‘aziatizimin’ e muslimanëve shqiptarë dhe gjer thirrjet publike që atyre tu hiqet qytetaria shqiptare apo adresimi i tyre si tradhtarë! Këto tendenca esencialiste, reduktuese që informojnë të tilla gjykime janë hedhur poshtë prej kohësh në shkencat sociale dhe detyrimisht nuk mund të na ofrojnë njohje të mirëfilltë të fenomeneve që pretendojnë të komentojnë.

Ky diskurs, gjithashtu, ka kriminalizuar një gamë të madhe të besimtarëve duke pretenduar se ata përbëjnë rrezik kombëtar, janë intolerantë, dhe nuk besojnë tek bashkëjetesa me njerëz të besimeve te tjera. Këto përgjithsime e supozime, nuk janë të mbështetura as në studime e as në njohje të cështjeve që komentojnë, por të kthyera në politika shtetrore dhe aksioma të mendimit shoqëror, ato rezultojnë në forma margjinalizimi dhe diskriminimi që duhet të shqetësojnë cdo shoqëri që e mer seriozisht demokracinë.Ky variant interpretativ kriminalizon edhe forma të dukshme të devocionit si mbajtja e mjekrës edhe pse Shqipëria ka firmosur konventa ndërkombëtare që njohin të drejtën e besimtarëve që të praktikojnë dhe demonstrojnë besimin e tyre fetar. Por teksa mbajtja për arsye fetare e mjekrës identifikohet me ‘islamin radikal, arab’ dhe ‘të rinjtë’, harrohet mjekra e të ndjerit Sabri Koci. Mbi të gjitha, duke qenë se dhe mbajtja e formave të tilla të dukshme devocioni përbën një praktikë minoritare në bashkesinë e besimtarëve, ky model interpretimi nuk na ofron asgjë për pjesën dërmuese.

Shpesh ky kriminalizim i praktikave fetare bëhet në emër të sekularizmit. Shpesh me këtë rast i apelohet dhe modelit të Mbretit Zog. Kjo gjë tregon jo vetëm mos njohje të fenomeneve fetarë që pretendojnë se komentojnë këta autorë, por dhe mos njohje të sekularizmit. Sic kam vënë në dukje dhe herë tjetër, duke cituar disa nga studiuesit më të njohur bashkëkohorë që studiojnë këto fenomene, si Jose Casanova dhe Olivier Roy, ideja e sekularizmit ka pësuar transformime në këto dhjetëvjëcarë e jo më që nga koha e Zogut. Ironikisht, të tilla komente nga sekularistë fundamentalistë supozojnë, ashtu si dhe fondamentalistët fetarë, se qoftë mënyra si jetohet feja, e qoftë marëdhëniet e shtetit me fenë janë të pandryshueshme. Kësisoj ato kërkojnë kthimin në modele të viteve 20-30 të Zogut, bashkohore me totalitarizmin nazi-fashist. Sigurisht, në mënyrë selektive, ky kthim mbrapa kërkohet vetëm në politikat ndaj Islamit.

Nuk ka komente:

Posto një koment